ILDKP: Zyrtarët mbajnë 50-60 milionë euro “cash” nën jastëk
Nga: DARINA TANUSHI
TIRANE - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka zbuluar së fundmi se zyrtarët e shtetit kanë mbajtur rreth 50 deri 60 milionë euro “cash”, të padepozituara në banka dhe të padeklaruara më parë. Kjo u bë e ditur dje, në Komisionin parlamentar të Ligjeve, nga kryeinspektori Shkëlqim Ganaj, ndërsa po diskutohej ndryshimi i ligjit për ILDKP-në.
Sipas ndryshimeve që propozohen, zyrtarët e rinj nuk mund të mbajnë para “cash” më shumë 1.5 milionë lekë. E gjithë pasuria duhet të jetë dokumentuar në bankë. Ky rregullim në ligj u kundërshtua dje, nga LSI dhe deputetët Mark Frroku e Nard Ndoka. “Zyrtarë të sapoemëruar deklarojnë ‘cash’ vlera 200-300 mijë euro për t’i bërë pastaj në një kohë të dytë. Sikur i kanë pasur ‘cash’ dhe për t’i plotësuar në proces. Për ta parandaluar këtë fenomen, vendosëm detyrimin që, kur i deklarojnë për herë të parë, duhet t’i depozitojnë në një bankë. Në proces në vijim nuk është i detyruar më”, - sqaroi dje, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
Ndërsa kryeinspektori i ILDKP-së, Ganaj tha se: “Nga një studim paraprak që kemi ne, mendohet që janë 50-60 milionë euro zyrtarësh, që deklarojnë për herë të parë gjendje ‘cash’”. “Është anormale që të thotë se në shtëpi ka 400 milionë nën jastëk. Nëse ju njihni dikë që mund të mbajë 400 milionë në shtëpi, në Shqipëri, për mua është anormale. Është ndihmë e madhe për ne që ta ndërpresim njëherë e mirë këtë fenomen”, - u shpreh Ganaj.
Por, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh: “Më rezulton se ky studim nuk është depozituar në komision dhe unë e konsideroj të paqenë. Nëse shkojmë nga premisa që, ne po administrojmë një administratë korruptive dhe e dimë që të gjithë këta zyrtarë të lartë po i ruajmë se këta vërtet do të vjedhin dhe do të pasurohen, ne kemi gabuar principin e ndërtimit të administratës dhe në princip jemi vendosur që të gjithë gabim”, - tha Vasili. “60 milionë euro t’i kenë këta njerëz në shtëpi? Më falni, por kjo është prova më e qartë se çfarë ndodh me sistemin në Shqipëri. 60 milionë euro janë të sistemit bankar”, - tha deputeti Pandeli Majko.
Ndryshimi i ligjit për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i heq gjithashtu presidentit të drejtën për të zgjedhur kryetarin e këtij institucioni. Kjo u kundërshtua fort nga deputetët e opozitës, të cilët bojkotuan komisionin. “Duhej të kishte konsultim me institucionet ndërkombëtare. Ju kërkoj që ta shtyjmë dhe t’i kërkoni opinionit mendim, siç kemi bërë herë të tjera, përndryshe çdo gjë shkon drejt asaj që ne kemi denoncuar, kapjen e këtij institucioni nga mazhoranca”, - tha deputeti Oerd Bylykbashi. “Keni frikë nga ato që keni vjedhur, prandaj. 3 mijë eurot e kryeministrit ke hall ti? Apo ke ato 300 milionët e tuaja, prandaj”, - tha Fatmir Xhafaj. “Një kompetencë që Presidenti i Republikës nuk e ka dhe nuk e jep Kushtetuta, nuk kemi pse të bëhemi kaq bujarë ne, se e ka emrin Bujar ai, që t’ia japim ne”, - tha Fino.
Ndërsa më pas, Xhafaj sqaroi se, ky ndryshim nuk bëhet për këtë president, por për atë që do vijë. “Nuk do t’i merret gjë këtij, se është për presidentin tjetër pas 5 vjetësh”, iu drejtuar Xhafaj, deputetëve të PD-së.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt