Pas operacionit për shkatërrimin e çdo pëllëmbe tokë të mbjellë me kanabis në Lazarat e Dukagjin, qeveria ndërmerr një tjetër operacion të rëndësishëm. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik do të shkrihet brenda 30 ditëve dhe do të kalojë në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Lajmi u bë dje i ditur nga kryeministri Edi Rama në takimin me drejtuesit e policisë.
"Do të kalohet nga një inspektorat që nuk na përgjigjet në atë që ne presim në luftën ndaj krimit mjedisor, në një inspektorat për mbrojtjen e territorit të vendit tonë që do të kalojë në varësinë e MB. Jo vetëm kaq, por inspektorati do të shkrihet brenda 30 ditësh dhe ato do të transformohen rrënjësisht, në funksion të punës së Policisë së Shtetit, në funksion të arrestimit të çdo krimineli që cenon edhe 1 m² pronë të përbashkët pa autorizim të shtetit", - deklaroi kryeministri. Ai theksoi gjatë fjalës së tij se ky ndryshim është i domosdoshëm, pasi krimi mjedisor është përgjegjësi e policisë. Kryeministri u shpreh se ka ende persona që vazhdojnë të ndërtojnë pa leje me pretendimin se janë në proces legalizimi. Por qeveria do të legalizojë vetëm objektin që përfshihet në dokumentacionin e dorëzuar për legalizim dhe jo ndërtimet e reja që bëhen në terren pas dorëzimit të këtyre dokumenteve. Kryeministri tha se i ka kërkuar Prokurorisë angazhimin dhe ka marrë nga ana e tij gatishmërinë. Ndërsa i kërkoi policisë të jetë në vijën e parë të këtij procesi. "I kam kërkuar Prokurorit angazhimin e plotë dhe kam gjetur dëgjimin e vëmendshëm dhe shprehjen e tij të plotë për ta vënë në dispozicion për këtë betejë që nuk është për sot, por për 100 vitet e ardhshme. Kjo që ndodh e bën Shqipërinë nga një vend i bekuar në një nga vendet më atraktive, në një shkretëtirë ku në çdo hap do gjesh abuzuesit dhe detin në shesh ndërtimi. Parkingje në det, gur të vjedhur diku dhe hedhur në det për të bërë pista përpara syve qorra dhe barkun në fyt të autoriteteve që nuk kanë dashur të ndërhyjnë, por të marrin këstin e tyre. Që ta bëjmë llogaridhënien e qartë, na duhet që policia të vihet në vijën e parë të këtij procesi", nënvizoi Rama.