Vlorë, INUK shemb Postën, drejtoresha: U njoftuam me vonesë, ngatërresë me shpronësimin
VLORE-Një pikë e Postës Shqiptare në zonën e Skelës në Vlorë është shembur ditën e sotme nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik.
Drejtoresha e kësaj poste Entela Shkurtaj është ankuar pranë Bashkisë së Vlorës në lidhje me shpronësimin e objektit të saj në zonën e Skelës si dhe dhënien e njoftimit me vonesë.
"Kemi marrë një njoftim për shembjen e objektit vetëm ditën e shtunë dhe për pasojë kemi hasur vështirësi për heqjen e materialeve por gjithsesi çdo gjë është në rregull dhe pika postare është transferuar 100 metra më larg në një ambient të ri "- është shprehur Shkurtaj.
Ajo ka shtuar se ka pasur dhe një ngatërresë te metrat e parashikuar për shpronësim dhe për këtë arsye ka pasur një ankesë pranë Bashkisë së Vlorës. Posta e Skelës është një prej objekteve më të vjetra të qytetit të Vlorës e ndërtuar shumë vite më parë.
Ndërkohë në ditën e dytë të aksionit INUK ka shembur edhe një prej hoteleve më të njohura në qytetin e Vlorës,"Hotel Versilia" i cili është i pari hotel i ndërtuar pas komunizmit ,në vitin 1992 dhe tashmë në pronësi të biznesmenit Sulo Shehi.
Pas heqjes së materialeve të shumta që gjendeshin brenda tij, INUK ka ka shembur me mjete të rënda objektin. Edhe pse mendohej se do të ishte një objekt i cili do të shembej lehtësisht për shkak të konstruksionit prej druri, INUK ka hasur vështirësi duke e përfunduar shembjen e nisur në orët e para të mëngjesit,vetëm në orët e vona të mbrëmjes.
(a.n/News24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt