Meta: Do të luftojmë botën e krimit
“Ne deklarojmë se do të vazhdojmë të luftojmë pa asnjë kompromis për të gjitha këto fenomene të qeverisjes apo të PS-së, pavarësisht nga kërcënimet e vazhdueshme që kemi nga bota e ndyrë e krimit, të bindur se në këtë betejë kemi me vete opinionin publik dhe gjithë ata që duan një Shqipëri më të mirë dhe demokratike. Dua të siguroj të gjithë shqiptarët, të gjithë socialistët dhe partnerët ndërkombëtarë, se ne të gjithë së bashku do t’i japim fund uzurpimit të PS-së dhe të institucioneve shtetërore”. Ndërkaq Meta ka deklaruar se jeta politike dhe institucionale në vend tashmë është në krizë, ku parlamenti është veçse një pjesë e saj. “Unë ju siguroj se nuk kam ndërmend të largohem nga PS-ja, pavarësisht nga përpjekjet që po bën Nano, pavarësisht edhe nga agresioni i fundit i krimit të organizuar, përkundrazi jam i sigurt se PS-ja do t’i rikthehet vlerave të saja më të mira politike dhe morale, duke u divorcuar përfundimisht me të gjithë përfaqësuesit e botës së krimit, të cilët para dy-tre vitesh, sikurse e thashë, nuk kishin asnjë lidhje me PS-në, por pas diktimit të saj të dytë politik janë hedhur në një agresion të hapur për të pushtuar dhe për të blerë të gjithë strukturat dhe forumet e PS-së”, theksoi ish-kryeministri Meta.
Burimi: "Panorama"
Krijoni Kontakt