Invalidët protestë: Na zbresin me dhunë nga autobusët. Bashkia: Zgjidhja nga qeveria
TIRANË- Invalidët kanë protestuar sot përpara Bashkisë së Tiranës pasi nuk lejohen të udhëtojnë falas në autobus edhe pas marrëveshjes të arritur nga ministri Veliaj me Shoqatën e Transporteve.
Sipas kreut të Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri invalidët po zbriten me dhunë nga autobusët. “Në autobusë po zbriten me forcë invalidët. Kemi 5 denoncime për dhunë të ushtruar nga faturinot’, tha ai.
Protesta është bërë para bashkisë, pasi sic tha Omuri është ky institucion që cakton kriteret dhe lidh licencat me shoqëritë e transportit.
“Do të protestojmë edhe para ministrisë së Transporteve. Janë mbi 22 mijë persona invalidë që preken. Marrëveshja u shkel nga Shoqata e Transporteve. Vetëm linja Kamëz-Tiranë zbaton marrëveshjen për invalidët”, tha ai ndër të tjera.
BASHKIA: QEVERIA T’I JAPË ZGJIDHJE SITUATËS SË KRIJUAR
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, sipas së cilës zgjidhjen e situatës duhet ta japë qeveria.
“Invalidët po keqpërdoren politikisht. Ministri i Mirëqenies Sociale pranoi vetë përgjegjësinë për invalidët. Shoqata e invalidëve duhet të kërkojë përgjegjësit. Qeveria t’i japë zgjidhje sitatës së krijuar”, thuhet në reagimin e Bashkisë së kryeqytetit.
Bashkia e Tiranës ndër të tjera, apelon që invalidët të mos përdoren politikisht, ndërsa i kërkon qeverisë të zbatojë ligjin që vetë ndryshoi.
NGËRCI
Nga muaji qershor, personat që i përkasin kësaj kategorie u përballën me ndryshimet ligjore, të bëra në ligjin "Për transportet rrugore". Sipas ndryshimeve 'fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas, përballohet nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Masa, kriteret dhe procedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave'. Ky nen u shfrytëzua nga Shoqata e Transportit Qytetas, e cila vendosi të mos njihte më asnjë librezë apo dëshmi invaliditeti e për pasojë të mos ofronte transport falas për invalidët. Vetë personat me aftësi të kufizuar deklaruan se çështja nuk duhej të politizohej dhe se duhet t'i jepet zgjidhje situatës së krijuar.
MARRËVESHJA
Nisur nga kjo Ministri Erion Veliaj, ka zhvilluar negociata me përfaqësuesit e Shoqatës të Transportit Qytetas, më 4 korrik dha u ra dakord që kjo e fundit do të respektojë ligjin për udhëtimin falas të invalidëve, duke filluar nga data 5 korrik 2014. Gjatë takimit u ra dakord gjithashtu, se MMSR, në bashkëpunim me shoqatat e invalidëve do të ndërmarrin një plan masash për të disiplinuar skemën e pajisjes me librezat e invaliditetit, për t'u siguruar që vetëm invalidët, të cilëve u takon kjo e drejtë me ligj, të përfitojnë udhëtimin falas. Por me sa duket kjo marrëveshje nuk po zbatohet.
Balkanweb
Krijoni Kontakt