Po vijnë “Komisarët e menaxhimit”!
ALEKSANDËR KOCANI
Në një raport për reformimin e sistemit të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor të hartuar nga një komision ad hoc për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor (të caktuar nga Kryeministri i vendit), të cilin e kemi siguruar në rrugë disi konfidenciale (“ilegale”!), shtrohen një numër problemesh për këtë sistem dhe jepen disa sugjerime për kapërcimin e tyre. Përtej fasadës së një studimi që pretendon të realizojë një bazë për reformimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në arsimin e lartë të Republikës së Shqipërisë, fshihen mjaft probleme reale që do të krijoheshin nëse ky projekt i tipit shoë do të kërkohej të zbatohej. Në këtë shkrim modest po përpiqem të nxjerr në pah njërin prej tyre. Në kapitullin e pestë të raportit, në ndarjen e tretë me titull “8.3 Problematika”, theksohet si një nga problemet kryesore ai i mosndarjes së strukturave akademike dhe menaxheriale në vendimmarrjen e tyre. Propozohet që nga niveli i departamenteve deri në atë të rektoratit të futen menaxherë, sipas një sistemi varësie piramidale paralele me (apo, të pavarur nga) sistemin aktual akademik. Ata janë projektuar që të menaxhojnë në mënyrë të pavarur nga stafet e strukturat akademike veprimtaritë mësimore-kërkimore të këtyre strukturave nga pikëpamja e aprovimit dhe ndarjes së fondeve, bazës materiale etj. Pra është ndërtuar një strukturë e pavarur nga strukturat dhe drejtuesit e tyre akademikë, e cila menaxhon gjithë veprimtarinë e strukturave akademike, duke i vënë ato në një pozicion realisht inferior dhe të pafuqishëm. Kjo për arsyen e thjeshtë se për çdo veprimtari që ato do të mendojnë të kryejnë duhet të kërkojnë miratimin e “korpusit të komisarëve të menaxhimit”. Është ky korpus që nuk varet nga strukturat akademike dhe që vendos, në fund të fundit, nëse do të kryhen veprimtaritë që propozojnë strukturat akademike. E thënë më shqip, strukturat akademike për të kryer aktivitetin e tyre duhet “t’u rinë me dorë në zemër” apo t’u luten menaxherëve përkatës që të lejojnë të bëhet i mundur realizimi i këtyre veprimtarive!!! Në nivel departamenti dhe fakulteti nuk sillet ndonjë argumentim përse na qenkan të domosdoshëm këta “komisarë menaxherialë”! Ndërsa në nivel rektorati pretendohet se ka një “mungesë efikasiteti në drejtimin e institucionit, mundësi për keqpërdorim financiar të fondeve të institucionit si dhe një ‘kënetëzim’ në zhvillimin e universitetit”. Le të shikojmë fillimisht nivelin e departamenteve dhe fakulteteve. Dihet se në fakultete ka një staf profesionistësh me në krye kancelarët që janë përfshirë në strukturat e tyre me idenë që të ndihmojnë strukturat përkatëse akademike për menaxhimin e aktivitetit të tyre mësimor e shkencor. Në mjaft raste ata kanë justifikuar angazhimin e tyre, por ka edhe raste kur më shumë kanë penguar se sa kanë ndihmuar strukturat akademike përkatëse (sidomos kur kanë dashur të ndërhyjnë në vlerësimin e veprimtarive akademike!!). Deri tani problemet menaxheriale në këto dy nivele janë lidhur kryesisht me mosfunksionimin real të autonomisë financiare të tyre, i cili është kushtëzuar nga faktorë jashtë tyre. Ose nuk vinin fondet e nevojshme për aktivitete modeste të këtyre niveleve, ose kur vinin pengohej me pretendime të ndryshme përdorimi i tyre. Kështu që realisht nuk ekziston ndonjë përvojë negative që dëshmon gjoja “paaftësinë menaxheriale” të këtyre dy niveleve. Kemi të drejtën morale që të dyshojmë se “katapultimi” i këtyre “komisarëve menaxherialë” në këto dy nivele bëhet që të anulojë në “mënyrë të butë” realizimin e autonomisë financiare në to. Ligji e jep këtë autonomi financiare, por vendosja e “komisarëve” në fjalë do të krijojë mundësinë e bllokimit të realizimit të tij. Sigurisht që ata nuk do të kenë kompetencë e kualifikim në fushat që mbulojnë strukturat akademike pranë të cilave do të atashohen si “të besuarit” e piramidës menaxheriale (dikur të Partisë!!) me cilësinë e garantuesve të zbatimit të politikave menaxheriale të kësaj piramide! Por, “partishmërinë” menaxheriale ata do ta ndjekin me besnikëri, duke vënë nën tutelë stafet dhe strukturat akademike në shkollat e larta! Kështu që personeli akademik i këtyre shkollave të larta, në “shtëpinë e vetë” do të trajtohet si “jabanxhi”! E bukur perspektivë reformuese!!!
Le të vijmë tani te niveli i rektoratit. Argumenti që sillet për nevojën e “komisarizimit menaxheria” në këtë nivel mbështetet edhe me pretendimin se në të ka një “mungesë efikasiteti në drejtimin e institucionit”. Edhe sikur të supozonim si të mirëqenë këtë mungesë efikasiteti, a do të ishte kjo rruga e kapërcimit të saj? Pra, a do të pritej që të rritej ky efikasitet duke shtuar “horizontalisht” struktura paralele menaxheriale, të cilat kanë varësi më vete piramidale??!! E pakta që mund të pritej prej tyre do të ishte një bllokim i veprimtarive akademike sipas konceptimit të stafeve dhe strukturave akademike, kur ato do të ishin jashtë “politikave menaxheriale të piramidës”! Më e shumta do të ishte shndërrimi jo vetëm i autonomisë financiare, por edhe asaj akademike në përgjithësi, në slogan bosh! Strukturat dhe stafet akademike të shkollave të larta rrezikojnë që të “vihen në rresht” nga piramida menaxheriale! A ka ndonjë rrugë tjetër për zgjidhjen e këtij problemi të supozuar? Sigurisht që ka. Mjafton që të hiqet dorë nga praktikat ekzistuese centralizuese të kompetencave në këtë nivel dhe të zbriten ato më poshtë, deri në nivel departamentesh. Këtë sugjerojnë teoritë e demokracisë. Si argument tjetër sillet “mundësia për keqpërdorim financiar të fondeve të institucionit”. Edhe për të shmangur këtë mundësi nuk është nevoja për struktura horizontale, paralele menaxheriale! Mjafton që Ministria e Arsimit dhe Sporteve të bëjë detyrën që i takon, të kontrollojë aktivitetin financiar të shkollave të larta në përputhje me ligjin dhe të kërkojë që të vërë përballë ligjit autorët e abuzimeve.
*Lektor pranë Departamentit të Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale në UT.
Krijoni Kontakt