Angli, burgosen 17 trafikantë droge, mes tyre 6 shqiptarë, ja emrat
Angli - Dy operacione të policisë, emërtuar si “Prishtina” dhe “Santa Fe” kanë çuar në burgosjen e anëtarëve të dy bandave të fuqishme të drogës në Angli.
Shtatëmbëdhjetë trafikantët janë dënuar sot në total me më shumë se 70 vjet burg.
Njera prej bandave prej tetë vetësh, kryesisht shqiptarë, kapur nga operacioni i koduar “Prishtina” kishte ngritur fabrika kanabisi në troje të marra me qira në të gjithë Uellsin dhe nxirrnte deri në 10 milionë paund në vit, ndërsa banda tjetër e kapur nga operacioni “Santa Fe”, përdorte anije për të trafikuar sasi të mëdha të heroinës dhe kokainës në South Wales.
Policia angleze shprehet se njera prej bandave e përbërë nga shqiptarë, punësonte furgona herët në mëngjes ose natën vonë për të shmangur vëmendjen dhe shpërblimet ishin marramendëse. Ata u zbuluan sepse njera nga parcelat me kanabis kishte marrë flakë si pasojë e mbingarkesës elektrike.
Një mijë rrënjë kanabisi u gjetën vetëm në një parcelë, ndërsa qindra të tjera u gjetën të kultivuara në vende të ndryshme. Sipas prokurorit vetëm kanabisi i asgjësuar kishte një vlerë prej 3 milionë paund në vit, duke llogaritur 3 vjelje në vit me një fitim prej 12 milionë eurosh në vit.
Në banesat e shqiptarëve u sekuestruan edhe 2 pistoleta me 200 fishekë dhe 10 mijë paund. 2 prej tyre u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje dhe sipas policisë duke pasur aq shumë municion duhet të kenë pasur ndërmend që t’i përdornin ato.
Gjashtë të pandehur shqiptarë kanë pranuar se bashkëpunonim për të prodhuar drogë. Ata janë dy vëllezërit Boka: Alan Boka, 42 vjeç që u burgos për 10 vjet dhe Altin Boka, 34 vjeç i njohur si “asistenti”, që u burgos për tre vjet e katër muaj.
Të tjerët janë: Ignis Asllanaj, 29 vjeç, burgosur për tetë vjet e gjysmë; Blerim Nula, 31 vjeç për tre vjet e gjysmë; Julian Deliu, 24 vjeç për tre vjet dhe Elvis Fikaj, 28 vjeç për dy vjet.
Alban Boka dhe Ignis Asllanaj pranuan gjithashtu se posedonin armë zjarri.
ar.sh/Oranews.tv
Krijoni Kontakt