Situatë e rënduar në pikat kufitare. Bllokohen mijëra fëmijë, gra e të moshuar
Për gjashtë orë me radhë janë bllokuar të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit tonë me Greqinë. Ndërsa pika e kalimit kufitar të Kapshticës kishte lajmëruar një ditë më parë për ndërhyrjen në rrjetin kompjuterik, kurse për Kakavijën, Qafë-Botën dhe Tri Urat nuk kishte një njoftim zyrtar. Policia shqiptare, edhe pse ishte vënë në dijeni nga homologia e saj greke ka lajmëruar dje në mëngjes se pikërisht dje do të niste remonti i linjës, një njoftim që bëhej i pavlefshëm për emigrantët që e kishin marrë rrugën e kthimit. Kufiri me shtetin grek është mbyllur, ashtu siç ishte njoftuar zyrtarisht dy ditë më parë, ndërsa sportelet kanë qenë të boshatisura në orën 10:00, kur edhe është bërë shkëputja e rrjetit kompjuterik nga sistemi qendror në shtetin fqinj.
Në këtë mënyrë, mijëra emigrantë kanë pritur për më shumë se 9 orë me radhë, në Kakavijë, në temperatura mjaft të larta që mendohet se kanë mbërritur deri në 40 gradë. Nga ana tjetër, sipas drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, komisar Shëptim Baçi, policia është e angazhuar për përballimin e kësaj situate. "Nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një situatë të jashtëzakonshme, pasi radhë të tilla janë krijuar edhe në raste të tjera. Gjithsesi, policia është duke shpërndarë ujë për emigrantët dhe do të vijnë edhe dy ambulanca nga spitali, të cilat së bashku me personelin mjekësor do të jenë pranë emigrantëve, për të përballuar çdo urgjencë të mundshme", ka theksuar ai. Po sipas komisar Baçit, pala greke ka njoftuar vetëm mëngjesin e së enjtes për bllokimin që do të zgjaste nga ora 10.00-16.00. Por në fakt, bllokimi ka zgjatur deri në orën 17.30.
Kjo ka bërë që situata të ishte mjaft e rënduar në pikën e Kakavijës, pasi fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna kanë qenë në pritje për më shumë se 9 orë, ndërsa kushtet e qëndrimit kanë qenë tejet të vështira.
Emigrantët kanë shfaqur ankesa dhe irritim, pasi për shkak të krizës energjetike nuk kanë mundur të informohen për këtë ndryshim, ndërsa deklarojnë se do t‘i kishin evituar radhët, në rast se shteti do të mendonte të paktën për dritat. "Nuk e dija se nuk do të punohej, pasi nuk ka pasur drita dhe nuk i kam parë lajmet. Po ta dija se këtu nuk punohej, nuk do isha nisur, por siç e kisha planifikuar mora rrugën nga Burreli dhe deri këtu. Kjo situatë nuk është normale, pasi shteti ynë nuk mendon për ne. Në rast se ishte marrë njoftim për bllokimin e punës në kufi, duhej që shteti ynë të interesohej në një situatë kur ditën ka fluks dhe puna me kompjuterët nga ana e grekëve të bëhej natën, pasi lëvizjet janë më të pakta", thotë një 24-vjeçar nga Burreli, i cili shprehet se si shumë emigrantë të tjerë, mund të kishte zgjedhur pikën e kalimit kufitar të Kakavijës për të kaluar matanë drejt shtetit grek. Por edhe më absurd dhe i pakuptimtë për emigrantët ka qenë argumenti se nuk punohet për shkak të kompjuterëve. Kur ora ka shënuar 11.15 pala greke ka nisur të kryejë procedurat e kalimit, ndërsa ka sqaruar se kjo është një ndërhyrje e përkohshme, deri në riparimin e rrjetit, pasi në këtë orar është mundur të sigurohet linja në dy sportele. Shumë emigrantë të tjerë janë nisur drejt Kapshticës në mëngjes për të kaluar kufirin para orës 10, por vetëm një pjesë kanë pasur fatin të kalojnë, ndërsa të tjerët u janë bashkuar radhëve. Kanë qenë të paktën 500 shtetas të cilët janë dyndur pranë traut doganor kur pesë autobusë dhe të paktën 60 mjete janë paraqitur në të njëjtin orar në kufi. Nga ana e saj pala shqiptare i ka mbajtur të hapura të gjitha sportelet dhe, me të marrë sinjalin nga policia matanë kufirit, ka nisur edhe kalimin e shtetasve sipas radhëve. Midis emigrantëve në këto ditë të nxehta ka pasur edhe shumë fëmijë, të cilët janë mbajtur nën hije nga prindërit. Bllokimi i punës në kufi i ka mbajtur të paralizuara lëvizjet ndërkufitare në të dyja anët.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt