TIRANE – “Panorama” zbardh debatin në FB mes shoqeve të klasës së Iris Belbës: Faji i profesorit të “Kontabilitetit financiar”. Para një muaji tentoi vetëvrasjen.
Studentja e Fakultetit Ekonomik në Tiranë, Iris Belba, e cila u hodh nga kati i 16-të i “Sky Tower” tri ditë më parë, kishte mbetur dy herë në provimet e lëndës “Kontabilitet financiar”.
Ajo nuk kishte arritur notë kaluese në këtë lëndë një vit më parë, kur frekuentonte vitin e dytë të degës së Financës. Këtë vit ajo përfundonte vitin e tretë të studimeve, por ngelja në dy provimet e “Kontabilitetit” nuk e lejonte të hynte në diplomë, duke u dashur të priste sërish dhënien e provimit. Pasi nuk arriti të kalonte në vitin e dytë, 21-vjeçarja nga Fieri tentoi sërish këtë vit dhe nuk ia doli.
Debatet në Facebook
Disa orë pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë, një shoqe klase e Iris Belbës ka bërë një shënim të gjatë në faqen e saj në Facebook. Mes të tjerash, vajza me iniciale R.E shkruan: “Nuk mundem të rri pa thënë dy fjalë për atë ngjarje tronditëse që përjetova sot, për të vetmen arsye sepse e ndiej veten disi fajtore që kurrë s’e pyeta atë shoqe klase se çfarë e shqetësonte qe sillej aq çuditshëm, që kurrë nuk i rashë telefonit të saj për ti dëgjuar hallet, që kurrë s’e ftova për një kafe për ta njohur më tepër, që kurrë nuk i dhamë mundësinë të tregonte vetveten, që kurrë s`e afruam, që kurrë nuk e bëmë pjesë tonën. Irisi ishte një shoqe klase e ardhur në klasën tonë për arsyet e saja.
Irisi ishte vetëm
Nga Albertina Jaçe*
*Autorja është studente në vitin e fundit, Fakulteti Ekonomik
Irisi ishte shoqja jonë, studente e Fakultetit Ekonomik. Nuk ishim mikesha dhe as në shoqërinë e njëra- tjetrës. Fatkeqësisht ajo u bë e afërt për ne, kur bëri gjëmën ndaj vetes.
Pasi ndodhi, të gjithë filluam të kujtojmë si e njihnim, me kë rrinte, çfarë bënte?
Ajo ishte studente si ne, kishte provime si ne, kishte drama të vogla dhe probleme të zgjidhshme dhe të pazgjidhshme si ne. Por të gjitha këto ne i marrim tani me mend, pasi ato i dinte vetëm ajo.
E sigurt është se ishte nën një presion psikologjik, dhe në një moment të errët, në një akt revoltues ndaj veshëve që nuk e dëgjonin dhe syve që nuk e shikonin, ajo zgjodhi një vend të famshëm në Tiranë, për t’i dhënë fund jetës, me shpresë se do të mbahej mend së paku nga akti dhe vendi që zgjodhi.
Dikush thotë se e bëri për shkak të provimeve, dikush për probleme familjare, shumë thonë për ‘të dashurin’. Ka edhe nga ata që hiqen si më të afërm me të dhe thonë që iu mblodhën të gjitha bashkë.
Kush jane këta ‘të afërm’? Ku ishin atë ditë, ku kanë qenë gjithmonë? Ku ishim ne atë ditë? Irisi nuk kishte ‘të afërm’. Irisi ishte vetëm.
Të gjithë po e kërkojnë fajtorin këto ditë. Me vrap tek prindërit, shokët e shkollës, profesorët. Me vrap të lëshojnë mesazhe sensibilizuese. Me vrap të anatemojne fajtorin (i cili akoma s’ka emër).
Të gjithë jemi fajtorë, jam Unë, je Ti, jemi të gjithe ne shokët e saj studentë. Të gjithë ia dhame një të shtyrë nga kati i fundit i ndërtesës. Donim ‘ne’ qe ajo të hidhej. Ajo thjesht donte të fluturonte pa destinacion, të largohej.
Ky vend e ka kthyer në një tumor vrasës vetminë e njerëzve në nevojë. Këtu rrethohesh çdo ditë nga dhjetëra shokë e shoqe, po je vetëm, rri me meshkuj, por s’ke të dashur, rri me vajza, por s’ke shoqe, shkon në shkollë, por nuk është se kulturohesh, takohesh me pushtetarët, por nuk është se zgjidh ndonjë hall… Në jetën tonë të përditëshme shoqëria po bëhet gjithnjë e më e largët, aq e largët se ne nuk e ndjejmë as kur jemi brenda saj.
Irisi së paku nuk e ndjente prej kohësh. Çdo njeri në këtë vend ndjen më pak solidaritet, më pak vëmendje, më pak përgjegjësi pushteti, më pak deyrim për të të kulturuar, më pak vemendje për të të bërë të mos ndjehesh vetëm.
Kjo ishte dhe kriza e Irisit. Nuk ishte një i dashur i ikur pa kthim, një provim i marrë keq, një shoqe e mërzitur me të, apo një prind i rreptë. Ishim të gjithë të pavëmendshëm ndaj saj, siç jemi ndaj njëri- tjetrit, duke prodhuar një shoqëri depresive dhe një rini pa shpresë. Ajo donte të bënte diçka si të gjithë ne që të binte në sy, donte të merrte dy fakultete, donte të jepte një shenjë, se ishte këtu jo si një shifër apo numur, por në e mbajtëm të gjithë kokën mënjanë, për të mos e parë e dëgjuar. Dhe ajo zgjodhi “Sky Tower” për të na kujtuar të gjithëve që kur të vdiste, ne do të ngrinim një moment sytë nga qielli. Kishte shkuar me shumë vendosmëri drejt atij akti. Kishte ndërruar rrobat që i kishte në çantën që mbajti për herë të fundit në dorë, kishte veshur një fustan blu si qielli të cilit iu dorëzua dhe na detyroi të kthenim sytë nga ajo, vetëm kur vdiq. Me një çmim aq të lartë, sa e meritojmë!
E ndersa ende dyshohet se shkak I vetevrasjes fatale ishte depresioni i rende, nje e perditshme tjeter shkruan se arsye e depresionit nuk ishin provimet por dicka tjeter. Vetevrasja u shkaktua per shkak te divorcit te prinderve.
Shoqja: Divorci i prindërve e shkatërroi Irisin
“Do të hidhem, e kam vendosur”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të 22- vjeçares Iris Belba para se të vetëvritej.
Edhe pse u përfol se mbetja në provime ishte shkak i hedhjes së saj nga tarraca e “Sky Tower”, miqtë e saj në Fakultetin Ekonomik thonë të kundërtën.
Ata kanë rrëfyer për gazetën Shekulli se Irisi ka qenë në një grup me ta gjatë vitit të dytë, por ngaqë nuk kishte marrë disa provime, po përsëriste vitin e dytë.
Ata pohojnë se performanca e Irisit në mësime nuk ka qenë aspak e mirë, pasi vajza nuk e frekuentonte rregullisht shkollën, dhe madje për shkak të mungesave, nuk ishte futur në disa provime.
Sipas mikes së saj të ngushtë, drama familjare e ka çuar 22- vjeçaren në vetëvrasje.
Ajo tregon se gjatë shkollës së mesme, Irisi ka qenë e shkëlqyer me mësime dhe ka dalë e para në disa olimpiada në rang kombëtar.
“Mirëpo pasi nisi universitetin, situata familjare ndryshoi duke i shkaktuar Irisit një tronditje të madhe psikologjike. Me zhvendosjen në Tiranë, prindërit e Irisit u divorcuan. Procesi i divorcit të prindërve të saj ka qenë i vështirë dhe kjo e ka shtyrë Irisin të bjerë në depresion. Për shkak të problemeve familjare, ajo ra nga mësimet dhe ngeli në disa provime, aq sa u detyrua të përsëristë vitin. Gjendja psikologjike e Irisit ka muaj që është rënduar dhe ajo ishte shprehur disa herë se do t’i jepte fund jetës”, tha shoqja e fëmijërisë.
Mikja e saj tregon se Irisi shoqërohej me një djalë, por marrëdhënia e saj nuk ka qenë problematike.
Iris Belba është përcjellë për në banesë të fundit në qytetin e saj të lindjes, në Fier, e veshur me fustan të bardhë.
(d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt