Refuzimi i presidentit Rugova që në cilësinë e kryetarit të LDK-s t’i përgjigjej ftesës së kryeministrit Rexhepi për një tryezë bisedimesh, rikthen edhe njëherë në skenën politike të Kosovës mosmarrëveshjet politike. Në këtë rast, do të ishte një mosmarrëveshje lehtësisht e kapërcyeshme, pasi në takimin e paralajmëruar nuk pritej ndonjë vendimmarrje e rëndësishme konkrete. E megjithatë, përfaqësuesit e partisë së z.Rugova, refuzuan ftesën, me motivin se mungonin konsultimet paraprake. I konsideruar në formën e një takimi konsultativ, ndërmjet politikanësh që i përkasin të njëjtit vend, të njëjtit komb dhe të njëjtës qeveri, kjo arsye nuk është shumë e kuptueshme. Përkundrazi, koordinimi i disa problematikave kryesore të vitit, do të shënonte rritjen e peshës specifike të politikës shqiptare në Kosovë.
Për vetë mënyrën se si funksionon qeveria e Kosovës, takimi në fjalë mund të konsiderohet i vonuar. E ndërtuar nëpërmjet kompromisit të forcave kryesore politike në vend, ku numerikisht LDK-ja e Rugovës ka shumicën e portofoleve ministrore, qeveria kosovare do të kishte nevojë që takimet ndërmjet liderëve politikë të partive pjesëmarrëse në kompromis, të institucionalizoheshin nëpërmjet një pakti të veçantë, apo ndonjë konvente të posaçme. Kësisoj iniciativa e vonuar e kryeministrit, nuk do të kishte shumë nevojë të komentohej në mënyra të ndryshme. Për këtë arsye, është për të ardhur keq që u jepet më tepër rëndësi formaliteteve dhe burimeve të iniciativave, se sa vetë problematikës që duhet diskutuar. Rugova e konsideroi postin e presidentit, si pengesë në pranimin e ftesës. Dhe në fakt, Rugova është i vetmi president i një modeli evropian të republikës parlamentare, që mban njëkohësisht edhe pozicionin e kryetarit të partisë së tij. Në modelet e republikave parlamentare evropiane, presidentët janë poste honorifike, pozitat e të cilëve bëhen të rëndësishme në momente të veçanta krizash, apo që kanë të bëjnë me zgjedhjet e reja. Në këtë praktikë, presidentët nuk janë titullarë partish dhe madje duke qenë të tillë, janë ata që thërrasin në takime kompromisesh kryetarët e partive.
Takimi i realizuar ndërmjet kryeministrit dhe liderëve të partive trashëgimtare të luftës në Kosovë, vlerësuar si një takim brenda llojit, më tepër është kthyer në një shprehje të shkëmbimit të mendimeve dhe deklaratave publike, në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me bartjen e pushtetin nga UNMIK-u, tek qeveria e Kosovës. Si në të gjitha modelet e republikave parlamentare edhe në Kosovë, posti i Kryeministrit është figura më e rëndësishme ekzekutive. Refuzimi për kryeministrin konsensual të Kosovës, nga kryetari i partisë më të madhe pjesëmarrëse në qeverisje, vë në pikëpyetje edhe vetë funksionimin normal të kësaj qeverie kompromisi. Bashkëpunimi ndërpartiak do të ishte tepër i domosdoshëm për Kosovën në momentin e tanishëm. Përsëritja e ftesës së kryeministrit për kryetarët e partive më të mëdha politike të Kosovës, për të koordinuar përpjekjet në drejtim të marrjes së përgjegjësive, do të jetë ripërsëritje e provës së gatishmërisë për të bashkëpunuar në të ardhmen. Nëse do të përsëritet refuzimi i kësaj ftese, atëherë Kosova mund të ndodhet përpara një krize qeveritare.
Krijoni Kontakt