-
Lindita Prengzaj: Më burgosën pasi thashë “Pse Enveri me elektrokarron time merret?”
INTERVISTA/ Flet ish e burgosura politike Lindita Prengzaj
-Më burgosën pasi thashë “pse Enveri me elektrokarron time merret”
- Në paraburgim më kanë trajtuar si kafshë e egër
- Nena ime është vajza e xhaxhait të Vedat Kokonës
- Pas burgosjes nënën e çuan në uzinën “Drini” në fonderi
- Në burgun e Lushnjës ishim si në Afrikë
- Më dënuan 12.5 vjet, më vranë fizikisht, por moralin nuk ma morën
- Bëra 7 vjet e 11 muaj burg, më ishte dukur një shekull
- Më 15 nëntor të vitit 1989, dola nga burgu me amnistinë e Ramiz Alisë
- Në të gjitha qeveritë e Berishës kam qenë më e persekutuara se në regjimin e Enverit
- Jozefina Topalli në çdo bisedë ka tre pika loti, dhe “dy poezi”
- Xhozi është një oratore e pashembullt, oratore aktore
- Berisha mund të jetë gjithçka, por demokrat jo
- Në çdo sistem pranga do t’i veja vetëm papunësisë
Albert ZHOLI
Jeta e saj është tejet tragjike. Babai i saj ushtarak, vdes në moshën 35 -vjeçare duke e lënë Linditën në moshën 5-vjeçare vetëm me të ëmën dhe gjyshen. Nëna e saj është me origjinë nga familja e madhe gjirokastrite e Kokonajve. Familje patriotike dhe intelektuale. Nëna e saj punonte në pastiçeri, ndërsa Lindita dhe pse mbaroi me notat shkëlqyer, 9.3 shkollën e mesme, mbasi ishte pa përkrahje nuk i dhanë bursë. U detyrua të futet punëtore në Ndërmarrjen Ushqimore në Shkodër, ku kreu një kurs një vjeçar si shofere elektrokarroje. Me të bënte lëvizjet e mallrave nga një sektor në sektor të tjerë të ndërmarrjes. Por fati nuk i buzëqesh kurrë jetimit. Pas disa vjetësh, pikërisht në kulmin e rinisë, në moshën më të bukur të jetës, Sekretarja e partisë i thotë të dorëzojë elektrokarron, pasi do ta marrë dikush tjetër. Lindita nuk e duroi padrejtësinë, nuk e duroi përbuzjen dhe nuk pranoi. Përpara i vunë mësimet e partisë dhe të shokut Enver. Dhe ajo thotë me guxim n.q.s këto mësime janë që mua të më heqin bukën e gojës, nuk janë mësime të mira. E dënojnë plot 12 vjet burg, por me amnistinë e nëntorit 1989, lirohet duke bërë vetëm 7 vjet e 11 muaj burg në Kosovë të Lushnjës. Por edhe pas daljes nga burgu, atë e kontrollonin çdo natë në shtëpi dhe nuk e linin të dilte jashtë Shkodrës. Me ardhjen e demokracisë, ajo e mirëpriti dhe ishte një ndër demokratet e para. Por edhe ky sistem nuk e përkrahu, nuk i dha asnjë të drejtë. As punë, as dëmshpërblim, as vlerësim moral pa diskutuar atë material. Ende sot është e papunë me një nënë të verbër që kërkon ilaçe dhe shërim. Sipas Linditës, Sali Berisha nuk ka qenë kurrë demokrat, por një ish- komunist i Partisë së Punës i pandreqshëm. Ndërsa për Jozefina Topallin në ato dhjetëra takime që ka bërë shprehet se, është një aktore, që di të luajë rolin dhe nuk të mbaron punë.
Mund të na flisni pak për familjen tuaj?
Nëna ime rrjedh nga fisi i madh Kokona i Gjirokastrës, është vajza e xhaxhait të Vedat Kokonës, kurse babai im është me origjinë kosovar, i cili ka vdekur në moshën 35-vjeçare. Pra me vdekjen e babait, unë isha 5 vjeç dhe që në atë moshë ngela jetime. Qysh në këtë moshë, unë kam jetuar vetëm me nënën time. Ajo as mendoi kurrë të martohet, as mendoi kurrë të bënte jetë të bukur për vete, por mu përkushtua vetëm mua.
Si u ndodhët në Shkodër?
Babai im kishte ardhur që para luftës në Tiranë. Ai ishte ushtarak dhe unë përdor një fjalë që ushtarakët janë emigrantë kombëtar. Ata kanë shëtitur gjithë vendin nga një vend në një tjetër. Kështu dhe babai im, i cili nga lodhja jeta ju ndërpre në moshën më të bukur. Kështu që, unë u rrita nën kujdesin e nënës time, që në jetë mu bë nënë, babë, motër, vëlla, burrë, etj., më ka edukuar të dua dhe të respektoj njerëzit. I jam shumë borxhlie në jetë. Në saj të nënës unë kam arritur të bëhem njeri i ndjeshëm me shpirt artisti. Nëna ime e lidhi jetën vetëm me mua. As u martua, as u interesua për gjë në jetë, por vetëm për mua.
Ku ka punuar nëna jote?
Nëna ime ka punuar në pastiçerinë “Rinia” në lagjen Parrucë të Shkodrës. Ajo ka vazhduar në atë punë deri në momentin që do të arrestohesha unë. Pas arrestimit tim atë e çuan në uzinën “Drini” në fonderi, si një formë internimi. Dhe pse brenda në Shkodër, ai ishte internimi më i rëndë për një grua, pasi bënte punën e një burri, ajo derdhte forma metalesh që as i kishte shkuar ndër mend. Ajo ishte puna më e rëndë në uzinë. Në atë kohë nëna ishte 53 vjeç. Pra me burgimin tim jeta e saj u bë dhe më e rëndë dhe më e izoluar.
Në çfarë moshe u arrestove dhe përse?
Unë u arrestova në moshën 23-vjeçare, Lindita (pra unë, qesh), është një vajzë, e cila, padrejtësinë nuk e duron dot. Kur më bëjnë padrejtësi bëhem keq. Sa herë më bëheshin padrejtësi si njeri pa njeri, unë grindesha dhe kërkoja të drejtën deri në fund dhe pse nuk e gjeja kurrë. Një ditë kur isha si gjithmonë në punë, Sekretarja e Partisë, L. Turbini më thotë elektrokarro jote do t’i kalojë tjetër kujt. Unë i them që ajo makinë, elektrokarro, është e imja dhe s’ja jap askujt. Me këtë elektrokarro, unë bëja lëvizjet e mallrave brenda ndërmarrjes, reparti i galvanizimit në Ndërmarrjen Ushqimore të Shkodrës. Unë i thashë, kjo më takon mua, pasi kam kohë që punoj me të dhe së dyti, unë për këtë elektrokarro, kam bërë dhe një kurs në Tiranë, tek shkolla “Elektromekanike” tek lagja “21 Dhjetori”. Unë këtë kurs e kam dhe me diplomë për përdorimin e makinave të tilla të vogla. Ajo më thotë, kështu thotë partia. Unë i them partia nuk thotë ashtu, pasi ajo thotë që femrat duhen të punojnë dhe partisë as që i shkon në mend se kush ka sot këtu një elektrokarro. Ajo u nxeh dhe më tha atë e di unë, partia këtu jam unë dhe ti do zbatosh se s’bën urdhrin e partisë. Unë e nxehur i them se nuk e zbatoj urdhrin tënd. Unë jam një punëtore e thjeshtë dhe me këtë elektrokarro nxjerr bukën e gojës, pasi s’kam babë, as vëlla. Unë nuk punoj në luks, nuk jam as komuniste as Sekretare Partie, pra nxjerr bukën e gojës me punë krahu. Tani për të çuar deri në fund provokimin e saj për të realizuar qëllimin, ajo vazhdoi me qetësi të thoshte se kjo punë mbaroi. Unë si tip jam shumë impulsiv, jam shumë e rreptë ndaj padrejtësive ndaj vazhdoi të më provokonte. Këto që them unë janë fjalët e Enver Hoxhës, udhëheqësit të madh më tha. O zot, sa e nxehur isha.- Ku dinte Enveri se çfarë bëja unë me një palo elektrokarro. -Ndaj mos luaj me mësimet e shokut Enver. Po ku janë këto mësime të shokut Enver që unë duhet të dorëzoj elektrokarron i thashë? Janë mësime, po të dish i gjen më provokoi ajo, ndaj lëre elektrokarron se do ta marri dikush tjetër. Nuk u përmbajta. Ajo e dinte temperamentin tim ndaj luante me hallin tim. Luante se isha pa baba, pa përkrahje, pa asgjë. S’mu durua. Dhe i thashë n.q.s është kështu të kam bërë m... ty, partisë dhe Enverit, por këtë makinë do ta dorëzoj kur të më prisni duart. Nuk e di si erdhi puna, por pas disa minutash, sapo dola nga dera në sheshin para ndërmarrjes vjen gazi i degës dhe më arreston. Sikur çdo gjë ishte e parapërgatitur.
Si vepruan kur të vunë hekurat?
Në mënyrë çnjerëzore, më vunë hekurat, më shtynë, më qëlluan sikur të isha një qen rruge. As shikoja mirë ca po bëhej me mua, aq shumë u hakmorën. Më mbajtën në birucë një vit e gjysmë. Pra një vit e gjysmë në hetuesi. Pata si hetues një burrë simpatik që bënte çfarë i donte qejfi me mua, por vetëm nga ana e moralit nuk më preku. Moralisht nuk më thyeji dot, por fizikisht po. Pas një viti e gjysmë më nxorën në gjyq, ku më dënuan 12.5 vjet, ku bëra 7 vjet dhe 11 muaj, pasi më 15 nëntor të vitit 1989 Ramiz Alia bëri një amnisti, ku unë dola prej burgut. Pra arrestimi im u bë në vitin 1980.
Kërkove mëshirë në gjyq?
Jo. Mund të pyesni, i pranova të gjitha, pasi shpjegova dhe arsyen. I thashë rrethanat në të cilat u shpreha kështu.
Ku e keni bërë burgun?
E kam bërë tek burgu i grave në Kosovë të Lushnjës. Aty ku nuk hante as pula gur. Një burg tepër i rëndomtë, një burg karakteristik komunist, pa asnjë lloj komoditeti.
Sa gra kishte në këtë burg famëkeq?
Në këtë burg kishte rreth 1 mijë gra, por për burgosje politike kishte vetëm 7 gra. Të tjerat ishin për vrasje, vjedhje, rrahje etj...
A kishte ndonjë grua që ishte e dëgjuar në atë kohë si kundërshtare e regjimit?
Ishte V. Baxhia, një lushnjare, që e caktuan si Kryetare Këshilli, por që aty filloi të merrej me spiunllëqe për shoqet dhe i ra shumë personaliteti. U bë levë e Sigurimit.
A ka ardhur njeri të të takojë në atë kohë në burg për afro 8 vjet?
Kanë ardhur vetëm nëna ime dhe gjyshja ime. Këta dy njerëz vinin dhe më takonin gjatë gjithë kohës. Gjyshja ime e mirë kishte një gojë të ëmbël. Si harroj kurrë lotët e saj kur më takonte dhe fjalët e ëmbla që më linte kur largohej. Sa ka sakrifikuar ajo grua në atë moshë. Donte të rronte të më shikonte mua të lirë. Pastaj nuk diskutohet nëna ime. Ajo mbi të gjitha. Gjente kohën dhe vinte. S’e jepte veten. Donte të më jepte zemër, por unë e di se sa vuante. Gjyshes time i kërkoj ndjesë, pasi dhimbja ime ndoshta ka bërë që ajo të vdesë para kohe, pasi e ndjente shumë këtë dhimbje, të cilën ma shprehte shpesh. Ajo vdiq në 25 prill të vitit 1993. Pra kaluam rreth 4 vjet bashkë në liri.
Si sillej komandanti i burgut në atë kohë?
Shumë keq. Ai zbatonte me përkushtim të gjitha direktivat e partisë duke u treguar i pashpirt. Askush nuk na trajtonte në mënyrë korrekte. Silleshin sikur të ishim bagëti dhe kur dilnim në gjyq sikur thoshin “cila dele e ka radhën sot”.
Kur dole nga burgu ku shkove?
Shkova në Shkodër tek nëna ime dhe tek gjyshja ime. Por ende rrija me frikë. Terrori i burgut më ndiqte kudo. Çdo darkë në shtëpi vinte polici, i cili më thoshte, s’ke të drejtë të lëvizësh larg shtëpisë, deri tek buka apo para dere. Nuk më lejonin më tej. Pra një burg i dytë. Madje, më thoshin se kemi ende punë me ty. Nëna punonte në uzinën “Drini” akoma. Nëna ishte tjetërsuar, rraskapitur, e tejlodhur. Dy gra të vetme në mes të Shkodrës. E vetmja gjë lehtësuese ishte se kishim shtëpinë tonë. Një dhomë dhe kuzhinë, por ajo shtëpi na mblidhte dhe na mbronte nga shumë gjëra.
Po me fillimin e lëvizjes demokratike çfarë bëtë?
Mora pjesë në të gjitha grevat dhe demonstratat në Shkodër. Isha pjesë e të gjitha lëvizjeve antikomuniste. Në çdo demonstratë dhe në djegien e Komitetit të Partisë isha prezente.
A të vlerësuan në demokraci, a ju dhanë dëmshpërblim dhe ndonjë vend pune?
Unë deri tani si dëmshpërblim nga qeveritë demokratike kam marrë një letër me vlerë 25 milionë lekë (të cilat i kam lënë në banjë për ajrosje), kam marrë 2 milionë lekë të vjetra në 1995-n, të cilat i përdora për të bërë varrin e gjyshes time. Njëkohësisht kam marrë dhe një hyrje të vogël në Parrucë si dëmshpërblim (7 milionë lekë). Ende shteti ka për të më dhënë 16 milionë lekë, por asnjë dritë jeshile nuk duket në horizont. Asgjë.
Si demokrate qeveritë e Berishës a ju kanë përkrahur dhe respektuar?
Përkundrazi në të gjitha qeveritë e Berishës kam qenë edhe më e persekutuar se në regjimin e Enverit. As vetë nuk e kuptoj, por me aq sa kuptoj unë, me sa kam parë, me sa kam dëgjuar, doktor Berisha mund të jetë gjithçka, por demokrat jo. Po të ishte me shpirt demokrat, ai do t’i përkrahte më shumë ish të përndjekurit politikë, do të bënte diçka për ta. Ai tërë qeverisjen e tij i ka mbajtur ata me dallavere, me shpresa të kota, me fërkime krahësh, me buzëqeshje fallco. Ai është pjesë e ish -Partisë së Punës dhe në qelizat e gjakut të tij, ai gjak Partie Pune rrjedh. Nuk ka shans që ai njeri të ndryshojë në mënyrën e komunikimit dhe sjelljen ndaj shtresës më të diskriminuar të regjimit komunist, ish të dënuarve politikë.
Po me Jozefina Topallin a ke pasur kontakte dhe si është sjellë ajo me ju?
Xhozin e kam takuar disa herë, dhjetra herë dhe të gjitha herët hipokrite. Tipin e saj unë po ta përmbledh me dy fjalë, Xhozi në çdo bisedë ka tre pika lot, dy poezi. Kjo është Xhozi. Një oratore e pashembullt. Oratore -aktore, që kur je me ‘të thua, që kjo të qan hall, të zgjidh punë, të çon në qiell. Por ajo mbetet një aktore hipokrizie. Më premtonte se do më siguronte punë. Shkoja në Bashki, apo në institucionet shtetërore më thoshin shko në Ndërmarrjen e Pastrimit, ose në Pastrim-Gjelbërim. U thosha drejtuesve PD-istë, unë në ndërmarrje pastrimi? Boll pastrova tërë jetën në komunizëm. Unë me mesataren në shkollë të mesme 9.3 të shkoj punëtore pastrimi? Habitesha. Unë botuese e 6 librave të shkoj punëtore pastrimi?
Po me qeverinë e re, a ke ndonjë shpresë për kompensim, apo për ndonjë punë?
Jo, asnjë shpresë. Madje të them jo se kam ndonjë gjë me ‘ta, por duke pasur parasysh se jam demokrate, unë s’mund të trokas tek ata për hall dhe për punë. Nuk është në karakterin tim kjo gjë. Unë do të isha njeriu më i pamoralshëm n.q.s kërkoj punë tek ata që s’i kam votuar dhe i kam kundërshtuar të vinë në pushtet.
Cili është pengu juaj në jetë?
Që nuk kam marrë ende çmimin moral për burgun dhe padrejtësinë që më është bërë në atë regjim, në kulmin e moshës më të bukur, në kulmin e rinisë. Pra vuajtjet e mia nuk janë vlerësuar dhe respektuar. Ky çmim moral më jep shumë shtypje në vetvete.
N.q.s do ishe bërë një gjyqtare kë do prangosje sot?
Pranga do t’i veja vetëm papunësisë. Nuk ka më keq se papunësia. Nuk do burgos askënd tjetër, askënd, edhe ata që më kanë bërë keq, pro vetëm papunësinë.
Çfarë kujton me ëndje nga jeta e fëmijërisë?
Kohën kur isha në shkollë. E doja shumë shkollën, e doja shumë librin. U rrita mes librash se dhe nëna gjithmonë më nxiste që mësoja dhe lexoja sa më shumë. Nuk lija libër pa lexuar. Më ishin bërë pjesë e jetës në mënyrë të pandarë. Doja me çdo kusht që të shkoja në universitet. Doja të studioja gjithë jetën. Me shoqet gjithmonë për librat diskutoja. Por nuk ishte e thënë. Dhe pse me mesatare 9,3 nuk ma dhanë shkollën e lartë. Isha pa përkrahje, isha pa njeri. Ishim tri gra vetëm në një shtëpi të vogël. Sa herë qaja netëve, kur flinin nëna dhe gjyshja që nuk munda të shkoja në shkollë të lartë, pro atyre kurrë nuk u thashë gjë. E dija se e vuanin si unë këtë pjesë të jetës. Kjo është ajo që edhe sot më shqetëson, të duash të mësosh, të bësh shkollë dhe të ta ndërpresin ëndrrën në mënyrë të padrejtë.
Sot femra shqiptare a ndihet e respektuar nga politika?
Nga askush. Femra shqiptare gjithmonë shikohet me sy tjetër. Dua të them se femrat shqiptare janë më punëtoret, të sakrificës, kurajoze, shtëpiake, por ato nuk kanë marrë pozicionin e duhur. Duhet shumë kohë dhe punë për të arritur në ato nivele që duhen.
Kur keni filluar të shkruani?
Qysh fëmijë, por botimet apo krijimet e mirëfillta profesionale fillova t’i shkruaj pas daljes nga burgu. Poezia është shtrati im i krijimtarisë. Kam botuar 6 libra me poezi. Aty shfryj dufin dhe gjej qetësinë shpirtërore.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt