Artan Didi me ICITAP e PAMECA, kontroll në Lazarat, e gjejnë pastër
GJIROKASTER- Pak ditë pas Sokol Bizhgës, futet në Lazarat edhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kryepolici ishte fillimisht në Gjirokastër në një takim të organizuar nga Policia lokale dhe Drejtoria Arsimore për parandalimin e kultivimit të drogës. Por më pas, pa praninë e medias, ai i është drejtuar Lazaratit bashkë me përfaqësuesit e dy misioneve që asistojnë Policinë Shqiptare PAMECA e ICITAP. Sipas burimeve të Policisë, Didi është takuar me kryekomunarin e Lazaratit, Dasho Aliko, në zyrën e këtij të fundit. Të njëjtat burime bënë të ditur se gjatë diskutimeve është vendosur që në Lazarat nuk do të ngrihet postë policie apo stacion policor, duke plotësuar në këtë mënyrë kërkesën e kryetarit të kësaj komune. Kërkesa e Alikos për të mos qenë prezente asnjë postë policie në fshatin e tij, përveç patrullimeve policore, është miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ndërkohë, siç mësohet, përfaqësuesit e ICITAP kanë qenë kërkues për të mësuar rreth ambientit në fshat. Ata kanë inspektuar mjaft zona në fshat të cilat më parë kanë qenë burim i kultivimit të hashashit, por që dje kanë qenë tërësisht të pastra nga bimët narkotike. “Ne dëshirojmë që të mos identifikohemi më si një zonë burim kultivimi apo trafiku të lëndëve narkotike, ndërkohë që qeveria duhet patjetër që të stimulojë banorët me programe punësimi”, është shprehur kryekomunari Aliko. p.n
Panorama
Krijoni Kontakt