-
Kodi i ri Doganor: Qeveria e Rilindje ngre trarin e doganës për "operatorët e besuar"
Kriteret dhe favoret për subjektet me statusin “Operatori Ekonomik i Autorizuar”. Heqja e referencave
Zamir Alushi
DoganaProjektkodi i ri doganor, që futet nesër në procedurën për shqyrtim parlamentar, sjell shumë risi që do të ndryshojnë raportet e biznesit me doganën. Pra, më pak kontrolle, më pak letra, më tepër besim te deklaratat e biznesit. Përmirësimet do të krijojnë kushtet për kalimin në një mjedis doganor elektronik pa letër (paperless), si dhe për të futur procedurat doganore për operatorët ekonomikë të autorizuar, përfshirë zhdoganimin e centralizuar; garantimin e çlirimit të shpejtë të mallrave kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrolleve bazuar në analizën e riskut, duke pasur parasysh këtu që Konventa e Kyotos parashikon që depozitimi, regjistrimi dhe kontrolli i deklaratës doganore mund të bëhen para mbërritjes së mallrave. Ndërkaq, shkrirja e regjimit të përpunimit aktiv me pezullim, me atë të përpunimit nën kontroll doganor do të lehtësojë fasonët, ashtu siç u vendos në paketën e qeverisë për të ndihmuar këtë industri.
Operatorët “e besuar”
Kodi i ri Doganor fut konceptin e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO). AEO-të kanë disa avantazhe, si për shembull: aksesi në procedurën e zhdoganimit të “centralizuar” “Centralized Clearance”, duke i lejuar ata të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet nga zyra e tyre e regjistruar. AEO-të gjithashtu mund të lejohen të lëvizin mallrat, ndërkohë që ato janë ende nën magazinim të përkohshëm. Përveç të tjerave, AEO-të do të kenë mundësi të përfitojnë nga shtyrje të pagesave, në bazë të një garancie me një shumë të reduktuar. Lehtësim tjetër për AEO-të ka të bëjë me kohën kur mallrat konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë. Mallrat do të konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë në momentin kur operatori paraqet deklaratën doganore, pa qenë nevoja të bëjë paraqitjen e mallrave. Procedurat e thjeshtëzuara ulin kostot dhe rritin sigurinë ligjore për operatorët ekonomikë. Kështu mund të përmendim: deklarimin e paplotë; kryerjen e procedurës së zhdoganimit në kufi në bazë të një dokumenti tregtar (vetëm për mallra të “thjeshta”); zhdoganimi në ambientet e operatorit ekonomik; çdo operator ekonomik, i cili është i vendosur në territorin doganor të Shqipërisë dhe përmbush kriteret, mund të aplikojë për statusin AEO. Autoriteti doganor, pas konsultimit me autoritete të tjera, nëse e shohin të nevojshme, jep statusin, i cili është objekt i monitorimit të vazhdueshëm. Statusi AEO, nga pikëpamja juridike, ka të bëjë me llojet e autorizimeve të mëposhtme: a) atë të një operatori ekonomik të autorizuar për “thjeshtësime doganore”, i cili i mundëson mbajtësit të tij përfitime për disa thjeshtësime në përputhje me legjislacionin doganor; ose b) atë të një Operatori Ekonomik të Autorizuar për “sigurinë dhe mbrojtjen”, i cili i mundëson mbajtësit të tij lehtësira që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen. Parashikohet edhe rasti kur të dyja llojet e autorizimeve mund të mbahen njëkohësisht. AEO gëzon trajtim më të favorshëm se operatorët e tjerë ekonomikë për sa u përket kontrolleve doganore në përputhje me llojin e autorizimit të dhënë, duke përfshirë më pak kontrolle fizike dhe dokumentare. Aplikuesi, për t’iu dhënë statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar, duhet të plotësojë këto kritere: a) të mos ketë pasur shkelje serioze ose të përsëritura të legjislacionit doganor dhe tatimor, përfshirë edhe mospasjen e shkeljeve serioze penale që lidhen me aktivitetin ekonomik të aplikuesit; b) të demonstrojë një nivel të lartë kontrolli të veprimeve të tij dhe të lëvizjes së mallrave me anë të një sistemi që menaxhon regjistrimet tregtare dhe, kur është me vend, edhe regjistrimet e transportit, i cili lejon kryerjen e kontrolleve të duhura doganore; c) të ketë aftësi paguese që do të kërkohen për të provuar nëse aplikuesi ka gjendje të mirë financiare, e cila i lejon atij të përmbushë angazhimet që rrjedhin e lidhen me karakteristikat e llojit të aktivitetit në fjalë; ç) të ketë standardet praktike të kompetencave ose kualifikimeve profesionale që lidhen direkt me aktivitetin e kryer; d) të ketë standardet e duhura të sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat do të konsiderohen të plotësuara kur aplikuesi demonstron se ai siguron masat e duhura për zbatimin e sigurisë dhe mbrojtjes së zinxhirit tregtar ndërkombëtar, përfshirë fushat e integritetit fizik dhe kontrollit të aksesit, proceset logjistike dhe manipulimet për lloje të veçanta mallrash.
Procedurat
Nga pikëpamja procedurale, Kodi i ri Doganor parashikon gjithashtu ndryshime për rregullat për magazinimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së magazinimit deri në 90 ditë dhe mundësinë për të lëvizur mallrat nën magazinimin e përkohshëm pa procedura transiti.
Çmimet e referencës
Pranë Ministrisë së Financave është ngritur një grup pune, i cili po analizon tërësinë e zbatimit të çmimeve të referencës, me synim minimizimin e përdorimit të tyre. Synohet të shfuqizohet gradualisht zbatimi i këtyre çmimeve dhe gjithnjë e më shumë të përdoret vlera e transaksionit.
Kur hyn në fuqi
Ligji hyn në fuqi në tri faza. 15 ditë pas zbatimit në Fletoren Zyrtare hyjnë në fuqi shumica e neneve, sidomos ato që nuk kanë ndryshim nga kodi i kaluar. Dispozitat lidhur me AEO dhe thjeshtimet doganore do të hyjnë në fuqi dhe do të bëhen të zbatueshme më 1 janar 2015. Për realizimin e këtij objektivi do të nevojitet futja e teknologjisë së informacionit sipas dispozitave të Kodit Doganor. Aktualisht, sistemi është në gjendje të bëjë përpunimin automatik të deklaratave doganore, duke filluar nga hedhja e të dhënave dhe regjistrimi drejtpërsëdrejti në sistem nga vetë deklaruesi, duke vazhduar më tej me analizën e riskut, llogaritjen dhe vlerësimin e detyrimeve e duke përfunduar me kontabilizimin dhe pagesën e të gjitha detyrimeve doganore. Më 1 qershor 2017, hyjnë në fuqi dispozitat e fundit të Kodit Doganor, të cilat plotësojnë kushtet e vendosura nga KE-ja. Sipas kësaj radhe, do të dalin vendimet zbatuese të qeverisë dhe bëhet shfuqizimi i kodit të vjetër.
Shqip
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt