Një Akademi e përbashkët ushtarake, port civilo-ushtarak për Kosovën në Shqipëri dhe Task-Forcë për integrimin e koordinuar në NATO". Këto janë tri nga propozimet që ekspertët e Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe të Mbrojtjes kanë artikuluar në dokumentin me titull: Projekt bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes Shqipëri-Kosovë. Ky studim që publikohet nga "Gazeta Shqiptare", u hartua nga një kolonel dhe dy nënkolonelë ne rezervë. Aty sugjerohet miratimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve. Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe e Mbrojtjes, është një institucion në varësi të ministres së Mbrojtjes. Studimi i tre ushtarakëve të lartë i përket dhjetorit 2013.
PROJEKT NE FUSHEN E MBROJTJES MIDIS RSH DHE RK
PERMBAJTJA
1. Projekti i arsimimit dhe trajnimit të personelit ushtarak dhe civil dhe studimeve master dhe doktoraturë.
2. Projekti në fushën e Emergjencave Civile.
3. Projekti i një njësie të përbashkët për misione të paqes.
4. Projekti për stërvitje të përbashkëta midis njësive/ekipeve për operacione të mbështetjes së paqes.
5. Projekt i përbashkët për kryerjen e prokurimeve të përbashkëta.
6. Projekt i përbashkët në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve dhe sistemeve.
7. Projekt i përbashkët në fushën e shkatërrimit të municioneve të vjetra e të tepërta.
8. Projekt në fushën e kapaciteteve të vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore.
9. Projekt i përbashkët mbi ngritjen e një kapaciteti detar të Kosovës në territorin e RSH.
10. Projekt për pjesëmarrjen në iniciativat rajonale, si në SEDM/SEEBRIG, në iniciativën A5, në Balkan Battlegroup të BE, dhe në Qendrat e Ekselencës së NATO-s.
11. Projekt për krijimin e një Instituti të përbashkët të Studimeve Strategjike bazuar në eksperiencën e Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSH.
12. Ngritja e një ekipi të përbashkët Task-Forcë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në NATO.
13. Një grup i përbashkët për dokumentet strategjike, standardizimin, doktrinat dhe manualet e përbashkëta për Operacione në Mbështetje të Paqes.
A. IDEJA E PROJEKTIT STUDIMOR "NON-PAPER"
Dy vendet tona, Shqipëria dhe Kosova, janë dy vende të vogla të rajonit të Ballkanit. Na bashkojnë shumë gjëra së bashku: historia, kultura, vlerat, gjuha, perspektiva, afërsia gjeografike, dhe shumë vlera të tjera. Për këto e shumë arsye të tjera, kemi vendosur të jemi partnerë strategjikë, sepse kemi interesa strategjike të përbashkëta. Nga ana tjetër, kapacitetet njerëzore, financiare dhe materiale të shteteve tona janë të kufizuara, dhe shpesh jo të menaxhuara me efektivitetin e duhur. Ka ardhur koha të vendosim marrëdhënie në nivelin më të lartë për të mirën e dy vendeve tona. Jemi në kohën e duhur që Shqipëria dhe Kosova të zyrtarizojnë një marrëveshje të partneritetit strategjik të ratifikuar nga dy parlamentet tona. Kjo marrëveshje mund të përfshijë fushat kryesore të zhvillimit ekonomik, tregtisë, transportit, energjisë, turizmit, kulturës, por edhe fushën e diplomacisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Synimi i saj duhet të jetë lehtësimi dhe mbështetja e projekteve të përbashkëta në interes të zhvillimit të përshpejtuar të dy vendeve tona, sipas parimit që, ato gjëra që nuk i bëjmë dot veç e veç mund t'i bëjmë së bashku, duke prodhuar sinergji dhe kursyer resurse të nevojshme.
Kjo "Non-Paper" trajton një frymë të re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes. Takimi i dy qeverive është një rast i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën për një këndvështrim të ri, në planin e bashkëpunimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në fushën e mbrojtjes. Përtej aktiviteteve tradicionale që janë zhvilluar deri tani midis institucioneve të mbrojtjes të të dyja vendeve, duhet të kalojmë në një fazë më të avancuar të zbatimit të projekteve të përbashkëta me interes reciprok në fushën e mbrojtjes. Formati i bashkëpunimit duhet të bazohet në formatin e "smart defence" apo "pooling and sharing" të disa kapaciteteve, aty ku ekzistojnë mundësia dhe vullneti politik. Shumë nga fushat e bashkëpunimit që janë sensitive për shkak të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të mosnjohjes përfundimtare të RK nga kjo organizatë, mund të lihen për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, siç janë ato për zhvillimin e kapaciteteve luftarake të përbashkëta (combat). Projektet e tjera që kanë pak ose aspak sensivitet dhe që lidhen me aktivitete joluftarake (non-combat), mund të konceptohen qysh tani dhe të zbatohen në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.
B. FUSHAT E PROJEKTEVE TE PERBASHKETA TE BASHKEPUNIMIT
RSH dhe RK mund të diskutojnë për të përzgjedhur midis projekteve të përbashkëta të mëposhtme, duke nënshkruar marrëveshje të mundshme të përbashkëta në nivel qeveritar dhe parlamentar:
1. Projekt për ndërtimin në planin afatgjatë të një sistemi të përbashkët të arsimimit dhe trajnimit të FA-ve të dy vendeve. Shqipëria dhe Kosova kanë Forca të Armatosura të vogla dhe krijimi i kapaciteteve të veçanta të secilit vend për trajnim dhe arsimim ka një kosto të lartë dhe efektivitet të ulët. Synimi mund të jetë krijimi në periudhën afatmesme i kapaciteteve të përbashkëta të arsimimit dhe trajnimit të personelit oficer, nënoficer, ushtarë profesionistë dhe civilë. Do të ishte më mirë që të dyja vendet të kishim një akademi ushtarake të përbashkët, një akademi nënoficerësh të përbashkët, një shkollë trupe të përbashkët etj. Po ashtu, programet Master dhe Doktoraturë të Akademisë së Mbrojtjes si dhe Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM) të ndiqen nga personeli ushtarak dhe civil i institucioneve të mbrojtjes dhe të sigurisë të të dyja vendeve, sipas kuotave të caktuara më parë dhe kritereve të përcaktuara qartë. Për modalitetet, procedurat, bazën ligjore, organizimin, vendvendosjen e secilit institucion, pjesëmarrjen e stafeve komanduese dhe mësimore, si dhe ndarjen e kostos, mund të diskutohen pas arritjes së vullnetit politik.
2. Projekt i përbashkët në fushën e kapaciteteve të Emergjencave Civile. Fusha e Emergjencave Civile është ndër fushat më të dëshiruara për përdorimin e kapaciteteve të njëri-tjetrit apo krijimin e kapaciteteve të përbashkëta. Shqipëria ka një Brigadë të Mbështetjes Rajonale dhe Kosova ka një Regjiment të Mbrojtjes Civile. Disa prej kapaciteteve të tyre mund të ndahen dhe përdoren me marrëveshje të veçantë sipas parimit 'pooling and sharing' të BE-së apo 'smart defence' të NATO-s. Kapacitetet e përbashkëta apo ndihmesa reciproke në fushën e Emergjencave Civile do të rriste më shumë ndjenjën e solidaritetit midis dy vendeve për t'i ndenjur pranë njëri-tjetrit në fatkeqësi.
3. Projekt i përbashkët për krijimin e një njësie të përbashkët për pjesëmarrje në operacione paqeruajtëse ndërkombëtare. Në kuadrin e operacioneve në mbështetje të paqes, të drejtuara nga NATO, BE, OKB apo koalicione Ad-Hoc, kur ka mundësi dhe vullnet politik të përbashkët, mund të kontribuohet me njësi/ekipe të përbashkëta nga të dyja vendet. Kjo njësi mund të krijohet me njësitë paqeruajtëse të të dyja vendeve tona, dhe të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare paqeruajtëse. Po ashtu, mund të vlerësohet krijimi i një ekipi të përbashkët të këshillimit operacional OMLT/MET për misione të mëvonshme në ISAF pas 2014, sipas vlerësimit të situatës.
4. Projekt i përbashkët për stërvitjen e përbashkët të njësive për operacione joluftarake (paqeruajtëse). Krijimi apo pjesëmarrja me njësi/ekipe të përbashkëta në operacione paqeruajtëse ndërkombëtare kërkon trajnime paraprake intensive dhe organizim paraprak për dislokim strategjik, vendosje në teatrin e operacionit, transferimin e komandim kontrollit, përpunimin e bazës ligjore etj. Rëndësi prioritare do të ketë trajnimi i përbashkët i këtyre njësive/ekipeve të përbashkëta sipas një plani vjetor. Kjo mund të përfshijë stërvitje të përbashkëta fillimisht në nivel toge e kompanie, si dhe certifikimin e tyre sipas standardeve të Aleancës. Po ashtu, plani mund të përfshijë stërvitje të përbashkëta të shtabeve në qendrën e simulimit konstruktiv dhe virtual. Për modalitetet, procedurat, bazën ligjore, organizimin dhe ndarjen e kostos, mund të diskutohen pas arritjes së vullnetit politik.
5. Projekt i përbashkët për kryerjen e prokurimeve të përbashkëta të pajisjeve dhe sistemeve kryesore të FA-ve të dy vendeve. Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë plane prokurimesh të koordinuara të pajisjeve madhore të ushtrive të tyre. Ato duhet të plotësojnë kriteret e Aleancës euroatlantike në mënyrë që forcat e armatosura të dy vendeve tona të jenë të ndërveprueshme në operacionet dhe stërvitjet e përbashkëta që ato mund të kryejnë.
6. Projekt i përbashkët në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve dhe sistemeve. Nëse pajisjet dhe sistemet kryesore të dy vendeve tona do të synojnë të jenë të ndërveprueshme, atëherë ka një vend për bashkëpunim në fushën e infrastrukturave dhe qendrave të mirëmbajtjes së tyre, të cilat mund të jenë të përbashkëta.
7. Projekt i përbashkët në fushën e shkatërrimit të municioneve të vjetra e të tepërta të dy FA-ve. Kjo është një fushë që të dyja vendet mund ta shfrytëzojnë për të shkatërruar municionet dhe armatimet e dala jashtë përdorimit në një infrastrukturë të përbashkët. Për modalitetet, procedurat, bazën ligjore, organizimin, venddislokimin, pjesëmarrjen e stafeve mësimore dhe ndarjen e kostos, mund të diskutohet pas arritjes së vullnetit politik.
8. Projekt në fushën e kapaciteteve të vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore. Fusha e vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore është një nga fushat më të vështira dhe të kushtueshme për zhvillimin e kapaciteteve të mëvetësishme për secilin nga vendet e rajonit tonë. Kjo është një fushë ku Shqipëria dhe Kosova do të synohet të jenë pjesë e projekteve rajonale apo më gjerë. Në kohën e duhur, me mbarimin e misionit të KFOR-it, i cili garanton paprekshmërinë e hapësirës ajrore të Kosovës, Shqipëria do të mbështesë përfshirjen e Kosovës në iniciativën BRAD apo iniciativa të tjera që synojnë kapacitete të tilla jetësore në të ardhmen.
9. Projekt i përbashkët mbi ngritjen e një kapaciteti detar të Kosovës në territorin e RSH. Shqipëria mund të mbështesë krijimin e një kapaciteti portual civilo-ushtarak të Kosovës në territorin e RSH, për të gjitha veprimtaritë ekonomike, tregtare, turistike, por edhe ushtarake, të dislokimit strategjik të mundshëm të forcave të saj në operacionet ndërkombëtare etj. Për modalitetet, procedurat, bazën ligjore, vendndodhjen dhe aspekte të tjera mund të bihet dakord në kohën e duhur, pas arritjes së vullnetit politik.
10. Projekt për pjesëmarrjen në iniciativat rajonale, si në SEDM/SEEBRIG, në iniciativën A5, dhe më pas në Balkan Battlegroup të BE, dhe në Qendrat e Ekselencës së NATO-s. Pavarësisht stadit të secilit vend, Shqipëria dhe Kosova synojnë kontributin në sigurinë rajonale nëpërmjet pjesëmarrjes në iniciativat rajonale të përmendura më sipër dhe të tjera. Një projekt që të synojë një qasje të përbashkët e të koordinuar të pjesëmarrjes dhe kontributit në iniciativat rajonale do të ishte një zgjidhje e mençur për të dy vendet, që mund të sillte një kosto efektive të harmonizimit të kontributeve me përfitimet.
11. Projekt për krijimin e një Instituti të përbashkët të Studimeve Strategjike bazuar në eksperiencën e Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSH. Ky Institut, mund të jetë me studiues dhe analistë të përbashkët, dhe mund të ketë si mision kryesor dhënien e ekspertizës së specializuar në fushën e strategjisë së sigurisë kombëtare si dhe kryerjen e vlerësimeve strategjike të përbashkëta me orientim diplomatik, ekonomik, historik, marrëdhënie ndërkombëtare, siguri dhe mbrojtje, etj;
12. Ngritja e një ekipi të përbashkët Task-Forcë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në NATO. Kjo 'forcë detyre e përbashkët' me ekspertë të 5 fushave kryesore të Partneritetit për Paqe dhe Planit të Veprimit për Anëtarësim do të evidentojë dhe shkëmbejë eksperiencën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si dhe mësimet e nxjerra nga ky proces. Ky grup i përbashkët mund të mblidhet jo më shumë se 1-2 herë në vit dhe do të bëjë një pjesë të mirë të detyrave duke punuar online.
13. Një grup i përbashkët për dokumentet strategjike, standardizimin, doktrinat dhe manualet e përbashkëta për Operacione në Mbështetje të Paqes. Ky është një projekt që ka pasur një zhvillim fillestar, por që duhet të zgjerohet në cilësi, përmbajtje e sasi për të gjitha njësitë/ekipet e përbashkëta. Futja e sistemit të standardizimit me STANAG-et e paklasifikuara të operacioneve të mbështetjes së paqes mund të jetë në qendër të këtij projekti për STANAG-et operacionalë, materialë dhe administrativë. Edhe ky grup i përbashkët mund të mblidhet jo më shumë se 1-2 herë në vit dhe do të bëjë një pjesë të mirë të detyrave duke punuar online.
Gazeta Shqiptare/
Krijoni Kontakt