“Shkallnueri”, PS refuzon diskutimin e kërkesës së opozitës
Nevila Përndoj
TIRANE - Në fillim të seancës së djeshme parlamentare, kryeministri Fatos Nano nuk është lejuar që të mbajë raportin e tij lidhur me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Shkaku kryesor ka qenë kërkesa e grupit parlamentar të PD-së, për rishqyrtimin e kërkesës së 35 deputetëve të opozitës për ngritjen e komisionit hetimor me qëllim zbardhjen e aksidentit automobilistik të ndodhur dy vite me parë ku gjeti vdekjen edhe shtetasi Petrit Islami. Deputetët e opozitës pretendojnë se në këtë ngjarje janë përfshirë personalitete të larta shtetërore përfshi këtu edhe kryeministrin Fatos Nano. Në fillim të seancës, deputeti demokristian Nikollë Lesi deklaroi se komisioni mund të ngrihet automatikisht në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Të njëjtin qëndrim mbajti dje edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi. Ky i fundit deklaroi se në seancën e fundit plenare ngritja e komisionit hetimor është realizuar në kundërshtim me rregulloren. Por kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi nuk e ka pranuar kërkesën në fjalë. Kjo ka bërë që deputetët e grupit parlamentar të PD-së të marrin fjalën për procedurë. Deputeti demokrat Edi Paloka kërkoi që kryeministri Nano (i cili ishte i pranishëm në sallë) të jepte shpjegime lidhur me incidentin e ndodhur dy vite më parë. Por kjo deklaratë nuk është marrë sërish parasysh nga kryetari i Kuvendit, i cili ka ftuar kryeministrin Fatos Nano për të mbajtur raportin lidhur me projektbuxhetin. Në momentin që kryeministri Nano kërkoi të merrte fjalën, deputeti legalist Eqerem Spahia është ngritur dhe i është afruar me tone të larta, kryetarit të Kuvendit duke kërkuar marrjen e fjalës për procedurë. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe deputetët e tjerë të grupit parlamentar të PD-së. Në këto kushte, kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi ka kërkuar 30 minuta pushim me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi.
Krijoni Kontakt