Lumturia që Islami e përmban në vete për praktikuesit e vet, është shumë e madhe, duke e gëzuar çdo zemër që e ka përvetësuar atë Islam të shpallur nga Allahu i Madhëruar. Asnjë qytetërim, nëpër kohë e periudha, nuk përçon ndriçim dhe paqe siç e përçon Islami. Asnjë popull nuk mund të shpërndajë drejtësi dhe shkëlqim, siç e bënë këtë feja Islame. Andaj, ajo që bota e urren dhe që mundohet ta shuajë në këtë tokë, si dukuri shumë negative dhe i urryer, është edhe racizmi, duke i ndarë dhe paragjykuar njerëzit në bazë të racave.
Po e fillojmë me Fjalën e Allahut, që e gjejmë në Kuranin Famëlartë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” [Kaptina Huxhurat, ajeti 13.] Ajo që e kuptojmë qartë, është se tek Allahu nuk ka rëndësi ngjyra, madhësia, bukuria, pasuria, apo cilësi tjera me të cilat njeriu mund të krekoset, por ka rëndësi besimi, ndershmëria, devotshmëria, vepra, zemra e njeriut.
Po ashtu, tek sunneti i Profetit Muhamed, paqja dhe meshira Allahut qoftë mbi të, vërehet mos të veçuarit e racave, apo ndasive të tilla, që i përkasin natyrës njerëzore. E gjejm në një hadith: “Vërtet Allahu nuk shikon në trupat dhe në pamjet tuaja, por shikon në zemrat dhe punët tuaja.” [Hadithin Transmeton Muslimi]
Nëse ndalemi në sunnetin e dashur profetik, do vërejmë se myezini i parë i një Profeti të nderuar nga Allahu i Madhëruar, i dërguar për mbarë njerëzimin, i Muhamedit, paqja dhe meshira Zotit qoftë mbi të, pra ka qenë Bilali radijAllahu anhu, i cili ishte i zi. Ai vërtetë ishte sahabë i nderuar në mesin e sahabëve, të cilit Profeti paqja dhe meshira Zotit qoftë mbi të, i tha: “Vërtet, unë e dëgjoj zhurmën e këpucëve tua në xhenet.” [E transmeton Buhariu dhe Muslimi.]
Nga ana tjetër, ne shohim çdo vit se si në Meken e bekuar, shkojnë me miliona haxhinj për ta kryer haxhin. Në mesin e tyre, ka njerëz të racave të ndryshme dhe secili është i barabartë tek Allahu sa i përket këtij aspekti. Islami ishte, është e do jetë i tillë, paqësor, i drejtë, nën “kulmin” e të cilit bashkohen miliona njerëz pa dallime racore dhe të tjera. Muslimani nuk tregon dhe shfaq moral të ulët, duke i paragjykuar njerëzit në këto mënyra. Pjesëtarët e kësaj feje u edukuan me Fjalët e Allahut dhe sunnetin e të Dërguarit, duke gjetur ngritje si krijesë, nderim si njeri, respekt e dashuri.
Krijoni Kontakt