Drew Sullivan, kryeredaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, do të jetë sonte i ftuari ekskluziv i Rudina Xhungës në “Shqip”.
Drew është një prej emrave të njohur për medien dhe mafien në Ballkan, themelues i rrjetit të gazetarisë investigative në rajon. Ai vjen sonte në “Shqip” me një ftesë drejtuar gazetarëve shqiptarë, për të dalë nga izolimi dhe mungesa e komunikimit me rrjetet globale të medies dhe për t’u bashkuar në raportim me kolegët e tyre të gazetarisë investigative në rajon e më tej.
Sullivan shpjegon që mungesa e raportimeve investigative nga Shqipëria, ka sjellë boshllëk të dhënash për mafien dhe krimin e organizuar edhe pse, sipas tij, mafia shqiptare është nga aktorët më të rëndësishëm dhe më aktivë ndërkombëtarë.
Sullivan denoncon mafien unike shqiptare, lidhjet e saj, për shpërndarjen e drogës direkt nga burimi, bizneset e paligjshme në Shqipëri, informalitetin në vite, që e shndërroi vendin në parajsë për paratë e mafies, të cilat janë të depozituara në Shqipëri.
Sullivan tregon në “Shqip” takimet për territore, të emrave më të njohur të krimit në rajon, disa prej të cilëve shqiptarë.
Gazetari sjell në vëmendje kohën e Al Kapones në USA, duke besuar se krijimi në Shqipëri, i një force jashtë sistemit, të një prokurorie speciale, të painfluencuar nga politika, siç ndodhi në Amerikën e viteve ’30, mund të jetë një shembull për të rikthyer besimin tek drejtësia.
Ai thotë: “Situata këtu më kujton sigurisht situatën në Amerikën e viteve 1930 ku ishte një situatë ku Al Kapone ishte duke bërë shumë para nga pijet alkoolike të paligjshme, sepse këto ishin aktivitetet kriminale në atë kohë, dhe ai kishte bërë kaq shumë para sa kishte mundësi të korruptonte politikanë që i ofronin mbrojtje dhe sigurisht, bordero policësh, gjyqtarësh dhe çdo tendencë për të arrestuar atë apo bandën e tij ishte pothuajse e pamundur. Prandaj ishte një situatë shumë e vështirë, që zgjati për shumë vite në Çikago dhe kjo ngjason me çfarë po ndodh në shumë vende këtu në Ballkan madje këtu është edhe më keq situata se ç’ka qenë në Çikagon e viteve 1930. si u zgjidh situata atëherë në Amerikë? U zgjidh jashtë sistemit. Ishte Qeveria Federale e Uashingtonit që erdhi dhe që emëroi disa persona të paprekshëm dhe këta të paprekshmit ishin një grup oficerësh policie të cilët nuk i raportonin strukturave të zakonshme. Këtu u përdorën edhe prokurorë të Qeverisë Federale dhe jo prokurorët lokalë që mund të komprometoheshin.
Ajo çfarë ndodhi ishte se duke përdorur këto teknika, nga të cilat u sulmua Al Kapone, pra ishte krijuar një grup i pavarur dhe i pakorruptuar, dhe për shkak të kohërave të atëhershme, sepse kishte ligje të Qeverisë Federale kundër pijeve alkoolike të paligjshme apo gjërave të tjera të paligjshme, dhe në fakt ata e atakuan Al Kaponen për evazion fiskal dhe kështu u fut në burg Al Kapone, për evazion fiskal. Në Shqipëri është e vështirë sepse ju nuk keni një forcë të jashtme, jashtë sistemit, por nëse qeveria dëshiron t’i tregojë popullit se është serioze, ajo mund të ngrejë një organ apo një zyrë prokurorie të posaçme për korrupsionin apo krimin e organizuar, kundër këtyre njerëzve. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, do të duhet t’i adresojë këto çështje, sepse Bashkimi Evropian nuk ka për ta lënë Shqipërinë si pjesë të saj me kaq shumë probleme dhe ka për t’ia vështirësuar shumë Shqipërisë anëtarësimin. Prandaj Shqipërisë i duhet të demonstrojë, se i merr seriozisht këto gjëra dhe sugjerimi im është që të ketë një zyrë, një organ, të pavarur, të painfluencuar që të paktën të rekomandojë ndjekjet penale.
Koha Jone
Krijoni Kontakt