Diell i ngrohtë dhe plazhe në Gadishullin Arabik për kryeministrin.
Nano, pushime luksoze në Dubai
Çifti kryeministror kalon vitin e ri në një nga hotelet më të shtrenjtë të botës.
Shekulli
TIRANE-Sërish pushime ekstravagante për kryeministrin Nano dhe bashkëshorten e tij Xhoana. Mot i ngrohtë, rërë, palzhe ekzotikë, panoramë mahnitëse e kundruar nga një prej hoteleve me luksozë dhe të shtrenjtë në botë. Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky ka qenë vendpushimi i zgjedhur nga çifti kryeministror për të kaluar natën e ndërrimit të viteve dhe për të shijuar pushimet dimërore. Ndonëse është larguar më vonë se herët e tjera nga Shqipëria, kryeministri nuk ka ngurruar që edhe këtë herë të festojë Vitin e Ri në një nga vendet më të lakmuara në botë për bukurinë natyrore dhe luksin e hoteleve dhe restoranteve. Së bashku me bashkëshorten e tij dhe i shoqëruar nga eskorta e badigardëve, Nano ka darkuar mbrëmjen e djeshme në restorantin e hotel “Burj-Al-Arab”, një perlë arkitektonike e ndërtuar në det me një panoramë të rrallë për t’u soditur. Nano dhe bashkëshortja e tij kanë zënë vend në një tavolinë të rezervuar, në pjesën më të mirë të restorantit. Hoteli me pesë yje “Burj-Al-Arab” i ideuar dhe realizuar në formën e një vele anijeje, konsiderohet si një ndër hotelet më të shtrenjtë në botë. Ai ka vetëm suita (apartamente), çmimi më i lirë i të cilave sipas faqes së internetit të vetë hotelit nga 3 janari deri në fund të shkurtit është 3000 dollarë. Por në këtë hotel ka suita për të cilat duhet të paguash deri në 20.000 euro vetëm për të fjetur një natë. Restoranti i ndërtuar në katin e 27-të të hotelit është gjithashtu mjaft i shtrenjtë. Një darkë jo shumë e ekzagjeruar për një çift shkon tek 800 euro. Hoteli “Burj-Al-Arab” ka 27 kate dhe 202 suita. Në katin e fundit të hotelit, ku është restoranti mund të zbresësh me helikopter ndërsa një restorant tjetër është sërish në det dhe aty mund të shkohet me nëndetëse. Sipas faqes në internet të hotelit, suitat për gjithë janarin janë të prenotuara, ndërkohë që për të konsumuar një darkë në restorantin e “Burj-Al-Arab” duhet të prenotosh që dy javë përpara. Dubai është një nga shtatë pjesët e Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat vitet e fundit kanë njohur një rritje gjigante në fushën e turizmit. Të favorizuara nga pozicioni gjeografik në Gadishullin Arabik, Emiratet e Bashkuara Arabe ofrojnë një turizëm elitar dhe shumë luksoz. Temperaturat në Dubai edhe tani në janar nuk bien poshtë 18-19 gradëve.
Nano është vënë shesh në qendër të kritikave të opozitës dhe opinionit publik për shpenzimet e shfrenuara gjatë pushimeve dhe fundjavave. Gjithsesi kryeministri nuk ka ngurruar asnjëherë, të zgjedhë vendet më luksoze, ku shpenzimet për pak ditë shkojnë në mijëra euro.
Krijoni Kontakt