Dhuna dhe vrasjet në Egjipt të lidhura me dy këshilltarët e Ramës


Written by Klarita Bajraktari Tuesday, 03 June 2014 00:17

“Daily Mail”

Viktimat e grushtit ushtarak të vitit të kaluar në Egjipt, kanë akuzuar Tony Blair dhe ish-zëdhënësin e tij, Alastair Campbell, se kanë ndihmuar regjimin brutal që është përgjegjës për vrasjet masive, torturat dhe burgosjen e mijëra njerëzve të pafajshëm. Ndërkohë që lideri i grushtit ushtarak, ish-kreu spiun i ushtrisë, u zgjodh si president i vendit nëpërmjet një procesi zgjedhor të dyshimtë, ata kanë akuzuar çiftin Blair-Campbell, se kanë ndihmuar burrin e fortë ushtarak që të fitojë mbështetje ndërkombëtare, pasi rrëzoi qeverinë e zgjedhur nga populli.
“Kam ende një plumb në gjoks”, thotë Mohamed Tareq, një pedadog biologjie, i cili është qëlluar tre herë, pasi është përpjekur të ndihmojë viktimat e masakrës që vrau qindra protestues. “Kjo është demokracia që këta njerëz promovojnë në Perëndim?”. Inati u shtua tej mase, pasi u morën vesh provat që tregonin se, Campbell ka patur rol aktiv këshillues në regjimin e Abdel Fattah al-Sisit, liderit ushtarak të Egjiptit.
“Daily Mail” publikoi ditën e dielë se si Campbell, i cili është detyruar të japë dorëheqjen nga Downing Street në vitin 2003 si pasojë e përfshirjes së tij në skandalin e “dosjes së dyshimtë” të luftës në Irak, ka vizituar Egjiptin për të kryer bisedime me skuadrën e Sisit. Campbell natyrisht refuzoi të tregonte nëse paguhej apo jo. Në muajin shkurt, ai foli në një konferencë të Emiratve të Bashkuara Arabe, një nga vendet e Gjirit, i cili siguron mbështetje financiare që nga koha e grushtit ushtarak në Egjipt.
Megjithatë, gazeta tashmë po nxjerr në pah të gjitha detajet e misionit sekret të Campbelli-it në Kairo, ku ka diskutuar rreth “llustrimit” të regjimit të Sisit për t’ja paraqitur pjesën tjetër të botës. Burimet diplomatike në Kairo thotë se, Campbelli ka diskutuar gjatë me ndihmësit dhe politikanët egjiptianë për mënyrën se si mund të mbronin grushtin e shtetit dhe gjakderdhjen që shkaktoi, tek mediat e huaja. “Kanë punuar shumë për ta përçuar mesazhin e tyre tek ndërkombëtarët”, thotë burimi.
Gjatë javëve të fundit, këshilltarët e Sisit kanë vizituar Shtetet e Bashkuara dhe Brukselin për t’u mbushur mendjen se, tranzicionit të Egjiptit i duhet stabilitet, për të siguruar mbijetesën si dhe për të kërkuar investime të huaja. Burimet e brendshme thonë se, qëllimi është që të mbulohen pakënaqësitë dhe, abuzimet e Vllazërisë Myslimane dhe presidentit të rrëzuar, Muhamed Morsi, të përdoren në favor të qeverisë, duke mbrojtur në të njëjtën kohë taktikat e frenimit të shtypit dhe të protestave si “politikisht të domosdoshme”.
Rasha Gafaar, një gazetar i pavarur i cili është akuzuar se ka dërguar xhirime filmike tek televizioni arab “Al Jazeera”, javën e kaluar u kthye në një tjetër reporter, i cili akuzohet se ka ndihmuar Vllazërinë Myslimane, gjë që është e ndaluar në vend. Një ish-gazetar i BBC-së është gjithashtu mes atyre që po gjykohen për akuza të tilla të ngjashme.
Campbel, i cili është vetë një ish-gazetar, ka pranuar se ka diskutuar rreth “perceptimit që mediat ndërkombëtare kanë për Egjiptin” dhe një nga zyrtarët që është takuar me të, është ankuar duke pretenduar se, Perëndimi nuk i kupton eventet që po ndodhin në Egjipt. “Diskutimet tona politike nuk janë shumë të forta dhe nuk jemi të mësuar të flasim me mentalitetin perëndimor”, thotë zyrtari. “Demokracia është një çështje relative”.
Të enjten e javës së shkuar, Sisi korri një fitore të madhe në mbarë vendin. I vetmi rival i tij u rendit i treti si pasojë e manipulimit të zgjedhjeve. Apatia dhe bojkto çoi drejt mbylljes së shkollave dhe qendrave tregtare, duke i bërë zgjedhjet një ditë pushimi.
Triumfi i Sisit, edhe pse me më pak vota nga ç’pretendonte ai, u festua me fishekzjarrë dhe valvitje të flamurit në Sheshin “Tahrir” të Kairos, vendi ku lindi Pranvera Arabe egjiptiane tre vite më parë që rrëzoi diktatorin e korruptuar, Hosni Mubarak. Megjithatë, sheshi nuk ishte aspak i mbushur. Shitësit ambulant, të cilët tregtonin bluza me imazhin e Sisit, kishin dalë për të fituar disa para më shumë.
Sisi e nisi grushtin e tij ushtarak në muajin korrik të vitit të kaluar, pas një sërë prostestash masive kundër Morsit. Që atëherë, javë vrarë 1.600 disidentë, 16.000 të tjerë janë futur në burgjet e mbipopulluara dhe 40.000 janë arrestuar në pritje të gjykimit. Pavarësisht këtyre shifrave tragjike, Tony Blair e lavdëroi ndërhyrjen e ushtrisë si “shpëtim” për Egjiptin, duke thënë se ishte “vullneti i popullit, për ta çuar vendin në nivelin tjetër të zhvillimit”, që presupozohet të jetë demokracia. Amr Moussa, një nga këshilltarët e Sisit, tha se qeveria ka mirëpritur ndihmën e kujtdo që arrin të kuptojë sfidat e thella me të cilat po përballen egjiptianët.
“Tony është një burrë inteligjent”, thotë ai. “Ka ardhur disa herë këtu. Ai e kupton se çfarë na duhet”. Pjesa më e madhe e gardës së vjetër të Mubarakut dhe elitës së biznesit, është rikthyer në regjim. Disa ditë pas rrëzimit të Morsit në muajin korrik, bilioneri i telekomit, Naguib Sawiris, mirëpriti Blairin në super-jahtin e tij luksoz në San Trope, ku diskutuan për rivendosjen e rregullit në Egjipt.
Mbështetësit e Sisit argumentojnë se, Morsi e ka humbur legjitimitetin, duke e kthyer pjesën më të madhe të vendit kundër, falë paaftësisë dhe ndarjes sektariane. “Përse duhet të presim edhe tre vjet të tjera për të rregulluar demokracinë, vetëm për të kënaqur Perëndimin?” pyet Mohamed Salmawy, një autor i famshëm, i cili ka ndihmuar në krijimin e Kushtetutës dhe është takuar me Cathy Ashton, kreun e çështjeve të jashtme të Bashkimit Europian. “Nëse ushtria nuk do të na ishte përgjigjur, do të kishte shpërthyer lufta civile”, vazhdon ai.
Por, grupet në mbrojtje të të drejtave të njeriut, gazetarët dhe aktivistët, pretendojmë se, shtypja është tashmë shumë herë më e madhe krahasuar me historinë e kohëve të fundit të Egjiptit. “Eshtë më keq se në kohën e Mubarakut”, thotë zëdhënësi i organizatës Vëshgimi i të Drejtave të Njeriut. “Shkalla e vrasjeve të protestuesve të pafajshëm është në nivele të paprecedent”. Masakra më brutale ndodhi në muajin gusht të vitit të kaluar kur 1.000 njerëz u vranë në shesh dhe u plagosën shumë e shumë të tjerë. Ushtarët, të cilët pretendojnë se janë qëlluar më parë nga protestuesit, rrethuan kampin e protesuesve në Kairo, të cilët mbështesnin Morsin, më pas hapën zjarrin pa pushim për disa orë rresht.
Pedagogu 34-vjeçar, Tareq, ishte një prej njerëzve të ndodhur në mes të masakrës dhe është qëlluar tre herë. Ai është pushuar nga puna në universitet dhe vazhdon të ketë dhimbje të forta, por është i kënaqur, sepse ka shpëtuar me pak, krahasuar me të tjerë me kokën të hedhur në erë apo me organet e brendshme që u kishin dalë jashtë trupit. “Dukej sikur po shikonim genocidin me sy”, thotë ai.
Haitham Ghonim, një supervizor dhe trajnues në një qendër telefonike, vendosi të blinte një makinë të re vitin e kaluar. Teksa afrohej tek zona ku tregtarët dalin për të shitur makinat, ai kaloi afër një proteste kundër grushtit ushtarak. Më pas, teksa shikonte mjetet, disa makina të blinduara bllokuan rrugën nga të dy krahët dhe forcat e sigurisë hapën zjarrin. U lëshua gaz lotsjellës dhe në mes të kaosit, një zyrtar u dëgjua teksa urdhëronte trupat e tij që të qëllonin mbi njerëzit, por ata refuzuan. Tregtarët e makinave, të dëshpëruar për të mbrojtur mjetet e tyre, filluan të qëllonin me gurë, duke nxitur vetë oficerin që t’i qëllonte.
“Kishte dy burra përpara meje”, tha 29-vjeçari Haitham. “Njëri u qëllua në këmbë, ndërsa tjetri u qëllua në stomak dhe vdiq në duart tona teksa përpiqeshim ta ndihmonim. Nuk mund ta besoja dot. Ata kishin dalë vetëm për të shitur makina”. Haithami u kap nga policia. E qëlluan dhe e rrahën me tytën e pushkës, më pas e futën në furgonin e ushtrisë. Brenda në furgon, ishte edhe një djalë tjetër i ri që po humbte ndjenjat. “Iu luta të hapnin derën që djali të merrte frymë, por ata na thonin se ne nuk ishim qenie njerëzore, se ishim dele dhe duhet të vdisnim”.
Sulmet brutale vazhduan edhe në rajonin e policisë, ku i pyetën për lidhje me Vllazërinë Myslimane. Haithami nuk kishte votuar për Morsin, megjithatë iu nënshtrua formave më mizore të abuzimit, sepse ndodhej në vendin e gabuar dhe më pas u zbulua se kishte të njëjtin mbiemër me një figurë politike të protestave pro demokracisë. “Oficerët më thanë se, nëse zbulonin që ishte vëllai im, do të më përdhunonin dhe më pas do të më vrisnin”.
Në fund, ky djalë i plagosur dhe i abuzuar në formë ç’njerëzore, u mbyll në një qeli të vogël dhe të qelbur me 70 njerëz të tjerë. U mbajt i burgosur për 26 ditë pa iu bërë asnjë seancë gjyqësore. Atëherë, çfarë mund të mendojë Haithami për figurat e larta politike që i tregojnë botës se Egjipti është në rrugën e mbarë drejt progresit? “Ata njerëz duhet të vijnë dhe të jetojnë me ne, nëse mendojnë se kjo është demokraci”, thotë ai. “Ata po japin kontributin e tyre për të shkatërruar revolucionin që bëmë. Ata që promovojnë këtë regjim që po vret, torturon dhe burgos mijëra e mijëra egjiptianë, i kanë duart gjithashtu të lyera me gjak”.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI