Itali, kapen 432 kg marijuanë që vinte nga Shqipëria, sekuestrohet një gomone
Droga e sekuestruar nga policia italiane
LEÇE- “Trafiku i marijuanës nga Shqipëria për në bregdetin puliez është rritur. Këtë e tha pak ditë më parë Cataldo Motta në Tiranë, në një konferencë kombëtare të prokurorëve për luftën kundër krimit të organizuar.” Mëngjesin e sotëm kjo është konfirmuar.
Kështu shkruajnë mediat italiane sot, pas sekuestrimit të një tjetër ngarkese të madhe droge qe vinte nga Shqiperia. Disa çanta të tejmbushura me lëndë narkotike u gjetën mëngjesin e sotëm në plazh mes zonës San Cataldo dhe San Foca në lokalitetin Le Cesina.
Pas një telefonate anonime, policia italiane sekuestroi mëngjesin e sotëm një sasi prej 432 kg marijuane, dhe 31.5 kg hashash. Ngarkesa e destinuar për tu shitur në sheshet pulieze dhe qyteteve të tjera italiane ka mbërritur në Itali nëpërmjet detit.
Bashkë me ngarkesën është sekuestruar edhe një gomone 5 metra, në gjendje shumë të keqe. Policia nuk gjeti gjurmë të kontrabandistëve. Dyshimi është se ata janë larguar pak para ndërhyrjes së policisë. Në bazë të përllogaritjeve të policisë italiane, nëse droga do të kishte dalë në treg grupi kriminal do të kishte përfituar mijëra euro.
Sasia e fundit e drogës e sekuestruar në këtë zonë daton rreth dy muaj më parë, ku gjatë operacionit të policisë u arrestua edhe një shqiptar, i cili e kishte sjellë drogën nga Shqipëria në Itali.
Panorama
Krijoni Kontakt