Emri:  12.jpg

Shikime: 1512

Madhësia:  6.9 KB

Aktori dhe regjisori, Nikola Shkreli ka lindur në Detroit, SHBA. Vjen nga një familje emigrantësh shqiptarë nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Në moshë të vogël mban mend që ka qenë një nxënës mesatar, por që më pas filloi të merrej seriozisht me aktrimin, ku edhe spikati talenti dhe pasioni i tij. Nikola Shkreli ka qenë pjesë e filmit të famshëm të Eminem, “8 Mile”, i cili është realizuar në Detroit. Në vitin 2007 ai bëhet pjesë e serialit të famshëm “Law & Order” (Ligj dhe Drejtësi) dhe shumë shpejt u bë aktor Hollywood-an, duke fituar audicionet për të marrë pjesë në filma të tjerë me buxhet të lartë. Gjithashtu Shkreli ka marrë pjesë në filmin “Hostel 3”, duke interpretuar personazhin kryesor. Ai është i njohur edhe për interpretimin e tij në serialin, “The Red Road”, i cili aktualisht po xhiron sezonin e tij të dytë. Gjithashtu është duke xhiruar filmin e tij “LandLord” në Detroit, në të cilin luan rolin kryesor. Media kosovare, “Zëri” ka arritur të kontaktojë me këtë shqiptar të famshëm dhe t’i marrë një intervistë, në të cilën shqiptari i famshëm rrëfen rrugëtimin e tij në botën e Hollywood-it.

Mund të na thoni kush është Nikola Shkreli?

Kjo është një pyetje e vështirë. Kësaj pyetjeje mundohem t’i përgjigjem edhe

unë (qesh). Unë jam një shqiptar nga Detroiti.

Cila është prejardhja juaj dhe si u vendos familja juaj në SHBA?

Unë kam lindur në SHBA, por prindërit e mi vijnë nga Ulqini. Babai im ka lindur në Velipojë, Shqipëri.

Ju tashmë keni bërë emër në skenën e filmit, përfshirë dhe Hollywood-in. Sa e vështirë ka qenë për ju të depërtonit në këtë shtëpi të madhe dhe ëndërr të shumë talenteve?

Nuk do të thosha se jam i famshëm, pasi kjo gjë arrihet me vështirësi, por sidoqoftë ju faleminderit (qesh). Personalisht mendoj se ka shumë punë për ta arritur famën, gjë për të cilën nuk e kam arritur akoma në nivelin që dëshiroj. Aktualisht po punoj shumë për t’u ngjitur edhe më lart. Sidoqoftë është herët për karrierën time.

Ka ndikuar në kurajën për të ecur përpara të qenurit shqiptar? Atje ku ju punoni a ka qenë e njohur që në fillim të karrierës prejardhja juaj shqiptare?

Po patjetër që ka ndikuar. Në fillim nuk kisha shumë mundësi, sepse jetoja realitetin e përditshëm e të thjeshtë. Jetoja dhe punoja në Detroit. Isha akoma i ri, nuk kisha arritur akoma Hollywood-in, unë po mësoja aktrimin profesional dhe kështu fillimisht arrita që të realizoj filmin tim të shkurtër, “Familiar Foreigners” (Familjarë të huaj), të cilin e shkrova dhe e punova vetë. Aty pata rolin kryesor dhe filmi kishte elemente shqiptare. Unë kisha rolin e një emigranti ilegal, i cili ishte shqiptar i ardhur nga Kosova. Ky film më ndihmoi në karrierë që të bëhem sadopak i njohur. Kam qenë gjithmonë i zoti të flas me theks të ndryshëm, veçanërisht në atë shqiptar. Kjo gjë ndikoi mjaft pozitivisht në karrierën time.

Në cilin prej roleve e keni ndjerë veten se përshtateni plotësisht? Ju përshtaten me shumë rolet pozitive, apo negative?

Unë jam i ngjashëm me Viktorin, personazhin që kam aktruar në filmin “Hostel III”, i cili është një djalë i mirë, por në disa raste edhe paksa i keq. Kështu ndjehem edhe në realitet. Bota, në të cilën jetojmë është nganjëherë shumë e ashpër dhe disa herë duhet të tregohemi të këqij që të mbijetojmë dhe të qëndrojmë në këmbë. Personazhi që aktrova ishte një njeri që shikonte thjesht punën e tij, por papritur ai së bashku me të dashurën e tij rrëmbehet dhe nuk pranon të dorëzohet. E tillë është jeta, e cila nganjëherë nuk të ofron gjë, por prapë nuk dorëzohesh dhe vazhdon të luftosh për të mbijetuar.

Aktualisht po punoni për një film tuajin, i cili titullohet, “Landlord”. Deri ku keni arritur me xhirimet dhe a mund të na flisni pak për të?

Mund t’ju them se filmi do të prezantohet në fund të këtij viti.

Lidhur me bashkëpunimet me aktorë të njohur dhe me regjisorë gjithashtu, mund të na thoni kush kanë qenë më të njohurit, me të cilët keni bashkëpunuar?

John Singleton, Malik Bader padyshim, të cilët janë regjisorët më të famshëm me të cilët kam bashkëpunuar. Ndërsa nga aktorët janë, Taylor Lautner dhe Ving Rhames.

T’i kthehemi Shqipërisë. I ndiqni filmat shqiptarë dhe ç’mendim keni për ato pas viteve ‘90?

T’ju them të drejtën nuk kam parë edhe aq shumë filma shqiptarë dhe nuk mund t’i vlerësoj ndoshta në mënyrë të drejtë. Sidoqoftë filmat që janë punuar në SHBA, apo Europë, gjithmonë i paraqesin personazhet shqiptarë si kriminelë dhe të rrezikshëm, veçanërisht filmi i fundit, “Taken” na ka paraqitur në mënyrën më negative të mundshme neve si komb në Hollywood. Kjo gjë nuk më pëlqen.

Nëse ju ofrohet një mundësi për të realizuar një film lidhur me jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut a do ta bënit?

Jo, sepse për mua është një gjë e shenjtë dhe e kam të vështirë ta bëj. Ne shqiptarët jemi më të bukurit dhe më të fortit, por gjithashtu edhe më kokëfortët (qesh). Kushdo që do tentojë ta realizojë atë film do të përballet me njerëz, të cilët do ta pëlqejnë, por edhe me ata që është e pamundur t’i kënaqësh. Megjithatë unë jam duke punuar në një projekt ri së bashku me Mentor Hazirin, që i dedikohet luftës së Kosovës.

Koha Jone