Bashkia: Të hënën nuk ka më varrime në Tiranë
Bllokimi i buxhetit pengon shpronësimet për zgjerimin e varrezave
Bozdo: Familjarët t’i drejtohen Ramës për të marrë zgjidhje
Duke filluar nga dita e hënë, në dy varrezat e kryeqytetit nuk do të kryhen më varrime. Edhe ato pak vende të lira që ishin mes rrugicave të varreve tashmë janë mbushur. Gjatë ditëve të fundit varrimet janë kryer vetëm mbi varret ekzistuese. Drejtues të Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur se nga e hëna nuk do të ofrohet më shërbim funeral. Në një dalje për mediat nga Varrezat e Tufinës, nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo, akuzoi Kryeministrin Rama për këtë situatë, që ka ardhur si pasojë e bllokimit të buxhetit nga prefekti Sadi Vorpsi. Në këto kushte, Bozdo u bëri apel qytetarëve që t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit për të marrë një zgjidhje. “Duke filluar nga dita e hënë, Shërbimi Funeral i Bashkisë së qytetit për familjet që humbin të dashurit e tyre nuk do të jetë më i mundur të ofrohet. Do t’u kërkoja të gjithë familjarëve që mes dhimbjes së tyre, t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit për të marrë një zgjidhje, sepse Kryeministri ynë i ka të gjitha mjetet në dorë për të zhbllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe të lejojë shërbimin funeral të ofrojë shërbimet për të ndjerët e familjet e tyre”, u shpreh Bozdo. Numri dy i Bashkisë së kryeqytetit tha se lufta politike e qeverisë me Bashkinë ka kaluar çdo limit. Bozdo pohoi se problemi i mungesës së hapësirave në varreza nuk mund të gjejë zgjidhje nëse nuk zhbllokohet buxheti. “Pasi Kryeministri ka zgjedhur të mos lërë të qetë të gjallët, tashmë po merret edhe me mbretërinë që nuk i takon, nuk po lë në prehje edhe të vdekurit. Shpresoj që Kryeministri të heqë ‘veshët’ politikë dhe të vendosë dëgjimin e qytetarit, i cili kërkon që për këtë çështje kaq të ndjeshme të mos kemi luftë politike, por të kemi një bashkëpunim”, tha Bozdo. Sipas tij, Kryeministri i ka të gjitha mjetet për të zhbllokuar projektbuxhetin e Tiranës, që veç të tjerash, i jep zgjidhje këtij problemi emergjent. Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimit Funeral, Besim Kuka, sqaroi se aktualisht shërbimi funeral kryhet vetëm për varret ekzistuese. “Vetëm varr mbi varr, absolutisht nuk kemi ku të kryejmë varrime të tjera, nga ky moment e më pas nuk kemi ç’bëjmë. Të dy sektorët, edhe Sharra, edhe Tufina kanë 6-7 varrime sot. Për dy sektorët, gjithmonë janë varr mbi varr”, pohoi Kuka. Sipas statistikave, kryeqyteti ka nevojë mesatarisht për 250-300 vende për varre në muaj.
Panorama
Krijoni Kontakt