TIRANË- “Tonelata marijuanë të kapura në operacionin më të madh të ndërmarrë ndonjëherë nga Policia Shqiptare” është titulli që mban artikulli i INTERPOL për vlerësimin e operacionit antidrogë në Lazarat.

Në këtë shkrim të publikuar në faqen zyrtare në internet INTERPOL thekson operacioin përcolli një mesazh të fortë që Shqipëria nuk do të tolerojë asnjë aktivitet Kriminal në territorin e saj. Vlerësimi është bërë nga Glyn Leëis, Drejtor i Krimit të Specializuar dhe Analizës pranë INTERPOL.

“Ky operacion përcolli një mesazh të fortë që Shqipëria nuk do të tolerojë asnjë aktivitet Kriminal në territorin e saj. Policia shqiptare duhet duartrokitur për operacionin i cili i ka qenë një goditje për furnizuesit e drogave të paligjshme në rajon.”- është shprehur Glyn Lewis.

Në artikull pasqyrohen rezultatet e këtij operacioni si dhe bashkëpunimi për verifikime të mëtejshme në databazën e INETERPOL të personave të arrestuar.

“Në një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji, Policia e Shtetit Shqiptar ka kontrolluar një fshat në jug të vendit të njohur për prodhimin e marijuanës në shkallë të gjërë, duke kapur tonelata drogë dhe arrestuar mbi një duzinë personash. Në pesë ditët e para të këtij operacioni në fshatin Lazarat policia kapi mbi 23 ton marijuanë, shkatërroi mbi 80.000 bimë marijuanë, shkatërroi 4 laboratorë droge dhe konfiskoi një numër të madh armësh zjarri dhe municionesh.

Qindra oficerë policie janë përfshirë në operacionin që po vazhon, i cili deri tani ka çuar në arrestimin e 15 pesonave nën akuzën e kultivimit të marijuanës, si dhe kundërshtimit me armë të policisë. Mbi 130 shtëpi në fshat janë kontrolluar nga policia, si dhe terrenet përreth tyre, ku plantacionet e marijuanës janë shkatërruar me zjarr.

Shqipëria është në kontakte të ngushta me INTERPOL dhe do të dërgojë detajet e individëve të arrestuar për t’u kontrolluar në databazën e INTERPOLIT, me qëlllim indetifikimin e lidhjeve të mundshme me krime apo organizata kriminale në botë,”- thuhet në artikull.

(a.n/BalkanWeb)