Close
Faqja 4 prej 7 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 64
  1. #31
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Esmeralda Thimio: Burri im nuk eshte trafikant ikonash por koleksionist i njohur

    Gjergj Thimo nga burgu përmes një letre dërguar në “RD”, zbardh anën më të errët të aksionit “IKONA”

    Koleksionisti Gjergji Thimo përmes një letre dërguar në “RD” zbardh anën më të errët të aksionit “IKONA” të urdhëruar nga Kokëdhima të drejtuar nga Rama dhe zbatuar nga Tahiri.

    Për të parën herë, Thimo flet dhe denoncon jo vetëm vjedhjen, por edhe presionet që po më bëhen në ambjentet e burgut si dhe në famije nga Rama dhe Kokëdhima që të heshtë dhe të mos guxojë të flasë në lidhje me përvetësimin e objekteve të artit.

    Ai jep detaje të frikshme të lidhjeve mafioze që e kanë çuar dyshen Rama-Kokëdhima që të ndërmarrin një operacion të tillë, qëllimi i vërtetë i të cilit ka qenë vjedhja e ikonave dhe objekteve të tjera me vlera të rralla, që sikurse pohon Thimo, kapin shifrën e dhjetëra milionë eurove.

    Është e paprecedentë mënyra se si po veprohet me këtë koleksionist nga banda e hajdutëve në krye të qeverisë. Ndërsa, pjesa që provon edhe vjedhjen që po i bëhet koleksionit të Thimos, provohet edhe nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Shima, i cili ka vajtur në qelinë e Burgut 302, Thimos në kundërshtim me ligjin, duke i kërkuar që të firmosë procesverbalin, pasi atij i janë vjedhur veprat e artit.

    Sikurse sqaron Thimo, atij i është kërkuar nga ky oficer i Policisë Gjyqësore që të firmosë procesverbalin, pasi i janë vjedhur 600 ikona si dhe enët e bronzit, ku nga 522 mbetën vetëm 8.

    Gazeta po boton sot pjesën e parë të letrës së Thimos, e cila do të vijojë në numrin e nesërm.

    Shqiptarë kudo që jeni!

    Dua të njoftoj se më dt. 30 tetor 2013, ora 1.30 mbas dreke, në ambientet e Burgut 302 në Tiranë vjen për të më takuar pa avokat, në kundërshtim të hapur me ligjin, oficeri i Policisë Gjyqësore, Elton Shima.

    Kërkesa e tij ishte: Të firmosja një procesverbal për një grup pune për vlerësimin, kartelizimin, si dhe numërimin me foto të objekteve të mia të bllokuara nga shteti shqiptar në operacionin e famshëm “IKONA” të drejtuar personalisht nga Kryeministri Rama, ministri i Brendshëm, Tahiri, ministrja e Kulturës, Kumbaro, si dhe Policia e Shtetit më datë 8 tetor 2013. Theksoj se një procesverbal me foto, si dhe numrin e objekteve të bllokuara nga shteti u bë po më datë 8 tetor 2013 – dita dhe e arrestimit tim.

    Ky procesverbal, si dhe procerverbali për bllokimin e gjithë dokumentacionit tim si licenca. Vendimi i Gjykatës, rekomandime për punën time nga institucione, individë, si Muzeu i Artit Mesjetar Korçë, Instituti i Monumenteve Berat, Instituti i Monumenteve Tiranë, Qendra Kombëtare e Inventarizimit Tiranë, Akademia e Shkencave Tiranë, shkrime të shtypit, foto, disqe, filmime, kartela, mua dhe avokatit tim në kundërshtim të hapur me ligjin nuk na u dha kërkesa kryesore e oficerit të Policisë Gjyqësore, Elton Shima ishte të bëjmë edhe një herë një procesverbal tjetër. Pse, e pyes.

    Dhe ai përgjigjet, sepse gjatë spontimit të fotove numri i tyre me numrin e objekteve nuk na del, na mungojnë shumë-shumë objekte e ikona. Them se kjo është përgjegjësia totale e shtetit, se ne na bllokuat si familje dhe bëtë ç’deshët me rreth 60 forca policore e civile, objektet që ju mungojnë i them shkoni e ja kërkoni Edi Ramës, Koço Kokëdhimës, ministrit të Brendshëm, Tahiri, si dhe kryetarit të Kishës Autoqefale, kryetarit të saj antishqiptar, grekut Janullatos, të cilët në operacionin shoë mashtruan jo vetëm shqiptarët, por edhe mbarë botën. Jo vetëm që ju vodhët, por ju gjatë këtij operacioni keni vjedhur pa hedhur në procesverbal, prandaj dhe kam refuzuar firmën dhe shumë objekte të tjera si shumë ikona të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit.

    1.2 pasaporta, një e ish-gjyshit tim, quajtur Koli Renxa, pasaportë amerikane, i cili kish punuar në SHBA për 30 vjet me gjashtë vëllezërit e tij, pasaportën e nënës sime, shumë dokumente tokash e shitblerjesh, sigurimesh që kish im gjysh në SHBA.

    - Ju vodhët një orë “Bulova” floriri 10 karat, punuar në mënyrë artizanale me diamantë punuar nga një argjendar francez.

    - Ju vodhët një monedhë 5-pesëshe floriri me kokë indiane, para viteve 1900 me vlera të mëdha numizmatike, të cilën ia kish dhuruar gjyshit tim vetë i ndjeri at Stilian Noli, mbasi gjyshi im ish anëtar dhe financues i shoqërive patriotike shqiptare që vepronin në SHBA në vitet 1900 e këtej.

    - Ju vodhët një qostek floriri me 34 monedha turke, dy e gjysmë secila varej në qafë.

    - Ju vodhët një palë vathë floriri që më kish lënë nëna ime e ndjerë Artemisa, për t’ia dhënë çupës sime, e cila mbante emrin e saj.

    Të gjitha këto bizhuteri i kish lënë gjyshi im nënës sime.

    - Ju vodhët një koleksion të shtypit të parë shqiptar si “Dielli”, “Liria”, “Lidhja Orthodokse”, “Kombi”, “Korça”.

    - Ju vodhët mbi 2 mijë fotografi të gjitha me tematikë atdhetare kombëtare. Si të shoqërisë “Vatra”, “Liria”, foto dhe korrespondenca të papublikuara më parë të patriotëve shqiptarë, Noli, Konica, Fishta, foto të Shkollës së Parë Shqipe në Korçë, foto të luftëtarëve korçarë që luftuan në vitin 1914 për mbrojtjen e Korçës, matanë urës së Maliqit, veshur me uniformën e parë të xhandarmërisë shqiptare etj. (Shih dokun. “Koleksionisti”, “TVSH” 2006. Për të gjitha këto do të përgjigjen para ligjit, i them ju dhe Edi Rama, Koço Kokëdhima, Saimir Tahiri ju ka dërguar këtu që me një firmë të më varrosni për së gjalli dhe ju të justifikoni vjedhjen që po bëni.

    Ajo që pritej mbas operacionit të famshëm alla Kokëdhima, Rama, Tahiri, Kumbaro ndodhi.

    Ai nuk ishte një operacion për të luftuar trafikun, vjedhjen e veprave të artit, por ish një operacion për të vjedhur veprat ikonografike të muzeut të parë privat në Shqipëri. Licencuar nga shteti shqiptar, ku në fondet e tij kish kryevepra të piktorëve mesjetarë shqiptarë të Onufrit, Selenicasit, Shpatarakut, Zografit mësues –Kostandini, Zografët, gati të gjitha të njohura nga gjithë shqiptarët, të cilët kanë parë nëpër ekspozita në Tiranë, Durrës, Korçë etj., për 20 vjet inventarizimin e pasurive kulturore Tiranë, me Nr. kodi (-021-)

    Tani lind pyetja t’ju pyes zoti Rama, zoti Tahiri, zonja Kumbaro.

    - Pse nuk ju korrespondon numri i fotove të objekteve të mia me numrin e procesverbalit që bëtë ju vetë?

    - Sa është diferenca në numër e veprave ikonografike që ju mungojnë?

    - Cilat vepra ikonografike dhe me çfarë autorë ju mungojnë?

    - Sa prej tyre janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Tiranë?

    - Keni gati 90 ditë që keni konstatuar këtë gjë, pse nuk e publikoni në shtyp këtë shkandal kaq të madh kombëtar që me të drejtë mund të quhet skandali dhe vjedhja e shekullit në Shqipëri?

    - Pse Kryeministri Rama, ministri i Brendshëm, Tahiri, ministrja e Kulturës, Kumbaro nuk prononcohen, sepse ata ishin në krye të këtij operacioni ku u shprehën para gjithë mediave kombëtare e ndërkombëtare se këto vepra po ruhen nga shteti në masa të rrepta sigurie (shih kronikat).

    - Ku shkuan veprat ikonografike që mungojnë?

    - A quhet vjedhje veprash arti të kulturës kombëtare që bëjnë këta persona të lartpërmendur, të destinuar për trafik?

    - A është një rast flagrant ku kupola Rama-Tahiri-Kumbaro janë kapur duke vjedhur një muze privat të licencuar nga shteti?

    - A ka dijeni Prokurori i Përgjithshëm për këtë skandal, super vjedhje ditën me diell të tipit mafioz që i bën shteti një privati?

    - Një institucion legal me vlera dhe pasuri kombëtare, vlera e të cilave kalon dhjetëra milionë euro.

  2. #32
    Moderator Maska e benseven11
    Anëtarësuar
    10-09-2002
    Vendndodhja
    new jersey-usa
    Postime
    13,816

    Për: Esmeralda Thimio: Burri im nuk eshte trafikant ikonash por koleksionist i njohur

    Gjergji Thimo tani hidhet dhe akuzon Ramen dhe Kocon
    Gjergji eshte dirt.Gjergji ka shume materiale te vjedhura
    qe i ka pa certifikate autoresie dhe pa dokument shitjeje.
    Ta gezoje burgun dhe perrallat e tij per vjedhje nga
    Rama dhe Koco nuk i beson kush.
    Pse do vjedhe Rama monedha te vjetra?????
    Do i shesi???? lol.Mund ti vjedhi ndonje adoleshent hajdut,por jo
    Rama as Koco.Arsyetim si kalamajte.
    ≈♥♠♣♦≈ovguide.com/movies

  3. #33
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,024
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Esmeralda Thimio: Burri im nuk eshte trafikant ikonash por koleksionist i njohur

    Ikonat e Gjergji Thimos, Ekspertiza: U vodhën nga 4 kisha në Shqipëri

    KORCE-Zbulohet origjina e veprave ikonografike që ju sekuestruan koleksionistit Gjergji Thimo në banesë. Ekspertiza e 11 ekspertëve nxorri në dritë faktin tronditës se shumë nga këto ikona janë grabitur dhe i përkasin fondit tonë të trashëgimisë kulturore. Në raportin voluminoz të 11 ekspertëve bëhet e ditur se objektet i përkasin 4 kishave shqiptare, përkatësisht Kishës së Shën Thanasit në Voskopojë, Kishës së Shën Thanasit të Karavastas në Lushnjë, Kishës së Shën Marisë po në Lushnjë dhe Kishës së Manastirit në Spille.

    Përpos këtij fakti konstatohet se 21 objekte të tjera janë grabitur në kishat e Maqedonisë, ku pritet ardhja e kërkesës zyrtare për kthimin e tyre në vendin e origjinës.

    Më tej raporti saktëson se 22 vepra të këtij koleksioni, nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore, edhe pse disa prej tyre rezultojnë të vjetra mbi 100 vjeçare dhe të çertifikuar nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore.

    Pjesa tjetër, prej 454 objektesh janë pjesë e trashëgimisë kulturore, në pronësi të shteti shqiptar. Nga ekspertët konstatohet gjithashtu se 15 baldakinët e ikonostasëve të shekullit 16 dhe 17, prej druri unikal janë sharruar dhe gjymtuar.

    Arrestimi i Gjergji Thimos sëbashku me koleksionistin tjetër, Arben Spahon u bë, në tetor të 2013. Në banesat e tyre u gjetën dhe sekuestruan 476, vepra arti. Vetë familja Thimo ka hedhur poshtë pretendimet për krim, sipas tyre, bëhet fjalë vetëm për një koleksion.

    (NEWS24/BalkanWeb)

  4. #34
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Esmeralda Thimio: Burri im nuk eshte trafikant ikonash por koleksionist i njohur

    OBJEKTET E SEKUESTRUARA NGA DREJTËSIA DUHET T’I KTHEHEN KISHËS

    Pas shumë kohësh vjedhjesh, dëmtimesh e denoncimesh, kemi për herë të parë të kapur nga policia trafikantë “koleksionistë” te tregut te zi të objekteve të artit kishtar orthodhoks. Ky është një arsenal që ndër vite konsiderohej si “koleksion privat” dhe element mburrjeje e lavdie trofesh në ambientet mondane, madje të shfaqura herë pas here në galeritë zyrtare e serioze. Më në fund kemi një ogur të mirë për të ardhmen, në të cilën shpresojmë që padrejtësitë që i janë bërë objekteve të kultit orthodhoks gjatë 20 viteve të fundit të ndalojnë të paktën duke ruajtur atë fare ka mbetur nga ky thesar i madh.E vlerësojmë këtë veprim të fundit nga organet përgjegjëse, duke ditur se periudha e viteve të fundit ka qenë periudha më e errët në humbjen e këtyre vlerave, jo vetëm të Kishës Orthodhokse, por dhe kombëtare. Më në fund kemi një prokurori dhe një polici që bënë një veprim pozitiv ndaj këtij fenomeni shumë të përhapur. Gjë që është kërkuar në vazhdimësi nga Kisha Orthodhokse, që këtij vrulli negativ të dëmtimit dhe vjedhjes së objekteve kishtare,në formën e një monotonie denoncimesh pa përgjigje nga organet përkatese t’i jepet fund.

    Tashmë kemi njerëz që janë marrë të pandehur, kemi objekte kishtare të qarta si pjesë e kishave dhe kemi procedura prokurorie në proces.Brenda institucionit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga ringritja e saj më 1991 e deri më sot, nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas, ekzistojnë organet (si Bërthama e Trashëgimisë Kulturore), të cilat merren në mënyrëtë drejtpërdrejtë me monumentet e kultit orthodhoks, restaurimin e tyre, mirëmbajtjen në vazhdimësi, duke konvergjuar shpesh në studime shkencore me vlera të veçanta. I gjithë ky aktivitet që përmendëm më sipër ka vlejtur dhe vlen për të plotësuar atë vakuum informacioni e detajesh në këtë periudhë të gjatë tranzicioni. Nuk është e rastit që organet e drejtësisë iu drejtuan Kishës Orthodhokse për të marrë informacionine duhur mbi vjedhjet që janë bërë në vazhdimësi ndaj objekteve të saj të kultit, në mënyrë që ky informacion t’i vihej në dispozicion, sipas prokurorisë, specialistëve të grumbulluar për këtë qëllim, për evidentimin e origjinës së objekteve të sekuestruara. Por pavarësisht anës pozitive të bashkëpunimit, duhet të kishte pasur ftesë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë në nivel ekspertësh, për evidentimin e elementeve kishtare të këtyre “koleksioneve”. Pra, më saktë, nga prokuroria duhet të kishte një ftesë që specialistë të Kishës Orthodhokse të bënin pjesë në grupin e verifikimit.Duke iu referuar koleksionit të ekspozuar, por më pas dhe nga fotografitë e vëna në dispozicion, duket qartë që këto objekte janë pjesë einterierit të kishave orthodhokse të periudhave të ndryshme, gjë që mund të evidentohet jo vetëm nga specialistët, por dhe nga njerëz të thjeshtë të pakualifikuar. Në këtë “koleksion” shohim ikona druri, pjesë e programit ikonografik të ikonostaseve të vjetër, gjë që e vëmë re dhe në ngjashmërinë në dimensione dhe në shkollën e përdorur të pikturimit. Duket qartë që këto i përkasin grupeve të së njëjtës origjinë.

    Më pas,shohim pjesë të shkëputura nga baltakini (pjesa e sipërme me ikona të vogla e ikonostasit), të cilat fatkeqësisht janë sharruar dhe janë ndarë në pjesë më të vogla, për arsye tregtimi apo transporti. Në këtë koleksion një pjesë të madhe zënë elementë të ikonostasit: dyer të bukura,kolona të mëdha e të vogla të dekoruara thellë,elemente të shkëputura nga frone dhespotësh,amvone etj. Të gjitha këto, të dëmtuara gjatë çmontimit brutal, por edhe nga keqpërdorimi dhe mosmirëmbajtja gjatë rrugëtimeve të errëta që kanë bërë. Specialistët e Kishës, pavarësisht nga veprimet e organeve të përfshira në këtë çështje, kanë bërë studimet dhe hulumtimet e tyre të çdo elementi që është pjesë e këtij koleksioni dhe në mënyrë të dokumentuar kanë arritur në konkluzionin shkencor dhe zyrtar që një pjesë e mirë e këtij numri të madh elementesh, janë pa diskutim të kishave orthodhokse. Kisha Orthodhokse ka kërkuar vazhdimisht që t’i kthehen elementet kishtare që i janë marrë padrejtësisht kishave, duke filluar që nga periudha e errët e komunizmit dhe në vazhdimësi. Këto pjesë, si pjesë organike të interiereve të kishave ekzistojnë sot e kësaj dite si pjesë e muzeve apo magazinave të administruara nga organet që janë caktuar për t’u angazhuar në këtë drejtim.

    Është e padiskutueshme që këto elemente duhet t’i kthehen Kishës Orthodhokse si e vetmja pronare fizike dhe shpirtërore e tyre,duke e konsideruar një padrejtësi marrjen dhe posedimin në vazhdimësi nga organe të cilat nuk kanë lidhje me Kishën dhe besimin.Marrëveshja e vitit 2009 ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe Qeverisë, e cila mori formë ligjore, përveç elementevetë tjera parashikon edhe kthimin e objekteve kishtare dhe elementeve përbërës të tyre Kishës Orthodhokse. Ky ligj deri tani nuk është zbatuar asnjëherë. Gjithçka ka mbetur në letër, e pazbatuar, si në shumë raste të tjera në njërën anë, dhe nga ana tjetër është Kisha Orthodhokse që përpiqet me të gjitha mundësitë e saj që kjo marrëveshje të zbatohet dhe drejtësia e shumëpritur të vihet në vend.Kështu duhet të ndodhë dhe me ikonat dhe pajisjet e tjera kishtare të sekuestruara kohët e fundit? Nuk kemi dëgjuar qoftë në media, qoftë në komunikimet e tjera, që të ketë një mendim të qartë që këto vlera t’i kthehen pronarit që i janë vjedhur - Kishës Orthodhokse. Është nisur mirë, duke menduar sekuestrimin, hetimin, nxjerrjen e keqbërësve para drejtësisë, publikimin në media dhe dhënien e rëndësisë së duhur kësaj ngjarjeje, por nuk dimë nëse fundi do të jetë ai që presim, që elementet e sipërpërmendur t’i kthehen Kishës Orthodhokse, si e vetmja poseduese e këtyre vlerave.

    Në mbështetje të këtij kthimi, duhet të informojmë se Kisha Ordhodhokse në mjediset e kompleksit të Katedrales së Re “Ngjallja e Krishtit”, ka gati hapësira të arkivimit të veprave të artit kishtar në mënyrë profesionale, duke ruajtur edhe mikroklimën e nevojshme në këto raste, si dhe ambiente bashkëkohore të shfaqjes muzeale të tyre.Kisha Orthodhokse do të kërkojë pranë organeve përkatëse kthimin e tyre. Nuk duam dhe nuk mendojmë që të përsëriten skena të sekuestrimit përfundimtar nga shteti,të objekteve të artit që i përkasin kishave. Këto objekte duhet të kthehen aty ku e kanë vendin, pranë kishave elemente të të cilave kanë qenë, të porositura dhe realizuara ndër shekuj nga besimtarë e klerikë, si një veprim në formën e një vlerësimi ndaj përkujdesjes së Perëndisë dhe një formë adhurimi e lavdërimi, karakteristikë e besimit orthodhoks.Gjithçka që shpjeguam më sipër mendojmë se do të vlejë si një burim informacioni transparent jo vetëm për besimtarët orthodhoksë, por dhe më gjerë, duke shpresuar që gjithsecili nga ne të ndikojë në mënyrën e tij, pavarësisht përpjekjeve që do të bëjë Kisha Orthodhokse, në kthimin e tyre aty ku e kanë vendin.

    Për Bërthamën e Trashëgimisë Kulturore
    Ark. Rest. Gentian Stratobërdha


    Gazeta Ngjallja

  5. #35
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Esmeralda Thimio: Burri im nuk eshte trafikant ikonash por koleksionist i njohur

    patjeter duhet ti kthehen kishes por dhe ky koleksionisti duhet falenderuar qe i ka ruajtur..
    kurse Edvin kokodhimi jan plackitesit e vertete te ikonave..

    nuk tha kot fatos nano se.. edvini eshte hajdut ikonash..
    ai e njihte mire dobicin Edvin..

  6. #36
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Ekspertiza: Ikonat e Gjergji Thimos, vjedhur ne 4 kisha



    Ekspertiza e 11 ekspertëve nxori në dritë faktin tronditës se shumë nga ikonat e koleksionistit Gjergji Thimo janë grabitur dhe i përkasin fondit tonë të trashëgimisë kulturore.
    Në raportin voluminoz të 11 ekspertëve bëhet e ditur se objektet i përkasin 4 kishave shqiptare, përkatësisht Kishës së Shën Thanasit në Voskopojë, Kishës së Shën Thanasit të Karavastas në Lushnjë, Kishës së Shën Marisë po në Lushnjë dhe Kishës së Manastirit në Spille.
    Përpos këtij fakti konstatohet se 21 objekte të tjera janë grabitur në kishat e Maqedonisë, ku pritet ardhja e kërkesës zyrtare për kthimin e tyre në vendin e origjinës.
    A.Lumezi

    http://illyriapress.com/ekspertiza-i...a-ne-shqiperi/

  7. #37
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Ekspertiza: Ikonat e Gjergji Thimos, vjedhur ne 4 kisha

    Ikonat e zbuluara në banesën e Gjergji Thimos janë vjedhur në 4 kisha shqiptare dhe janë pjesë e trashëgimisë kombëtare. Fakti tronditës ka dalë në dritë nga akt-ekspertimi i 11 ekspertëve shqiptarë që shqyrtuan të gjitha veprat e artit të sekuestruara disa kohë më parë.

    Raporti voluminoz vërteton se shumica prej objekteve me vlera të rralla janë grabitur në kishën e Shën Thanasit në Voskopojë, Kishën e Shën Thanasit të Karavastasë në Lushnjë, Kishën e Shën Marisë po në Lushnjë dhe Kishën e Manastirit në Spille. Akt ekspertiza e cila jep detaje e veçori për çdo ikonë apo objekt tjetër tregon se 21 prej këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore janë grabitur në Kishat e Maqedonisë, nga ku pritet ardhja e kërkesës zyrtare për kthimin e tyre.

    Raporti tregon se vetëm 22 objekte të zbuluara në banesën e Gjergji Thimo dhe mikut të tij, Arben Spaho nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore edhe pse disa prej tyre kanë një moshë deri në 100 vjeçare dhe rezultojnë të çertifikuar nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore.



    Pra sipas raportit të 11 ekspertëve, përfaqësues të disa institucioneve, 454 objekte janë pjesë e trashëgimisë kulturore, në pronësi të shtetit shqiptar.

    Raporti gjithashtu zbulon edhe fakte të tjera tronditëse mbi dëmtimin e këtyre pasurive të pazëvendësueshme të trashëgimisë tonë kombëtare. Ekspertët kanë vërtetuar se disa baldakinë të ikonostasëve të shekullit 16 dhe 17, prej druri unikal janë sharruar dhe gjymtuar.

    Koleksionisti Gjergji Thimo dhe miku i tij Arben Spaho, u arrestuan në tetor të vitit 2013, ndërsa kontrolli në banesat e tyre çoi në zbulimin e 476 veprave të artit.

    http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/0...e-te-vjedhura/
    Ndryshuar për herë të fundit nga neokastra : 16-02-2014 më 18:05

  8. #38
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,024
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ekspertiza: Ikonat e Gjergji Thimos, vjedhur ne 4 kisha

    Para se ta gozhdoni Gjergjin…

    Dashnor Kokonozi

    Gazetat më patën njohur me arrestimin e Gjergji Thimos dhe akuzat që ngrihen ndaj tij si grabitës e trafikant ikonash. Një gjë e tillë nuk mund dashnor kokonozitë mos më sillte ndërmend takimet me këtë person plot 20 vjet më parë, kur bashkë me projektin që kishte për të hapur muzeun e parë privat që sillte në Ministrinë e Kulturës, fliste edhe për ikonat dhe një numër objektesh me vlerë, të cilat i siguronte tek individë të ndryshëm.

    Nuk jam i prirur të besoj në manipulimin e një procesi që synon të rrisë artificialisht kuotën e besueshmërisë të një drejtësie që sot gjendet me nivelin më të ulët se kurrë, por shpresoj që të mos jetë as komedia politike e radhës, versioni ikonografik.

    Mbledhja e ikonave nga Gjergji Thimo duhet parë në një kontekst realist, të cilin kanë prirje ta harrojnë të gjithë. Logjika fillestare juridike, ‘të kapa me presh në dorë dhe ti je fajtori’, nuk mund ta ndriçojë të vërtetën. Mjafton të them se po të mos kishim një “fajtor” të tillë kombëtar, sot asnjë nga ato ikona nuk do të ishin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas informacioneve që vinin çdo ditë, në atë kohë fshatrave të Jugut e Juglindjes së Shqipërisë silleshin tregtarë të shumtë objektesh arti, që blinin edhe gurët e puseve, sepetet e vjetra të grave, kostume, ikona etj. Dhe do të qe gabim po të mendohet se qe fjala për persona që vinin vetëm nga Greqia. Të tillë kishte edhe nga Bullgaria, por edhe nga Maqedonia e më tutje. Sipërmarrës të ndryshëm italianë ishin gati të paguanin miliona për ndonjë ikonë të vjetër, për të cilat kishin dëgjuar por nuk dinin shumë se për çfarë ishte fjala, nuk mungonin as antikuaristë anglezë dhe francezë. Pra shanset që këto objekte të niseshin jashtë kufijve ishin njëqind herë më të mëdha se të qëndronin brenda tyre.

    Por për çfarë ikonash bëhet fjalë, cili është fondi që u trafikua më shumë?

    Gjithsesi, në asnjë rast nuk kanë qenë kryeveprat e artit ikonografik shqiptar. Edhe pse në plan juridik veprohej në një terren të paqartë, me ligj qe vendosur që muzeumet të shpalleshin pasuri kombëtare dhe të siguroheshin me masa sigurie të veçanta. Kjo do të thotë se në kushtet kur komunitetet fetare dora-dorës bëheshin zot të objekteve të kultit, me të drejtë a pa të drejtë, strukturat shtetërore nuk dorëzuan asnjë nga veprat e artit që ato kërkonin. Kujtoj fare mirë se në takimet me përfaqësues të kultit, ata kërkonin fondin ikonografik dhe të gjithë fondin mobiliar kishtar, por nuk ndjenin asnjë detyrim të investonin e të na siguronin për ruajtjen e tyre.

    Megjithëse nuk ishte e nevojshme të ruhej gjithçka nën etiketën “pasuri kombëtare”, përsëri para se disa objekte të liheshin në duart e komuniteteve fetare u pa e arsyeshme që të verifikohej gjithçka kishte mbetur nëpër kisha dhe me këtë rast u bë edhe një vjelje tjetër objektesh. Për publikun e gjerë është i panjohur fakti se përveç fondit të Beratit dhe Korçës, në një sallë të veçantë të Institutit të Monumenteve mblidheshin dhe ruheshin edhe një numër i madh ikonash me vlera, që për arsye të ndryshme nuk hynin në fondin e muzeve.

    Para se të ktheheshin një numër ikonash relativisht jo shumë të vjetra, komuniteteve fetare u bëmë një propozim të fundit, vendosjen nëpër kisha jo të origjinaleve por të fotografive apo riprodhimeve të tyre me cilësi të lartë. Të paktën deri në stabilizimin e rendit. Nxorëm fonde nga qeveria dhe ngritëm një laborator të fuqishëm fotografik pranë Muzeut Kombëtar, qëllimi i të cilit ishte riprodhimi i ikonave, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve. Megjithatë, ky propozim nuk u pranua dhe komunitetet fetare morën në dorëzim një numër veprash, por asnjë ikonë që gjykohej se kishte vlera të jashtëzakonshme nuk u la në dorë të tyre, sa kohë që deri në fund ato nuk merrnin përsipër t’i mbronin. Por pati edhe gabime vlerësimi. Në mos gaboj, në një kishë në jug të Gjirokastrës u la një ikonë e O. Qipriotit, nisur nga mendimi se autori nuk ishte shqiptar. Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse specialistët e Institutit u nisën vetëm nga origjina e autorit dhe jo nga vlerat e saj. Më pas, ikona në fjalë u vodh. Duket për atë ikonë ishin interesuar qarqe të tjera dhe ajo do të ketë kapërcyer kufirin. Nganjëherë them se po qe se vjedhësit do t’ia kishin shitur Gj. Thimos, ikona do të mbetej në Shqipëri, por vetë Gjergji sot do të dënohej edhe për të.

    Nuk mund të mos dyshohet se individë të veçantë pranë komuniteteve fetare ishin të interesuar për zhdukjen e fondit shqiptar të ikonave. E them këtë sepse vëreja se ato që zhdukeshin nëpër kisha zëvendësoheshin me shumë lehtësi nga vepra ikonografike që prodhoheshin në Greqi. Kam respektin më të madh për ikonografët grekë, por këtu qe fjala për objekte të prodhuara në seri.

    Jam i shtrënguar të them se në atë kohë rreziku vinte edhe nga papërgjegjshmëria e strukturave dhe funksionarëve shtetërorë. Stafi i ri që mori funksionet më 1992, krejt rastësisht mësoi se ikonostasi madhështor i Shën Pjetrit të Vithkuqit ishte nisur në një drejtim krejt të panjohur në Itali, gjoja për t’u restauruar. Kjo ishte bërë me këmbënguljen e drejtorisë së atëhershëm të Institutit të Monumenteve, por edhe me nxitjen, miratimin dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës, të personaliteteve të saj më të larta, që në atë kuadër vepronin në mënyrë të paligjshme se askush nuk kishte të drejt të firmoste për të nxjerrë jashtë vendit një vepër të tillë. Askush nuk qe në gjendje të më jepte informacion se ku ndodhej ai objekt. Duke kërkuar ndihmën e gazetarëve italianë, në anën tjetër të Adriatikut, mësuam se edhe vetë personi që kishte marrë ikonostasin, një “restaurator privat” nuk kishte një adresë fikse dhe me emrin e tij nuk figuronte asnjë atelie restaurimi në të gjithë Italinë. Dikur, tërthorazi morëm vesh se ai ikonostas kishte filluar të shitej pjesë- pjesë. Ishte krimi më i madh që ishte bërë në atë fushë të kulturës.

    Pas procedurave të panumërta që na u desh të bëjmë për ta gjetur dhe sjellë në Shqipëri, përfshi edhe një proces gjyqësor, që do të na jepte mundësi të kërkonim ndihmën e Interpolit, qemë të detyruar të vazhdojmë të bashkëpunojmë vetëm me policinë italiane dhe t’i rrimë shumë larg policisë shqiptare. Kishim njoftime të sigurta se deri në doganë ikonostasi ishte shoqëruar nga policia vendase, që në njëfarë mënyre edhe bënte presion mbi doganierët që kërkonin të dinin se çfarë po nxirrej jashtë. Sjellja e tij në Shqipëri pas përpjekjesh të gjata, ishte një lehtësim i madh për ne, ndërkohë që na qartësoi më shumë rrezikun që kanoste një fond të tillë, por tregonte se edhe në këtë fushë e drejta e shtetit për monopolin ekskluziv të vlerave nuk ishte e mjaftueshme.

    Nëse sot flitet se në fondin e Gjergj Thimos figuron edhe një ikonë e Onufrit dhe një tjetër e Shpatarakut (këtë e them me rezervën e njohjes së gazetarëve të Tiranës, që në shkrime të tilla përdorin edhe terma si “bazilika” që vetëm ata e dinë se çfarë do të thotë), pra nëse vërtet ka vepra të këtyre autorëve, ky është një problem serioz që duhet parë me kujdes. Dua të besoj se përjashtohet rasti që ato të jenë vjedhur në muzetë tona. Është fjala për autorë, fondi i të cilëve është aq i njohur dhe është regjistruar e fotografuar aq herë, sa duhet të ketë një amnezi të rëndë kolektive që specialistët të mos e kuptojnë përse është fjala, të mos gjejnë se ku janë marrë.

    Një rast i tillë na shërben për të paraqitur një pamje tjetër të këtij problemi, atë të fondit të madh ikonografik që ka qarkulluar nëpër familje të ndryshme, apo që është marrë nga kishat e ndryshme dhe janë ruajtur nga individë të ndryshëm kur nisi vala shkatërruese e luftës së regjimit të kohës kundër institucioneve fetare. Gjithnjë ka ekzistuar edhe një fond ikonografik që ruhej fshehurazi nga familje të ndryshme. Gjatë viteve ‘80 nëpër familjet e vjetra beratase e korçare kam parë me dhjetëra ikona që ishin trashëguar brez pas brezi, që ruheshin fshehurazi e trashëgoheshin si pasuri familjare. Një pjesë e tyre do të ushqejë trafikun e nëndheshëm në fillim të viteve ‘90. Nuk kishte dhe nuk mund të ketë asnjë ligj që të ndalojë ndokënd të shesë sendet me vlerë e që ruheshin nëpër sepetet e gjysheve, kostumin e saj, por edhe ndonjë një ikonë të mbajtur fshehur.

    Në kushte të tilla, të drejtën e shtetit për të blerë i pari veprën e një privati u përpoqëm ta fusim në ligj e ta cilësonim si të mirëqenë, por një shtet psikorigjid nuk mund të dilte jashtë natyrës së tij dhe e kishte të vështirë të blinte atë që deri pak më parë e kishte marrë me forcë. Por edhe kur donte të blinte, tarifat e tij ishin të pandryshuara prej vjetësh e që nuk t’i pranonte askush, njerëzit që shisnin nuk donin të kishin shtetin si klient.

    Kujtoj se në një kontekst të tillë, ministri i kohës, z. Dh. Anagnosti këmbëngulte që edhe ekspozimi i fondit ikonografik të ishte sa më minimal (kishte kërkesa të mëdha për ekspozita) dhe të gjitha përpjekjet të përqendroheshin në blerjen e pajisjeve elektronike dhe në marrjen e masave të tjera që do të ndikonin në ruajtjen e kësaj trashëgimie.

    Nuk ishte punë e thjeshtë. Gjatë inspektimeve na qëllonte të gjenim institucione të rëndësisë kombëtare krejt të braktisur, me ndonjë polic që shkonte të flinte në shtëpinë e tij dhe me drejtorin që kishte shkuar të punonte si refugjat në Greqi, ndërkohë që punën e ciceronit dhe çelësat i mbante pastruesja e muzeut. Por duket se asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot e kësaj dite. Disa javë më parë, kur në të njëjtin muze vura këmbët pas njëzet vjetësh, bashkë me disa miq të mi francezë, ishte e njëjta pastruese, që në mungesë të shoqëruesve (njëri prej tyre mbronte me pasion çmimet e disa ikonave që shiste në hyrje të muzeut), mori përsipër “vullnetarisht” të na shpjegojë diçka për Onufrin dhe ikonografinë shqiptare. E bënte një gjë të tillë duke kthyer shpesh kokën nga unë e duke më thënë herë pas here: “ty se ku të kam parë”. Dikur u mërzit e na la krejt vetëm në sallë…

    Mjafton kaq për të kuptuar se këtu jemi në një fushë të minuar, ku nuk ka vend të flitet për “sukseset e njëqind ditëve të para të qeverisë”.

    Në këto kushte gjithnjë kam menduar se edhe po të mos kishim një Gjergj Thimo, ai duhej krijuar, duhej gjetur ndokush që t’i jepeshin para fshehurazi dhe ai me besimin që kishte krijuar tek ata që donin të shisnin, të vazhdonte punën e tij të nëndheshme e të konkurronte blerësit e shumtë që vinin nga jashtë e të bridhnin fshat më fshat e skanonin gjithë vendin. Në rrethanat që i njohin të gjithë, kalimi i objekteve të tilla matanë kufijve nuk do të ketë qenë ndonjë punë e komplikuar. Di që jo vetëm nuk jemi njoftuar ndonjëherë nga doganieret shqiptarë për zbulimin e veprave të tilla (me përjashtim të një rasti kur disa doganierë të rinj të Rinasit erdhën dhe kërkuan të dinin se çfarë kriteresh duheshin mbajtur parasysh për kalimin jashtë kufirit të veprave bashkëkohore që i kishin shitur vetë autorët e tyre), por edhe kur qëllonte që pala greke njoftonte për kapje të tilla (se ndodhte edhe kështu), ishte problem dhe konfuzion i madh se si do të bëhej për të vërtetuar që objektet ishin tonat, se një gjë e tillë kërkohej. Bëhet fjalë për shumë kohë para krijimit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit, që u propozua të ngrihej në rrethana urgjente për të mbuluar këtë boshllëk. Ekzistenca e një Gjergji Thimo vetëm se shtonte shanset që në kushtet e një policie që ishte krejt jashtë loje, vepra të tilla të mbeteshin brenda kufijve.

    Ishte e çuditshme për mua kur mësova se me rastin e arrestimit të Gj. Thimos, pala maqedonase ishte ftuar të vinte e të merrte në tavë nja njëzet ikona nga ato që ishin gjetur tek ai, ndërkohë që përkatësia e tyre maqedonase duhet vërtetuar nëpërmjet një dokumentacioni të plotë. Është shqetësuese të mendosh se çdo gjë që nuk njohin specialistët shqiptarë është automatikisht e maqedonasve apo e grekëve. Në tregun “e brendshëm” shqiptar, siç thashë më sipër, kanë qarkulluar me qindra ikona që nuk kanë qenë pjesë e muzeve dhe kishave. Detyrimisht specialistët nuk kanë si t’i njohin ato, ndërkohë që sot fakti që ata nuk i njohin, shihet si prova më e mirë se u duhen dhënë të huajve!

    Policia në rastin e Gj. Thimos vetëm se theu një derë të hapur dhe e ka dorëzuar të gjykohet për një numër ikonash, të cilat po të mos i blinte ai do të niseshin drejt vendeve fqinje e më larg, nga individë që vinin i blinin duke bredhur fshatrave, shpesh të shoqëruar me përkthyes.

    Vetiu, e gjithë kjo histori akuzash ndaj Gjergj Thimos shtyn të pyesësh se çfarë paska pritur tjetër ky njeri që për njëzet vjet me radhë nuk ka qenë i zoti t’i nxjerrë këto vepra arti tutje kufijve të shthurur e pothuaj inekzistues të Shqipërisë, të atyre kufijve nga ku vajzat dhe fëmijët edhe sot nxirren të futur në thes apo në bagazhet e makinave? Çfarë e ka penguar që të rrezikojë e t’i mbajë kaq gjatë këto objekte në shtëpinë e tij, kur parimet e trafikut kërkojnë para së gjithash një “qarkullim” të shpejtë e nganjëherë nën vlerë të objekteve që e ushqejnë?

    Është e tepërt të themi se në atë kohë kërkesa e tij për një muze privat ndeshej me mendësinë e shtetit si depozitues i vetëm i vlerave kombëtare.

    Dikur mendonim se me përfundimin e regjistrimeve nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit, hapja e muzeve private do të qe më e thjeshtë. Por duke mos e miratuar ende një gjë të tillë, shteti ka pjesën e tij të fajit që objekte të tilla të ruhen ende në apartamente privatësh. Dhe vjen një çast që të gjithë nisin e luajnë të paditurin e të hiqen të çuditur.

    Sot drejtësia po përgatitet t’i japë Gjergji Thimos të njëjtin ndëshkim që mori personazhi që gjendet në qendër të atyre ikonave që ai mblodhi gjatë jetës së tij. Është e drejta e saj ta gozhdojë, por para se ta bëjë një gjë të tillë, nuk është e tepërt që ta dekoroni e t’i jepni një shenjë mirënjohjeje, në mos në emër të shtetit, të paktën në emër të ikonave.

    Më shumë se fajtori ideal, Gjergj Thimo është fajtori i munguar, mbi kurrizin e të cilit një shoqëri e tërë hipokrite shpreson të riparojë disa prej frustracioneve të saj.

    MAPO

  9. #39
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,024
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Esmeralda Thimio: Burri im nuk eshte trafikant ikonash por koleksionist i njohur

    Ikonat, Prokuroria përfundon hetimet, dërgon për gjykim Thimon e Spahon

    TIRANE - Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasve Gjergji Thimio dhe Arben Spaho, të akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes së veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.

    Hetimi i prokurorisë ka nisur në bazë të materialit të referuar nga Policia e Shtetit. Sipas prokurorisë, gjatë hetimit ka rezultuar se dy shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale të vjedhjes së veprave të artit në sasi të mëdha.

    Sipas organit të akuzës, një pjesë e madhe e objekteve të gjendura në ambientet që administroheshin nga shtetasit Thimio dhe Spaho, rezultojnë të vjedhura nga disa objekte fetare dhe kulti në zona të ndryshme të Shqipërisë.

    Ndërkohë mësohet se Prokuroria e Tiranës ka veçuar çështjen dhe po vijon hetimet për të zbuluar se ku gjenden 78 ikona, të cilat kanë qenë të pajisura me pasaportë nga shtetasi Gjergji Thimio dhe nuk janë më në koleksionin e tij.

    Dy të dyshuarit për trafik ikonash, koleksionisti Gjergji Thimo dhe Arben Spaho, u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar "Ikona". Në shtëpitë e dy të dyshuarve, në zonën e "Ali Demit" dhe në rrugën "Don Bosko" në Tiranë, policia sekuestroi rreth 1077 objekte, si afreske, ikona kishtare, murale e piktura bronzi, që mendohet se i përkasin periudhës së Mesjetës. I dyshuari Spaho tha se ikonat e gjetura në shtëpinë e tij, ia kishte dhënë Gjergji Thimo, në këmbim të një borxhi prej 2 milionësh që ia kishte marrë dhe nuk po ia shlyente dot. Koleksionisti Thimo, që vijon të jetë prapa hekurave, mohoi kategorikisht akuzën e "Trafikimit të veprave të artit".

    EKSPERTIZA E IKONAVE
    Pas ekspertizës së ikonave të koleksionistit Gjergji Thimo, rezulton se objektet relike kishtare janë vjedhur nga katër kisha në vendin tonë. Konkretisht, veprat rezultojnë se janë vjedhur nga Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë, Kisha e Shën Thanasit të Karavastasë në Lushnjë, Kisha e Shën Marisë në Bishtqethun të Lushnjës dhe Kisha e Manastirit në Spille.
    Gjithashtu, në raportin e përpiluar nga 11 ekspertë është theksuar se 21 prej këtyre veprave të artit i përkasin trashëgimisë kulturore maqedonase, nga e cila pritet edhe një kërkesë për kthimin e tyre në vendin e origjinës.

    Ndërkaq, në ekspertizën që është bërë ka rezultuar edhe një gabim që është bërë nga forcat e policisë. Kjo, pasi uniformat blu kanë bërë një gabim në numërim, duke shënuar 477 vepra arti, kur në fakt janë 476. Sipas këtij raporti, 21 prej këtyre objekteve nuk janë pjesë të trashëgimisë kulturore, edhe pse disa prej tyre janë objekte të vjetra rreth 100-vjeçare. Këto objekte, rezultojnë të certifikuara nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore.

    Pjesa tjetër, prej 454 objektesh, janë trashëgimi kulturore dhe sipas legjislacionit janë në pronësi të shtetit shqiptar. Por gjatë vrojtimit të këtyre objekteve, rezulton se 15 baldakinët e ikonostaseve, të cilat janë pjesë druri unikal e të gdhendur në mënyrë artistike, janë sharruar dhe gjymtuar. Sipas raportit, datimi më i hershëm i këtyre objekteve i takon shekullit 16 dhe 17, që i përket ikonës "Krishti Pantokrat", që është prej druri dhe tempera.

    (er.nu/BalkanWeb)

  10. #40
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Esmeralda Thimio: Burri im nuk eshte trafikant ikonash por koleksionist i njohur

    Urgjenca, Klosi dhe 2K

    Meqë kjo hapësirë e vockël në këtë qoshe të Hajd Parkut kibernitik(sa bukur dhe moderne tingëllon kjo) është e imja dhe nuk më është hequr ende e drejta e ‘llomotitjes”, do hedh ca shënime të mara me mend pa bërë asnjë lloj verifikimi. Njerëz të zakonshëm si unë, por edhe të mëdhenj të penës, ja ‘futin kot” për ditë në Mediat e gjithë Botës, ndaj edhe supozimet e mija rreth ndonjë lidhje të mundshme të Urgjencës, Klosit dhe 2K-së, as shton dhe as ul gjë në këtë arradhe dënglash dhe fjalësh pafund.
    Lajmi që më nxiti, është që Urgjenca nuk do gjykohet si ‘trafikant” veprash arti, por si “hajdut”. Nuk e di se cila është më e rëndë, por besoj se nga pikpamja patriotike, duhet të jetë e para, se koleksionisti Gjergji Thimio(i njohur në rini si Gjergji Urgjenca) vërtet mund t’i ketë vjedhur ikonat, por nuk kishte asnjë prirje t’i nxirrte jashtë Shqipërisë! (Ai ka rreth 25 vjet, që blerjen e ikonve dhe të tjera objekteve antike e bën jo vetëm nën dritën e diellit, por kur i jepet mendësia thërret edhe televizionin për të reklamuar objektet.)
    Po për cilin Klos e ke fjalën mund të më pyesni, se po të nisim me Bilbilin dhe ta mbyllim me Blendin, midis ka të paktën 30-40 Klosë të shquar?
    Unë e kam fjalën për Fatos Klosin, pedagog fizike në vitet ’80 në Shkencat dhe Kryespiun i Shqipërisë pas 1997-ës. (Fjalën spiun po e përdor në formën “e nderuar”, si përdoret në Amerikën e Veriut dhe jo në formën fyese shqiptare.) Fatos Klosi nuk ka asnjë lidhje (të njohur) me Urgjencën, por lidhje të vjetra, të njohura e të panjohura me 2K, ose Koço Kokëdhimën. Edhe kjo nuk shërben për të gjetur një lidhje qoftë të tërthortë me Gjergjin e Vançit, sepse vërtet Urgjenca thotë se Koço Kokëdhima e ka futur në burg, për t’i marrë me pahir ato që nuk ja merr dot me hir, por ç’hyn këtu Fatos Klosi?
    Në intervistën e Klosit dhënë gazetës Illyria të Njujorkut, kishte një paragraph që më tërhoqi vëmendjen dhe ndoshta krijoi lidhjet midis personazheve, që nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin. (Për kët lloj lidhje që po bëj mund të zilepsen gjithë ndjekësit e teorive komplotiste në Atdhe dhe më gjërë). “Nuk kishte ndonjë ngut të vinte këtu një prift, me të vërtetë shumë i ditur…të organizonte Kishën Shqiptare. Le të organizohej një çikë më ngadalë po le të mbante si të thuash pamjen…”
    Ish-Kryespiuni, ka të njëjtën linjë anti-Janullatos, të mbajtur nga ish-nxënësi i tij i Fizikës për më se 20 vjet në gazetën e tij SHEKULLI. Tashmë, nënteksti i gjithë zhurrmës pseudopatriotike nuk fshihet në fjalët e Klosit, sikundër fshihet në artikuj baltëhedhës të 2K. Mund të rrinte edhe ca kohë rrumpallë Kisha ortodokse Shqiptare, si janë gjithë institucionet në Shqipëri.
    Kisha Ortodokse Shqiptare, ka një thesar të pamatë kulturor dhe financiar. Vetëm në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë ruhen mbi 10 mijë ikona, vlera e të cilave i kalon qindra milion Euro. Në arkivat e Kishës , apo të ekspozuara në objektet fetare, janë edhe qindra miliona të tjera. Një sasi e jo e pakët vlerash është e fshehur apo në pronësi të koleksionistëve si Urgjenca. Nuk ekzistojnë shifra për të nxjerrat jashtë Atdheut, por prej 1989 e tutje duhet të ketë pasur jo pak.
    Po qe se në krye të Kishës Shqiptare nuk do ishte një personalitet i përmasave të Janullatosit, ajo jo vetëm do e kishte të vështirë ringjalljen, por pasuritë e saj të luajtshme dhe të paluajtshme do përfundonin lehtësisht në duar hajdutësh dhe trafikantësh të “nivelit”, si Koço Kokëdhima e të tjerë të ngjashëm me të. (Edhe poitikanët ish-pedagogë të tij do kishin ndonjë peshqesh të vogël). Për fatin e mirë të besimtarëve ortodoksë, kjo nuk ndodhi.
    Tani Klosi mund të vazhdojë të vjellë kundër Janullatosit dhe ndikimit të shtetit grek në Kishën Shqiptare, ndërsa Kokëdhima mund të vazhdojë në mënyrë mafioze t’ju bëjë presion tregëtarëve të veprave të artit.

    Trashëgiminë e Kishës ORTODOKSE AUTOQEFALE nuk e dëmtojnë dot më !

    Naum Mara

Faqja 4 prej 7 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •