Veliaj: Të bëjmë turizëm edhe me shtëpinë e diktatorit
Ministri Veliaj gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ekspozitës “Suvenir Gjirokastra”, mbajtur në hollin e UET-it, gjeti rastin të hapte një debat publik për turizmin dhe përdorimin e çdo atraksioni që një qytet apo një vend ka për të tërhequr turistë e për ta përkthyer këtë në të mira materiale për zhvillimin e zonës. Ai bëri humor me përmasat mediatike dhe debatin që pati për dasmën e tij para disa javësh në Kalanë e Gjirokastrës, duke thënë që “çdo arsye është legjitime për sa kohë që qyteti përfiton, për sa kohë që paraja kesh të mbetet në ekonominë e atij vendi”.
Në rastin e Gjirokastrës, ky qytet përveçse si pasuri kulturore e mbrojtur nga UNESCO për shtëpitë e saj të gurta dhe kalanë, njihet gjithashtu si qyteti i vendlindjes së diktatorit Enver Hoxha dhe i shkrimtarit të njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare. Sipas ministrit Veliaj, ka ardhur koha që të bëhet i mundur edhe përfitimi turistik nëpërmjet shtëpisë së lindjes së diktatorit. Ai solli si shembull një qytet në Gjeorgji, ku kishte lindur Stalini, që mbahet nga të ardhurat turistike vetëm nga kuriozët që duan të shohin qytetin dhe shtëpinë ku ka lindur një nga diktatorët më të egër.
“Të gjejmë arsye për t’i vizituar, për të sjellë bizneset, për të zënë hotelet, që të punojnë restorantet. Duhet të gjejmë mënyra për të promovuar qytetet e tjera jo me patetizma, por me gjëra konkrete që sjellin biznes, sjellin të ardhura. Jemi treguar kreativë, rihapëm tunelin bërthamor dhe ka qenë pika më atraktive pas Kalasë për vizitorët e huaj. Njerëz nga vendet lindore që kanë njohur Luftën e Ftohtë dhe i shohin me kuriozitet hapësirat si Gjirokastra pak të pasionuar si qyteti i vendlindjes së Kadaresë dhe pak me kuriozitetin e Luftës së Ftohtë dhe çudirat që janë prodhuar. Gjirokastra është edhe shumë e kontestuar, si debatet që u ngritën për një event personal, por edhe për punën e emrit të Enver Hoxhës. Nëse qyteti vjel përfitime qoftë dhe për kujtimet që aty ka lindur diktatori, unë mendoj që është një moment për ta pasur një debat edhe në Shqipëri. Ne aktualisht kemi një projekt për të hapur një super tunel bërthamor në zonën e Dajtit me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, pse të mos hapim një debat për emrin e Enver Hoxhës pa i hequr asnjë presje atyre që ai ka bërë, por ta kthejmë në një mundësi përfitimi për qytetin. Çdo gjë që sjell përfitime për Gjirokastrën, dasëm, diktator, kala, artizanat, Qafë- Pazari, Kadare, librat, çdo gjë për të prodhuar financat për qytetin”, – tha Veliaj gjatë fjalës së tij.
Ai e cilësoi Gjirokastrën si një qytet me të cilin bie në dashuri të pakontestueshme pasi e ke njohur, duke marrë shembullin personal apo të kreut të fondacionit “Gjirokastra”, Sadi Petrela, që është nga Tirana. Ndërkohë, ministri Veliaj vlerësoi mbështetjen e AMSHC-së për këtë projekt, duke theksuar se dikur ky institucion funksiononte si shpërndarës lekësh për të bërë ca qoka të qeverisë, ndërsa sot është kthyer në një institucion që promovon ide konkrete dhe projekte që i shërbejnë shoqërisë, si rasti i projektit për “Gjirokastrën” me nxitjen e ideve inovatore të të rinjve në ndihmë të prodhimit artizanal dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
MAPO
Krijoni Kontakt