Berisha: PD-ja, formalisht në Kuvend. Aksioni në Lazarat nuk e arriti synimin kryesor. Në ekonomi nuk u bë proges

Ish kryeministri Sali Berisha deklaron se pavarësisht Lazaratit, roli i Shqipërisë si një burim droge, si një pikë e shpërndarjes transit e saj po rritet.

Ai përmend sekuestrimin e 250 kg kokainë nga Ekuadori në Mal të Zi e cila sipas tij do të dërgohej në Shqipëri dhe “një ngarkesë e tillë nuk transportohet kurrë pa garanci të forta”

Berisha thotë se operacioni i ndërhyrjes në Lazarat nuk arriti objektivin kryesor: Arrestimin e bosëve të Lazaratit.

Për Berishën në listën e parë që policia publikoi me 26 të kërkuar, nuk gjendej asnjëri prej bosave të drogës të Lazaratit, të cilët ai thotë se janë të lidhur me pushtetin.

Madje, Berisha aktualisht deputet i PD-së, thotë se bosët u lanë të lirë të ikin nga Lazarati pas negociatave me policinë. “Kjo dihet botërisht” tha ai në një intervistë dhënë mbrëmë për “Bugajski Hour” në Albanian Screen.

Pyetjes Shqipëria a duhet të ketë kujdes nga investimet ruse? Berisha përgjigjet:

”Duhet të bëj kujdesin më të madh. Kujdes të madh.”

Duke folur për rolin e tij në PD, Berisha tha se nuk ishte aspak kryetari i PD-së, edhe pse Bugajski u shpreh “se“edhe në Uashington e njohin atë si Kryetari jozyrtar”.

“Nuk e drejtoj unë PD-në. PD-ja ka një kryetar të ri”- tha Berisha duke shtuar se mbështeste me gjithë zemër rikthimin e PD-së në pushtet.

Berisha pranoi se mësimi që nxirret pas humbjes së zgjedhjeve ishte rinovimi i PD-së. Pyetjes nëse ka ende ambicie për t’u rikthyer si kryeministër apo si president, Berisha iu përgjigj “Kurrë. Jo. Eshtë e shkuar e harruar tashmë.”

Intervista e plote

Bugajski: Tani është koha për Intervistën me Bugajskin. Dhe i ftuari ynë sot është zëri më i fuqishëm i opozitës në Shqipëri. Sali Berisha, faleminderit që u kthyet në emisionin tim. Kjo është hera e dytë që ju vini. Faleminderit, pra, që u rikthyet sot.

Berisha: Faleminderit që më ftuat, Janusz.

Bugajski: Le t’ia fillojmë me zhvillimet aktuale në Shqipëri. Atmosfera politike në Shqipëri është ndezur sërish gjatë javëve të fundit, sidomos pas fillimit të operacionit antidrogë qeveritar në Lazarat. Ju personalisht dhe PD-ja e keni kritikuar këtë aksion. A ka ndonjë gjë pozitive në këtë operacion antidrogë, të cilin BE-ja dhe SHBA-ja e kanë vlerësuar?

Berisha: Së pari, që nga fillimi, ne e kemi mbështetur plotësisht aksionin e policisë. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje të policisë shqiptare kundër çdo lloj trafikimi. Ajo që ne kritikuam me forcë ishte kaosi i operacionit. Ne kritikuam dhunimin e qartë si kristali të të drejtave të njeriut. Në çfarëdo lloj operacioni në një vend të lirë, qoftë ushtarak qoftë policor, ti je i detyruar të respektosh të drejtat themelore të njeriut. Dhe të drejtat themelore të njeriut në shumë raste u shkelën. Si opozitë, ne i mbrojtëm ato fuqimisht. E dyta, ne ishim dhe jemi mjaft kritikë ndaj një fakti. Kur policia publikoi listën e parë të 26 të të kërkuarve, asnjëri prej bosave të drogës të Lazaratit nuk gjendej në listë. Asnjëri prej tyre! Dhe përse? Për të vetmen arsye sepse ata janë qartësisht të lidhur me njerëz që janë në pushtet. Nëse filloni një operacion, pa dyshim që ju orvateni të arrini objektivat kryesorë. Në këtë rast, jo vetëm që ata nuk u përfshinë në listë, për habinë më të madhe të të gjithë shqiptarëve, por gjithashtu media thotë se ata u lejuan që të largoheshin nga Lazarati me anë të një marrëveshjeje, gjë që është edhe më e keqe. Pra, kurrsesi ky nuk është një operacion me performancë të mirë. Prandaj ne ishim kritikë dhe kemi për të qenë kritikë. Dhe nuk kemi qenë aspak kritikë kundër përpjekjeve të policisë për të vendosur rendin, për të luftuar trafikun, por kundër të gjitha aspekteve të tjera që nuk janë aspak të pranueshëm.

Bugajski: Kur thoni se janë shkelur të drejtat e njeriut, a mund të jeni më specifikë?

Berisha: Sigurisht! Policia hyri nëpër shtëpia. Kontrolli i shtëpive u krye jashtë standarteve. Qytetarët kanë thënë se atyre u janë grabitur sende. Ata kanë terrorizuar qytetarët dhe ka patur raste mjaft të rënda, të cilat mund të shmangeshin plotësisht. Nëse ti shkon tek shtëpia e një të veje, nuk ka arsye të mendosh se atje ka një kërcënim. E kundërta ishte e vërtetë. Pra, të drejtat e njeriut duhen respektuar. Kjo është ajo që ne kërkojmë si opozitë. Por kishte shumë pak të plagosur në këtë operacion, me sa kuptoj. Një polic dhe disa prej atyre që po u qëllonin. Gjë që tregoi se njerëzit nuk ishin në anën e kriminelëve. Dhe ne po ashtu u kemi bërë thirrje policëve: “Ju nuk duhet t’i bëni njerëzit që të marrin anën e gangsterëve dhe të kriminelëve!” Kjo ishte thirrja jonë e fuqishme. Sepse çfarë pati në fillim?! Pati disa të shtëna budallaqe të dyanshme në ajër! Kjo i kërcënoi dhe terrorizoi civilët! Por, ju mendoni se operacioni në vetvete është i rëndësishëm, sa i përket përkrahjes nga evropianët, nga amerikanët dhe pastrimit të Shqipërisë nga trafiku! Po të flasim për pastrim të Shqipërisë, unë them se me këta njerëz ka të paktën dhjetë Lazarate të tjerë. Pastrimi është tejet i largët! E dyta! Sigurisht, SHBA-ja dhe vendet e BE-së e përkrahën plotësisht aksionin. Kjo është mëse normale! Por nuk u arritën objektivat kryesore! Nuk u arrestuan bosat, asnjërin prej tyre.

Bugajski: Pra, ju po thoni se bosët e krimit, apo baronët e drogës, janë lajmëruar paraprakisht nga qeveria?

Berisha: Absolutisht! Në ç’mënyrë? –Ata u lajmëruan përpara se policia të hynte! Atyre iu krijuan shtigje që të largoheshin! Kjo dihet botërisht! Policia filloi negociatat me ata. Kjo është e vërteta! Pra, si mund të injoronte policia emrat e tyre dhe të mos i vendoste ata në listë? Dhe të vendoste madje dhe njerëz që janë në burg prej vitesh? Dhe kjo me pretekstin se ata qëlluan ndaj policisë. Njerëz që ishin në Tiranë dhe kur panë se gjendeshin në listë, u paraqitën në polici në Peqin, duke qenë se po udhëtonin, dhe thanë “Ne jemi këtu. Nuk kemi qëlluar asnjëherë mbi policinë!” Pra, pati difekte të shumta! Por difekti që përjashtuan bosët është katërcipërisht i papranueshëm dhe kjo implikon tej mase qeverinë. Por, a e dimë ne apo qeveria, se kush janë bosët në mënyrë që ata të shpallen në kërkim? Qeveria e di fort mirë sepse ata janë njerëz që janë shumë afër me ata, si Serezi, i cili ka qenë ndihmës i ministrit aktual të rendit. Ai po udhëhiqte bandën atje. Dhe ai u arrestua aksidentalisht me një ton marjuanë. Kur një gazetar, Skuqi, hetoi bandën, ministria dërgoi 20 mijë euro që të mos transmetohej investigimi i tij. Askush nuk dyshon në lidhjet mes qeverisë dhe bosëve të drogës. Ishte Serezi, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme, ai që ishte në krye të bandës atje.

Bugajksi: Qeveria, nga ana e saj, akuzon qeverinë e mëparshme, qeverinë tuaj, se ka qenë inaktive në Lazarat.

Berisha: Po, kemi qenë! Nuk po them se unë veprova. Por ne vepruam energjikisht me të gjitha masat e tjera, përjashto forcën.

Bugajski: Në ç’mënyrë?

Berisha: Po, ja çfarë bëmë! Së pari, ne ndaluam skafet në Shqipëri. Dhe për vite e vite me radhë Italia nuk përdori radare ndaj Shqipërisë, sepse nuk pati trafik. Së dyti, ne e premë ujin për vaditje atje. E treta, ne e ndaluam një herë e mirë daljen e drogës nga atje. Prandaj atje u gjet drogë e depozituar prej tri vitesh atje.

Bugajksi: Ju zbërthyet rrjetin e shpërndarjes!

Berisha: Pikërisht pra! Dhe me mjaft sukses. Dhe në vitin 2011, Shqipëria u kontrollua nga të gjitha palët dhe vizat u liberalizuan. Nuk ka patur rrjedhje domethënëse droge! Ka patur, por jo trafik në sasi të mëdha nga Shqipëria. Dhe ju keni raportin e Departamentit të Shtetit që thotë se sa i përket drogave të forta Shqipëria nuk është më itinerari i preferuar, për shkak se ne e luftuam atë me sukses. Sapo erdhën në pushtet këta njerëz, ata kanë mobilizuar dhe kanë marrë nën administrim dhjetëra e dhjetëra trafikantë droge, të penalizuar nga drejtësia. Droga nga të katra anët po trafikohej jashtë Shqipërisë dhe për në Shqipëri. Kurrë nuk imagjinohej se do të përdoreshin avionë për transport. Dhe kur për herë të parë ne e shqiptuam këtë në Parlament, Edi Rama tha se ato ishin mushkonja. Dhe se ne po ngatërronim mushkonjat me avionët. Por disa javë më vonë, ju patë se një avion privat italian u ngrit nga aeroporti i Rinasit dhe atje piloti nuk u regjistruar në sistemin dixhital. Ai u kalua nga njerëz që janë shumë të afërt me Kryeministrin. Dhe kur avioni u rrëzua në Divjakë, qeveria u përpoq të na akuzonte neve, duke pretenduar se gjithçka ishte organizuar nga opozita. Marrëzi! Ç’është e vërteta, trafiku u organizua nga njerëz në pushtet, në nivel lokal dhe qendror. Sepse më vonë doli se shefi i policisë së Lushnjës ishte personalisht i përfshirë.Le të marrim rastin e fundit me drogën nga Ekuadori. 250 kg kokainë!

Bugajski: Nga Kolumbia, ndoshta?!

Berisha: Ndoshta! Ajo sasi po dërgohej në Shqipëri! Një ngarkesë e tillë nuk transportohet kurrë pa garanci të forta. Pra, është e vërtetë se në Lazarat ka patur një operacion, por në krahun tjetër, Shqipëria, e qeverisur nga këta njerëz, po bëhet një vend jashtëzakonisht problematik sa i përket drogës.

Bugajski: A mendoni se është një problem në rritje? Se pavarësisht Lazaratit, roli i Shqipërisë si një burim droge, si një pikë e shpërndarjes transit së drogës po rritet?

Berisha: Absolutisht që po rritet dhe ka për t’u rritur! A keni dëgjuar për rrjetin e Mamurrasit Shqipëri-Kosovë? Të gjithë e dinë se drejtohet nga zyrtarë të lartë. Bëhej fjalë për një rrjet kokaine. Në anën shqiptare, operacioni dështoi, sepse baronët e drogës u larguan! Kurse në Kosovë, jo! Në Kosovë, ata u arrestuan! Këtu ata u paralajmëruan para se policia të ndërhynte! Pra, ka për t’u bërë i madh, dhe ka për t’u rritur!

Bugajski: Pra, çfarë duhet bërë? Sepse nëse Shqipëria dëshiron të kualifikohet për në BE, vendi duhet të zbërthejë këto operacione të trafikimit.

Berisha: Është një çështje tejet e ndërlikuar! Unë dyshoj dhe nuk kam asnjë grimë besimi në vullnetin e këtyre njerëzve për të luftuar trafikun e drogës.

Bugajski: Pra, në vullnetin e qeverisë?

Berisha: Pikërisht pra! Dhe kemi për të qenë dëshmitarë të kësaj!

Bugajski: A ka ndonjë mënyrë që ju dhe qeveria mund të punoni së bashku në luftën ndaj kriminaliteti dhe trafikut të drogës?

Berisha: Z. Bugajski, kjo qeveri u ngjit në pushtet e mbështetur fuqimisht dhe publikisht nga kriminelë, gangsterë dhe trafikantë. Në mars të vitit 2013, këta njerëz kishin një moto, gjë që jam i sigurtë se do të jetë një befasi për ata që po na shikojnë, por meqenëse ishte publike, unë kam për ta treguar. Ata u paraqitën me moton: “Të gjitha plehrat të bashkohen kundra Berishës!” Kjo ishte nëpër gazetat e tyre dhe nëpër takimet e tyre. Ç’nënkuptonte kjo? Kjo nënkuptonte se aq shumë kriminelë dhe aq shumë trafikantë droge do t’u bashkoheshin administratës në pozicione kyçe, përfshirë dhe Kabinetin e Kryeministrit. A mund ta imagjinoni kreun e Njësisë Antikorrupsion të Shqipërisë që nget makinën e tij me patentën e një trafikanti. A mund ta imagjinoni kreun e Antikorrupsionit të Shqipërisë të kapet nga policia me patenta diplomatike në makinë? Pra, këta njerëz iu bashkuan opozitës së atëhershme, por tani ata janë shpërblyer, dhe po punojnë ngushtësisht për interesat e tyre duke përdorur pushtetin.

Bugajski: Pra, me gjithë këto prova që ju me sa duket i keni, përse nuk ka procedura për të gjykuar disa zyrtarë të qeverisë dhe për t’i publikuar këto në media?

Berisha: Ne i publikojmë ato dhe kjo është më pakta që PD-ja mund t’ju ofrojë! Kemi nxjerrë dokumenta gjykate se përse ata janë dënuar!

Por qeveria nuk e lejoi opozitën, në shkelje të plotë të Kushtetutës, që të themelonte një komision hetimor parlamentar, gjë që përbën një shkelje të plotë. Për sa kohë që ishim në një moment vendimtar për statusin, ne ruajtëm heshtjen për hir të statusit. Por, definitivisht, kjo s’ka për të zgjatur shumë.

Bugajski: Statusit të BE-së!

Berisha: Pikërisht!

Bugajski: Një nga kushtet e BE-së, e jo vetëm për kandidaturën, por edhe për të ardhmen, është bashkëpunimi në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Pra, çfarë mund të bëhet?

Berisha: Çfarëdo që të nevojitet! Opozita do ta votojë në Parlament gjithçka që BE-ja do të kërkojë. Ne nuk lëkundemi! Të tillë kemi qenë që në ditën e parë. Cilëndo reformë dhe cilindo hap që BE-ja do të kërkojë, ne jemi gati ta mbështesim!

Bugajski: Le të ndryshojmë paksa temë! Meqë jemi te Parlamenti, Kryetari ju pezulloi nga Parlamenti për disa ditë dhe PD-ja pas kësaj e bojkotoi Kuvendin. A mund të presim më tepër konflikte, pezullime dhe bojkotime në të ardhmen?

Berisha: Cili ishte thelbi i veprimit? Një muaj më parë, njëri prej gazetarëve më të spikatur të Shqipërisë u sulmua brutalisht nga Kryeministri i Shqipërisë në një darkë private. Përdori kundra tij fjalët më të ndyra. Dhe madje tentoi edhe ta sulmonte atë fizikisht. Atje kishte 22 njerëz, disa ishin ministra. Dhe kur dy zonja u ngritën për të qetësuar situatën, njëra ministre, tjetra bashkëshortja e një ministri, Rama i ofendoi ato në një mënyrë të pabesueshme. Tani, në një botë të lirë, në një vend të lirë, kurrën e kurrës një kryeministër nuk mund të shajë apo të fyejë bashkëpunëtorët e tij apo qytetarët e zakonshëm. Unë besoj dhe jam katërcipërisht i sigurtë se Rama ka probleme mjaft të rënda psikiatrike, sepse asnjë njeri normal nuk do të ishte i çekuilibruar deri në këtë farë feje. Kur skandali doli në dritë, për tetë ditë askush nuk e mohoi. Askush nuk e hodhi poshtë! Asnjëri prej dëshmitarëve, asnjëri prej personave të fyer nuk tha: “Jo, kjo nuk ndodhi!” Në këtë kuptim, Rama është një recitivist. Ai sulmon njerëz herë pas here! Ia kam thënë njëherë atij: “Ju nuk duhet të abuzoni me pushtetin duke sulmuar qytetarët e zakonshëm! Sa herë që ju abuzoni me ata, sa herë që ju e bëni, ju do të keni një kundërpërgjigje në Parlament! Njerëzit me gjasë kanë frikë të thonë atë që ti meriton, por këtu në Parlament do të të thuhet gjithçka në emër të tyre! Ata janë qytetarë! Ata janë zgjedhës! Ti s’mund të sillesh kështu me ata!” Pra, teksa ata e dinin se unë po i jepja Ramës pjesën e tij në këtë skandal, unë fillova të flisja, dhe ministri tij gjendej pas shpinës sime dhe po nxirrte nga goja fjalë mjaft të ndyra. Por ky njeri kishte heshtur kur Rama kishte fyer bashkëshorten e tij. Pra, kur ishte radha ime, kryeparlamentari e pezulloi seancën, dhe ata vendosën se kishin frikë të dëgjonin historinë e plotë të ngjarjes. Por shqiptarët kanë për ta dëgjuar ngjarjen në çdo imtësi! Është një ngjarje e paprecedentë! Rama bëri të njëjtën gjë në Parlament! Dhe ai është filmuar nga mediat duke përdorur fjalët më të ndyra që mund të imagjinohen. Ai mandej nuk kërkoi ndjesë, por ai tha se nuk e kishte për askënd. Kjo është tipike për pacientët psikiatrikë. Vetëm ata mund të bëjnë akte të tilla dhe të mos marrin përgjegjësi. Ai tha para gazetarëve se s’e kishte për askënd atë fjalë, por në fakt ai m’u drejtua mua. Por, çfarë mund të thoja unë?! Pra, është e vërtetë se në Parlament ka një klimë të nxehtë, por Parlamenti për ne do të jetë një platformë e të vërtetave, dhe pa dyshim ne do t’i mbrojmë ato!

Bugajski: Pra, ju prisni një konfliktualitet më të madh në të ardhmen?

Berisha: Jo!

Bugajski: Për shembull, bojkoti nga PD-ja! A është kjo diçka që mund të ndodhë sërish në të ardhmen?

Berisha: Shikoni, Partia Demokratike është formalisht në Parlament. Dhe unë e kam mbështetur këtë! Përse? Kur Qeveria shkel të drejtën kushtetuese të opozitës, atëherë ia ngushton tej mase hapësirat.Ka një Gjykatë Kushtetuese në Shqipëri! Vendimet e kësaj gjykate janë norma kushtetuese për vendin. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë vendim që komisionet hetimore ngrihen nga opozita dhe shumica në këto komisione i përket opozitës. Qeveria nuk po e respekton, përkundrazi po e shkel këtë të drejtë. Nuk po i lejon opozitës as që të krijojë komisione e as që të ketë shumicën. Pra, një zgjidhje është definitivisht jetike për opozitën, në gjykimin tim.

Bugajski: Le të kthehemi një hap mbrapa, dhe të shohim tablonë e gjerë. Kanë kaluar një vit që nga zgjedhjet e përgjithshme. Cili është vlerësimi juaj mbi performancën e deritanishme të qeverisë? Jo vetëm për çështjet që ju përmendët, por edhe në frontin ekonomik.

Berisha: Në frontin ekonomik nuk ka aspak progres. Nuk ka asnjë projekt për vendin. Projekti im ishte zhvillimi, pra Shqipëria vend i zhvilluar. Qeveria mund ta refuzonte dhe nuk është e detyruar ta ndjekë atë, por qeveria duhet të paraqesë projektin e saj. Dhe deri më tani, nuk ka asnjë projekt për këtë vend. Deri më tani, në këtë vend, në një vit, nuk ka asnjë kilometër rrugë të ndërtuar. Asnjë shkollë të re të ndërtuar. Asnjë familje të strehuar, asnjë spital të restauruar. Është një vend numëro i tmerrshëm, në njërin krah. E dyta, qeveria rriti taksat. Rezultati i rritjes së taksave ishte e kundërta e asaj që ata synonin. Nëse merrni akcizën, apo qoftë edhe të gjitha taksat e tjera, nuk është niveli i parashikuar, por shumica e tyre janë më të ulëta se një vit më parë. Çfarë do të thotë kjo? Taksa të reja për shqiptarët! Sepse ka një marrëveshje me FMN-në, dhe ajo ishte diçka e mirë. Por ju duhet ta respektoni marrëveshjen me FMN-në. Dhe marrëveshja nënkupton se në rastin kur nuk arrihet performanca e pritur me këtë paketë, atëherë përgatituni për një paketë të dytë. Por kjo do të thotë të përgatisësh shqiptarët për një paketë të dytë të mundimshme.

Bugajski: Por, raporti i FMN-së ishte goxha pozitiv sa i përket plotësimit të objektivave për huanë e FMN-së, kjo në rrafshin makroekonomik. Por edhe raporti i Bankës Botërore ka qenë tejet pozitiv. Si i përgjigjeni ju kësaj?

Berisha: Pa dyshim, të dy raportet nuk kanë qenë fort realiste. Përmbanin disa të vërteta, pa dyshim! Kjo pasi ata e shtrinë TVSH-në në të gjitha mallrat. Ne kishim përjashtuar makineritë nga TVSH-ja. Ne kishim përjashtuar edukimin privat nga TVSH-ja. Ne ndërmorëm hapat tanë. Por, këto raporte injorojnë aspekte të tjera që shumë shpejt kanë për të qenë dramatikë për vendin.

Bugajski: Për shembull? Financat? Të ardhurat?

Berisha: Po, financat, investimi. Vetëm 13% i investimeve publike janë përfunduar në një periudhë 9-mujore. Për 9 muaj, 13%. Të huajt po largohen nga vendi, po ikin nga vendi dhe mund të flisni me këdo të huaj këtu. Eshtë zhvilluar një studim i rrallë. Para dy vitesh, investuesve gjermanë iu bë një studim dhe 80% e tyre, 80%, thanë që kishin në plan të bënin investime të mëtejshme në Shqipëri. Edhe këtë vit u bë studimi, po i njëjti studim. Tregoi se 67% e tyre thanë që atmosfera është përkëqësuar dhe që ata nuk kanë në plan të vazhdojnë më tej.

Bugajski: Ç’po përkeqësohet më specifikisht për ta?

Berisha: Së pari, ata i ndryshuan rregullat në mes të lojës. Ata nuk respektojnë kontratat. Nëse shkel kontratat, përçon deklaratën e gabuar. Eshtë e pabesueshme. Jo vetëm që nuk i respektojnë, por e shpallën publikisht që do i anulojnë. Mund të anulosh kontratat që kanë shkelje ligjore, por… Dhe kjo është diçka normale, por nëse bën deklaratë publike që, të gjitha kontratat e një periudhe kohore anulohen, ky është një vendim politik, jo ligjor. Si rrjedhojë, të huajt po tërhiqen. Kapitali po largohet nga Shqipëria. Kreditimi i ekonomisë është 2.5% më i vogël se një vit më parë. Nga marsi në mars, 2.5%. Pse? Nuk ka besim te qeveria. Ose të marrim një shembull tjetër. Kemi punuar me USAID-in në mënyrë të suksesshme në financimin e “one-stop shop” të këtij vendi për licensat dhe lejet. USAID-i bëri një studim pas një viti dhe 96% e të gjithë investuesve ishin shumë të kënaqur nga kjo njësi. Madje, e lavdëronin atë. Ç’po bëjnë këta? Po e shpërbëjnë këtë njësi. Pse po e shpërbëjnë? Se duan t’i bëjnë vetë negociatat, që të mbushin xhepat me licencat për licensat dhe lejet. Ata janë gjithmonë një çerdhe korrupsioni, nëse nuk të intereson… ka hapa të tjerë, kompani të tjera. Të marrim si shembull kompanitë e naftës. Sipas marrëveshjeve, atyre iu dha e drejta për të mos taksuar holluesin që ata injektojnë për hollimin e hidrokarbureve të rënda në fushat e Shqipërisë. Kemi një kontratë të firmosur. Ata i ranë në qafë duke vënë TVSH-në, duke vënë akcizën. Kur nafta nxirret, ata paguajnë sërish. Kjo është logjika e përjashtimit nga taksa. Eshtë një kaos i vërtetë dhe një qëndrim shumë negativ. Duhet të dini një gjë. Ky kryeministër s’merr vesh nga nocionet ekonomike. S’merr vesh fare, por kjo s’është më e keqja. E keqja më e madhe e këtij problemi është mentori i tij. Mentori i tij është biznesmen i stilit sovjetik, i cili, me median e tij dhe gjithçkaje që zotëron, qëndron kundër investimeve të huaja direkte, i cili deklaron se investimet e huaja janë një formë kolonizimi, me mantra të vjetëruar dhe ky është Kokëdhima, i cili është binjaku, në psikologji, i Ramës.

Bugajski: Nga gjithçka që keni thënë, më duket sikur po prisni një krizë ekonomike në Shqipëri gjatë muajve në vazhdim. Nëse nuk ka investime, nëse s’ka investim as vendas, as të huaj, nëse taksat janë shumë të larta, apo edhe problemet e tjera që ju përmendët, mos hapja e vendeve të punës, sigurisht që do ketë krizë.

Berisha: Do ketë krizë. Ky është parashikimi im. Ky është parashikimi im i pastër. Të marrim si shembull fushat ku Shqipëria po ecte me ritme të mira. Një nga fushat në të cilat Shqipëria po ecte shumë herë më mirë se vendet e tjera ishte promovimi dhe përkushtimi i potencialit të hidroenergjitikës. Qeveria ime arriti që nga 2006-a deri në 2013-ën të firmoste me investues privatë 420 kontrata… kontrata për ndërtimin e 420 hidrocentraleve. Ç’po ndodh tani? Sapo këta morën pushtetin, dolën me një teori: sa më shumë të prodhojmë, aq më i lartë do jetë çmimi. Pse? S’është e vërtetë, së pari, por pse dolën me këtë qëndrim ata? Se për personat fizikë, duhet të respektosh çmimin e tregut. Të gjitha këto kontrata ishin: qeveria do blejë nga ju energjinë me çmimin e energjisë së importuar plus-minus 2%. Tani… Dhe kjo, sipas tyre, do i rritë çmimet, kur është plotësisht e pavërtetë. Së pari, këta janë njerëz të paguar nga ndërtuesit gjatë procesit të ndërtimit, për mirëmbajtjen dhe fazën e punës së hidrocentralit. Kjo është një mbështetje e fuqishme e ekuilibrit tonë komercial. Se energjia në vendet e tjera blihet me euro dhe këtu blihet me lekë. Të gjithë këta faktorë nuk merren parasysh. Këta njerëz po largohen nga vendi, po i lënë kontratat, se ata thonë që do ndryshohen ato që janë firmosur, se ata thonë që do ju taksojmë më shumë. Ata e nxjerrin aktivitetin privat nga tregu.

Bugajski: Të kalojmë nga ekonomia në reformën territoriale, reformën administrative në Shqipëri. Kjo ka qenë një tjetër pikë e madhe konflikti mes jush dhe qeverisë. Mund të na e shpjegoni pse i kundërshtoni planet e qeverisë për reformë administrative?

Berisha: Plani i qeverisë është reforma e Hoxhës. Ata janë të paskrupullt. Po kthehen në eksiztencën me metodën e Hoxhës. 39 njësi në gjithë vendin. Pas fitores së forcave demokratike në vitin ’92, ne bëmë ndarjen. Krijuam komuna dhe bashki, që ishin 400 komuna apo 420 komuna dhe bashki në gjithë vendin. Tani, këta njerëz po i kthehen origjinës. Ne s’mund ta pranojmë diçka të tillë. Aspak. Së dyti, ata thonë që në Kosovë janë 36 njësi. Në gjithë Kosovën. Por ai që e njeh Kosovën, s’mund të bëjmë krahasime. Po ju jap vetëm një tregues. Gjatësia totale e rrugëve në Kosovë është 2 200 km. Gjatësia totale e rrugëve në Shqipëri është 18 300 km. Pse? Se Shqipëria është vendi më malor në Evropë. Shqipëria ka sipërqafen më të madhe me male. Imagjinoni pak! Për t’iu bërë shërbime këtyre bashkive, komuniteteve të largëta malore duke u hequr statusin, do të thotë t’i detyrosh njerëzit të largohen nga këto zona, t’i detyrosh njerëzit t’u afrohen qyteteve dhe t’i lënë ato vende shkretë. Shpopullim i vendeve. Një shpopullim i qartë. Atyre nuk iu pëlqeu ndarja jonë, se 23 vjet më parë, kur ne punuam me këto reforma, kishim një rregull të artë. Rregulli ishte: të drejta të barabarta, të drejta vetoje si nga ana e opozitës, dhe e qeverisë dhe shumica u zotua që s’do i përdorte votat në parlament për të rrëzuar propozimet e opozitës. Nuk e bllokoi kurrë këtë parim, në çdo rast dha vendime konsensuale dhe nuk i bllokoi kurrë vendimet. Ata refuzuan t’i jepnin votat.

Bugajski: Një tjetër çështje që është tepër e rëndësishme, si për kualifikimin për në BE, por edhe për progresin demokratik të Shqipërisë është reforma e sistemit të drejtësisë. E di që partia juaj akuzohet për kontroll të sistemit të drejtësisë dhe për parandalimin e reformave. Mund të flisni për këtë temë? Sa të vërteta janë?

Berisha: Nëse dikush ka pretentime të tilla, këto janë pretendime të rreme. 96 gjykatës janë emëruar nga presidentët dhe mbështetësit e Partisë Socialiste. Por po jua them me sinqeritetin më të madh, sistemi i drejtësisë duhet reformuar. Por arsyet për të cilat z. Rama i sulmon gjykatësit, për këtë apo për atë, në rregull dhe kur ka të drejtë, e mbështes plotësisht, por nëse ai përmend shtëpinë e një gjykatësi, duhet të kujtojë edhe vilën e tij, për të cilën s’mund të tregojë asnjë faturë të vetme. Asnjë faturë të vetme. Reformat s’mund të bazohen mbi urrejtje. Reformat duhet të bazohen doemos në standarde dhe Rama s’po punon për standatet. Rama po punon kryesisht për shkatërrimin e tyre. Historia e drejtësisë në Shqipëri, origjina e saj është krejt… thuajse krejtësisht e majtë. Por duhet të pranoj një gjë. Nëse kemi një arritje të këtij sistemi, është një nga më pak të politizuarit në rajon dhe më gjerë. Dhe kjo mund të vërtetohet në shumë raste dhe unë i përshëndes për këtë. Ata iu përmbajtën vendimeve, jo në të gjitha rastet, kryesisht jo të politizuar. Ata kanë probleme me korrupsionin për t’u zgjidhur, por të shtiresh sikur ke kontroll të plotë, ky është një pretendim qesharak. Nuk ka kurrfarë…

Bugajski: Ju e mohoni këtë…?

Berisha: Krejtësisht. Kontrolloni të shkuarën e tyre. Të gjithë e kanë një të shkuar.

Bugajski: Të flasim për marrëdhëniet ndërkombëtare. Folëm gjatë për punët e brendshme në Shqipëri. Progresi ndërkombëtar i Shqipërisë drejt BE-së, edhe pse është një rrugë shumë e gjatë. Si i shikoni ju marrëdhëniet e kryeministrit me udhëheqësit më të lartë të BE-së? Di që ai ka qenë për vizitë në Berlin, në Romë, në Paris, në Londër dhe më duket, mua, të paktën, sikur po e përmirëson imazhin e Shqipërisë në lidhje me këto vende. Si i shihni ju udhëtimet e tij jashtë shtetit, në kryeqytetet evropiane?

Berisha: Së pari, ishte vetë z. Rama ai që e bllokoi statusin. Para një jave, në një intervistë në një prej rrjeteve më të mëdha televizive franceze, gazetari ia tha fare hapur. “Zotëri, ju nuk i votuat tre ligjet e kërkuara nga Komisioni i Evropës për statusin”. Dhe Rama iu përgjigj: “Jo, nuk e kam bllokuar”. Në të vërtetë, e bllokoi. E bllokoi statusin. Kështu që të gjithë, të gjithë liderat që e takuan, e njohin të shkuarën e tij. Për mua, Shqipërisë iu refuzua me të padrejtë statusi në dhjetor. Në dhjetor, Shqipëria e meritonte statusin. Shqipëria e meritonte statusin edhe pa miratimin e tre ligjeve. Këto tre ligje nuk i janë vënë asnjë vendi si kushte. Megjithatë, edhe pse isha kritik ndaj kushteve, pa dyshim, në mendje iu jepja të drejtë. Pse? Pse të mos i votonin? Ligjet ishin… Kishte konsensus për ligjet. Njëri prej tyre mbështetej nga Departamenti i Shtetit dhe ishte ligji për administratën. Dhe Rama e tërhoqi konsensusin vetëm për ta bllokuar. Mund t’ju konfirmoj që disa prej këtyre liderëve më kanë thënë që ai është anti-shqiptar! Se ai e befasoi Evropën duke mos votuar tre ligjet dhe duke i mohuar kështu statusin vendit.

Bugajski: T’i kthehemi pyetjes që ju bëra. Udhëtimi i tij drejt Berlinit, ku takoi kancelaren, në Romë… Me siguri e kuptoni që këto i bëjnë mirë Shqipërisë.

Berisha: Pa asnjë dyshim. Sigurisht që i bëjnë mirë.

Bugajski: Në rregull. Po kaloj në çështje të tjera ndërkombëtare. Të fillojmë me çështjet rajonale. Cilat shihni ju si problemet më të spikatura? Folëm pak më parë që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës janë përmirësuar shumë. Cilat shihni ju si problemet më të spikatura që duhen zgjidhur? Mos vallë Maqedoninë? Mos vallë Bosnjen? Cilat janë problemet në rajonin tuaj?

Berisha: Së pari, progresi është i jashtëzakonshëm. Por përsëri, progresi i mëtejshëm dhe konsolidimi i progresit është jetësor. Më e rëndësishme është implementimi i marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, për mendimin tim. Duke implementuar këtë marrëveshje, shqiptarët dhe serbët mund të hapin një kapitull të ri në bashkëpunimin në të ardhmen dhe për të ardhmen e tyre evropiane. Së dyti, një iniciativë e re për përmirësimin e disa aspekteve të kushtetutës së Bosnjes është tepër e rëndësishme.Domethënë, pushtetet duhet të ndërthuren, jo të bllokojnë njëri-tjetrin. Dhe ka të ngjarë që do gjejnë forcë për të vazhduar më tej. Se e ardhmja evropiane është një frymëzim për këtë vend edhe këtë shtet dhe mendoj që mund ta gjejnë një zgjidhje dhe të arrijnë kompromisin. Pavarësisht faktit që në vendin tim, Edi Rama e tërhoqi kompromisin që të bllokonte të ardhmen, të bllokonte statusin. Së treti, në Maqedoni situata është shqetësuese në marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Sidomos në kryeqytet, por edhe në zona të tjera. Mendoj se qeveria maqedonase duhet të ndërmarrë aksione më të ashpra kundër elementeve albanofobikë, masa, gjeste dhe t’i sigurojë shqiptarët që të drejtat e tyre do respektohen plotësisht. Gjatë dy muajve të fundit ka pasur incidente shumë të rënda në Shkup që krijojnë probleme ndëretnike atje.

Bugajski: S’mendoni se një nga problemet për maqedonasit, një problem i madh, është bllokimi ndaj progresit, drejt BE-së dhe NATO-s për shkak të konfliktit me Greqinë?

Berisha: Jam shumë dakord. Bllokimi është faktor dhe shpresojmë që do i vijë fundi.

Bugajski: Duhet t’i bëjmë presion Greqisë apo Shkupit, apo të dyjave bashkë, për zgjidhjen e kësaj çështjeje një herë e përgjithmonë? Kur flas në shumës, e kam fjalën për SHBA-në,…?

Berisha: Presioni është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët duhet t’i bëjnë më shumë lëshime njëra-tjetrës. Maqedonia e kishte pranuar Ish-Republika e Maqedonisë dhe Maqedonia s’mund të mbante dy “ish” para. Duhet të jetë republikë, jo ish-republikë. Edhe Greqia duhet të jetë e vetëdijshme që nuk po respekton një marrëveshje, ku Greqia nuk do e bllokonte integrimin e Maqedonisë me emrin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Për këtë çështje, të dyja palët duhet të arrijnë në kompromis, të bëjnë lëshime. Ndoshta Maqedonia për emrin, kurse Greqi për post-emrin, se nëse Greqia i ka bërë një listë me pasoja pas shpalljes së emrit, kjo është një çështje vërtet problematike. Të dyja palët, në interes të të dyja palëve dhe të rajonit, Maqedonia nuk duhet bllokuar, por duhet të bëhet anëtare e NATO-s, duhet të shohë botën se kanë punuar shumë për integrimin në BE dhe ka vetëm Evropën në të ardhmen e saj.

Bugajski: Një problematikë e madhe, sigurisht, gjatë muajve të fundit në Uashington na ka shqetësuar konflikti Ukrainë-Rusi. Mund të na thoni fare shkurtimisht, a ka frikëra në Shqipëri për një rol rus më agresiv në Ballkan? E kemi parë pak diçka në Bullgari, Serbi dhe Mal të Zi. Mund të ndikojë negativisht në Shqipëri?

Berisha: Këto janë zhvillime tepër negative. Vladimir Putini po vepron si Adolf Hitleri në vitet ’30, apo Jozef Stalini në kohën e vet. Pa dyshim, me aneksimin e Krimesë, ai tregoi që zgjerimi i territoreve dhe fushës së influencës me mënyra të papranueshme janë thelbi kryesor i politikave të tij. Kështu që, Rusia ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Ka treguar se është një problem serioz për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Ka ambiciet e veta të vjetra përkundrejt Ballkanit duke e ditur fare mirë pozicionin strategjik të gadishullit. Për mua ndikimi i saj në Ballkan është shqetësim dhe si rrjedhojë, ndikon edhe në Shqipëri.

Bugajski: Në ç’mënyrë? Si mund të ndikojnë ata në Shqipëri? Në biznes, fushën e energjisë?

Berisha: Po. Në biznes, energji. Megjithatë sa i përket energjisë, TAP-i i jep Shqipërisë potencialin për furnizimin me energji pa pasur fare nevojë për gazin rus, por në të gjitha aspektet, Rusia nuk është partnere e besueshme dhe nuk duhet konsideruar aspak parnere e besueshme. E kundërta është e vërtetë. Ka ambiciet e veta. Synimi i tyre është zgjerimi.

Bugajski: Shqipëria duhet të ketë kujdes nga investimet ruse?

Berisha: Duhet të bëj kujdesin më të madh. Kujdes të madh.

Bugajski: Po në pjesën tjetër të rajonit, shikoni ndikim negativ?

Berisha: Pjesën tjetër të rajonit… Duhet të bëjmë kujdes se Serbia konsiderohej Rusia e Vogël në Ballkan. Por kjo s’do të thotë që Serbia do devijojë nga rruga e saj evropiane. Megjithatë, ky problem do patur nën vëmendje të veçantë. Mali i Zi. Ata morën disa vendime gjatë muajve të fundit dhe unë i mbështes vendimet e tyre për qëndrimin ndaj Rusisë…

Bugajski: Dhe tani u miratua edhe kandidatura e tyre për në NATO.

Berisha: Po. Bullgaria është një shtet anëtar në NATO, duhet ndihmuar me gaz, se në prodhimin e energjisë është prodhuese tepër e rëndësishme. Besoj se NATO-ja dhe bota perëndimore duhet të kenë një strategji të qartë për kufizimin e ambicieve të Rusisë në çdo vend tjetër. Ky është mendimi im.

Bugajski: Këto do jenë pyetjet e fundit dhe duhet t’i rikthehem politikave të brendshme në Shqipëri. Pothuajse çdokush me të cilin bisedoj, beson që ju jeni ende në drejtim të Partisë Demokratike. E di që edhe në Uashington të njëjtën gjë thonë. Kryetari jozyrtar. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me kryetarin, me Bashën?

Berisha: Së pari, dua t’ju siguroj që jam… po ju flas sinqerisht, s’jam aspak kryetari i PD-së. Jo. Unë jam njeri që iu përmbahet vendimeve dhe vendimin për të dhënë dorëheqjen nuk e mora në nxitim e sipër, por ishte një vendim që më shoqëroi për 20 vjet, në mos edhe më gjatë, kështu që unë e mora dhe nuk pata asnjë vështirësi. Tani, të imagjinosh që unë po drejtoj PD-në është diçka jorealiste. Se përse njerëzit e ngatërrojnë diçka të tillë me faktin që çfarëdo të jem unë… Unë po mbroj, po promovoj parime dhe vlera në të cilat besoj. Kaq është e gjitha. Kaq është e gjitha. Nuk ndërhyra fare në vendimin e PD-së, por njerëzit menduan që unë do tërhiqesha. Nuk ka për të ndodhur, deri në orën e fundit të ekzistencës sime si njeri i shëndetshëm. Se mund të më ndodhë…

Bugajski: Zoti do vendosë kur do tërhiqeni ju.

Berisha: Jo, s’do tërhiqem kurrë nga mbrojtja dhe siguria e parimeve dhe vlerave të mia. Fillova ta bëja në një kohë kur s’mendoja se do merresha me politikë, por mendova se mora vendimin e duhur në atë kohë. Vazhdoj t’i respektoj. Kjo është natyra ime. Jo. Nuk e drejtoj unë PD-në. PD-ja ka një kryetar të ri, një kryetar vërtet dinamik. Ai po kalon një proces vërtet interesant me zgjedhjet e drejtuesve të rinj vendorë, por ç‘bëj unë? E mbështes me gjithë zemër rikthimin e PD-së në pushtet, duke respektuar ato që besoj.

Bugajski: Ç’mësime mendoni se janë nxënë nga humbja në zgjedhje vitin që shkoi? Me fjalë të tjera, PD-ja do ndryshojë program, politikat, qasjet, strukturën?

Berisha: Mendoj se PD-ja duhet të ndryshojë shumë aspekte që të ecë me kohën. Mendoj që PD-ja duhet të hartojë një program të ri. Për mendimin tim, PD-ja duhet të rinovohet. Rinovimi është thelbësor për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PD-së dhe PD-ja duhet t’u qëndrojë besnike interesave kombëtare, duhet t’u qëndrojë besnike lirive dhe projektit evropian.

Bugajski: A keni ende…? Ndoshta kjo do jetë pyetja e fundit. A keni ende ambicie për t’u rikthyer si kryeministër apo si president?

Berisha: Kurrë. Jo.

Bugajski: Eshtë gjithçka e harruar tashmë?

Berisha: Jo, nuk është e harruar. Eshtë e shkuar e harruar tashmë. Nëse do qëndroja… Nuk më kërkoi njeri të jepja dorëheqjen. Askush. Por e dhashë dorëheqjen. Jo.

Bugajski: Ju do jeni “shtetari më i lartë”…?

Berisha: Do vazhdoj punën time si deputet dhe mua më pëlqen shumë parlamenti. Do përpiqem ta ndihmoj PD-në, por vetëm kaq.

Bugajski: Në rregull. Edhe një pyetje të fundit, se në shtator do ndodhë një vizitë e rëndësishme në Shqipëri, Papa Françesku, gjë që besoj se ju keni pasur dorë në arritjen e kësaj ngjarjeje gjatë kohës që ishit në detyrë. Shqipëria mund të krenohet duke qenë vend me harmoni fetare, ndoshta një nga më tolerantët në Evropë. Në këtë këndvështrim, ç‘prisni nga vizita e Papës sa i përket moralit, qeverisjes, mirëkuptimit ndërfetar, ekumenizmit ndërkombëtar e të tjera?

Berisha: Mendoj se është një vizitë e rëndësishme. I jemi shumë mirënjohës Atit të Shenjtë që zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë në Ballkan dhe më tej për të bërë vizitë. Besoj se ekzistojnë disa arsye. Së pari me fqinjët, por shumë më tepër. Ne e kemi vërtet këtë vlerë, këtë mesazh të madh, toleranca ndërfetare dhe puna për këtë çështje, promovimi i saj ia vlen çdo përpjekje. Prania e tij këtu do e bëjë akoma më të përshtatshëm këtë mesazh, si edhe mbështetjen e tij për vendin. Vatikani është ndoshta aleati dhe miku më i vjetër i shqiptarëve, që shumë shekuj më parë.

Bugajski: Kjo do jetë një pikë uniteti kombëtar, ekumenizmi e më tej?

Berisha: Sigurisht. Ai është i mirëpritur.

Bugajski: Gjithmonë kam menduar se Shqipëria duhej të bënte diçka më shumë për të shfaqur një imazh pozitiv të, siç thatë edhe ju, tolerancës fetare, feve të shumta, multietnicitetit e të tjera.

Berisha: Jam shumë dakord me ju. Mendoj shumë për këtë. Problemet në Shqipëri nuk janë fetare. Feja është një aset i madh. Problemi është ateizmi, i cili ka të drejtën të ekzistojë, por mënyra si i trajton ai fetë është e vjetëruar dhe e padrejtë. Por nëse shikoni tërësinë, fatkeqësisht, ateistët e këtushëm e ngrenë shumë zërin dhe kështu, nga këndvështrimet e tyre, ata hedhin hije, në njëfarë mënyre dhe fetë nuk i sulmojnë kurrë ateistët këtu. Jo. Janë tolerante.

Bugajski: Juve ju duhen ateistë tolerantë, jo intolerantë?

Berisha: Po. Na nevojiten… Sigurisht, njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin, unë jam pro-zgjedhjes, por toleranca është thelbësore. Nuk i shikon kurrë fetë të sulmojnë ateistët nga bazat fetare. Por gjen shumë ateistë të gatshëm për t’i mbushur gazetat dhe lajmet me mungesë respekti. Me mungesë respekti ndaj feve.

Bugajski: Sali Berisha, faleminderit shumë që ishit sërish pjesë e emisionit tim. Faleminderit për çiltërsinë dhe në veçanti që folët në anglisht, se më duket që herën e fundit e bëmë intervistën në shqip, që kërkon më shumë kohë dhe nuk është aq interaktive. Faleminderit!

Berisha: Faleminderit, z. Bugajski!

Bugajski: Jam i sigurt që do ju kemi përsëri të ftuar.

Berisha: Faleminderit shumë! Ishte kënaqësi për mua.


KOHA JONE