Nga Besi BEKTESHI*
Në këtë qershor mbushen 536 vite të fundit të rrethimit dhe 535-së vite të fillimit të rrethimit më të madh në historinë e Shqipërisë, trevave shqiptare, por padyshim më i madhi për nga numrat dhe në pjesën lindore të kësaj Europe tashmë pjesë e të cilës duam të bëhemi. Ne sot kemi një status nga ato vende europiane, të cilat edhe pse të mëdha dhe me histori lufte, në atë kohë për të cilin dua të shkruaj dhe flas unë, por që më shumë se kushdo kanë dëshmuar Barleti dhe Beçikemi, as që bëhej fjalë të përballonin menjëherë dhe vetëm një fuqi të jashtëzakonshme ushtarake dhe në armatime që ishte ajo e Sulltan Mehmetit të dytë ose pushtuesit. Ne sot historikisht, kemi një status për në BE, por historia tregon se për të qenë dhe mbrojtur këtë status që sot ka Europa, në Shkodër, është derdhur gjak i jashtëzakonshëm, është bërë një qëndresë e jashtëzakonshme për të mos rënë në duar e osmanllinjve nga fortesa më e lavdishme e krishterimit në bregun lindor dhe e qytetarëve shkodranë, por e administratorëve venecianë.
Përgjatë historisë mesjetare, dhe përballjes me ushtrinë më të madhe të botës, periferia e Europës është ndeshur me artin ushtarak dhe makinën më të madhe ushtarake të kohës. Kjo ka ndodhur në Shkodër dhe padyshim është një nga ngjarjet që la një shenjë të madhe në historinë europiane, por la një histori tashmë të ndryshuar në trevat shqiptare. Vetëm këtij qershori dhe qëndresës heroike, luftës dhe pastaj kalimit të qytetarëve shkodranë jashtë mureve në ditën e Shën Markut, bota e sotme dhe sidomos BE-ja i detyrohen shumë. Një historie të tillë si diplomacitë dhe politikat e mëdha integruese dhe pastaj dhe kombëtare të shteteve të mëdha i detyrohen shumë. Është një nga epopetë më të lavdishme të qendrës jo thjesht të Venedikut, por të qytetarëve shkodranë si avantposti më i rëndësishëm i qytetërimit perëndimor. Pashë një dokumentar “të lehtë” në një stacion televiziv dje dhe me vjen mirë, por tashmë “historitë e treguara nga profesorë të cilët dinë vetëm një histori të vjetruar historikisht nuk vlejnë më”. Ne duhet të dimë qartë dhe mirë rëndësinë e këtij momenti historik për të kuptuar pastaj dhe modelin ku duhet të shkojmë. Për të rënë e fundit Shkodra u rrënuan dhe u vranë përreth banorët, ra Drishti dhe Zhabjaku, ra Lezha e cila u hodh në erë nga venedikasit për të mos marrë përnjëherë osmanllinjtë kalanë në funksion, dhe u vranë në ishull Lezhë disa qindra banorë të Lezhës dhe qytetarë të Venedikut.
Marin Beçikemi para senatit breshkan, mes të tjerash në polemikë me Rafaele Reggion e për t'ju përgjigjur qëndrimeve diskriminuese të këtij të fundit më 1504 shkruante: ...Atdheu im i pajisur nga natyra me një bukuri të mahnitshme e në një pozicion të fortifikuar këndshëm, kundër mbretërish e popujsh kreu vepra të famshme, akoma sot është e famshme për luftërat kundër armiqve shumë të neveritshëm në emër të krishterimit, aq shumë sa për të mos qenë e dyta para asnjë qyteti për emrin dhe për lavdinë. Cili mbret kaq i fuqishëm pat qenë i tillë që ka mundur t’ia kalojë për forcën luftarake atij qyteti, që jo vetëm e mbrojti dhe i theu gjithë ato forca armiqsh, por mposhti komandantë e mbretër të këtyre armiqve... Nuk dua të kujtoj fatkeqësitë tona, ndërsa kujtoj veprat e këqija të tyre që kaq të mëdha ishin sa mund të dukej që jo Shkodra, por perënditë vetë luftuan kundër gjithë atij vrulli të madh të barbarëve... ( M. Becichemi: Praelectio in C. Plinium Secundum... (botuar pas 5 gushtit 1504) Tashmë ky qershor që ka ardhur me statusin e vendit kandidat në BE, e revokon qershorin tragjik të vitit 1478-1479, kur territori europian i Shqipërisë kaloi në një tjetër moment historik për fatin aspak të mirë tonin. Për këtë është bërë dhe rrethimi më i madh i kohës në Europë.
Po, ai i qytetit madhështor të Shkodrës.
Rrethimet më të mëdha janë konsideruar ai i Konstandinopojës nga Murati me 250.000 njerëz dhe afrimi në portat e Vienës me pothuaj të njëjtën shifër të ushtrisë së fuqishme Otomane. Natyrisht që me anën e Barletit dhe Biçikemit, kemi edhe dëshmi që vijnë normalisht edhe në pasionin e ndjesisë kombëtare, dhe padyshim që ka dalë qartë se kush është rrethimi më i madh i një fortese apo kalaje të madhe, në trojet shqiptare. Por ka një mundësi riparimi të daljes nga emocioni dhe pastaj edhe futjes në realitet. Padyshim që Kruja është konsideruar kryeqendra e qëndresës kombëtare, e cila në të vërtetë është rrethuar dy herë, deri sa ra dhe rrethimet kanë qenë tepër të rëndë dhe me sasi të tilla të forcave ushtarake, që në atë kohë barazoheshin më popullsinë e rajonit. Gjithsesi Kruja ishte një moment i lavdishëm i udhëheqjes së Gjergj Kastriotit dhe territor i sundimit të një princi të tillë shqiptar. Lavdia e saj është një cilësi kryekëput shqiptare e rezistencës ndaj një superfuqie të jashtëzakonshme më të madhe të mesjetës. Megjithatë Kruja nuk është rrethimi më i madh i kryer as në territoret shqiptare dhe as në territorin europian. Si atlaset dhe dokumentat turke dhe ato veneciane e shqiptare, tregojnë se rrethimet e Krujës nuk mund të kalonin edhe nga organizmi 150.000 deri në 200.000 pjesëmarrës në vazhdim dhe jo permanentë në ushtrinë e dy sulltanëve pushtues dhe më të njohur të Perandorisë Otomane. Natyrisht që në arkivin e Muzeut të Shkodrës është një “shqipërim” ose përkthim i saktë i një harte otomane nga arkivi i Perandorisë Otomane e punuar nga J. J Helbert, e cila bazohet sipas gjetjes së Hamerit. Në fakt, harta ka të vendosura repartet e ushtrisë, toponimet, rajonizimin, pozicionet dhe sasitë njerëzore dhe materiale, deri në detaje. Interpretimi pastaj është i qartë se ka dalë për sasitë nga pikërisht literatura otomane. Harta është një model udhëheqës i rrethimit padyshim më të madh të të gjitha kohërave në territorin europian nga fuqia e madhe e osmanllinjve, dhe kjo madhështi ushtarake ka ndodhur në kryeqendrën urbane dhe pozicionin më të rëndësishëm të avanpostit të botës perëndimore dhe Europës së krishterë përballë asaj Otomane. Pikërisht në datat 2.3.4 qershor në periferitë e qytetit të Shkodrës, kanë ardhur edhe fuqitë e para të pushtimit otoman, i cili është dislokuar në mënyrë të përgjithshme me datën 8 qershor të vitit të lavdishëm 1478. Tani harta e studiuar dhe dalë vërtetë në dritë nga Helbert, qartëson edhe madhësinë e cilësinë e jashtëzakonshme të rrethimit më të madh që i ka ndodhur në atë kohë, një qyteti të krishterë dhe në troje shqiptare. E para, është perceptimi mbi fuqinë ushtarake dhe mobilizimin gjigand të këtij pushtimi, por edhe strategjia e jashtëzakonshme e fuqisë më të madhe ushtarake të kohës. Pastaj ardhja brenda një kohe prej 20 ditësh,e një sasie të madhe armatimi dhe njerëzore të reparteve më të shkëlqyera nga Bosnja dhe Rumelia.
Të dhënat që shpesh herë janë diskutuar dhe aprovuara apo kundërshtuara, qartësohen duke pasur edhe në një farë mënyre objektivitetin, sepse kanë dalë nga pozicionet e arkivit otoman. Kalaja e madhe e Shkodrës në fakt, del se forcat e saj i ka pasur shumë të vogla në raport me rrethimin, por edhe numrat nuk janë krejtësisht të qartë në saj edhe të momentit rrethim. Por ama, dihej se ishin forcat veneciano-shqiptare nën komandën e Antonio de Lezze. Ka pasur edhe kavaleri veneciane e komanduar nga Nikola Moneta, rezervistë-të mobilizuar e të komanduara nga i quajturi Bartolemi Epiri. Ka qenë edhe flota shqiptaro-veneciane me rreth 20 anije, të cilat një pjesë e madhe u larguan. Ishin në zonë si poste të kontrolluara kisha e Shna Prendes, kisha e Shna Blazit dhe ajo e Shën Lazrit.
Gjithsesi forca e përgjithshme njerëzore nga të rrethuarit, nuk i kalonte 800 vetat po të besojmë përgatitjen e vërtetë ushtarake. Kurse rrethuesit të cilët në një periudhë kohe prej tre muajsh ka lëvizur në rrethim duke u mbledhur në kohë ka qenë e jashtëzakonshme. Padyshim që ardhja e Mehmetit II në datat 8-10 qershor fillon edhe rrethimin më të madh të kohës në kufijtë e Europës. Me ushtri dhe infrastrukturë ndihmëse njerëzore rrethimi i Shkodrës ka sjellë në rrethinat e gjëra të Shkodrës një madhësi prej 350.000 njerëzish. Kishte vend për të jetuar, kishte pasuri të mëdha dhe mundësi rrethimi që kontrollonte territori i pasur shkodran. Ujë të bollshëm, komunikim lumor dhe tokësor, kodra kontrolluese të rrethimit dhe përballë një kala të madhe dhe të mirë fortifikuar që më vonë doli se kishte edhe mundësi mbrojtjeje dhe ushqimi, por edhe me ujë të bollshëm Mehmeti II kishte permanente 16.000 kalorës të superstërvitur {sulmi i parë} të Mustafait ose bejlerbegut të Rumelisë. Nuk mund të bënin ndonjë gjë kundër kalasë, por kontrollonin rrugët dhe avanpostet shqiptaro-venedikase përreth. Por Mustafa Pasha kishte edhe zemrën e ushtrisë me rreth 120.000 njerëz të fanterisë dhe 20.000 kalorës të luftimit në fushë të hapur, që ishin të armatës së madhe të Rumelisë. Kjo forcë nuk u dislokua e gjitha, por ama ajo kaloi në muret e kështjellës të madhe. Kjo forcë ushtarake ka bërë rreth 1 muaj të mblidhet në afërsitë e Shkodrës. Mbas shumë pak javësh në rrethinat e Shkodrës kanë kaluar edhe 50.000 njerëz të Armatës dhe fanterisë së Europës që qëndronin në periferinë e perandorisë dhe dinin artin e luftës me shtetet e mëdha Europiane. Por që në fillim erdhën me një shpejtësi të madhe edhe mbi 100.000 njerëz të Davut Pashës edhe ky bejlerbe i Rumelisë. Kishte fanteri dhe ushtarë xhenierë dhe sulmues të rrezikshëm kjo forcë e madhe që e njihte shumë mirë terrenin në saj edhe të aftësive të pashës së madh me origjinë shqiptare. Forca e madhe turko-otomane, kishte 8000 akinxhi si korrierë dhe sulmues të organizuar që drejtoheshin nga Mihalologli.
Rreth 4000 vetë, ishte forca e një kavalerie të lehtë sulmuese të Skënderit ose sanxhakbeut të Bosnjës. Rrethim i Shkodrës mblodhi të gjithë forcat e osmanllinjve nga i gjithë Ballkani dhe aty ishte edhe Malkoviku ose sanxhakbeu i Serbisë me 3000 forca e tij. Nuk duhet përmendur krejtësisht saktë edhe forca e Sulltanit të madh, e cila kishte jeniçerët dhe që lëvizte nga 10.000-30.000 ushtarët më besnikë dhe të stërvitur të perandorisë otomane, dhe që kishin edhe lavdinë e ushtrisë të stërmadhe rrethuese të Shkodrës. Asnjëherë këto forca nuk ishin permanente, por ama sasia e rrethuesve ishte e stërmadhe në këmbët e kalasë së Shkodrës.
U ndërtuan kështjella druri që qëndronin përpara pikave nevralgjike të qytetit dhe po ashtu katër pyrgje ose fortesa të mbushura me gurë, të cilat mbronin makinat e luftës dhe artiljerët e rrethimit të Shkodrës. Janë derdhur në vend topa me gjyle 12 kv dhe mortajë me gjyle afërsisht 10 kv. Harta tregon se ku ishin vendosur dhe topi i madh i prodhuar në vend nga disa artilerë dhe inxhinierë të huaj që hidhte gjyle prej më tepër se sa 13 kv duke treguar edhe fuqinë e jashtëzakonshme të zjarrit në këtë rrethim gjigandesk të një qyteti të jashtëzakonshëm shqiptar dhe venecian. Në Bunë ishin vazhdimisht 8-10 galera turke që sillnin materiale, dhe po ashtu kryekomanda dhe çadra e Mehmetit II, ishte aty ku sot janë fushat e Vukatanës e Kuçit. Daut Pasha kishte zënë vend në malin e Shna Markut ose si u quajt më vonë ai i Pashës, dhe bateritë ishin një shumicë të vendosura përpara tij. Forcat e fanterisë së Europës dhe 20.000 njerëzit e armatës së Rumelisë, si edhe 8000 forcat e Mihaloglit, ishin të dislokuara në anën tjetër të Bunës, ku janë sot “Fshati i Paqes” dhe disa ndërtime të tjera dhe si pozicion pak më sipër këmbëve të Taraboshit. Përballë kalasë nga dera kryesore, ishin forcat e Mustafa Pashës, por në kodrën para kishte bateri dhe pas saj edhe forcat e Malkovikut. Qyteti bombardohej kryesisht nga tre drejtime, dhe sulmohej nga hyrja, por edhe në katër drejtimet e saj të anës lindore dhe që nga veriu e deri në jug. Një forcë e tillë, as që ishte parë dhe as përmendur nga kronikanët e botës. Kjo forcë nuk ka qenë për tre muaj e gjitha në dislokim, por ama një forcë njerëzore e tillë nuk arriti të futej në qytet për tre muaj deri në shtator, kur fuqia e marrëveshjes bëri më vonë në 1979-tën që forcat shqiptaro-veneciane të dalin nga Shkodra mbas një qëndrese të pa shoqe ndaj ushtrisë më të madhe, të mirë përgatitur dhe dislokuar që kishte bota atëhere.
Është e vërtetë që qyteti i Shkodrës u dorëzua përpara një force të tillë, por është akoma më tepër e vërtetë, se ai nuk ra nga sulmet masive të një fuqie të jashtëzakonshme deri atëhere. Rrethimi i Shkodrës është shembulli i luftës së një qyteti krenar dhe të lavdishëm, përballë ushtrisë më të madhe dhe pushtuese të botës në atë kohë. Shkodra është qyteti që ka impenjuar në atë kohë ushtrinë më të fuqishme dhe të madhe të osmallinjve, në pushtetin më të madh të tyre, dhe është qyteti në kufijtë e Europës, që ka pasur rrethimin më të madh të kohës.
Si përfundim madhësia e kalimit në rrethimin e Shkodrës të rreth 350.000 njerëzve të inkuadruar në ushtrinë e pushtimit të qytetit për muaj e muaj është një veçori dhe patjetër që nga kronikat e kohës është e qartë se rrethimi tre mujor ka pasur një ushtri diçka më tepër se 100.000 mijë ushtarë si forcë permanente në aksion. Gjithsesi me datat 7-8 shtator të 1478-tës Mehmeti II u tërhoq me pjesën më të madhe të ushtrisë, duke lënë Ahmet bej Evrenozi me 40.000 ushtarë, si pjesë e bllokimit të qytetit të rrethuar. Ndërkohë De Lezze dërgonte qarkore në Venedik ku tregonte se qytetit po i mbaronin rezervat dhe ishte katandisur nga 1600 meshkuj në fillim të rrethimit, në 450 burra dhe 150 gra. Politika e “Sinjorisë” ndaj Otomanit pushtues Mehmetit të dytë, shkoi aty sa me datën 25 prill të 1479-tës, ditën e Shna Markut, qyteti të evakuohej me pesë anije dhe së bashku me qytetarët e mbetur aty ishin dhe Lekë e Nikoll Dukagjini dhe shumë të tjerë shqiptarë të shquar. Gjithsesi Republika e Venedikut, trajtoi me pensione të veçanta qytetarët e Shkodrës dhe De Lezze në fillim nderohet, por më vonë denigrohet, sepse nuk kishte marrë masa, dhe nuk kishte sqaruar mirë rezervat ushqimore të Shkodrës.
Me rënien e qytetit të madh dhe të lavdishëm të tokave shqiptare, kushtet e paqes ishin të rënda, por historia edhe pse me zikzaket e veta, e nxori edhe një herë Shkodrën, qendër të luftrave, bisedimeve, qëndresës dhe paqes, sa do e rëndë qoftë ajo. Ky ishte qershori i vitit 1478 deri në maj të vitit 1479. Qershori i vitit 2014, është dhe momenti kur kjo trevë dhe ky vend i afrohet sërish atij kontinenti pjesë e të cilit ishte me një lavdi të madhe dhe me gjak të derdhur me shumicë.
*Autori është gazetar-historian, Drejtor i Drejtorisë Rajonale së Kulturës Kombëtare Shkodër -
http://www.sot.com.al/opinione/qersh....iWlbhArw.dpuf
Krijoni Kontakt