TIRANE - Ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, aktualisht deputete e PD-së, ishte e ftuara e sotme e Eni Vasilit në emisionin “Studio e Hapur” në “News24”. Zonja Topalli foli për atentatin ndaj biznesmenit Artan Santo, të cilin e konsideroi si vrasje me qëllim përcjelljen e një mesazhi nga persona që sipas saj, kishin garanci e siguri.

Ish-kryetarja e Parlamentit komentoi aksionin e policisë në Lazarat, vendimin e BE-së për statusin kandidat dhe zgjedhjet në Partinë Demokratike. Lidhur me këto zgjedhje, Topalli tha se procesi është i vonuar dhe duhet të mbyllet sa më parë. Ajo tha se zoti Basha po e drejton PD-në në një mënyrë krejt tjetër, të cilën nuk e ka parë kurrë në PD.

“Është krejt ndryshe, nuk di me ja vu emrin por nuk e kam parë në PD. Sigurisht që ripërtëritja është e rëndësishme dhe kjo ka qenë konstante në PD. Është historia e PD-së ripërtëritja dhe hapja. Ka nevojë sigurisht për ripërtëritje vlerash, por shmangia e gjithë zinxhirit nuk ka ndodhur kurrë në PD. Duhet parë. Unë nuk do ta kisha bërë. Është një model që unë se njoh”- u shpreh Topalli.

Zonja Topalli, do doja ta nisja bisedën tonë me një ngjarje të mesjavës së kaluar, që na shokoi të gjithëve, siç ishte vrasja e bankierit Artana Santo. Ju jeni shprehur në lidhje me këtë çështje dhe e keni quajtur një ndër vrasjet më të bujshme pas vrasjes së Azem Hajdarit, pse?

Do doja ti shprehja ngushëllimet bashkëshortes, vajzës, djalit dhe të afërmve të tyre. Është një ndër ngjarjet e rënda që shënohen fort në mendjen dhe ndërgjegjen e shoqërisë në tërësi. Ishte jashtëzakonisht tronditëse, e rëndë, shokuese, krahasuar me gjithë tronditjen dhe shokimin që ka shkaktuar tek opinioni dhe shoqëria, vrasja e Azem Hajdarit. Tronditja dhe ky shokim vjen për disa fakte që ju si media i keni bërë të ditura. Ditën me diell, ditën e enjte, kur afër kryesisë së kuvendit ka një shtim të numrit të gardës, policisë, sigurisë dhe të ndodhë një ngjarje që në pamje të parë duket si një vrasje mafioze, jashtëzakonisht e frikshme. Më shokuese pastaj bëhet fakti që këta dy persona të maskuar i bien kryq më kryq Tiranës, kalojnë në hapësirat e 5 komisariateve dhe nuk kishte asnjë postbllok. Është shumë e rëndë vrasja e bankierit, por është shuam e rëndë fakti i shtetit të munguar në ato momente. Unë dua dhe pres që të gjenden vrasësit dhe kryesisht urdhëruesit. Përndryshe shteti do shihet i gjunjëzuar. Eshtë një detyrë urgjente imediatë e të gjithë strukturave të shtetit, prokurorisë, policisë drejtësisë, të qetësojnë njerëzit, ti garantojnë se ka shtet dhe siguri.
Nuk është hera e parë zonja Topalli, ju përmendet Azem Hajdarin, por unë kujtoj vrasjen e gjyqtarit Konomi, kur makina e tij shpërtheu. Fakti që këto vrasje mbeten pa autorë, a është ky problemi kryesor?
Sigurisht që është problem, por nuk është kryesori. Gjatë kësaj periudhe, po të marrësh edhe 6 muajt e fundit ke të paktën 11 biznesmenë të vrarë, o me tritol o me armë, me mjete të ndryshme në mënyrën me barbare, më makabre, më rishtuese. Kjo është e papranueshme. Nuk ka ndodhur në të tilla përmasa dhe në të tilla dimensione më përpara Eni. Sigurisht vrasja e gjykatësit është shumë e rëndë dhe e pafalshme që nuk është gjetur autori.

Konsiderohet fakt që situatat konfliktuale politike i japin një lloj favorizimi krimit. Opozita ka pasur në fokus në mënyrë të veçantë Ministrinë e Brendshme, mendoni se ka ndikuar kjo? A duhet të jemi më mbështetës?

U përpoqa ta ndaj politikën, edhe pse jam politikane. Nuk do t’ja lejoja kurrë vetes që të mos them ato që unë besoj, ato që unë di. Ka ndodhur që për herë të parë, në çdo ndërhyrje në seancat plenare ka një shqetësim thelbësor. Mafia dhe krimi, si asnjëherë tjetër, në përmasa të frikshme, në një numër shumë të madh është i pranishëm në qeverisje dhe ka hyrë brenda në parlament. Për mua është e rëndë dhe e dhimbshme për të thënë një gjë të tillë. Por unë kam 20 vite në politikë, nuk ka ndodhur që të ketë njerëz të fortë, të ashtuquajtur biznesmenë, që nuk kanë lidhje me politikën as me PS-në, por janë në parlament sepse kërkojnë një mandat politik për të mbrojtur dhe vazhduar biznesin e tyre. A mund ta vrisnin tek shtëpia, makina, tek një lokal. Jo nuk ka dasht, ka dasht aty. Unë e kuptoj që kanë një mesazh dhe një garanci dhe siguri.

Po thoni që ka patur garanci nga autoritetet?

Kjo kërkon një kurajo të madhe. Është një arrogancë ndaj shtetit dhe shteti jemi ne. I takon organeve ta zbardhin.

A duhet ta denonconi më fort nëse keni fakte për këto njerëz të inkriminuar”

Janë në qeverisje. Ju si gazetarë dëgjon i çdo ditë në konferencat për shtyp të PD. Duke filluar nga zyrat e kryeministrisë për emërime në pozicione kyçe të personave të akuzuar për trafiqe, o të dënuar për drogë, ose për raste të ngjashme. Janë realitete të frikshme nuk kanë ndodhur më përpara. Mund të ketë pasur në administratë njerëz të korruptuar, të tunduar, por emërime të tilla kurrë nuk është imagjinuar. Frika jo si politikane por si qytetare. Si politikane kam për detyrë ta them. Të bëhemi të gjithë bashkë për këdo që guxon të mbrojë personazhe të tillë dhe ti themi stop.

Meqë jemi tek rendi, opozita pati kauz çështjen e drogës. Duket s kjo çështje është lënë mënjanë...

Droga është problem shumë i rëndë si asnjëherë tjetër, dhe për shkak të problemit të madh që ka krijuar jo vetëm në vendin tonë por edhe te fqinjët tanë. Vetëm në tre muajt e parë ishte 15 ton në Greqi dhe 10 ton në Itali sasia e kapur. Si shqetësim thelbësor dhe preokupues për herë të parë ka hyrë në kushtëzimet që i vendosen Shqipërisë për vendosjen e kontrollit në kufijtë e vendit tonë. Trafiku ka qenë i kufizuar. Përmasat e trafikimit janë të frikshme dhe këtë opozita nuk mund ta lejë kurrë. Si një beteje që duhet ta bëjmë për fëmijët tanë.

Pse e keni lënë...

Nuk është e vërtetë që e kemi lënë. 10 maji ka bërë diferencën, Shqipëria që pamë ne me avionin që ra në Divjakë nuk ishte Shqipëria që mendonim ne se ekzistonte. Kërkohet reflektim për përmasat në të cilat ky trafik ka arritur.

Lazarati pse ndodhi? Kapja bilanci përfundimtar? Nëse është kështu si thoni ju pse ndodhi?

Është detyrë e qeverisë të ketë kontrollin në çdo centimetër të Shqipërisë.

Ju e akuzoni qeverinë se ka implikim të saj. A ka një kontradiktë?

Nuk ka kontradiktë, mund të ketë justifikim për të mbuluar ndonjë gjë tjetër më të madhe por s’dua ta them këtë. Kanë bërë shumë mirë që kanë shkulur bimët. Lexoni mediat italiane bëhej trafik kokaine nga vendi ynë ato ditë. Unë nuk dua ta besoj që e bënë për të mbuluar diçka më të madhe. Këta kanë opsion forcën unë nuk do e kisha bërë kurrë. Të terrorizosh familjet me 800 policë. Gjatë periudhës së mëparshme janë marrë masa të tjera por nuk janë përdorur forcë snajperë. Është shumë mirë që nuk ka pasur viktima. Në Shqipëri kemi disa Lazarate, dhe këtë e dimë shumë mirë. Mendonin se do gjenin aty bosët e mafies, nuk gjetën asnjë. Kur bën analizën e një operacioni do shohësh se cili ishte risku. Për mua është e pa pranueshme rrethimi me autoblinda i një fshati. Unë di fshatra si Lazarati në vende të tjera të Shqipërisë përfshi edhe rrethin nga vi unë.

Atëherë ndërhyrja është politike thoni ju?

Në Lazarat prodhohej, por nuk dilte për tu trafikuar kanabisi që prodhohej në Lazarat. e vërteta është që gjatë këtij viti sasitë e mbledhura u trafikuan. “Lazarata” ke të paktën 10 në Shqipëri. Unë mendoj se duhet të mbash kontrollin pa armë mbi njerëzit. Kam të drejtë të pyes po bosët e drogës ku janë? Ke dëgjuar ndonjë emër të ndonjë bosi të drogës?

Ndoshta është një proces do i dëgjojmë më pas...

Ka pasur në listë me 26 emra që ata thoshin që qëllojnë me armë ndaj policisë. E pa pranueshme të qëllosh policinë. Por në atë listë nuk kishte emrat e bosëve. Pse?

E dini ju përgjigjen se përse?

Unë shtroj pyetjen nuk jam policia as gjykatësi.

Si ka mundësi që disa të implikuar ikën nga fshati dhe policia nuk i kapi? Ka shumë pikëpyetje. Unë dua të shpreh një qëndrim konstant që do mbështesim policinë në çdo operacion.
Një qëndrim që fillimisht ishte pak kontradiktor...

Asnjëherë nuk ka qenë kontradiktor, është i qartë si kristal. Ajo që ka ndodhur në Divjakë është një shenjë që e ka çuar stekën e rrezikshmërisë aty ku s’mund ta mendojmë. Segmente që janë të përziera me mafien, nuk mund të luftojnë mafien

Kur guxojnë dhe sakrifikojnë si operacioni i Lazaratit ju thoni që forca nuk duhet...

Nuk fola për Lazaratin dhe plakën që ka në oborrin e saj hashashin, po flas për bosët. Bosët nuk janë në Lazarat janë në Tiranë. Janë të përfshirë në politikë.

Keni qenë në pushtet pse nuk i keni çuar para drejtësisë?

Ne nuk kemi bërë kurrë as gjykatësin, as prokurorin. Qeveria ka detyrat e veta reformën, policia kontrollin e territorit. Kurrë mafia dhe vrasja nuk ka qenë e përfshirë në qeverisjen e vendit.

Do kemi ende protesta për çështjen e drogës? Keni axhendë për këtë çështje?

Cështja e sigurisë është një betejë që mund të zgjasë por që nuk lëshohet që do bëhet në parlament me qytetarët me ço formë deri sat ë krijojmë vetëdijen e qytetarëve për të reaguar fuqishëm për të mbrojtur jetën dhe familjen e tyre.

Ju e quajtët statusin meritë të reformave të qeverisjes së djathtë dhe nuk i dhatë asnjë meritë qeverisë aktuale..

Kam thënë të vërtetën. Sidoqoftë kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që marrja e statusit është një ngjarje historike. Është i vonuar 3 vite. Keqardhje e madhe për këtë vonesë dhe për të gjithë pengesat që ju bënë rrugës për të mos marrë statusin. Nuk e kam kuptuar kurrë, e kam refuzuar në mënyrën më kategorike sjelljen e mosvotimit të 3 ligjeve si kushte të vendosura nga BE-ja. Ligje të cilat mund të votoheshin në 3 sekonda dhe statusin mund ta kishim dy vite përpara. Sot do ishim duke negociuar kapituj të tjerë dhe nuk do flisnim fare për statusin. Statusi nuk është kurrë një pilulë antidepresive për shqiptarët. Shqiptarët nuk janë depresivë. Për ne shqiptarët nuk ka projekt më të rëndësishëm përveç projektit të anëtarësimit në BE.

A ka një meritë kjo qeveri për ju?

Unë di që Rama ka vonuar 3 vite statusin, me një pretekst qesharak. Dy ditë para se të merrej statusi e quajti një pilulë antidepresive për ta zvogëluar vlerën e kësaj. Kjo nuk është një sjellje prej kryeministri. Sot kemi një Europë që ka një rritje të partive euroskeptike dhe sigurisht që do të thonë se kushtet do të shtohen. Këto janë kostot që do paguajnë shqiptarët për shkak të një personi që nuk donte që statusi të merrej nga një qeverisje tjetër.

Rritja e eurospekticizmit nuk ishte për faj të Edi Ramës, në dhjetor për shembull, dhe këtë mund ta themi...

Shqiptarët e meritonin tre vite më parë. Edhe ato tre ligje më dukeshin të tepërta, por sa më mirë sa më shpejt me i realizu. Ai i bojkotoi dhe nuk i lejoi kurrë deputetët e tij të votonin. Njëri prej këtyre ligjeve ishte shumë i rëndësishëm, Gjykata Administrative. Sa herë e dëgjoj tani të flasë për reformën në drejtësi, kujtoj se si e ka zgjatur me vite të tëra gjykatën administrative. Ka një mungesë koherence, përgjegjësie dhe të vjen keq për vendin, është kosto që e paguajnë shqiptarët në fund të fundit.

Ju si opozitë thoni që nuk do të jeni pengesë e integrimit, por kemi parë bojkot, protesta, mospjesëmarrje në reformën territoriale...

E para reforma territoriale nuk është kusht i BE-së. Në procesin e integrimit nuk ka asnjë ligj që ne të mos kemi votu, jo sot. 8 vite ka qenë qëndrim konstant i PD-së të votojmë çdo kusht që vendoset nga BE-ja. Reforma territoriale është e rëndësishme sa nuk mund të imagjinohet që të bëhet pa konsensusin e dy palëve.

Ju këmbëngulni të mos merrni pjesë në këtë reformë, çfarë duhet të bëjë Rama që t’ju përfshijë?

Atë që është një praktikë që në kohën e Fatos Nanos. Çfarë i takon Nanos i takon, që reformat e mëdha të bëhen me konsensus. Ne kemi ndryshu Kushtetutën, është bërë me konsensus, kemi hequr imunitetin me konsensus, janë reforma të mëdha të cilat nuk mund të bëhen kurrë vetëm.

Janë bërë tashmë 10 muaj nga kjo qeverisje, ju jeni një opozitë që nuk thoni kurrë se kjo qeveri ka bërë një gjë të mirë?

Show-n e bën shumë mirë, propagandën më mirë se asgjë tjetër.

Flasim për legalizimet, ka një lehtësim të procedurave të legalizimit...

Legalizimin falas nuk ka dhe kjo ishte një gënjeshtër.

Ju premtimin e legalizimeve e mbajtët?

Ishte një premtim që nuk arritëm ta mbanim. Ne nuk kemi premtuar kurrë legalizim falas. Nuk ka qenë në pikat për të cilat mund të krenohemi. Duhet të jem e ndershme dhe e drejtë. Nuk kemi premtuar kurrë legalizim falas. Nuk mund të premtohet legalizim falas dhe shëndetësi falas. Nëse lidhja mes premtimit dhe realitetit është zero, ti mund të qëndrosh në karrige por je i delegjitimuar.
Ka nisur një proces i shpërndarjes së tapive, mesa duket ligji i ri po ecën disi apo jo?
Kam parë pjesën e asaj që i pëlqen shumë kryeministrit që çdo mëngjes në orën 09 apo 10 të ketë një ceremoni ku bën një gjest. Gjesti është gjest, vepra është gjë tjetër. Unë nuk mund të gënjej veten përmes vitrinës dhe pastaj të shohin bosh magazinën.

Bosh magazinën se boshe gjeti qeveria buxhetin e shtetit. Si ka mundësi që kemi dy Shqipëri, një që e sheh opozita dhe një mazhoranca?

Sheh ndonjë rrugë të re? Ndonjë investim të ri? Kishim ne para në 2005?

Faktin që i shpallët ju prioritet rrugët nuk do të thotë që edhe PS duhet ti ketë prioritet?

Sheh punësim më të madh, sheh investime më shumë? Papunësia ka shkuar 18% sipas INSTAT. Vendi është në një moment të vështirë, është në udhëkryq në aspektin e sigurisë, ekonomisë, largimin e investitorëve të huaj, rënies së konsumit dhe kreditimit. Uroj mos shkojë më shumë në krizë. Gjëja e parë, duhet hequr tvsh për makineritë e bizneseve në mënyrë që ti nxisim bizneset. Ajo ku ne jetojmë, jetojmë në qendër të Tiranës. Për atë qendër punon e gjithë Shqipëria. Dil në periferi të Tiranës do shohësh se gjithkund ka një zbehje, frikë, një pasiguri. Ekonomia ka dimensionin psikologjik. Ky kryeministër përciell negativitet.

Ky është opinion dhe opozita s’mund të ketë opinion tjetër?

Të jesh lider duhet të kesh pasion, pasionin e ka. Duhet të kesh përgjegjësi dhe vizion. Lideri duhet të ketë edhe koncepte të qarta për projektin që ai do për vendin e tij. Ne kishim një projekt “Shqipëria e zhvilluar”. Bëmë rrugë të reja, spitale të reja, hoqëm vizat, arritëm NATO-n. Kemi një bilanc për të cilët krenohemi.
Keni lënë dhe shumë pa bërë...

Sigurisht që kishim të meta kush punon ka të meta. Por ka një bilanc. Kthe kokën mbrapa dhe shih një vit çfarë ka bërë?

Si po qeveris Edi Rama me Ilir Metën?

Koalicion interesant, është shumë interesant.

A ishte interesant kur ishte i juaji?

Është më interesant ky, se janë dy persona që donin ta shihnin të vdekur njëri -tjetrin.

Besoj se e keni fjalën politikisht....

Sigurisht politikisht. Armiq për vdekje. Nuk e di nëse ndodh në ndonjë vend tjetër të botës. Në Shqipëri ndodhin shumë gjëra.

Keni qenë dëshmitare e ngjarjeve të caktuara?

Kemi qenë dëshmitare e shumë ngjarjeve, përfshi edhe 21 janarin. Nëse e keni fjalën për parlamentin unë mendoj se është thellësisht shqetësuese. Mund të thuash sa të duash që unë jam gjithëpërfshirës por të shkelësh Kushtetutën me një kurajo të paprecedent. Ti heqësh të drejtën pozitës të ushtrojë të drejtën e kontrollit përmes komisioneve hetimore. Të shkelësh pjesën më të madhe të neneve dhe rregulloreve. Kërkon një kurajo prej aventurieri.

Shteti po përmbyest në parlament?

Sigurisht përsa kohë përqendrohen pushtetet dhe ndërpriten mandatet. Kryetari i parlamentit ka një nen në rregullore që i jep një fuqi të jashtëzakonshme, që ai asnjëherë se ka përdorur. Kryetari i parlamentit ka për detyrë që në momentin që dyshon për shkelje ta kthejë mbrapsht projektligjin. Kjo nga një anë më duket se e ka kthyer jo thjesht bashkëfajtor por e përdor si skllav. Kjo është sjellje prej... nuk do doja ta thoja atë fjalë.

Ka shumë që thonë se modeli i Ilir Metës në mënyrën s po e drejton parlamentin është më i mirë se i juaji...

Nëse do luaja me hipokrizinë. Gjithkush do i pëlqejë të lëvizi me hipokrizi. E vetmja gjë që nuk e pranoj është hipokrizia dhe oportunizmi. Që të kesh sukses në politik duhet të jesh oportunist. Unë e refuzoj. Kam bërë pakt me besimet e mia dhe i qëndroj thellë.

A po sillet Ilir Meta me opozitën më mirë se ju?

Ilir meta po i heq të drejtën e komisionit hetimor opozitës. Unë besoj se ai e bën shumë më mirë se unë propagandën. Këtë e bën mirë, është mjeshtër.

Të vonuara zgjedhjet në PD, procesi zgjedhor i tejzgjatur keni pothuajse një vit në opozitë?

Procesi është i vonuar. Do doja me shumë dëshirë që të mbyllet një minutë dhe sa më parë.

A po përgatiten mirë këto zgjedhje?

Shumë mirë që zgjedhjet po bëhen, por duhet të mbyllen sa më shpejt nuk ka kohë për të humbur.

Shtypi flet për përplasje mes të rinjve dhe të vjetërve në PD?

E para përplasje nuk do ti thoja, debate diskutime ka patur dhe ka në PD. Kaq të rinj ka në grupin parlamentar sa nuk e imagjinoni. Të vjetër nuk i shkon PD-së se vetë partia demokratike është shuam e re, janë vetëm 23-vjeçare. Më i vjetri në PD ka vetëm 23 vite në politikë. Është një mënyrë krejt tjetër e drejtimit të PD-së, të cilën nuk e kam parë kurrë në PD. Është krejt ndryshe, nuk di me ja vu emrin por nuk e kam parë në PD. Sigurisht që ripërtëritja është e rëndësishme dhe kjo ka qenë konstante në PD. Është historia e PD-së ripërtëritja dhe hapja. Ka nevojë sigurisht për ripërtëritje vlerash, por shmangia e gjithë zinxhirit nuk ka ndodhur kurrë në PD. Duhet parë. Unë nuk do ta kisha bërë. Është një model që unë se njoh.

Janë mbyllur zgjedhjet e PD në Shkodër?

Jo është në proces besoj.

Është folur për një analizë brenda PD-së pas humbjes së zgjedhjes. Një analizë që nuk e kemi parë të bëhej...

Shqiptarët bëjnë analizat më të hollat më të thellat më të vërtetat. Mua më bën përshtypje një gjë. Do kishte qenë historike nëse do ishte marrë mandati i tretë. Nuk ndodhi, por demokratët duhet të jenë krenarë për atë që kanë bërë. Mandati i parë 2005-2009 a qenë ndër mandatet që do mbesin në histori.

Ju keni ndonjë ambicie personale në postet drejtuese të PD-së?

Politika është gjëja që më pasionin më shumë. Është një pasion i jashtëzakonshëm kur mendon se ke kauza për me luftu.

Ka zëra që thonë se zoti Berisha ndërhyn shumë në vendimmarrjen e Bashës?

Këto më duken si thashetheme, nuk kam as dëshirë as ti dëgjoj. Jo vetëm nuk ndërhyn, por ai e ka përsëritur një mijë herë. Kryetari i ri është Basha, ka marrë përgjegjësinë dhe ka thënë do ta çoj në fitore PD-në. Sigurisht do të ketë gjithë mbështetjen.

Nëse zoti Basha nuk i fiton zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

Pse duhet të mendoj keq unë mendoj pozitivisht.

Është gati PD për zgjedhjet e ardhshme, lokale?

Prandaj unë i kam patur preokupim zgjedhjet. Opozita duhet të kthehet, të konsolidohet. PD ka minimalisht dy sfida të mëdha, duhet të zgjidhim çështjen e votës tërësisht e kompromentuar në zgjedhjet e Korçës. PD duhet të mendojë seriozisht çfarë do bëjë për të mbrojtur të drejtat e opozitës që nuk i lejohet edhe komisioni hetimor në parlament për të trajtuar problemet e frikshme dhe bazale që ne i trajtuam në fillim të emisionit.

Realisht mendoni që ka patur një gjë që nuk e keni bërë mirë që ju kushtoi këtë mandat të tretë?

Mund të kemi patur më shumë se një gjë. Konsumi 8-vjeçar është konsum 8-vjeçar. Ato që s’lidhen me PD-së kanë të bëjnë me premtimet që nuk i bënim dot, shëndetësi falas, 30 mijë vende pune dhe një koalicion që u ngjiz me një amoralitet.

(er.nu/a.n/BalkanWeb)