-
Petro Koçi: Të ndryshohet sistemi, Parlamenti po mbushet me trafikantë
Kryetari i një prej partive të koalicionit të majtë, PSV ’91, dhe ish-ministri i Rendit Publik në qeverisjen e kaluar të PS-së, Petro Koçi, pavarësisht fitores së thellë të së majtës mbeti në zgjedhjet e fundit jashtë Parlamentit. Në një intervistë për “Koha Jonë” ai thotë se sistemi zgjedhor ndihmoi trafikantë të futen në Parlament, ndërkohë që ngre akuza të forta ndaj opozitës së sotme.
Si pjesë e koalicionit që fitoi zgjedhjet e fundit, a e ka justifikuar deri tani qeverisja e majtë besimin që mori më 23 qershor?
Pa diskutim që po. Unë që kam përjetuar tranzicionin pushtetor të ’97- ës e deklaroj me bindje, që gjendja sociale dhe ekonomike e trashëguar kësaj radhe është më e vështirë se atëherë. Në vitin e fundit, qeveria “Berisha” punoi që gropa financiare të thellohej deri në pamundësi për të dalë prej saj. Prandaj ish-kryeministri ndihet i nervozuar nga marrëveshja shpëtimtare e qeverisë “Rama”, me FMN-në, për përfitimin e huasë, që ushqen rilindje ekonomike. Në krahasim me ’97-n, disa institucione kushtetuese janë më të kapura nga krimi. Oligarkia dhe PD-ja. Presidenti dhe një varg drejtuesish institucionesh që konsiderohen të pavarura, po shërbejnë si lak politik për të mbytur përpjekjet e mazhorancës për riformim institucional. Ndërmarrjet e qeverisë për të formalizuar marrëdhëniet e qytetarit me shtetin kanë vlerësimin dhe mbështetjen time të plotë. Rivendosja e rendit urbanistik, financiar etj, janë aksione afatgjata, por dëshmojnë ndërgjegjie shtetërore dhe kombëtare në kurriz të interesave elektorale.
Ish-kryeministri Fatos Nano u shqua për ndryshime të shpeshta në qeverisje, gjatë mandatit të parë të PS-së. Fakti që Rama nuk ka ndërmend të bëjë asnjë lëvizje deri tani, mendoni se këtë ia imponon bashkëqeverisja me LSI-në; se prej tij janë zgjedhur njerëzit e duhur; apo se e majta nuk ka alternativa më të mira?
Është akoma shpejt për të folur për ndryshime të mundshme në përbërjen e qeverisë. Ndryshimet kushtetuese të imponuara nga PD-ja, në vitin 2008, e forcuan rolin e kryeministrit. Tani më çudit fakti, që PD-ja nuk po gëzohet, që qeverisë apo parlamentit mund t’i shtohen kompetenca, të cilat i ka Presidenti. Për shembull, PD-ja kur është në pushtet e do Republikën kryeministrore, kur është në opozitë kërkon Republikë Parlamentare. Ajo harron se Presidenti aktual nuk është i zgjedhur konsensualisht, por njëanshmërisht! Qeveria jonë, për shkak të votave të 23 qershorit, është e binomit PS-LSI, por ka mbështetjen e Koalicionit. Ato janë partitë që kanë përgjegjësitë e mëdha elektorale për suksesin qeverisës.
Partia juaj ishte pjesë e këtij koalicioni para zgjedhjeve, ndërkohë që ashtu si shumë parti të ashtuquajtura të vogla, nuk jeni bërë pjesë e qeverisjes. A jeni ndjerë personalisht i zhgënjyer?
Duhej të ishte vepruar më shpejt në këtë drejtim, gjithmonë nën filozofinë e gjithë-përfshirjes. Rëndësi pararendëse ka suksesi qeverisës, pastaj vijnë ambiciet dhe meritat personale. Unë besoj se Kryeministri do t’i japë zgjidhje edhe përfshirjes së partnerëve të tij politikë në bashkëqeverisje. E ardhmja ka sfida të vështira, të cilat kërkojnë më shumë sesa supet e dy partive për t’u përballuar.
LSI-ja ka marrë më tepër pushtet nga ç’meritonte, duke pasur parasysh mbështetjen që pati kjo parti në zgjedhje?
Duket se në ndarjen e përgjegjësive mes PS-së dhe LSI-së nuk është llogaritur rezultati zgjedhor, por interesi strategjik i ruajtjes së bashkimit institucional të së majtës. Besoj se kjo është një llogari, që sheh më shumë nga e ardhmja sesa nga e shkuara.
Cilat janë raportet tuaja më të fundit me Kryeministrin Edi Rama?
Takimi i fundit ishte në Kukës, në konferencën e bashkëpunimit strategjik Shqipëri-Kosovë. Ishte një takim i ngrohtë. Por nuk ishte e përshtatshme të flisnim për çështjen e koalicionit. Besoj se kemi shumë për të folur me Ramën, lidhur me mundësinë që PSV ’91 të ri-integrohet me PS-në.
Si ish-ministër i Rendit, çfarë konsiderate keni për atë ç’ka është bërë deri tani nga ministri Saimir Tahiri?
Rendi publik nuk është rezultante vetëm e punës së policisë. Kur u rrit niveli i kriticizmit ndaj Ministrit për shkak të një serie atentatesh me lëndë shpërthyese isha i bindur që ajo fazë do kapërcehej. Dhe bindja ime po justifikohet. Ndërkohë duhet të presim zhvillimet pozitive social ekonomike për të demotivuar edhe më tej krimin.
A shihni ndonjë tkurrje të elektoratit të majtë në atë masë sa, nëse nuk reagohet në kohë, PS-ja mund të marrë goditjen e parë në zgjedhjet e ardhshme lokale?
Duket se mazhoranca po shikon më shumë interesa afatgjata të konsolidimit të shtetit dhe ekonomisë e jo dhe aq interesat elektorale të radhës. Megjithatë, unë besoj se nuk mund të flasim për goditje të mundshme politike në zgjedhjet e ardhshme administrative. Gjendja ekonomike shpresoj të ketë përmirësime të prekshme deri në pragun e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
A është opozita duke e bërë punën e saj, që i takon si në çdo vend tjetër demokratik dhe a është duke u respektuar ajo aq sa i takon nga qeverisja aktuale?
Opozita ka instaluar një oligarki të fuqishme dhe monopole frymë-mbytëse kur ishte në pushtet. Opozicioni i saj ushqehet dhe motivohet nga mbrojtja e këtyre monopoleve dhe e oligarkisë financiare me të cilën ajo ka lidhje të forta. Qeveria duhet t’i ruhet pushtetit informal të oligarkisë dhe monopoleve. Do të ketë përpjekje, që studiot e Argitës t’i fotokopjojnë për t’iu qepur zyrave të pushtetit tonë. Prandaj ne mbështesim luftën kundër korrupsionit dhe monopoleve.
Cili është ndryshimi mes sjelljes së Nanos dhe Berishës, si dy ish-Kryeministra, pas dorëzimit të pushtetit?
Nano nuk e administroi tranzicionin. Berisha po. Nano kreu dorëheqje reale. Berisha është përpjekur ta përgënjeshtrojë dorëheqjen.
Sistemi zgjedhor, ku më tepër se populli janë liderët e dy apo tre partive të mëdha ata që zgjedhin se cilët do të jenë 140 deputetët në Parlament, a mund të quhet përfundimisht i dështuar?
Sistemi zgjedhor aktual rezultoi në futjen e trafikantëve në Parlament. Nëse nuk do të ndryshojë sistemi zgjedhor, numri i trafikantëve dhe të fortëve do të rritet më shumë në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj duhet riparë me shumë kujdes dhe me interes kombëtar reforma e ardhshme zgjedhore. E ftoj opozitën të ndryshojë qëndrim ndaj reformës administrative. Pushteti vendor duhet europianizuar, qytetarizuar dhe demokratizuar më tej. Urbanizimi i Shqipërisë, qytetarizimi i shoqërisë dhe i kombit duhet të udhëheqin ndërgjegjen politike gjatë kryerjes së reformës administrative apo territoriale.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt