PD: Drejtori i Shërbimeve në Prefekturën e Tiranës, i dënuar për drogë, Prefektura: Shpifje e radhës
TIRANE - Partia Demokratike ka akuzuar ditën e sotme Prefekturën e Tiranës në lidhje me emërimet në poste drejtuese të saj persona me precedent penal, dhe të pjesë e trafikut të drogës. PD-ja denoncoi emërimin e Genart Gjashtas në postin e Drejtorit të Shërbimeve dhe Personelit në Prefekturën e Tiranës, duke shtuar se ky person është dënuar me 10 vite burg për trafik droge.
Në lidhje me këto akuza ka reaguar Prefektura e Tiranës, sipas të cilës këto janë shpikjet e radhës të Partisë Demokratike. Sipas Prefekturës, Genart Gjashtas nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, në vitet që përmend PD-ja.
PD: PREFEKTURA EMËRON PERSONA ME PRECEDENT PENAL NË POSTE DREJTUESE
Fotokopje e vendimit të dënimit me 10 vite burg
Partia Demokratike vijon akuzat ndaj kryeministrit Rama për emërimin e personave me precedentë penalë, në poste të larta të administratës shtetërore. Zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi denoncon emërimin e të dënuarit me 10 vite burg për trafik droge, si Drejtor të Shërbimeve dhe Personelit në Prefekturën e Tiranës.
“Kryeministri Edi Rama ia ka besuar shërbimet dhe personelin e Prefekturës së Tiranës, më e madhja në vend, një të dënuari me 10 vite burg për mbajtje dhe trafik droge në Greqi. Gehart Gjashta është dënuar fillimisht nga gjykata e shkallës së parë në Greqi me 16 vite burg, më pas gjykata e Apelit në Greqi, në vitin 2004, ka lënë dënimin me 10 vite burgim, me akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Me këtë vepër penale që ka kryer, dhe me dënimin e marrë nga drejtësia greke, Gehart Gjashta plotëson kriteret e Edi Ramës për të marrë një detyrë të rëndësishme, një post kyç në Prefekturën e Kryeqytetit. Rilindja e Edi Ramës po rezulton çdo ditë një parajsë për bosët e drogës, të cilët jo vetëm kanë riaktivizuar kanalet e trafikimit, duke arritur kulmin e aktivitetit kriminal, por kanë kapur dhe postet dhe zyrat e rëndësishme të shtetit.”- deklaroi Vorpsi.
PREFEKTURA: GENART GJASHTA I PA DËNUAR, JA DY VËRTETIMET E GJENDJES GJYËSORE
Ka reaguar Prefektura e Tiranës në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike, e cila deklaroi se ky institucion emëron në poste drejtuese njerëz me precedent penal dhe të përfshirë në trafikun e drogës. Në deklaratën për shtyp të Prefekturës, janë bashkangjitur edhe dy vërtetime të gjendjes gjyqësore të Genart Gjashtas, Drejtor i Shërbimeve dhe Personelit në Prefekturën e Tiranës. Në këto dy vërtetime, të viteve 2008 dhe 1024, bëhet me dije se punonjësi i administratës së Prefekturës nuk ka qenë i dënuar, dhe nuk ka asnjë precedent penal.
VORPSI: AKUZAT, GJUETI SHTRIGASH ME PRAPAVIJË POLITIKE. GJASHTA DHA DORËHEQJE
Fill pas akuzave të Partisë Demokratike, e cila ka publikuar një faksimile, në të cilën jepet vendimi i Gjykatës së Strasburgut për Genart Gjashta, ka reaguar sërish Prefektura e Tiranës. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, prefekti Sadi Vorpsi i është kundërpërgjigjur akuzave të PD-së, duke i cilësuar ato me prapavijë politike. Sipas Vorpsit akuzat janë një gjueti shtrigash.
“Prefekti i Qarkut Tiranë kërkon të sqarojë se kjo gjueti shtrigash me prapavijë të plotë politike që e ka zanafillën që në bllokimin e pazareve të Lulzim Bashës tek Bulevardi i Ri, duhet të konsiderohet e turpshme dhe e neveritshme për këdo.”-kështu thuhet në deklaratën e Prefekturës. Sipas Vorpsit, bazuar në dokumentacionin ekzistues në dosje dhe të përcjellë më parë për mediat, Genart Gjashta nuk figuron i dënuar sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore.
“Z. Genart Gjashta me detyrë Përgjegjës Sektori i Shërbimeve të Brendshme e ka ndjekur çështjen në Gjykatën e Strasburgut për arsye procedurale. Ndërkohë, ai e ka fituar me 6 vota PRO të trupës gjykuese procedurën. Pas këtij vendimi, për arsye financiare, z. Gjashta nuk e ka ndjekur më çështjen për të marrë pafajësinë. Kjo e dhënë vërtetohet nga shkrimet e kohës në shtypin shqiptar të vitit 2006 me titujt “I vetmi shqiptari që mundi shtetin grek”. Nga ana tjetër, kjo çështje quhet e shuar dhe shtetasi shqiptar Genart Gjashta figuron i padënuar në shtetin fqinj grek.”-thuhet më tej në reagimin e Prefektit Voprsi.
Sipas Vorpsit, Gjashta nuk është fshehur në asnjë moment, dhe për këtë çështje për të cilën përfitojë dhe dëmshpërblim.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, duke qenë koshient për pafajësinë e tij, z. Gjashta nuk i është fshehur në asnjë moment faktit që 14 vite më parë ka pasur një çështje penale të hapur me një shtet të huaj, ndaj të cilit edhe fitoi në Gjykatën e Strasburgut për çështje procedurale dhe më pas përfitoi dëmshpërblim.”- citohet më tej në deklaratë.
Ndërkohë, Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi ka bërë me dije se si pasojë e presionit politik të ushtruar, Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimit Mbështetës ka dhënë dorëheqje, e cila është pranuar nga kreu i institucionit.
“Nga ana tjetër, z. Gjashta i qëndron vendimit të tij të përcjellë më parë për të paditur Partinë Demokratike me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit të shpifjes së radhës dhe më pas t’i drejtohet Strasburgut për të përfunduar procesin e pafajësisë.”- përfundon reagimi i prefektit Vorpsi.
(er.nu/e.m/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt