Greqi, kapet sasi rekord heroine, në pranga dhe një shqiptar

Emri:  89363.jpg

Shikime: 445

Madhësia:  117.7 KB

ATHINE-Një nga sasitë më të mëdha të heroinës në nivel botëror është kapur në një anije çisternë në Elefsina. Bëhet fjalë për një sasi prej dy tonësh e 120 gramësh heroinë. Duke paraqitur të dhënat për këtë çështje, ministri grek i Marinës, Miltiadhis Varviciotis, deklaroi se ”ata që besojnë se Greqia është një vend pa zot, do të zhgënjehen”.

”Vendi ka autoritete sigurie të afta dhe një polici bregdetare që lufton në të gjitha nivelet çdo ditë dhe të gjithë meritojnë përgëzime”, theksoi ai. Operacioni kishte filluar më 13 qershor, me gjetjen dhe sekuestrimin e më shumë se një ton heroine, në dy pika të ndryshme të Athinës.

Mes të arrestuarve në fazën e parë të operacionit ndodhet edhe një shtetas shqiptar, i moshës 29 vjeç.

Të shtunën, duke u gdhirë e diel, 22 qershor, u gjet dhe pjesa tjetër e heroinës, me peshë 986,6 kilogramë, e fshehur në magazinat e një pularie, në rrethinat e Athinës.

Dje, në një konferencë për shtyp, Varviciotis tha se kjo është sasia më e madhe e heroinës e kapur në nivel evropian dhe ndoshta edhe në nivel botëror. Krahas zbulimit të gjithë sasisë së heroinës, autoritetet greke kanë gjetur edhe anijen me të cilën droga ishte sjellë në Greqi. Bëhet fjalë për anijen çisternë ”Noor One”, e cila prej fillimit të qershorit ndodhet e ankoruar në portin e Elefsinas, pranë Athinës.

(d.b/BalkanWeb)