-
Durrës: Vritet në mes të ditës në plazh biznesmeni i ndërtimit Kujtim Dyrmishi
Në mes të plazhit. Biznesmeni i ndërtimit ekzekutohet pas ortakut

UPDATE- Vritet në mes të ditës në zonën e plazhit biznesmeni i ndërtimit. Kujtim Dyrmishi u ekzekutua nga tre persona të maskuar, të cilët e qëlluan nga makina e tyre në momentin kur viktima do të zbriste nga mjeti i tij. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 11:00, në segmentin Ura e Dajlanit-Plepa, te sektori “Iliria”, vetëm disa metra larg vendit ku 4 muaj më parë u vra në atentat me tritol në makinë ortaku i tij në biznes, Xhemal Çela. Policia po heton në disa pista për krimin që tronditi Durrësin. Sipas burimeve, nuk përjashtohet hakmarrja apo larja e hesapeve mes viktimës e personave që kanë qenë të interesuar për eliminimin fizik të tij. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se Dyrmishi, apo siç njihej me nofkën “Tixhja”, ka qenë një ndër të dyshuarit për vrasjen e ortakut të tij Xhemal Çela. Por nuk përjashtohen as pista të tjera, siç është hakmarrja për një vrasje të kryer nga vëllai i tij në Greqi, apo edhe larja e hesapeve.
VRASJA
Vrasja e biznesmenit me pesë plumba ditën e djeshme është kryer nga makina në makinë, në kohën kur 49- vjeçari ndaloi për të bërë pazar në një dyqan buzë rrugës. Autorët, të cilët duket se kanë qenë në ndjekje të tij, përfituan nga rasti dhe në momentin që ai po zbriste nga mjeti, ndalojnë paralel dhe hapin zjarr me dy automatikë tip “Skorpions” duke e lënë të vdekur në vend. Breshëria e gjatë e armëve krijoi panik te kalimtarët dhe plazhistët, të cilët u përpoqën të largoheshin me shpejtësi në mënyrë që t’u shpëtonin plumbave. Autorët kanë qenë tre persona, të cilët lëviznin me një makinë tep “Benz” ngjyrë gri me xhama të zinj dhe me targa të Kosovës 01 20 EN. Sipas dëshmive të dhëna në polici nga dëshmitarët, ata derdhën breshëri të gjatë automatiku në drejtim të Kujtim Dyrmishit, që ndodhej brenda makinës së tij tip “Benz” me targa italiane DP 411 VF, duke e lënë të vdekur në vend. Krimi u krye nga makina në makinë, por autorët nuk e kanë lënë me kaq. Ata ishin të vendosur t’i merrnin jetën biznesmenit me origjinë nga Cërriku, ndaj për t’u siguruar që kishte ndërruar jetë, dy prej autorëve kanë zbritur nga mjeti duke e qëlluar për herë të dytë. Më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tiranës.
HETIMI
Për të zbardhur krimin e djeshëm, Policia e Durrësit ka vënë në dispozicion ekspertët e saj më të mirë të krimeve të rënda. Grupi hetimor po analizon provat paraprake të grumbulluara në vendin e ngjarjes, por edhe provat e siguruara në rrugë të tjera nga inspektorët e hetimit të krimit. Paraprakisht hetimorët janë fokusuar në katër pista, duke i vlerësuar si më të mundshmet në lidhje me krimin e rëndë. Sipas burimeve, ka dyshime që krimi të jetë kryer për hakmarrje. Blutë nuk përjashtuan hakmarrjen për shkak të një implikimi të mundshëm të Dyrmishit në vrasjen me anë të lëndës shpërthyese të ortakut të tij, Xhemal Çela. Sipas burimeve, Dyrmishi ka qenë një ndër të dyshuarit për këtë krim mafioz. Ndërkohë, një tjetër pistë është edhe hakmarrja për shkak se vëllai i tij, Pëllumb Dyrmishi, ka vrarë në Greqi në vitin 2004 një shqiptar. Një tjetër pistë, sipas policisë, është edhe larja e hesapeve për shkak se ka dyshime se viktima ka qenë i përfshirë në organizata kriminale disa vite më parë. Konfliktet personale gjatë kohëve të fundit është një tjetër pistë në të cilën po hetohet.
Gjendet mjeti me dy “skorpionsë” e një kallash
Pas vrasjes së biznesmenit, tre autorët e maskuar u larguan nga vendi i krimit në drejtim të Tiranës. Rreth një orë pas krimit, automjeti u gjet i braktisur në autostradën Durrës- Tiranë, në nënkalimin e Shën Vlashit. Gjatë kontrollit policia gjeti brenda në mjetin e braktisur edhe armët e krimit, dy automatikë “Skorpions” dhe një “Kallashnikov”, si dhe 24 gëzhoja të qitura nga armët skorpions të përdorura në vendin e krimit, ndërkohë që autorët kanë qëlluar teksa ndodheshin brenda mjetit. Blutë nisën hetimin edhe në lidhje me pronarin e mjetit. Paraprakisht rezulton se targa e makinës i përket një shtetasi kosovar, i cili mendohet të ketë ardhur dje për pushime në Durrës. Madje ka dyshime se autorët e kanë vjedhur mjetin pak para krimit dhe pronari që ka qenë duke bërë plazh nuk ka qenë në dijeni të kësaj ngjarjeje, pasi nuk rezulton asnjë denoncim i tij për zhdukjen e makinës.
Xhemal Çela u vra me tritol teksa ishte në ecje me makinën
Biznesmeni i ndërtimit Xhemal Çela ndërroi jetë pas atentatit me eksploziv më 23 janar të këtij viti. Ngjarja ndodhi përgjatë rrugës “Pavarësia”, në afërsi të rezidencave qeveritare, në plazhin e Durrësit. Automjeti i drejtuar nga Çela shpërtheu rreth orës 10:30. Makina tip “Citroen C4”, me targa AA759EY, ka ecur për disa metra në flakë, ndërkohë që biznesmeni mundi të dalë dhe në gjendje të rëndë u dërgua me urgjencë në spital nga kalimtarë të rastit. Gjatë gjithë qëndrimit në spital, biznesmeni 45-vjeçar që banonte në Lagjen Nr. 13 të Durrësit ishte në gjendje kome. Ai humbi jetën rreth orës 14:00, një ditë pas atentatit, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë nga shpërthimi i fuqishëm. Sipas Policisë, në automjetin e tij ishin vendosur 300 gramë tritol C4, sipër gomës. Autorët i kanë rënë ziles së telefonit që ishte lidhur me tritolin dhe mjeti ka shpërthyer, me skemën klasike të shpërthimit të telekomanduar. Sipas Policisë, vrasja e biznesmenit të ndërtimit ka lidhje me përplasjet e shumta në lidhje me pronësinë e trojeve ku ai ndërtonte pallatet. Çela rezultonte pronar i disa pallateve të ndërtuara në zonën e plazhit të Durrësit. Megjithëse në atë kohë policia shoqëroi për në komisarit me dhjetëra persona, ende sot e kësaj dite vdekja e tij ka mbetur pa autor. Atentati ndaj Çelës tronditi edhe më shumë opinionin publik, pasi ai erdhi në një kohë kur shpërthimet me tritol në qytete të ndryshme të vendit ishin kthyer në fenomen alarmant për policinë. Çela ishte pronar i kompanisë së ndërtimit “Enigma”, ku deri para disa kohësh ishte ortak edhe biznesmeni Kujtim Dyrmishi, i vrarë paraditen e djeshme. Sipas burimeve policore, dy ortakët i kishin shkëputur marrëdhëniet e biznesit kohë më parë në mënyrë paqësore dhe vazhdonin të ruanin lidhjet miqësore. Megjithëse edhe vrasja e Dyrmishit duket e stilit mafioz, për nga dinamika e zhvillimit të saj nuk ngjan me atentatin me eksploziv të bërë ndaj ish-ortakut të 49-vjeçarit Dyrmishi, në fillim të këtij viti.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
Panorama
-
-
Për: Durrës: Vritet në mes të ditës në plazh biznesmeni i ndërtimit. Kujtim Dyrmishi
Dëshmitari: Pamë tre autorët dhe zjarrin e armëve, plumbat na rrezikuan edhe ne
Qytetarët durrsakë e pushues të shumtë të ardhur nga rrethet e nga Kosova, rrezikuan jetën dje si pasojë e breshërisë së armëve në mes të rrugës. Ata u bënë dëshmitarë të krimit të rëndë ku një biznesmen u vra në rrugën kryesore, rreth 20 metra larg plazhit.
Ngjarja e rëndë në segmentin Plepa-Ura e Dajlanit, në vendin e quajtur “Iliria”, krijoi panik, ndërsa i vrarë mbeti Kujtim Dyrmishi. Krimi ndodhi në orën 11:00, në pikun e lëvizjeve në këtë zonë afër detit. Një ndër dëshmitarët okularë është edhe H. Saliu, i cili teksa tregon për kronologjinë e ngjarjes, thekson se kalimtarët kanë rrezikuar seriozisht jetën. Sipas dëshmitarit, gjithçka ka ndodhur në harkun e pak sekondave, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ngjarja e rëndë e vrasjes së biznesmenit Kujtim Dyrmishi ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te shumë qytetarë që u gjendën krejt papritur pak metra larg plumbave. H. Saliu pohoi se kishte parë tre persona të maskuar në mjetin me targa të Kosovës që u largua me shpejtësinë e erës menjëherë pasi u siguruan se shënjestra kishte ndërruar jetë.
Ku ishit në momentin që ndodhi ngjarja?
Isha duke pirë kafe pak metra larg vendit ku ndodhi krimi. S’e kishim mendjen se po bisedonim me njëri-tjetrin, vetëm kur papritmas dëgjuam breshëri të gjata automatiku. U ndiem të frikësuar dhe të tmerruar në të njëjtën kohë, pasi pamë një skenë shumë të frikshme dhe nuk po dinim se ku të fshiheshim dhe si të vepronim.
Çfarë ndodhi konkretisht, çfarë patë ju?
Ne pamë që në momentin që u qëllua mjetet ishin paralel me njëri-tjetrin. Personi që mbeti i vdekur si duket kishte ndaluar dhe po tentonte të zbriste nga mjeti, ndërkohë autorët i afrohen me shpejtësi dhe qëllojnë në drejtim të tij. Dy prej tyre i pamë të gjithë që zbritën dhe qëlluan edhe nga afër, ndërsa më pas hipën sërish në makinë dhe u larguan në drejtim të Urës së Dajlanit. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë. Dukej se autorët e kishin organizuar deri në detaj këtë krim dhe ishin në ndjekje të viktimës.
Ju arritët t’i shihnit autorët? Mund t’i përshkruani fizikisht?
Pamë që brenda mjetit ishin tre persona, por ishte e pamundur t’i identifikoje, sepse ata ishin të maskuar. U tmerruan të gjithë kalimtarët, pasi u qëllua disa herë me breshëri. Komuniteti ndihet i pasigurt. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin, sepse krijojnë një imazh tejet negativ në fushën e turizmit dhe të tilla ngjarje e dëmtojnë shumë.
U krijua panik te kalimtarët?
Sigurisht, madje u shkaktua edhe kaos. Njerëzit nuk dinin ku të futeshin dhe u përpoqën të vraponin larg vendit të ngjarjes. Ishte diçka që ndodhi në pak sekonda dhe të gjithë, më tepër se të shikonin ngjarjen, u përpoqën të siguronin kokat e tyre. Këtu kishte, gra, fëmijë e pleq, të cilët rrezikuan seriozisht jetën, por fatmirësisht shpëtuan mrekullisht.
Pati persona afër skenës së krimit?
Kishte, kishte disa persona, edhe plazhistë madje. Ata u larguan me shpejtësi sapo dëgjuan të shtënat. Autorët me sa duket qëlluan nga një distancë e afërt, prandaj dhe fatmirësisht nuk kemi viktima të tjera. Ata kishin qëllim objektivin dhe pasi u siguruan se e vranë, u larguan me shpejtësi në drejtim të Urës së Dajlanit. Por ngjarja mund të kishte përfunduar edhe me viktima të pafajshme.
Vëllai i Dyrmishit në burg në Greqi, vrau me thikë një bashkatdhetar
Krahas ndonjë konflikti të mundshëm me persona të tjerë për interesa të ndryshme gjatë punës, 49-vjeçari Dyrmishi ka një hasmëri që prej vitit 2004. Mësohet se Pëllumb Dyrmishi, vëllai i viktimës së djeshme, ka vrarë në Greqi në vitin 2004 një shtetas shqiptar për arsye ende të paqarta. Burime nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e motivit të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve bënë të ditur se janë përqendruar më së shumti në këtë pistë. Sipas tyre, Pëllumb Dyrmishi vrau duke e goditur disa herë me thikë bashkatdhetarin e tij dhe më pas u largua në drejtim të paditur. Policia helene e shpalli në kërkim ndërkombëtar Pëllumb Dyrmishin, i cili me gjithë masat e marra nga policia greke, arriti të largohej nga ky shtet për t’u strehuar për një farë kohe në Itali. Pak vite pasi kreu vrasjen e shqiptarit (policia për arsye hetimore nuk bën të ditur identitetin e viktimës), Pëllumb Dyrmishi u arrestua në Itali. Autoritetet greke u kërkuan homologëve italianë ekstradimin e Dyrmishit, gjë që u realizua në vitin 2012. Aktualisht ai vuan dënimin në burgjet e Greqisë për vrasjen e bashkatdhetarit të tij në vitin 2004.
Pyeten familjarët e miqtë: S’kemi dijeni për konflikte
Mbi 20 persona ka shoqëruar policia e Durrësit në ambientet e saj për të mësuar rreth ngjarjes, por edhe për ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës me persona të tjerë. Mësohet se të shoqëruarit kanë qenë kryesisht dëshmitarë, të cilët u ndodhën në momentet e krimit në vendin e ngjarjes, familjarë të viktimës, si dhe persona që kanë pasur kontakte të vazhdueshme me biznesmenin 49-vjeçar. Familjarët mësohet të kenë deklaruar për hetuesit se biznesmeni nuk kishte pasur asnjëherë konflikte personale dhe as për çështje pune. Ata kanë mohuar kategorikisht të kishin ndonjë dyshim të mundshëm rreth personit që e donte të vdekur 49-vjeçarin, i cili u ekzekutua paraditen e djeshme vetëm 300-400 metra larg vendit ku shpërtheu me lëndë plasëse makina e ish-ortakut të tij, Xhemal Çela. Ky i fundit humbi jetën pak orë pas shpërthimit si pasojë e dëmtimeve të marra në pjesë të ndryshme të trupit. Në pyetje janë marrë edhe miq të viktimës së djeshme, por deklarata e tyre nuk ka ndihmuar hetimin në ndonjë pistë konkrete.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
Panorama
-
-
Për: Durrës: Vritet në mes të ditës në plazh biznesmeni i ndërtimit Kujtim Dyrmishi
Shqiptareeeeeee boll maaaaaaaaaa!
-
-
Për: Durrës: Vritet në mes të ditës në plazh biznesmeni i ndërtimit Kujtim Dyrmishi
Krimi dhe mafiozet kane pushtuar trojet shqiptare!
-
-
Për: Durrës: Vritet në mes të ditës në plazh biznesmeni i ndërtimit Kujtim Dyrmishi
Vrasja e Dyrmishit, hetimi zgjerohet edhe në Elbasan
Policia e Durrësit nuk ka ende të dyshuar konkretë për vrasjen e biznesmenit Kujtim Dyrmishi, katër ditë më parë në sektorin “Iliria”, në Durrës. Grupi hetimor ka ngritur disa pista ku dyshon se mund të fshihen personat e interesuar për eliminimin e tij dhe po analizon të gjitha provat që disponon. Grupi hetimor ka kërkuar bashkëpunimin e Policisë së Elbasanit për të mbledhur informacione dhe të kryejnë verifikime sa i përket masakrës së 17 viteve më parë, për të cilën policia ka dyshime se ishte i përfshirë edhe viktima Dyrmishi.
Gjithashtu, hetuesit po përpiqen që me provat materiale të siguruara në rrugë operative të evidentojnë ndonjë të dyshuar të mundshëm. Mësohet se rreth 5-6 vite më parë, 49-vjeçari ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë në Itali së bashku me të vëllain Pëllumbin. Ky i fundit ndodhet në Greqi, pasi vuan dënimin për vrasjen e një bashkëkombësi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004 po në tokën helene.
Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ekzekutimit me breshëri të biznesmenit Dyrmishi ka informacione se viktima ka pasur konflikte të shumta, të cilat po verifikohen me shumë kujdes për të arritur tek ekzekutori. Pistat e ngritura kërkojnë kohë për t’u analizuar, ndaj dhe Policia e Durrësit ka angazhuar forca të shumta për të mbledhur informacion rreth konflikteve që mund të ketë pasur 49-vjeçari. Dita-ditës seleksionohen dhe verifikohen dyshimet, ndërsa pistat sipas grupit hetimor ndryshojnë.
Ndonëse i dyshuar për implikimin në masakrën e 6- fishtë në vitin 1997 në Elbasan, policia dyshon se Kujtim Dyrmishi mund të jetë eliminuar për larje hesapesh. “Viktima dyshohej për vrasjen e ndodhur në vitin 1997 ku mbetën të vdekur 6 të rinj, por nuk ka pasur prova për t’i adresuar një akuzë të tillë. Prandaj edhe dyshimet tona janë përqendruar tek aktivitetet kriminale të tij. Kemi kryer verifikime të shumta në të gjitha drejtimet, por nuk kemi asgjë konkrete”, sqaroi një burim i grupit hetimor, duke theksuar se Dyrmishi mund të jetë ekzekutuar për larje hesapesh, pasi ka qenë i përfshirë në grupe të ndryshme kriminale.
Leonidha Musaj
PANORAMA
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt