Rrëfimi i Ish-prokurorit të Tiranës në vitin 1993: Firmosa prangosjen e kreut të PS një ditë pas emërimit
Asnjë lloj ngarkese emocionale nuk kam pasur. Unë isha me eksperiencë në atë punë dhe atë flet-arrest e kam firmosur me bindje dhe gjakftohtësi, njëlloj si çdo flet-arrest tjetër të një njeriu të zakonshëm.
Arben Qeleshi: Babai s'më foli 2 vjet se arrestova Nanon
Dashnor Kaloçi
Studion e tij si avokat e ka vetëm pak metra larg godinës së re dhe të rikonstruktuar të Prokurorisë së Tiranës, kreu i së cilës ai ka qenë për një vit me radhë, nga 31 korriku i vitit 1993 deri më 31 korrik të 1994-s. Që prej vitit 2002, kur pas shumë peripecish ai mezi mundi të merrte licencën e avokatit, aty në një zyrë tepër të thjeshtë pret e përcjell çdo ditë klientët e tij, që kanë halle e probleme me drejtësinë shqiptare. Edhe pse kishte mbajtur atë funksion të lartë të organit të akuzës, madje me një eksperiencë të gjatë në punë, të drejtën e ushtrimit të atij profesioni, me të cilën mban familjen, ai e fitoi pasi punoi për disa kohë si asistent i një avokati, ish-koleg i tij kur ishte prokuror. Po a kanë lidhje të gjitha ato peripeci që ka kaluar 45-vjeçari Arben Qeleshi me faktin se më 30 korrik të 1993, me cilësinë e kreut të Prokurorisë së kryeqytetit, ai firmosi urdhër-arrestin për Fatos Nanon.
Zoti Qeleshi, si e kujtoni emërimin tuaj si Prokuror i Tiranës?
Më 30 korrik të 1993-it, kur unë isha hetues në Hetuesinë e Përgjithshme në Tiranë, aty nga ora 16.00 më thirri në zyrën e tij prokurori i përgjithshëm i asaj kohe, Alush Dragoshi, dhe bashkë me Zef Brozin (në mos gaboj) më thanë se me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë unë isha emëruar Prokuror i Tiranës. Pasi ma komunikuan atë gjë, unë u thashë fjalët e kortezisë që thuhen në kësi rastesh, duke i falënderuar për vlerësimin që më ishte bërë duke më emëruar në atë detyrë. Të nesërmen e asaj dite ata erdhën dhe më prezantuan para stafit të Prokurorisë së Tiranës.
A e prisnit të emëroheshit në atë detyrë, apo e mësuat vetëm atë ditë kur ua komunikuan Dragoshi me Brozin?
Absolutisht nuk e prisja që të emërohesha në atë detyrë dhe atë e mësova vetëm atë ditë. Por emërimi im në atë detyrë lidhet edhe me ndryshimin e strukturave të Drejtësisë në atë kohë, pasi Hetuesia e Përgjithshme, ku punoja unë, u kthye në Prokurori të Përgjithshme.
Sa kohë shërbyet në detyrën e Prokurorit të Tiranës dhe cilat janë çështjet më kryesore që ju keni marrë pjesë në atë kohë si mbrojtës i akuzës?
Si Prokuror i Tiranës kam punuar për plot një vit me radhë dhe nga çështjet më kryesore që kam pasur në atë kohë ka qenë gjyqi i Fatos Nanos, ku kam qenë si përfaqësues i mbrojtjes së akuzës (grupi përbëhej nga pesë prokurorë), çështjen e pesë minoritarëve dhe Arsidin. Këto kanë qenë çështjet më kryesore dhe më me përgjegjësi që kam pasur në atë kohë, jo vetëm nga personat që janë gjykuar, por edhe për procedurat e reja (Komisionet rogative) që aplikoheshin për herë të parë në të gjithë historinë e drejtësisë shqiptare. Ato u bënë në bashkëpunim me organet e drejtësisë italiane e franceze, si në gjyqin e Nanos dhe në çështjen Arsidi.
Të ndalemi tek çështja Nano, si i kujton ato ditë para dhe pas arrestimit të tij?
Si fillim, desha që t'ju sqaroj se unë jam Prokurori që kam firmosur flet-arrestin e Nanos dhe atë gjë e kam bërë një ditë pasi isha emëruar në atë detyrë.
Më falni që po ju ndërpres, por meqë dolët në këtë pikë, desha t'ju kujtoj se nga shtypi opozitar i asaj kohe është thënë se ju jeni emëruar në atë detyrë pikërisht për të firmosur flet-arrestin e Fatos Nanos, liderit të opozitës së asaj kohe. Ç'mund të thoni për këtë, keni pasur ndërhyrje apo trysni lidhur me atë çështje?
Është e vërtetë që më janë bërë të tilla akuza dhe madje më të ashpra nga ç'përmendët ju, por kjo nuk qëndron aspak, pasi me dosjen e Fatos Nanos unë isha duke punuar në Prokurorinë e Përgjithshme deri atë ditë që u mërova si Prokuror i Tiranës. Pra, nuk qëndron aspak akuza që më është bërë se kam firmosur flet-arrestin e Nanos pa e njohur fare dosjen në ngarkim të tij, pasi, siç thashë, me atë dosje isha duke u marrë që prej tri javësh në Prokurorinë e Përgjithshme. Nuk kam pasur asnjë lloj ndërhyrje apo trysnie nga askush dhe, sa për kuriozitet, po ju them se me Sali Berishën jam takuar një muaj pas arrestimit të Nanos.
Po ngarkesë emocionale keni pasur kur firmosët arrestimin e Nanos, ish-kreut të opozitës së asaj kohe?
Asnjë lloj ngarkese emocionale nuk kam pasur. Unë isha me eksperiencë në atë punë dhe atë flet-arrest e kam firmosur me bindje dhe gjakftohtësi, njëlloj si çdo flet-arrest tjetër të një njeriu të zakonshëm.
Të dalim tek pyetja që ju bëra pak më sipër, si i ke përjetuar ato ditë para dhe pas arrestimit të Nanos?
Në atë kohë që po ndodhnin këto gjëra, pra në kohën që kisha firmosur arrestimin e Nanos, unë e kisha familjen (prindërit dhe dy fëmijët, pasi me bashkëshorten jam divorcuar më 1992) në qytetin e Korçës, prej nga kemi origjinën dhe ku kemi banuar prej vitesh. Në mos gaboj, atë ditë që firmosa urdhër-arrestin e Nanos (në ora 12.00) ka qenë e premte, dhe unë pasi mbarova punën u nisa për në Korçë, siç bëja zakonisht për të shkuar pranë fëmijëve të mi. Kur shkova në shtëpi në Korçë, atë pasdite, ishte ekzekutuar urdhër-arresti për Nanon dhe ajo gjë kishte bërë bujë të madhe menjëherë pasi ishte dhënë lajmi nga mediat e ndryshme. Edhe në shtëpinë time, ku atë ditë kishin ardhur disa kushërinj të afërm të familjes sonë, nuk diskutohej gjë tjetër veçse arrestimi i Nanos. Të gjithë ata që gjendeshin në shtëpinë tonë atë darkë flisnin me irritim të madh për atë që kishte ndodhur, pasi, si një familje komuniste me të kaluar të majtë ekstreme, ata ishin idhtarë të Nanos. Ndërsa biseda ziente dhe të gjithë shanin shtetin e Berishës, për atë që kishte ndodhur, asnjë prej tyre nuk e dinte dhe as që e çonte nëpërmend se njeriu që kishte firmosur urdhër-arrestin e idhullit të tyre ishte aty midis tyre dhe ai isha pikërisht unë. Kjo gjë ndodhte edhe për faktin se akoma mediat nuk e kishin dhënë lajmin e emërimit tim në detyrën e Prokurorit të Tiranës.
Po a ua treguat ju atë gjë, pra faktin se ju kishit firmosur urdhër-arrestin e Nanos?
Ndërsa biseda ziente, unë mora mamanë mënjanë dhe i tregova vetëm asaj, duke i thënë: "Mama unë jam emëruar Prokuror i Tiranës dhe urdhër-arrestin për të e kam firmosur unë".
Si reagoi nëna juaj pasi ia thatë atë gjë?
Ajo më tha: "Mos u trego këtyre, se do plasë sherr i madh dhe nesër që në mëngjes nisu për në Tiranë dhe kthehu këtu vetëm pasi të jetë mbyllur kjo punë".
Ashtu vepruat, si ju tha nëna?
Ashtu veprova, nuk u tregova asgjë as babait as dhe kushërinjve, pasi me të vërtetë aty do bëhej një sherr i madh, sepse irritimi i tyre kishte arritur kulmin. Të nesërmen që në mëngjes u nisa për në Tiranë për të vazhduar punën në detyrën e Prokurorit të Tiranës, ku sapo isha emëruar.
Kur u kthyet përsëri në Korçë dhe si ju priti babai juaj?
Në shtëpi në Korçë u ktheva vetëm pas dy javësh, pasi aty kisha dy fëmijët (vajzën dhe djalin) që m'i mbanin prindërit, të cilët mezi prisja t'i takoja. Kur shkova në shtëpi, babai (i cili tashmë e kishte mësuar të vërtetën se unë e kisha firmosur arrestimin e Nanos) nuk më foli fare me gojë dhe ndërronte dhomë sa herë hyja unë aty. Po ashtu, ai nuk ulej për të ngrënë as bukë në një tavolinë me mua.
Sa kohë zgjati kjo gjë, pra mëria e babait tuaj me ju?
Kjo gjë zgjati për më shumë se një vit dhe me babanë, Rafaelin, unë jam takur dhe kemi folur vetëm kur më vdiq xhaxhai në Tiranë (vëllai i babait, Stavri Qeleshi). Aty jemi takuar dhe kemi folur për herë të parë me babanë pas asaj dite që unë kisha firmosur urdhër-arrestin për Fatos Nanon. Në mërinë e tij ndaj meje babai ndikohej shumë edhe vihej në siklet të madh nga qëndrimi i shokëve të tij, ish-komunistë të thekur me bindje thellësisht të majta, që i thonin: "Babai i tradhtarit". Edhe pse babai kishte presione të mëdha, sidomos nga ana e motrës së tij (halla ime), që të më fliste mua, ai nuk pranonte kurrsesi. Atë gjë ai e bëri vetëm kur na ndodhi vdekja e xhaxhait, Stavri Qeleshi, në Tiranë në gushtin e 1994-s.
(vijon nesër)
"Jam lindur në Berlin, im atë punonte në ambasadën shqiptare"
Avokati i njohur Arben Qeleshi rrjedh nga një familje e dëgjuar nga qyteti i Korçës, e cila ka qenë e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste që në vitet e para të pushtimit fashist të vendit. Si babai i tij Rafaeli, ashtu dhe xhaxhai Stavri Qeleshi, kanë qenë komunistë të orëve të para dhe ata kanë marrë pjesë aktive në njësitet guerrile të Korçës e në rreshtat partizane. Pas mbarimit të luftës babai i Arbenit, Rafaeli, ka punuar për shumë kohë në funksione të larta partiake të asaj kohe, si në Komitetin e Partisë të Korçës, në Komitetin Qendror të PPSH-së në Tiranë dhe në ambasadën shqiptare në Berlin të Gjermanisë Lindore, ku ka lindur dhe vetë Arbeni në vitin 1960. Ndërsa xhaxhai i Arbenit Stavri Qeleshi, që në vitet e para të pasluftës, në moshë fare të re, ka qenë komandant brigade në Sarandë dhe pasi mbaroi me rezultate të larta dy akademi ushtarake në Bashkimin Sovjetik u emërua në Shtabin e Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, me gradën e kolonelit. Pasi drejtoi për shumë vjet Drejtorinë e Stërvitjes pranë asaj ministrie, pas goditjes së Beqir Ballukut atë e akuzuan për mosvigjilencë dhe e larguan nga Tirana familjarisht, duke e dërguar në qytetin e Laçit, me detyrën e shefit të Shtabit të Brigadës.
PASAPORTA
1960 u lind në Berlin të Gjermanisë Lindore
1983 diplom. në Fakult. e Drejtësisë, Tiranë
1983-'84 hetues në Hetuesinë e Elbasanit
1984-'91 hetues në Hetuesinë e Mirditës
1991-'92 hetues në Hetuesinë e Tiranës
1992-'93 hetues në Hetuesinë e Përgjithshme
1993-'95 prokuror i qarkut të Tiranës
1995-'99 gjykatës në Gjykatën e Apelit, Tiranë
1999-'01 gjykatës në Gjykatën e Apelit, Korçë
2001-'05 avokat në Tiranë
Krijoni Kontakt