Siguria thërret Ajazin, Braho: Nëse ka shkelur ligjin, do shkarkohet
Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, do të raportojë nesër lidhur me punën e bërë nga ky shërbim në ndihmë Policisë së Shtetit për parandalimin e akteve kriminale të vrasjeve me tritol. Kjo sipas objektit të kërkesës së bërë më parë nga deputetët e opozitës, të cilët duke marrë shkas nga akuzat e ministrit të Brendshëm se SHISH nuk i ka dhënë asnjë informacion policisë mbi këto akte kriminale, kërkuan në komisionin e Sigurisë që të vinte për raportim vetë kreu i këtij Shërbimi,Visho Ajazi. Por dje në komisionin e Sigurisë u bë e njohur dhe kërkesa e mazhorancës që kreu i SHISH-it në këtë raportim të pyetet edhe për të ashtuquajturin urdhër për përgjimin e krerëve të rinj të Policisë së Shtetit. “Ne nuk mund të bëjmë 20 seanca dëgjimore me një institucion, ku me një seancë dëgjimore mund të ezaurohen të gjitha çështjet. Në parim, në traditën parlamentare ndiqet rregulli që çështja juaj është çështja e parë sepse është e para e paraqitur për dëgjim. Jemi të shqetësuar për gjithçka është publikuar në media, sepse nuk i takon vetëm SHISH-it, por është edhe një çështje e një sulmi politik”, – tha deputeti i PS-së, Taulant Balla. Por ndërsa një propozim i tillë ka kaluar pa shumë kundërshtime, ajo çka ka ngjallur debat ka qenë propozimi i kryetarit të komisionit, Spartak Braho, që mbledhja ku do të raportojë Visho Ajazi, për shkak të informacionit të klasifikuar si sekret, të mbahet me dyer të mbyllura. Kjo nuk është pranuar nga opozita, e cila ka theksuar se opinioni publik duhet të njihet me të vërtetën rreth akuzave të ministrit ndaj SHISH-it. “Në rast se do ta bëni me dhunë kartonësh, bëjeni, është çështja juaj. E vërteta është që duhet të kishte konsultime për këtë çështje dhe më kryesorja është që, për kërkesën që deputetët e opozitës kanë paraqitur në komision që të raportojë kryetari i Shërbimit, kanë nevojë të gjithë qytetarët të jenë transparentë dhe ta shohin të vërtetën. Në rast se kreu i Shërbimit ka faje apo rëndojnë mbi të akuza të ngritura nga ministri, apo ministri ka gënjyer në lidhje me situatën”, – tha deputeti Flamur Noka. Por sipas kreut të komisionit, Braho, zhvillimi i një mbledhjeje të tillë me dyer të hapura do të ishte një shkelje tjetër e ligjit, të cilën ai nuk mund ta pranonte. Ndërkohë që më pas për mediat, ai deklaroi se në rast se do të vërtetohet urdhri për përgjimin e policisë, atëherë do të ketë shkarkim dhe ndjekje penale për personat që kanë urdhëruar këtë operacion.
MAPO
Krijoni Kontakt