Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Exclamation TV Klan mashtron me llotarinë kombëtare !!

    Ashtu si Telebingo edhe Lotaria Kombëtare del një Mashtrim i pastër. Të tilla skena na kujtojnë kohën e Sudes




    Lotaria kombëtare përfshihet nga polemika të forta në rrjetet sociale, shkak shorteu i datës 22 dhjetor 2013-të ku nga 39 gogla në vazo futen vetëm 38-të. Një video dëshmon qartë çfarë ka ndodhur gjatë shorteut me indiferentizmin e jurisë.

    Shorteu i asaj date është transmetuar live në një televizion kombëtarë, ku janë shpallur fitues me 6 gogla pavarësisht faktit se njëra prej 39 goglave mungonte në vazo.

    Gafa që rrezikon të kthehet në njëë skandal, ka ndodhur para kamerave, por asnjë nga 3 anëtarët e jurisë të cilën çertifikojnë shorteun nuk kanë ndërhyrë dhe fituesi i shpallur është fals.

    Ja çfarë ndodh në momentin e hedhjes së shortit. Sipas procedurave të bëra publike nga vetë kompania, 39 goglat e lojës duhet të zbresin në vazo e më pas të dalin 6 goglat fituese.

    Por gjatë shorteut të datës 22 dhjetor 2013 ku ishte planifikuar dhe shpërndarja e JackPot 350 milionësh, në vazo bien vetëm 38 gogla.

    Ky është moment ku një nga goglat e pikërisht gogla me numërin 5 nuk bie në vazo, duke bërë që loja 6-të nga 39-të të kthehet në 6-të nga 38-të.

    Në këtë moment, juria duhej që të anullonte shorteun dhe të riniste lojën nga e para. Ndërsa ndodh krejt e kundërta, askush nga stafi i 3 vlerësuesve të procedurave të rregullta nuk ndërhyn duke vazhduar transmetimin me një shorte i cili sic duket dhe nga pamjet mungon një gogël.

    Pas ankesave të shumta në rrjetet sociale, kompania lotaria kombëtare 24 orë më vonë ka shpërndarë një njoftim ku deklaron anullimin e shorteut të datës 22.

    Por në këtë njoftim shënohet dhe gafa e dytë e kompanisë lotaria kombëtare, ku thuhet se është hedhur sërish shorteu duke shpallur të tjerë numra fitues. Një shorte i cili nuk është dhënë para kamerave duke mos patur as kushtet më minimale të transparencës.

    Çuditërisht as në shorteun ku mungonte gogla me numër 5-së, as në shorteun e fshehtë të bërë për herë të dytë nuk është shpërndarë Jackpot me vlerën 350 milion lekë.

    Tani çështja kalon në dorë të Ministrisë së Financave që sipas ligjit duhet të garantojë transparencën e plotë të lojës nga Lotaria Kombëtare.

    Koncensioni i lotarisë kombëtare u fitua nga një kompani austriake pas shumë polemikave për shkak të mungesës së transparencës të ndjekur nga ish Qeveria Berisha gjatë vitit 2012-të.
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

  2. #2
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Për: TV Klan mashtron me llotarinë kombëtare !!

    Piramida, Telebingo e Hije..." RIKUJTESË "



    "Më mirë pakica e të drejtit, se sa pasuria e madhe e bakeqit" - Bibla

    Hijepiramidat, nga Qemal SAKAJEVA

    Nxjerrë nga libri "Qendërcikloni", i përgatitur për botim

    1.

    Piramidat financiare u ngritën dhe u rrënuan për të shembur pushtetin e demokratëve. Pastaj, ato u tjetërsuan në Hijepiramida të ndritshme e të terrshme, për të mbijetuar pushtetin e socialistëve.

    2.

    I varfëri, sidomos i varfëri që mëton të pasurohet për një çast, është si miu nëpër thonjtë e mprehtë të maçokut të fortë. Ai e kafshon, e hedh, e pret, e valakat, e shtrëngon, e zvarrit e, kur t'i teket, e ha. Në qoftë i ngopur, e skëjon diku, për t'u marrë prapë me të, për të luajtur a për ta kollufitur.

    Këta ishin bosët e piramidave. Atëhere, kur u duk se çatia e tyre po kërkëllinte si lajmërim i shembjes, dihesh se ca do të mbeteshin nën rrënoja. Por, pas tragjikes, besohej se e mira do të ishte mësimi. Dhe, do të shpëtohej prej atyre kthetrave, edhe pse me çmim të lartë. Do të nxihej mend. Në ato kohë gënjimi e zhgënjimi, mashtrimi e përfitimi, varfërimi e zemërimi, besimi e mohimi, vrasje e gjymtimi, që vështirë të mendoje se shqiptarët do të ktheheshin e mbërtheheshin prapë, po te Fati: Llotari Fati, Telebingo Fati, Fati me Gërvisht e Fito, Fati i Porta e Fatit, Fati i Parashikuesve 100% të suksesit përmes ekranit, Fat i Lojërave pambarim të Fatit, Fati i Shikuesve të Fatit të Jetës.

    Shumëkush edhe ka thënë: Pse ndodh kjo?!

    Ato veprime ishin të njerëzve të dëshpëruar, të cilëve, më 1997, iu dhuruan dy kobe: Ia vranë Fatin e Shpresës dhe Fatin e Punës. Njeriu që nuk i krijon ose nuk i krijohen mundësitë për të fituar me punë, është e lehtë për ta shtyrë drejt tri alternativave: Të kërkojë Fatin Bingo, ose të bjerë në humnerën e Dëshpërimit, ose të bëjë Krim për të jetuar.
    Në atë hata që po ndodhte, pati disa që, me qetësi të mahnitshme, lëvizën energjikisht e dinakërisht për ta prekur me Fat shpirtin e rrënuar të njerëzve, për ta futur në kthetra, për t'i shfaqur përpara syve të përhumbur imazhe virtuale pasurimi e, ashtu, për ta kthyer argat biznesi për fitim e përfitim të tjetërkujt.

    Me shpejtësi marramendëse, atëhere kur binin Sudja, Xhaferri, Gjallica, Driza, Vefa, etj, u shfaqën në forma televizive, të ndritshme e me ngjyra, njerëz të veshur sipas modës së lartë dhe me emra të dëgjuar. Forma e krijimit të klientelës kaloi nga Institucioni i Thashethemeve për përfitime të pabesueshme, te Institucioni i Ekraneve për fitime të sigurta. Të shkatërruarit nervash hidhnin para në aparatet elektronike të fatit, por ekranet u tregonin veç humbje. Pati pasur ndër ta që, e goditën xhamin e trashë të kaltërt. Por ai nuk u kris. Teknologjia e kishte parashikuar edhe atë. U thye dora e klientit, të cilit iu deshën para të tjera për ta futur në allçi.

    Ekranet fallxhore u zhytën në ujërat e turbullta të shoqërisë dhe ishin plot shpresë se peshkimi do t'u ecte. Aq shpejt i gjetën mjediset! Aq nxitimthi i sollën pajisjet! Aq menjëherë i nxorrën lejet zyrtare! Aq shumë mblodhën fitime sa, të vishen e të ngjishen, vallëzojnë e shkrihen, shpërndajnë sa mundin dhe kurrë nuk varfërohen. Po ku gjënden gjithë ato para? Askush nuk beson se populli i varfër e i varfëruar, bleka gjithandej bileta dhe, me paratë e tyre, u ngreka një lëmë financiar sa, dhuratat shpërndahen "përrallë me mbret" e shkuar mbretërve bujarë. Bosët që nuk prisnin të pasuroheshin me kioskat Bingo, ngritën Ekranpiramidat. Sudja-piramidë, iku dhe la hijen. Sipas shtypit, paratë atëhere e tutje, të pastroheshin... edhe me trasta.

    3.

    Sapo isha kthyer në Televizion nga leja e zakonshme në fund të vitit 1996. Me t'u futur në zyrë, gjëja e parë që mësova qe: Radiotelevizioni Shqiptar kishte nënshkruar një marrëveshje për Telebingo Kombëtare. Nuk se vetëm qe përfunduar marrëveshja. Me shpejtësi të çmendur kishte nisur puna për të hyrë sa më parë në transmetim. Makinat e fatit të kioskave, të përllogaritura teknologjikisht nga ekonomistët dhe elektronistët mbi masën e fitimit dhe përmasën e mashtrimit joshës, kishin kapërcyer pragun e Televizionit, për të zënë vend në ekran.

    Shqiptarët gjëndeshin brenda tragjedisë së afërt dhe në të njëjtën kohë, po u dorëzoheshin të tjera lojërave financiare. Në ditët që ata vajtonin, se u mashtruan dhe humbën, Televizioni fillonte një Lojë me Fat, duke grishur të pafatët, ndërsa, të gjithë ata kishin nevojë për zgjidhje qetësuese dhe, pakngapak të kapërcenin nga mendjelehtësia për pasurim me fat, te mençuria për mirëqënie me punë.

    Me atë arsyetim, nuk ishin pranuar më parë edhe dy ofertat e dy llotarive televizive, një prej tyre e një gruaje franceze që bënte trysni në zyrat e Radiotelevizionit, duke tundur lejen e nxjerrë në Ministrinë e Financave. Kurse tjetra, u përpoq të përvidhej si program televiziv me titull "Porta e Fatit" dhe, pa kurrëfarë programi të përgatitur, hyri si Kalë Troje, për tri ditë me rradhë, në bllokun e reklamave televizive.

    Por, hapat ishin hedhur. Marrëveshja për Telebingo ishte nënshkruar. Aspak për çudi, një grup i gjerë krijuesish e teknikësh, regjisorë, operatorë, skenaristë, paraqitës, pa kurrëfarë urdhri të miratuar nga drejtori, kishin vrapuar për të formësuar ekipin e Telebingos, duke lënë detyrat e tjera programore, sipas mendësisë "Le t'i bëjë kush të dojë". Pati ndodhur një kapërcim i papranueshëm administrativ, dëmtim i
    hierarkisë së përgjegjësive, udhëhequr nga parimi "Merr shokun për fitim në bashkëpunim". Nëse duhej futur Televizioni në lojëra fati, pse duhej gjithë ajo shpejtësi, pa disiplinë dhe në mungesë të drejtuesit kryesor, i cili kthehej vetëm pas një jave?!

    Por, ajo kishte ngjarë!

    Kategorikisht, isha kundër Telebingos. E dija fort mirë, madje kisha parë në vende të tjera, se ato ekzistojnë. Përshembull, edhe në SHBA. Ka pasur një rast kur, Telebingo e Shteteve të Bashkuara, do të jepte 150 milion dollarë me një propabilitet (mundësi) 1 me 300 milionë vetë. Por, tek ne, edhe pse futja në lojë bëhet me një biletë që nuk kushton kushedi se çfarë, përfshirja e njerëzve në të dhe në ato ditë, ishte koha më e keqe e zgjedhur. Kjo përbënte një lloj mashtrimi ndryshe për
    ta. Ndërsa ata kishin nevojë për qetësi. Kishin domosdoshmëri për të reflektuar mbi gabimet. U duhej meditim për kthjellim. Sidomos, për zgjidhje sa më të butë. Bashkërisht dhe secili të jepte provë se gabimi nuk duhej përsëdytur. Shoqëria e sëmurë me një sëmundje të rrallë kërkonte kurimin e mashtrimit. Në ato rrethana, u konceptua një shkresë zyrtare për Drejtorinë e Përgjithshme të Radiotelevizonit, ku u theksuan disa probleme.

    1. Piramidat po bien dhe nuk është koha që njerëzit, përmes formave të tjera mashtruese, të mbështesin zgjidhjet e tyre ekonomike. Le të jemi hëpërhë, kundër lojërave të fatit me Televizion. Po të jetë, le të vazhdojnë kioskat Bingo dhe të mos krijojmë Bingoekranin.

    2. Marrëveshja e nënshkruar është mirë të rishqyrtohet e të prishet, siç edhe nuk janë pranuar dy të tjera më parë, njëra si llotari e mirëfilltë dhe tjetra në formën e programit. Nuk mund t'i nënshtrohemi asnjë detyrimi zyrtar shtetëror ndaj RTSH, për t'u bërë kjo. Edhe sikur të shfaqej kjo lloj trysnie, ne mund të argumentojmë kundërshtimin tonë të bazuar.

    3. I gjithë ekipi i Telebingos, i vetemëruar ose emëruar kushedi se si, vetshpallur ose caktuar nga dikush në mungesë të drejtuesit, formësuar me ndërhyrje e parapëlqime, duhet të kthehet mbrapsht, menjëherë, në Televizion, sepse aty është qëndra e tyre e punës dhe jo në Pallatin e Kulturës. Nëse për shumë shkaqe marrëveshja, edhe pas rishqyrtimit të mundshëm, do të mbetet në fuqi, grupi për programin e Telebingos, duhet
    të miratohet nga Drejtoria e Televizionit, sepse programe të tjera vlejnë dhe peshojnë më shumë për teleshikuesit, në rrugën për t'u bërë Televizion Publik. Nuk është e drejtë dhe e lejueshme, që krijuesit më të mirë të zihen me një emision tregtarë me fitim të dyshimtë. Telebingo ashtu bie erë krijimtari, por mund të mbytet nga duhma e fitimit pallogari.

    4. Sipas marrëveshjes, fitimi i Televizionit nga kjo lojë, nuk është i vendosur në mënyrë të merituar. Ekrani është faktor dhe nuk është çfaktor.

    Mjerisht, rropama e shembjes së piramidave, çoi shpejt në rrënimin e shtetit. Nuk pati kohë për të ndrequr asgjë. Por, për çudi, nuk u trondit Telebingo e të tjera lojëra pa fat. Mashtrimi me Politikë dhe Fat, as nuk u dogj, as nuk u vra. Ai u përdor për të marrë pushtetin dhe u rrit. Telebingot, Fatbingot, Shtetbingo, patën një lulëzim të bujshëm, habitshëm shpejt, duke përfshirë njerëz të dëshpëruar dhe i drejtuar varevingot e tyre për aty, për t'i mbajtur në amulli e joshje.
    Ajo që është cilësuar si mafie politike, e ka përdorur bingon për pushtet e për fitim, në paskohën e piramidave të rëna. Ata, që edhe Televizionin si pjesë e pushtetit e morën me armë, provuan se Telebingon nuk e ndaluan, por e kthyen në një TVSH gati privat. Akuza të rënda, për fitime të mëdha të paligjshme, kanë mbërritur në Prokurori. Televizioni vërtetë u kthye në Bingo: Arkivi u zbraz nga programet. Prodhimi ra në mënyrë katastrofike. Njerëzit nuk kanë me se të punojnë. Përfoljet për vjedhje kanë marrë dhenë. Kacafytjet nuk e kanë shkakun tek idetë e ndryshme, por te ndarja e fitimeve që,
    askush nuk e di nga vijnë aq shumë para!!!

    Piramidat ranë. Hijet mbetën.

    Shqiptarët, edhe sa kohë do të rrojnë të mashtruar?
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •