Ndërsa Gjykata e Tiranës ka nisur zyr tarisht procedurat për falimentimin e firmës piramidale “Sude”, vetëm 40 kreditorë kanë marrë pjesë në takimin e datës 18 mars, ku u raportua për asetet që kanë mbetur dhe mënyrën si do ndahen. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Mimoza Çibuku, e ngarkuar për të administruar procedurat e falimentit të kësaj firme, sqaron se më 19 maj të këtij viti do të zhvillohet edhe takimi i dytë me kreditorët. Sipas administratores, në procesin e ndarjes së parave të mbetura nga firma “Sude” do të përfshihen edhe kreditorët që u vunë në dijeni me vonesë për nisjen e procedurave të falimentimit. Ndërsa thekson se firma piramidale zotëron ende një vlerë jo të vogël parash, Çibuku shpjegon se secili kreditor do mund të përfitojë një përqindje fikse nga shuma totale.
Ndërsa kanë nisur zyrtarisht procedurat për falimentimin e firmës “Sude”, shumë pak të interesuar kanë qenë në dijeni, aq sa në takimin e parë janë paraqitur vetëm 40 kreditorë, nga 19 mijë në total. Përse kanë qenë në dijeni të nisjes së procesit të falimentit një numër kaq i kufizuar të interesuarish ?
Fakti është se njoftimi për takimin me kreditorët dhe për nisjen e procedurave të falimentit, siç përcakton dhe ligji, është bërë publik në disa media. Praktikisht është publikuar dy ditë rresht në gazetën “Panorama” dhe dy ditë në gazetën “Shqip”, ashtu si dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Është bërë takimi i parë për raportimin me kreditorët, ndërkohë që ligji parashikon edhe një takim të dytë për vlerësimin e pretendimeve të tyre. Kur do të zhvillohet ky takim?
Takimi për vlerësimin me kreditorët do të bëhet më 19 maj të këtij viti.
Cila është formula që do të përdoret për ndarjen e parave?
Ligji për falimentin përcakton qartë procedurat që ndiqen për ndarjen e aseteve. Është një procedurë që zgjat, pasi duhen bërë verifikime të shumta. Sa mund të zgjasë? Përafërsisht gjashtë muaj. Por më duhet të them se me shtimin e kreditorëve të rinj, pas publikimit të lajmit për ndarjen e parave të “Sudes”, procedurat do të zgjasin më shumë.
Cili do të jetë fati i kreditorëve që janë paraqitur me vonesë? Do të përfshihen në procedurën e ndarjes së parave?
Do të përfshihen, por për shkak të paraqitjes me vonesë do t’i nënshtrohen një serie procedurash.
Mund të na shpjegoni diçka për formulën që do ndiqet për ndarjen e parave?
Pas verifikimeve, kreditorët do të marrin një përqindje të shumës totale.
Sa është shuma totale?
Si do të përcaktohet përqindja që do të marrë secili: kush ka humbur më shumë, do të marrë më shumë?
Nuk mund t’ju jap detaje për shumën në dispozicion, por do të thosha se është një shumë e konsiderueshme parash. Sa për përqindjen, ligji përcakton se secili nga kreditorët do të përfitojë përqindje fikse, jo e llogaritur në bazë të shumës që ka humbur.
Gazeta Shqiptare/
Krijoni Kontakt