Bugajski: Kosova të punojë për pavarësinë nga OKB-ja
PODGORICE (27 Janar) - Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare në Uashington Janush Bugajski tha se Kosova aktualisht është e pavarur nga Serbia, por duhet të punojë që të bëhet e pavarur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Në një intervistë dhënë gazetës malazeze "Vijesti", Bugajski që ndodhet në Podgoricë, ka folur edhe rreth statusit përfundimtar të Kosovës, duke shprehur njëherit habinë me qëndrimin e kryeministrit serb Zoran Gjingjiç se kjo çështje duhet të zgjidhet menjeherë. "Është e qartë se evropianët nuk duan të zgjidhin këtë problem. Amerikanëve tani më shumë do t'u përgjigjej që të mos ndërmarrin asgjë, por herët e vonë ky problem duhet zgjidhur", thotë Bugajski. "Personalisht mendoj se në tryezë tashmë është dashur të ekzistojë plani për rrugën drejt pavarësisë, me kriteret e përcaktuara mirëfilli, dhe me kushtet fare mirë të caktuara për bashkësinë shqiptare, për udhëheqjen e Prishtinës, të cilët, të jem i sinqertë, ende nuk janë të gatshëm. Ata në një mënyrë duhet të ndihmohen të kuptojnë se ç'është pavarësia", thotë Bugajski. Megjithatë ai thotë se Kosova tashmë është e pavarur nga Serbia, por pyetja e drejtë është se si të të bëhet e pavarur nga Kombet e Bashkuara. Bugajski tha se Kosova, në krahasim me Bosnjën, ka gjasa, sepse nuk ka ndarje të mëdha etnike. dxh/ko (RTv21/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt