-
Korçë: Socialistët e transferojnë nga puna, vret veten gruaja 52 vjeçare
Si e transferuan. Vetëvrasja pas largimit nga puna, zbulohet shkresa

DREJTORESHA E ISSH NE KORÇE, ANA VERUSHI (MAJTAS) BRUNILDA E DITRAN MEKA
Drejtoresha e PS në Korçë e firmosi më 4 prill: Meka të shkojë në Mollaj. I shoqi: Ditët e fundit të Brunës, u dorëzua kur nuk gjeti zgjidhje.
Zbulohet shkresa e transferimit nga detyra të Brunilda Mekës nga ana e drejtoreshës së Degës Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë.
Kjo shkresë mban datën 4 prill 2014, një javë para se 52-vjeçarja t’i jepte fund jetës duke pirë një sasi të madhe helmi.
Ndonëse urdhri hynte në fuqi menjëherë, në fakt punonjësja e larguar nga Korça drejt fshatit të Ersekës nuk e zbatoi kurrë, pasi zgjodhi aktin ekstrem.

SHKRESA
Dokumenti i është drejtuar Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore në Ersekë, Degës së Financës, si dhe Degës së Kontributeve në Korçë dhe për dijeni Brunilda Mekës. Sipas këtij dokumenti të siguruar nga “Panorama”, bëhet e ditur se “znj. Brunilda Meka lë detyrën e specialistes së përfitimeve afatshkurtra në Degën e Përfitimeve dhe kalon në detyrën e inspektores së bujkut në ALSSH-në Ersekë, komuna Mollaj. Data e fillimit në detyrë është 4 prill 2014”. Motivacioni për këtë transferim nga dega e ISSH-së së Korçës drejt komunës 30 km larg për 52-vjeçaren është ai i organizimit të personelit të degës së Ersekës. Saktësisht, theksohet në këtë shkrese se urdhri i drejtoreshës së rajonit numër 34, bazohet në përmirësimin, organizimin dhe funksionimin më të mirë të punës në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore në Ersekë. Megjithëse urdhri ishte i prerë dhe hynte në fuqi ditën e premte të 4 prillit, vetë Meka nuk e zbatoi asnjëherë. Ajo dorëzoi një raport shëndetësor në punë, sipas të cilit merrte leje për shkak të problemeve kardiake, nga data 5 prill deri në 19 prill, kohë në të cilën mori edhe vendimin ekstrem, atë të vetëflijimit. Urdhri që mban firmën e drejtoreshës rajonale në Korçë, Ana Verushi, mban numrin e protokollit 35 dhe sipas saj hyn në fuqi menjëherë, duke u ngarkuar dega e administrimit për ndjekjen dhe zbatimin e kësaj shkrese. E pyetur për rastin e Brunilda Mekës, drejtoresha Verushi pohoi vetëm faktin që vartësja e saj nuk ishte pushuar nga puna. Sipas Verushit, 52-vjeçarja ishte në marrëdhënie pune deri në momentin kur i dha fund jetës, ndërsa kishte paraqitur vetëm raportin shëndetësor, për paaftësi të përkohshme në punë. Nuk ka pasur më tej reagim nga ana e drejtoreshës, e cila dje ishte në Tiranë për arsye që ende nuk dihen.
PD: U PUSHUAN 20 VETË
Nga burime të degës së PDsë në Korçë mësohet se që prej vendosjes së Ana Verushit në krye të Sigurimeve Shoqërore, janë pushuar nga puna 20 punonjës, ndërsa janë transferuar 6 të tillë. Bëhet fjalë për rang qarku dhe të shkarkuarit janë kryesisht punonjës të rretheve të tjera veç Korçës. Një rast i ngjashëm është dhe ai i 52- vjeçares, e cila do të transferohej në Mollaj si inspektore bujku, aty ku ishte pushuar nga puna paraardhësi. Ashtu si rasti i Brunilda Mekës janë dhe 5 të tjerë, të cilët nuk dihet nëse kanë pranuar të transferohen apo jo në zona të ndryshme të Korçës. Vetë Brunilda u dorëzua para këtij vendimi, jo vetëm duke mos shkuar në komunën e largët, por dhe para faktit për të vazhduar jetën.
Protestë për Brunildën nga të larguarit nga puna
Vdekja e 52-vjeçares Brunilda Meka dhe akuzat e familjarëve për vetëvrasjen e saj si pasojë e një transferimi nga puna kanë sjellë një reagim masiv në qytetin e Korçës. Dhjetëra qytetarë me fotografinë e Brunës dhe lule në duar, të organizuar nga “Shoqata për mbrojtjen e të larguarve nga puna” janë bërë pjesë e këtij marshimi që ka nisur nga prefektura e qytetit dhe ka përfunduar në drejtorinë e ISSH-së, atje ku është zanafilla e kësaj historie. Kryetarja e Shoqatës, Nertila Qafzezi, teksa ka mbajtur një fjalim në shenjë respekti për viktimën, nuk ka hezituar të hedhë akuza të hapura ndaj qeverisë për ngjarjen e ndodhur, duke apeluar që të ndalen pushimet masive nga administrata shtetërore. “Kjo është një ditë e dhimbshme që përveçse zhvillohet në kujtesë të një gruaje që vdiq në mënyrë të tmerrshme, përfaqëson vuajtjen e dhjetëra qytetarëve të cilët janë larguar nga vendet e tyre të punës padrejtësisht. Spastrimet në administratën shtetërore, presionet që bëhen ndaj punonjësve për t’u larguar nga puna me të cilën mbajnë familjet, u konkretizuan me rastin e Brunilda Mekës që nuk jeton më”, tha Qafzezi, duke apeluar për ndaljen e spastrimeve, ose ndryshe do të vazhdojnë protestat.
Panorama
-
-
Për: Korçë: Socialistët e transferojnë nga puna, vret veten gruaja 52 vjeçare
“Ditët e fundit të Brunës, u dorëzua kur s’gjeti zgjidhje”

Bashkëshorti i viktimës, Ditran Meka
Burri i Brunilda Mekës: Më thoshte se nuk ia dilte të shkonte e vinte çdo ditë nga Erseka
“Do ta ndjek deri në fund në rrugë ligjore”
Bashkëshorti i Brunilda Mekës ende nuk e beson se e shoqja ka ndërruar jetë. Ajo është përcjellë dje për në banesën e fundit, pasi janë pritur familjarët që të vinin nga jashtë vendit për t’i dhënë lamtumirën.
Ditran Meka tregon se e shoqja ishte përpjekur që të zgjidhte punën e transferimit drejt Ersekës, por kur e ka parë që nuk ia ka dalë dot, është dorëzuar. “Më thoshte se nuk ia dilte dot. Po sikur të mbaroj vonë, nëse nuk gjej mjet për të ardhur nga Erseka, si t’ia bëj? Kaloi në stres, parainfarkt e deri te vendimi i fundit që na bëri gjëmën”, tha dje 56-vjeçari. Pak orë pasi përcolli të shoqen në varreza, Meka deklaron se do të kërkojë me çdo kusht drejtësi për këtë çështje, pasi thotë se nuk ka se çfarë humb më.
Si ndikoi vendimi për transferimin te bashkëshortja juaj?
Që në momentin kur Brunës i komunikuan vendimin për transferimin, ajo u trondit tepër. Nuk ishte problemi te pozicioni që iu caktua, por te fakti se ishte e pamundur që ajo çdo ditë të shkonte dhe të kthehej nga Mollaj i Ersekës, të bënte 65 km deri atje. Në momentin kur mori shkresën për vendimin e transferimit, Bruna u dëshpërua. Mes shumë hallesh e problemesh, kjo ishte një ngarkesë psikologjike që për të ishte e pamundur për t’u përballuar.
Pse flisni për probleme, çfarë ka pasur tjetër?
E para, ky vendim ishte një padrejtësi për shkak se Bruna nuk kishte kryer asnjë gabim në punë. Ishte në atë pozicion prej më se 20 vitesh dhe asnjëherë nuk kishte abuzuar apo shkelur rregulloren. Përveç kësaj, gjatë viteve të fundit ne kishim pasur edhe probleme të tjera që për këdo do të ishin të vështira. Para disa kohësh unë u diagnostikova me një sëmundje kanceroze dhe jam trajtuar në shtetin grek duke u mbështetur te kursimet tona familjare, por edhe tek të afërmit. Prej atij momenti sigurisht që mbeta edhe pa punë, gjë që e vështirësonte përballimin e jetesës. Ndërkaq ne kishim edhe dy djem, djali i madh ka mbaruar studimet me një mesatare vërtet të mirë, por nuk kishte një punë dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me djalin e vogël. E vetmja e ardhur për familjen ishte rroga e Brunës dhe në momentin kur ajo mësoi këtë urdhër u dëshpërua.
Si e përjetoi ajo dhe a bëri përpjekje për ta ndryshuar këtë vendim?
Po në momentin e parë u shokua. I trembej largimit nga puna që më përpara dhe kur kjo ndodhi, e priti vërtet keq. Stresi fillimisht i shkaktoi probleme me zemrën dhe për këtë mori një raport. Më tej e shihja të mërzitur dhe disi të heshtur, por asnjëherë nuk ma priste mendja që mund të arrinte deri këtu. Ajo nuk u dorëzua në momentin e parë. Shkoi takoi drejtoreshën, por edhe disa persona të tjerë me shpresën se për arsyet tona familjare dhe barrën që mbante mbi supe dikush do të tregonte dhembshuri apo humanizëm, por kur as kjo nuk ndodhi, gjithçka u shemb për të.
A e ndante me ju shqetësimin e saj?
Sigurisht që e ndante, por e vija re që përpiqej deri diku ta fshihte për shkak të gjendjes sime shëndetësore. Bruna gjithmonë ka qenë një njeri i fortë, që përballej me problemet, përpiqej t’u gjente zgjidhje e nuk dorëzohej lehtë. Por problemet me punën i vunë kapakun gjithçkaje dhe e detyruan të arrinte deri atje sa të largohej nga jeta në këtë mënyrë të dhimbshme.
Ku ndodheshit ju dhe djemtë në momentin e ngjarjes?
Si çdo ditë kishim dalë. Në ato momente kishte një ndeshje futbolli dhe ne po e ndiqnim te një lokal këtu te lagjja. Kur dolëm ajo po merrej me pastrimin e shtëpisë dhe dukej e qetë. Kur unë u ktheva, nuk e pashë në kuzhinë ndaj u ngjita në katin e sipërm për ta kërkuar me idenë që mund të ishte duke pushuar. Gjithçka në shtëpi ishte pastruar, kishte gatuar dhe kur unë hyra në dhomë nuk e gjeta atje. Mendova se mund të kishte dalë, por diçka më shtyu drejt verandës. E gjeta atje të shtrirë dhe kur u përpoqa ta zgjoj, kuptova që nuk jetonte më. E kam ende të vështirë ta kujtoj se çfarë kam bërë në ato momente. Kam vepruar thjesht me instinkt, veprimet nuk i organizoja. Kam kërkuar ndihmë, por për të kishte mbaruar gjithçka.
Ju jeni i bindur se vendimi për transferimin e saj e shtyu drejt vetëvrasjes?
Pa diskutim. Sot e them me bindje sepse prej atij momenti ajo nuk kishte më forcën për të reaguar. Ishte lodhur nga përpjekjet dhe sorollatjet nëpër zyra. Për një kohë shumë të gjatë u përpoq të punësonte djalin, por nuk gjeti askund mbështetje, më tej u përpoq që të qëndronte në një vend pune ku për vite kishte kryer detyrën, por edhe atje iu bë një padrejtësi. Veprimi i saj ndoshta ishte i pajustifikuar, por e mbyti dëshpërimi. Për një femër është shumë e vështirë të vuajë diçka të tillë. Ajo u kthye në dëshmitaren e të gjitha femrave të tjera të cilat punojnë në administratë dhe që dhunohen psikologjikisht nga eprorët e tyre. Kjo nuk i ndodhi vetëm bashkëshortes sime, kjo i ndodh shumicës së femrave që u duhet të punojnë për të mbajtur familjen.
Ju kë akuzoni për këtë që ndodhi?
Unë e kam thënë dhe e përsëris: Nuk jam hakmarrës, por dua drejtësi. Drejtoresha e ISKSH-së është personi përgjegjës për këtë që ndodhi. Arsyeja ishte për shkak të dallimit klasor që duket se ka mbetur në kohën e diktaturës, por që ne vazhdon të na ndjekë. Nuk i shpëtuam dot internimit në atë kohë dhe as tani. Ajo iku sepse dikujt iu tek ta përbuzë për familjen së cilës i përkiste, për vuajtjet tona dhe për një vend pune që e respektoi dhe punoi me korrektësi.
Apeli juaj cili është?
I bëj apel shtetit që të mos e lërë në heshtje këtë rast. Ka edhe shumë femra të tjera që si bashkëshortja ime vihen para një presioni të tillë. Ajo shpesh thoshte “do të shkoj në Mollaj, por s’arrij dot të kthehem. E di që pas orarit të punës nuk mund të gjej asnjë mjet transporti për t’u kthyer dhe nuk e di si mund të veproj”. Shteti duhet të verë drejtësi, duhet të largojë kalbësirat e sistemit të kaluar që ende ushqejnë frymën e dallimeve klasore. Unë nuk do ta lë me kaq, s’kam asgjë për të humbur. Thjesht dua që në një mënyrë apo tjetrën drejtësia për atë që i mori jetën gruas sime të vihet në vend.
KORÇE/ DHORJELA ÇULE
Panorama
-
-
Për: Korçë: Socialistët e transferojnë nga puna, vret veten gruaja 52 vjeçare
SHOQATA PËR MBROJTJEN E TE LARGUARVE NGA ADMINISTRATA PUBLIKE
Adresa: Rruga e Barikadave, qendra “Galeria” Kati 1
Tiranë, më 15.04.2014
Lënda: LETËR E HAPUR PËR KRYEMINISTRIN
Drejtuar: Z. Edi Rama
Kryeminister
Z. Kryeminister i shqiptarëve që patën besim,
Kërkojmë shpresë zbehur të ngriheni në lartësinë e atyre që ju besuan, të shqiptarëve të varfër e të mirë që ju zgjodhën për të bërë realitet endrrën e të jetuarit në një Shqipëri më të sigurtë, më të begatë, më të drejtë.
Sa pak kohë ka kaluar dhe ju që u zgjodhët për të mos harruar, në fakt humbni cdo ditë e më shumë kujtesë. Po ju ndihmoj duke ju sjell nder mend parimim e meritokracisë, standartin parabazik të funksionimit normal të një vendi qe rrugëton në arritjen e standardeve evropiane. Ju kujtohet tani? U kthye në mantrën tuaj parazgjedhore. Sa bukur t’ju dëgjoje të flisnit!
Po sot?
Kthejuni për nje cast raportit të së vertetës së paku me veten dhe pyeteni nesë e keni sot guximin për të folur për meritokraci? Sot, kur të vetmin motor që leviz vendin, administratën publike, që mban peshën e të gjithë puneve të mundimshme përgjatë viteve të Shqipërisë, e keni ndalur, e keni cmontuar, e keni ndarë në pjesë; sot kur më shumë 7000 burra dhe gra i keni flakur në rruge, disa syresh në ditët e para të hyrjeve tuaja cermoniale në zyrë, thua se ju njoh merita dhe ju ndeshkua “dembelizmi” nga uniforma apo barku nën të, e të tjerë në muajt pasardhës, në pak kohë, me nxitim, shume nxitim dhe pa arsye, pa asnje arsye qe ligji mund të përtyp.
Të jemi të vertetë z. kryeministër që ju patën besuar, për të mos u bërë qesharak, më mirë të jemi të vërtete, pasi nuk ka shqiptarë që jeton në këtë tokë të mos dijë se largimet nga administrata publike kanë vetëm një kritër, i cili qendron në distance drite larg parimit të meritokracisë – kriterin politik.
7000 burra dhe gra i larguat dhe të tjerë po u hiqni punen vetem dhe vetem sepse nuk kane teserën e partisë suaj apo të asaj partisë tjetër, në qeverisje me ju .
Një tjetër ditë të afërt do t’ju shkruaj gjatë për t’ju kujtuar të shihni, të hapni sytë, mendjen dhe zemren, të ndaloni masakrën e admnistratës publike dhe merrni përgjegjësinë tuaj si kryeministër për të zbatuar Kushtetutën, Ligjin, dhe Vendimet e Gjykatave. Përgjegjësi që përpara se të behemi gaz i një botë të tërë, beni mirë ta merrni përsipër. Një ditë tjetër, të afërt, sepse sot kemi me tepri ndjenjen e dhimbjes shkaktuar nga humbja e parakohëshme e jetës së një nene, gruaje, zonje.
Brunilda Meka, jetonte në Korcë, nënë e dy fëmijëve, e vetmja e punësuar në familjen e saj; për shkak të largimit nga detyra që kryente prej 10 viteve, pasi ju nëpërkemb dinjiteti, humbi forcën dhe dëshirën për të jetuar.
E kuptoj pamundësinë tuaj për ta kuptuar Brunilden, sepse ndoshta nuk ju është dashur kurrë të luftoni me skamjen dhe t’ju hiqet vlera e vetme që njeriu ka, puna. Por shqiptarët e dinë mirë së puna, humbja e saj është shqetësim i mirëfilltë, me thellësi gremine. Harresa e parimit të meritokracisë, nëpërkembja e punonjësve, trajtimi i tyre si tesera partie, përndjekia politike e coi në gremine zonjën dhe me të, sa e sa familje shqiptarësh të zakonshëm të këtij vendi, cdo ditë, në cdo cep të Shqipërisë.
Ju lutem lexojeni dhe denojeni cinizmin e drejtoreshës suaj, që për fat të trishtë sa s’ka, qelloi të ishte edhe drejtoresha e Brunildes.
Znj. Ana Verushi ju shkruan;
“I nderuar zoti Rama, kërkojmë nga ana juaj largimin e të gjithë kësaj administrate pa përjashtim. Ne po e çojmë te ju, me besimin se ardhja e PS në pushtet do të bëjë të mundur heqjen e të gjithëve, duke mos pranuar asnjë ndërhyrje, duke mos parë asnjë kriter profesional, duke mos pranuar asnjë vlerësim, jo objektiv, që do të vinte nga njerëz që mbrojnë flamujt sa herë cenohet interesi I tyre. “Me besim të plotë te ju, kjo reformë do të bënte të mundur hapjen e të paktën 4000 vende pune për militantët e PS, të cilët këto 8 vite janë hequr dhe pushuar nga njerëzit e Berishës.
Sa keq që e harruat mantren që ju shoqëroi në kohet, kur u flisnit bukur shqiptareve për meritokraci, konkurse, vlera, pune dhe u rrëzuat shpejt në standartin e mediokritetit të kësaj zonje, e zonja mesa duket vetëm për të tundur fshesën.
Ana Verushi është modeli me i keq i drejtuesve që ju po instaloni; eshte fenomeni që po e gerryen Shqipërine, është shfaqje e medikoritetit, cinizmit dhe paaftësisë së aftë për të vlerësuar vetëm servilizmin partiak dhe konsiderur këdo që mendon ndryshe si armik, thua se jemi ende ne luftën e klasave.
Kërkojmë nga ju, në përfaqësim të organizatës “Mbroje Administratën Publike” në emër të 7000 punonjësve të larguar pa të drejtë, e të tjerëve të shumtë që janë sot në kushte trysnie e jetojnë sajesat e transferimeve që ja pamundësojnë detyrën dhe rrisin dëshpërimin; për hirin e një nëne që e cuam në greminë duke i lënë jetim femijët e saj, kërkojmë pushimin e mënjehershëm nga puna të zonjës Ana Verushi dhe kthimin në detyre të kujtdo që u kthye ne viktime e këtij maskarrallëku drejtimi që nuk po njeh as ligj, as meritë, as arsye.
Shqipëria e gjeneratës tjetër nuk mund të modelohet nga mendimet e znj. Verushi, e të ngjashmëve të saj, nuk mund të jetë Shqipëria që i përndjek njerëzit, që i con në dëshpërim, qe i justifikon padrejtësitë e sotshme me ato të kaluarat, që shkel mbi ligjet, gjykatat, dhe mbi të gjitha në dinjitetin njerëzor. Nuk është kjo Shqipëria që ju besuam.
Z. Kryeministër REAGONI.
Vërtetësisht,
SHOQATA PËR MBROJTJEN E TE LARGUARVE NGA ADMINISTRATA PUBLIKE
KRYETARE
Nertila QAFZEZI
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt