PS digjet, Nano krihet
Nga Mero Baze
Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano ka festuar
dje në mbrëmje fitoren e tij zonën elektorale në
Sarandë, ndërsa mijëra socialistë në gjithë vendin
janë zhytur në dëshpërim nga humbja e qartë në
zgjedhjet e 3 Korrikut. Ajo që bie në sy në gjithë
sjelljen paselektorale të zotit Nano, është mënyra me
të cilën ai përpiqet të menaxhojë këtë humbje dhe
përpjekjet për ta përdorur rezultatin kundër tij, për
të marrë rolin e një viktime. Në gjithë gjestet e tij
pas 3 Korrikut, ai nuk ka bërë as përpjekjen më të
vogël të ndajë humbjen me socialistët dhe të përpiqet
të gjejë ndonjë zgjidhje me ta. Përkundrazi ai po
sillet me socialistët sikur ata të mos jenë qytetarë
të këtij vendi dhe anëtarë të asaj partie. Ai u flet
atyre gjepura që s’i beson vetë dhe ngre legjenda për
skenare konspirative për mënyrën se si ai mund të mos
e lërë ish opozitën të marrë në dorëzim çelësat e
shtetit. Shpik legjenda me KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor,
që i paska urdhëruar të kthejnë 6 zona, përhap fjalë
se biznesmenët e tij në PS po blejnë disa deputetë nga
ata që kanë fituar nga opozita, e kështu me radhë. Pra
në gjithë skenaret që ai parashikon dhe që gënjen
socialistët nëpër tavolina, nuk parashihet asnjë
shpjegim politik për rezultatin e zgjedhjeve, por
vetëm skenare konspirative me UFO që do të shpëtojnë
atë dhe PS-në prej ikjes nga pushteti. Por këto
shpjegime nuk funksionojnë tek masa e gjerë e
socialistëve. Ata e dinë që kanë humbur dhe duan një
shpjegim, mes të tjerash, edhe për festën simbolike të
Fatos Nanos në Sarandë. Ata nuk e kuptojnë se pse
duhet të festojë një kryetar që ka humbur pushtetin e
partisë së tij, por ka fituar një zonë elektorale për
vete. Ajo fitore, e cila ka plot pikëpyetje, nuk ngroh
dot as kryetarin e PS-së në Sarandë dhe jo më
socialistët e traumatizuar në gjithë Shqipërinë.
Fatos Nano deri tani jo vetëm që nuk ka dhënë asnjë
shpjegim politik për humbjen, por po përpiqet të
inkurajojë gjithë nëntokën e pushtetit të PS-së, të
bëjnë gjeste që të fusin vendin në krizë. Ai do t’i
qëndrojë deri në fund idesë se shpëtimi i Partisë
Socialiste ishte struktura jopolitike dhe aspak
përfaqësuese që ai i imponoi PS-së. Tashmë në ditët më
të vështira për PS-në, ai vazhdon të tregojë legjenda
se si kjo strukturë e përbërë nga biznesmenë, shikas,
policë, kryekomisionerë dhe gjyqtarë, nuk do ta lënë
atë të ikë nga zyra. Dhe për ta besuar edhe vetë këtë
përrallë, bën sikur feston në një javë zie për
socialistët, të cilët e kanë pranuar para tij humbjen.
Gazeta Tema
Krijoni Kontakt