fatos nano o ''MAFIOZ''
fatos nano o ''MAFIOZ''
Nano në TOB, në rolin e sër Tobit shekspirian!
Ashtu siç edhe paralajmërohej nga deviza e shkruar në sfondin e skenës së TOB, ku shkruhej “Të bashkuar, fitojmë”, Nano bëri adetin e pacifistit para fansave që prisnin prej tij të bënte hazër bulçitë e faqeve buçkane dhe t’u frynte borive të kushtrimit për luftë kundër atyre që u kanë përzënë udhëheqësit shpirtërorë nga forumet e larta drejtuese të PS.
Ashtu siç edhe paralajmërohej nga deviza e shkruar në sfondin e skenës së TOB, ku shkruhej “Të bashkuar, fitojmë”, Nano bëri adetin e pacifistit para fansave që prisnin prej tij të bënte hazër bulçitë e faqeve buçkane dhe t’u frynte borive të kushtrimit për luftë kundër atyre që u kanë përzënë udhëheqësit shpirtërorë nga forumet e larta drejtuese të PS.
Këtë prisnin Bardh Agasi me Tasha Paçon në radhët e mesit të sallës, mes socialistëve durrsakë të përzënë nga Gaz Bizhga. Po këtë prisnin edhe Luan Memushi, Taulant Dedja, Hamit Kosta e të tjerë deputetë të gjashtëshes së famshme presidenciale, të rreshtuar në radhën e parë të sallës, si e si për të rënë në sy të kryegjeneralit të Ushtrisë së Paqes, që akoma nuk i ka caktuar gjeneralët e ushtrisë së tij. Ushtri që do t’i bëjë presing Edvinit për t’i ripranuar ata sërish në udhëheqje të partisë, në rastin më të keq, në formën e një fraksioni, kuptohet me të drejta përfaqësimi politik konform masës së përfaqësimit në %.
Gjatë këtij takimi ra në sy zgjidhja regjizoriale e drejtimit të tij në stilin pompoz edramist, realizuar me një ekzekutim mjeshtëror prej shoumeneje spektaklesh artistike nga ish kryetarja e grarisë socialiste Majlinda Keta e shkarkuar nga ky post prej Ramës. Zonja Keta bubulloi dhe lëshoi një pafundësi batutash prezantuese për lëvizjen nanoiste, të cilat e tejkaluan ndjeshëm edhe masën e sulmeve, shpotive dhe prezantimeve kontrastuese të eksponentëve më të spikatur nanoistë, krahasuar me ata edramistë, që sipas saj kanë uzurpuar PS-në.
Në një regji të pakuptimtë organizatorët e spektaklit politik nanoist që promovoi nisjen e Marshimit të Madh të Ushtrisë së Paqes, kishin rreshtuar në skenë nja 10 shezlonge për ndoca të pandehur si gjeneralë potencialë, por që mesa duket nuk arritën t’ia mbushin mendjen për të tillë askujt në sallë.
Kështu u thirrën në skenë një socialiste tropojane me emrin Valentina, e pasuar nga nanoisti i vitit të fundit të pushtetit majtist, Frrok Çupi, të cilin Petro Koçi ndër të tjera e siluroi padashje kur theksoi se “ish themelues të PD mbushën partinë e socialistëve dhe u hierarkuan në forumet drejtuese të saj pa patur kurrfarë lidhjeje me socialistët e thjeshtë dhe pa kontribute…”.
Më pas zonja Keta thirri në skenë ish këshilltarin e Nanos në kryeministri, Përparim Kabon, të cilin e komplimentoi si një “filozof i shquar”, për ta vazhduar prezantimin me Petro Koçin, përmendja e emrit të të cilit shkaktoi një frenezi duartrokitjesh dhe brohoritjesh në sale, pothuajse po aq eksituese sa edhe ato adresuar Nanos dhe omniprezentes pranë tij, bashkëshortes Xhoana, që rrëzëllinte e tëra.
Në skenë pastaj u ngjit këngëtarja Afërdita Zonja, e pasuar nga një ojq-iste e doktoruar në jurisprudencë, si dhe një studente e shkencave politike.
Dhe pikërisht në frymën e shpotive të shumta e qortimeve për shpërfilljen e socialistëve dhe progresistëve të vërtetë nga Edvini dhe shpura e tij, edhe Petro Koçi siluroi ashpër Ramën për “dhunim të demokracisë në parti”, çka në fillim krijoi përshtypjen e një devijimi nga deviza e Nanos për gjithëpërfshirje dhe bashkim, të cilën gjithsesi Koçi nuk mundi ta zbusë deri në fund, për çka edhe u shpërblye sërish me duartrokitje, si kundërshtar parimor dhe konsekuent ndaj “gabimeve dhe shtrembërimeve të vijës statutore dhe demokracisë së brendshme në PS nga Rama dhe të tijtë”.
Tejet i ashpër, ndonëse me doza kortezie, që më shumë ftonin “Nano-shpëtimtarin për të shpëtuar PS, opozitën dhe demokracinë shqiptare”, sesa grishnin për përplasje, Çupi me anë të një përsiatjeje filozofiko-politike, ku spikatnin tranpjantimi i nocioneve dhe kategorive filozofike “kohë” dhe “hapësirë”, apo të sistemit politik, formës së regjimit dhe koncepteve demokratike fillestare në një parti bashkëkohore europiane, Frroku më në fund shpërtheu. Ai stigmatizoi thellë gafat dhe inkompetencën logjike e politologjike të kryesocialistit gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, duke shkaktuar gajasje të furishme në sallë nëpërmjet krahasimeve të goditura në të cilat ndër të tjera theksoi se as vetë mirditorët e tij para një shekulli, me kërkesën për “Republikë autonome”, nuk e bënë gafën e Edvinit në Prishtinëm, kur kërkoi as më pak dhe as më shumë përveçse “Kosovën Republikë” në vend të “Kosovës së Pavarur”.
Gjithashtu Çupi u tregua sërish i ashpër kur përqasi deklarata të dikurshme të krerëve të opozitës aktuale, që kërkonin të përsërisnin modelin e Mehmet Shehut, Enverit, Mussolinit e të tjerëve nëpërmjet adresimeve të drejtpërdrejta apo gjestikulacioneve dhe nocioneve të përdorura gjatë artikulimit politik publik.
Çupi me këtë rast aludoi qartë për Metën që donte të përqaste Mehmet Shehun dhe modelin e tij qeverisës si dhe për Ramën që imitonte hapur gjestikulacionet dhe artikulimin e ideve fashiste musoliniane në fjalimet e tij.
Pas tyre e mori fjalën kryetarja e Degës së FRESSH-it nanoist për Tiranën, e emëruar në këtë post nga kryetari i madh i FRESSH-it nanoist shqiptar Gjergj Koja, studentesha e fakultetit Juridik me emrin Johana, e cila me një lumë neologjizmash mrekulloi dhe entuziazmoi sallën që shpërtheu në britma aprovuese.
Më pas e mori fjalën kryetari historik i PS Fatos Nano, i cili gjatë diskurit të tij zhgënjeu të gjithë fansat, qëkurse që në fjalët dhe fjalitë e para i ftoi të gjithë për kritikë parimore ndaj gabimeve të lidershipit të ri të PS me në krye Ramën, por njëkohësisht edhe për frymë bashkimi dhe vëllazërimi nën solidaritetin socialist, për ta ruajtur PS nga përçarja, mundësinë e së cilës ai ia faturoi si mision dhe aksion politiko-organizativ kundërshtarit të tij Edvin, si dhe krerëve të partive aleate, që sipas Fatosit mezi prisnin coptimin e PS.
Më pas Nano u tall paq me dëshirën e çmendur të krerëve të partive aleate për krijimin me çdo kusht të konfederatës së majtë, për të cilën ai duke ironizuar u shpreh se do të përdorej prej tyre për t’u bërë bashkëkryetarë të partisë së madhe të socialistëve, ndërkohë që nuk mundeshin ta luanin këtë rol as në vetë partitë e tyre të vockëla.
Në vijim Nano sulmoi ashpër Ramën dhe Metën si shkaktarë të humbjes së afro 100 njësive vendore të kryesuara nga të majtët në mandatin 2003-2006, humbje kjo e regjistruar gjatë zgjedhjeve të 18 shkurtit të këtij viti, sipas tij tejet e thellë kjo në krahasim me zgjedhjet vendore të 12 tetorit të vitit 2003, shoqëruar gjithashtu edhe me afro 150 mijë vota më pak në total të marra nga e majta në këto zgjedhje. Për çka sipas Nanos përgjegjësi mbajnë Rama, Meta dhe Gjinushi të cilët, po sipas tij, “kurrë nuk bënë analizë, nuk nxorrën përgjegjësitë dhe sigurisht që shmangën me këtë rast edhe përgjegjësinë e tyre për këto rezultate zhgënjyese”, kuptohet në krahasim me periudhën kur të majtën e drejtonte vetë lideri historik.
Nano nuk rreshti së sulmuari Edvinin, për të cilin nuk pranoi të bënte kurrfarë autokritike që e kish sjellë nga Parisi dhe e kish hierarkuar, duke e quajtur këtë veprim si normal, meqenëse sipas tij Rama i kish kryer disa punë në pushtetin vendor për të mirën e Tiranës. Por sulmi i tij u adresua tek mungesa e vizionit dhe shterpësia e mendimit opozitar të Edvinit që pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, sidomos për të famshmin mbikalim tek Zogu i Zi, për të cilin Nano aludoi se u përdor nga Rama për të mbuluar gafat e tij në drejtimin e bashkisë dhe si aksion politik vetiak.
Në vijim të fjalës së tij Nano u tregua pacifist xheneroz, rol i cili të kujtonte Sër Tobin e famshëm të komedisë muzikore “Nata e 12-të”, që si kalorës i tipit të Don Kishotit mundohej të ruante paqen dhe drejtësinë në oborrin e Princit të Ilirisë, të cilat i vendoste me anë të rregullave kalorsiake, për respektimin e të cilave origjina fisnike si nip i Princit dhe vetë shtama, luanin rol vendimtar.
Por zhgënjimi për veshët e ithtarëve u zbut nga kandisja e fytave të ngjirur, me anë të lëngjeve dhe birrave, në hollin e madh të sallës qëndrore të TOB-it, ku të gjithë ranë në paqen e madhe të frymëzuar nga Kryetari i Madh.
Krijoni Kontakt