Ushqimi – Programimi i vakteve: rregullat që duhet të ndiqni
14 Prill 2014 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip
1
Programimi i orareve të të ngrënit është shumë i rëndësishëm për organizmin dhe mirëqenien tonë. Nuk duhet t’i kushtoni vëmendje vetëm llojit të ushqimeve që konsumoni. Më poshtë do të gjeni një informacion tepër të dobishëm…
Informacionet të cilat flasin mbi atë se çfarë duhet të hamë dhe sidomos ato çfarë nuk duhet të hamë, duket se vijnë nga çdo anë. Por në fakt askush nuk na thotë se “kur” duhet ta kryejmë këtë proces jetësor? Duket se askujt nuk i intereson ta dijë këtë. Megjithatë, konsumimi i vakteve në momentet e duhura të ditës është i rëndësishëm për mirëqenien tonë të përgjithshme dhe në mënyrë të veçantë për këdo që dëshiron të humbasë kilet e tepërta. “Forza Supplements”, agjencia britanike e fitnesit dhe e suplementeve të ushqyerjes ka kryer një studim duke përfshirë një grup personash në dietë. Sipas rezultateve dietat më rezultative janë ato të cilat parashikojnë vaktet që duhen ngrënë në orare të mirëpërcaktuara. Si orare më të përshtatshme, për tri vaktet e rëndësishme të ditës, ishin këto: mëngjesi në orën 7:11, dreka midis orës 12:30 dhe 13:00 dhe darka në mënyrë të prerë përpara orës 19:00 ose konkretisht në orën 18:14. Që mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës e dinë të gjithë, megjithatë shumë njerëz vazhdojnë t’i nënvlerësojnë pasojat shumë të këqija të “agjërimit” deri në orën e drekës. Asnjëherë mos e lini pa ngrënë mëngjesin; nëse keni një rregull për të mos e thyer në jetën tuaj, atëherë ai duhet të jetë pikërisht ky. Ndërkohë, e rëndësishme gjithashtu është që të vendosni se çfarë duhet të hani në këtë vakt të parë, sepse me ushqimin e duhur, nivelet e sheqerit në gjak do të jenë “në rregull” për pjesën tjetër të ditës. Zgjidhni diçka integrale, të duhur për marrjen e përditshme të fibrave, por edhe për yndyrat dhe proteinat. Drithërat, sidomos bollgur (prej miellit të tërshërës), janë mënyra ideale për të filluar ditën. Shtojini atyre një pjesë të vogël frutash të thata dhe arra, ose një pjesë frutash të freskëta. Me një mëngjes të tillë në përgjithësi, niveli i sheqerit mund të rritet gjatë ditës dhe për t’u ulur më pas gradualisht gjatë mbrëmjes. Ndërkohë, për t’u shmangur në mënyrë absolute janë traditat tona në bar: ritualja e shijshme “ëmbëlsirë dhe kapuçino” nuk është e rrezikshme vetëm për organizmin tonë, por ajo ndërthur edhe një kombinacion sheqernash dhe yndyrash që fatkeqësisht nuk do të na mbajnë zgjuar për shumë gjatë dhe ka shumë mundësi që ne mund të biem pre e ndonjë vakti të vogël (snack) kalorik përpara drekës. Kështu që do të bëni mirë që mos të hani përpara drekës, përveçse ndonjë frute të freskët. Edhe për drekë kini tendencë që të hani diçka integrale: makarona ose pilaf. Marrja e proteinave, sidomos nga ky i fundit, do t’jua bëjë më të lehtë pritjen e vaktit tjetër ndërsa do të jeni të kënaqur gjatë gjithë pasdites. Makaronat dhe orizi integral (ngjyrë kafe) përmbajnë karbohidrate “të mira” ose ato që organizmi i lëshon më lehtë, por edhe vitaminë B dhe fibra, të duhura për tretjen dhe aktivitetin intestinal. Nga ana tjetër, karbohidratet e makaronave normale, na japin një ndjenjë jo të mirë, përgjumje, ndërsa energjitë tona harxhohen më shpejt. Në darkë përpiquni që të lini një kohë të gjatë mes darkës dhe orës për të fjetur. Ky duhet të jetë një vakt i lehtë, delikat, me kalori shumë të ulëta dhe me proteina të pakta, si për shembull ju mund të hani bishtajore dhe perime jeshile. Tofu (pastë soje) dhe fasule është një kombinim perfekt, pasi ai do t’ju japë një ndjenjë plotësie dhe në të njëjtën kohë do të ju mbajë të lehtë. Edhe në këtë orë, nëse zgjidhni të hani vetëm fruta, akoma më mirë. Por mbani mend që duhet t’i hani gjithmonë një nga një, të paktën një orë përpara se të konsumoni një pjatë të gatuar. Vitaminat e frutave, në fakt, “interferojnë” me proteinat dhe karbohidratet e ushqimeve të tjera dhe për këtë është mirë që t’i hani sa më përpara vakteve.
Krijoni Kontakt