Të larguarit nga puna fillojnë grevën, policia u heq çadrën. Qafzezi: Do vazhdojmëTIRANE- Të larguarit nga administrata kanë filluar rreth orës 16:00 të ditës së sotme grevën e paralajmëruar të urisë. Edhe pse policia i ka penguar të ngrenë çadrën ku do të qëndrojnë grevistët, 10 të larguar nga puna kanë hyrë në grevë.
Lajmi për grevë është bërë i ditur nga kryetarja e Shoqatës për mbrojtjen e të shkarkuarve nga puna, Nertila Qafzezi. Sipas saj, në grevën e sotme marrin pjesë 10 deri në 13 persona, të cilët do vendosen në një çadër para kryeministrisë.
“Kam marrë konfirmim për të zhvilluar protestën, pasi u vërtetua që ne e kemi dorëzuar 24 orë para në polici, lejen për aktivitet. Pritet nga momenti në moment instalimi i çadrës", tha Qafzezi, ndërsa i cilësoi të paligjshme veprimet e policies për të mos lejuar ngritjen e çadrës.
Sipas Qafzezit, greva erdhi si pasojë e moszgjidhjes së kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. Të shkarkuarit nga puna kërkojë të rikthehen në detyrë, me pretendimin se janë larguar padrejtësisht. Më herët ata kanë zhvilluar edhe protesta para Kuvendit.
Por deklarata për grevë nuk ka mundur të konkretizohet deri në orët e pasdites sepse policia ka ndaluar ngritjen e çadrës para kryeministrisë. Sipas policisë, çadra lejohet të ngrihet, pasi përfaqësuesit e grevistëve nuk kanë marrë leje në polici.
Ndërkaq kjo shoqatë kërkon kthimin në punë të 6000 punonjësve të administrates, që sipas tyre janë shkarkuar në mënyrë antiligjore nga puna.
QAFZEZI: DO VAZHDOJMË GREVËN ME OSE PA ÇADËR
Ora16:25- Kryetarja e shoqatës së të larguarve nga administrata Nertila Qafzezi thekson se greva do të vazhdojë në qiell të hapur. “Po përballemi me një dhunë policore. Nuk lejohemi të bëjmë asnjë veprim. Policia në detyrë për të kënaqur kryeministrin Rama dhe Tahirin. Punonjësin e furgonit që ka sjellë tendën policia i merr dokumentet. Grevën do e vazhdojmë nuk largohemi. Ne nuk largohemi do rrimë në qiell të hapur deri sa të rivendoset çadra.”
HIQET ÇADRA, DEPUTETJA E PD MAJLINDA BREGU VIZITON GREVISTËT
Ora 16:20- Pas përplasjes me policinë e cila ka hequr çadrën nga lulishtja pranë Kryeministrisë 10 të larguarit nga administrata të futur në grevë janë vizituar nga deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu. “Ne nuk kemi dhe as kemi pasur ndonjëherë dyshim që administrata u vu nën një kërcënim madhor që në fillim të ardhjes së qeverisë së re. Akuzat që kemi ngritur janë të vërteta dhe të verifikueshme nga qytetarët e larguar nga puna. Një qeveri e re që i ka të freskëta kujtimet e protestave që bëri në bulevard
ka frikë nga protesta normale civile e qytetarëve që kërkojnë të drejtën. Në momentin kur është bërë kërkesa dhe është marrë leja kjo protestë duhet të jetë e lejuar. Ndaj këtë dhunim të të drejtës së qytetarëve për të protestuar e demaskojmë me forcë dhe kërkoj reagim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve shtetërorë. Që në orën 12 janë bërë gati për të protestuar. Kjo është e pa pranueshme. Çdo i larguar nga puna ka të drejtën të kërkojnë të drejtën e tyre. Nuk mund të fshihen më mbas të vërtetës. Është e patolerueshme.”
POLICIA-GREVISTËVE: LARGOHUNI NDRYSHE DO JU HEQIM ME DHUNË
16:10-Policia u ka kërkuar përsëri grevistëve të heqin çadrën e ngritur para Kryeministrisë në të kundërt do të largohen me dhunë. Ndërkohë fillimisht policia i ka kërkuar grevistëve të marrin një leje nga Bashkia për të vazhduar grevën në një ambient publik. Të larguarit nga puna kanë marrë lejen nga Bashkia dhe kanë ngritur çadrën për të zhvilluar grevë. Më vonë policia ka marrë një urdhër të dytë për të hequr çadrën.
TE LARGUARIT NGA ADMINISTRATA NGREJNE ÇADREN PER GREVEN E URISE, 10 PERSONA HYJNE NE GREVE
Ora 16:00-Pas kundërshtimeve të policisë 10 nga të larguarit e administratës kanë ngritur çadrën para Kryeministrisë dhe kanë nisur grevën e urisë.
(m.a/d.b/a.n/BalkanWeb)
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/...me-190543.html
Krijoni Kontakt