Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Qeverinë e Rilindjes po na e përgjojnë!

    Kryeministri në përgjim?!

    Emri:  karikatura.jpg

Shikime: 335

Madhësia:  52.3 KB

    Deputeti demokrat ka lexuar dje një mesazh, të cilin pretendon se Rama ia ka nisur Tahirit dhe ku e kritikon për dyfishimin e vrasjeve. Tahiri thotë se mesazhi është i tij dhe jo i Ramës. Mazhoranca akuzon opozitën se po përdor SHISH-in për të përgjuar Kryeministrin.

    Hetimi parlamentar për lëvizjet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit ka marrë dje një drejtim krejt të ri. Seanca e fundit dëgjimore e programuar me ministrin e Brendshëm ka sjellë surpriza, ku më shumë sesa dëshmia e tij mbi reformën në radhët e uniformave blu, rëndësi ka patur një mesazh telefonik, i lexuar në këtë mbledhje nga ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, të cilin sipas tij, kryeministri Edi Rama ia kish nisur ministrit të vet, Sajmir Tahiri. Sipas Nokës, SMS-ja në fjalë tregon qartë se situata e rendit në Shqipëri është përkeqësuar dhe jo përmirësuar siç pretendon publikisht. “Në muajin mars 2014, dyfish vrasje krahasuar me muajin mars të vitit 2013, gjithashtu janë përkeqësuar të gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët, dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistikor. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe që kemi ne marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë dhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore ndaj teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë unë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që ta kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut s’e meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë ngelur, bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, ç’nuk ke bërë mirë e çdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh”, – citoi Noka duke lexuar këtë mesazh telefonik. Kjo ka gjetur totalisht të papërgatitur si gjithë deputetët e mazhorancës në këtë komision, ashtu edhe vetë ministrin Tahiri, të cilët nuk kanë dashur ta besojnë vërtetësinë e tij. Kështu nënkryetari socialist, Taulant Balla nisi të thërriste në komision se ky ishte një mashtrim dhe sajesë e Flamur Nokës, ndërsa deputeti tjetër socialist, Pjerin Nderu ngriti pikëpyetjen se atë mesazh mund ta kishte shkruajtur vetë Noka. Gjithsesi, kjo gjendje konfuze duket se ka bërë që vetë ministri Tahiri të pohojë, ndoshta në nxitim e sipër, se SMS-ja në fjalë ishte e vërtetë, por duke theksuar se autori i saj ishte ai vetë dhe duke mohuar që atë ta kishte nisur kryeministri në drejtim të tij. “Ja ku e keni mesazhin, është mesazh që u kam dërguar unë dy bashkëpunëtorëve të mi, jo kryeministri mua. Kryeministri nuk më ka nisur asnjëherë një mesazh të tillë, sepse unë detyrën time e bëj shumë mirë, në mënyrë më të përgjegjshme të mundshme”, – tha Tahiri, duke mohuar kështu kritikat dhe vlerësimin negativ të Kryeministrit ndaj tij, por duke pranuar nga ana tjetër përmbajtjen e kësaj SMS-je se situata e rendit në vend është përkeqësuar. “Është tërësisht në vlerësimin tim të bisedoj me bashkëpunëtorët e mi dhe të vlerësoj si i përgjigjen punës. Ja ku e keni mesazhin, i referohet muajit mars, në të cilin vërtet vrasjet janë dhjetë, krahasuar me muajin mars të vitit 2012, që janë 5”, – tha Tahiri. Të gjendur para një fakti të kryer, deputetët e opozitës kanë nxituar më pas që të mos merren më me përmbajtjen, por me aktin e përgjimit të telefonave të politikanëve. Për këtë, ata kanë aluduar edhe për përfshirjen në këtë histori përgjimi të vetë kreut të SHISH-it, Visho Ajazi. “Akoma ka segmente të caktuara në Ministrinë e Brendshme, akoma ai zotëria që mori certifikatën para një jave (Visho Lika), që nuk e kishte dhe zoti Noka e Presidenti thoshte se nuk i duhej sepse e ka me ligj, ndërkohë vajti dhe e mori. Kjo është arsyeja pse vazhdon e përgjohet mazhoranca, por asgjë të keqe nuk ka”, – tha deputeti Xhemal Qefalia. Por deputetët demokratë kanë këmbëngulur se SMS-ja është e Kryeministrit, të cilën Tahiri ua ka nisur vartësve të vet dhe prej këtyre të fundit ajo ka mbërritur në duart e opozitës. “Ta thotë vetë, sepse më ka ardhur nga kabineti i ministrit. Nga kjo meritoni të kuptoni se mos ju ka përgjuar sërish Arben Imami”, – tha Noka. Më pas, pavarësisht se deputetët e majtë janë përpjekur që ta zhvendosin disa herë debatin tek çështje të tjera që kanë të bëjnë me reformën në radhët e forcave të rendit, ai sërish ka kaluar tek SMS-ja, e cila për opozitën vërteton sesa të suksesshme ishin këto reforma.

    Emri:  tahiri-sms-300x233.jpg

Shikime: 321

Madhësia:  13.6 KB

    Mesazhi i plotë

    “Në muajin mars 2014, dyfish vrasje krahasuar me muajin mars të vitit 2013, gjithashtu janë përkeqësuar të gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët, dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistikor. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe që kemi ne marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë dhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore ndaj teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë unë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që ta kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut s’e meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë ngelur, bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, ç’nuk ke bërë mirë e ç’do bësh për të riparuar në qoftë se mundesh”.

    Përgjimi i ministrit, PS kërkon hetim

    Mazhoranca e ka konsideruar të papranueshëm faktin që në duart e opozitës gjendet një mesazh telefonik, qoftë ky tahiri ne komisionedhe i ministrit të Brendshëm. Ajo ka reaguar ashpër dje në komisionin hetimor, ndërsa e ka konsideruar këtë një përpjekje të opozitës, si vijimësi e mendësisë së saj për ta luftuar kundërshtarin e vet nëpërmjet përgjimeve e spiunimeve. “Realisht ishte një nga ato pikat që duhet të na bëjë të gjithëve me turp, të gjithë klasën politike, por kur shoh të gjithë kolegët e opozitës sot, janë përfaqësues të lartë të PD-së, ish-kuadër, ministra apo zv.ministra dhe vijnë këtu me arrogancë e thonë që disponojnë mesazhe që Kryeministri i shkëmben me ministrin, mendoj se është një moment që duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë”, – tha Klosi. Sipas tij, nuk është hera e parë që opozita e sotme, dje mazhorancë, përgjon kundërshtarin politik. “Këtë e ka bërë Sali Berisha prej kohësh, prej vitesh në Parlament. E bëni edhe ju sot. E dimë që keni përgjuar haptazi. Keni blerë pajisje nga ministri të rëndësishme që janë për të ruajtur shqiptarët dhe ju përgjonit opozitën. E keni bërë haptazi këtë kur ne ishim në opozitë dhe vazhdoni të jetoni me këtë historinë e përgjimit, e Sigurimit, e spiunit të veshit dhe syrit, por që kjo gjë të bëhet kaq arrogante dhe në këtë komision është e pafalshme për ne dhe prandaj kërkuam edhe pushimin”, – tha Klosi. Ndërkohë që deputetët e tjerë të së majtës duke aluduar se në këtë përgjim është përfshirë edhe SHISH-i, kanë paralajmëruar se kjo çështje kërkon një analizë të thellë, duke mos përjashtuar mundësinë edhe të një hetimi parlamentar. “Merruni gjatë e gjerë, por edhe thellë. E vërteta është kjo. E shoh që në sytë e mazhorancës ka lindur një shkëndijë gëzimi sepse shohin që mund t’u afrohet ndonjë shans, pavarësisht se janë në përpjekje për ta mbrojtur ministrin këtu, por ajo që është e vërtetë, është e vërtetë”, – iu përgjigj deputeti Flamur Noka paralajmërimit të mazhorancës për hetim parlamentar.

    MAPO
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 12-04-2014 më 23:10

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeverinë e Rilindjes po na e përgjojnë!

    Mesazhi, Noka: S’ka lidhje me përgjimin, më erdhi nga stafi i Ramës ose Tahirit

    TIRANE - Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Noka, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ ka hedhur poshtë akuzat se marrja e mesazhit, që u publikua një ditë më parë në komisionin hetimor, ka lidhje me përgjimin. Noka pretendon se mesazhi që sipas tij, Rama i ka dërguar në celular Tahirit, ka dalë nga stafi i kryeministrit ose Ministrit të Brendshëm.
    Si e keni zbuluar mesazhin që bëtë publik në komisionin hetimor?
    Me gjithë gushtjen e gazetarëve unë të jem i sinqertë dua të jem shumë i prekshëm për qytetarët e vendit tim. Transparenca me qytetarin dhe e vërteta janë në principet e PD-së, dhe unë i përmbahem kësaj. Ajo që është e rëndësishme është përmbajtja e këtij mesazhi. Qytetarët pas asaj seance dëgjimore kanë kuptuar se kryeministri i vendit dhe kabineti i tij gjatë gjithë kohës kanë gënjyer. Mesazhi është i vërtetë, zoti Rama të vijë të ma përgënjeshtrojë mua në seancë se ja vërtetoj. Mesazhi është autentik i shkruar nga kryeministri Rama drejtuar ministrit të tij.
    Kur ju thoni se mesazhi është i vërtetë, ju çfarë i vërtetoni zotit Rama?
    Eshtë hera e parë që unë bie dakord me kryeministrin Rama. Këtë gjë kemi muaj që e themi ne si opozitë, që situata e rendit dhe sigurisë në vend është përkeqësuar frikshëm. E kemi bërë publike, kemi dhënë alarmin prej shumë kohësh dhe përballë kemi hasur kryeministrin dhe ministrat që thoshin kemi përmirësime, 30% thanë më mirë se muaj më parë. Ndërkohë nga ana tjetër në komunikime me njëri-tjetrin pranojnë se situata është përkeqësuar. Kjo ka dy elementë, që situata është alarmante dhe e dyta që kryeministri dhe ministri kanë gënjyer. Ne kemi të drejtën të ngremë një pyetje, mos vallë përveç treguesve të kriminalitetit në vend janë të gjithë treguesit dhe shifrat që janë përmendur në këto 7 muaj qeverisje të rreme dhe false.
    Nëse ngrihet një komision për marrjen e kësaj sms-je, ju do të jeni i gatshëm të dëshmoni? Dhe pse vendoset ta bëni publik në komisionin hetimor?
    Patjetër, prej tyre me ka ardhur. Kur më ka ardhur ky informacion ne kemi qenë në vazhdën e një komisioni hetimor, sigurisht do ta kisha bërë publike edhe më parë nëse ministri do të kishte ardhur më parë. Dje erdhi ministri unë e bëra publike, pasi e dëgjuam në komision, pasi tregoi një fantashkencë atje para komisionit dhe opinionin publik. Kjo e vërtetë e bëri t’i thahej goja, t’i mekej gjuha, derisa deputetët e mazhorancës kërkuan pushim sa të merrte veten.
    Prandaj e kërkuat transmetimin live të komisionit hetimor, pikërisht se do të jepej mesazhi?
    Ne kemi marrë një vendim që nuk do të bënim asnjë seancë pa transmetim live, për publikun. Ky komision nuk ka si objekt të nxjerrë një të vërtetë të opozitës, por të nxjerrë të vërtetën ashtu si është para opinionit publik. Qytetarët janë shumë të interesuar në lidhje me sigurinë dhe rendin.
    Një mendim që u hodh pas publikimit të mesazhit është se zhargoni i përdorur nuk është i kryeministrit, ishte një mesazh shumë i përmbajtur, zoti Berisha tha se kryeministri flet me vartësit me fjalë fyese...
    Kryeministri e ka shumë për qejf komunikimin me sms. Jo vetëm zoti Rama i cili ishte i detyruar të sajonte një përgënjeshtrim, por të gjithë e dinë që ky ishte mesazhi i vërtetë i zotit Rama. Të gjithë ata që e shoqërojnë e dinë që ky është stili i tij dhe gjuha. Kush ka marrë angazhim përballë qytetarëve, zoti Tahiri me policët, apo kryeministri dhe ministri?
    Mënyra se si e keni marrë ju këtë mesazh është në kuadër të një veprimtarie që mund të konsiderohet përgjim?
    E vërteta është, ose nga stafi i kryeministrit ose nga stafi i ministrit më ka ardhur ky informacion. Ata janë të kompleksuar nga përgjimet. S’ka asnjë lidhje me përgjimin. Përgjimi zbardhet dhe ka forma të tjera që del, jo fotografi telefonike. Përralla me përgjim i shohin ata që kanë parë gjithmonë. Për qytetarët ka rëndësi e vërteta që shkruhet këtu, e cila hedh poshtë ç’ka kanë thënë me shifra dhe statistika për çdo gjë që kanë thënë deri tani.
    Zoti Noka, marrëdhënia juaj me Visho Ajazin cila është?
    Nuk kam asnjë lloj marrëdhënieje, përveçse në kuadër të komisionit të sigurisë.
    Pse mos t’i kapim një anë të mirë këtij mesazhi, në fokus janë qytetarët?
    Ligji ministrin e ndalon të ketë komunikim me strukturat policore, qoftë telefonik qoftë me sms. Ministri ka detyrë në bazë të ligjit, të propozojë drejtorin e përgjithshëm për ta emëruar apo shkarkuar dhe të bëjë propozime për nëndrejtorët pas propozimit nga drejtori, të hartojë strategjitë, të miratojë strukturat. Në aspektin operacional të policisë nuk ka asnjë të drejtë. Unë kurrë nuk kam patur kontakte më drejtues të policisë, përveçse me drejtorin e përgjithshëm. Ministri u ndodh shumë keq dje dhe për të gjetur një dalje harroi që është problem ligjor ajo që tha dhe tha ja kam çuar drejtorëve të policisë. Ky është një mesazh politik dhe personal. Ai u mundua të kapërcente situatën duke e zhytur veten edhe më keq.

    TEKSTI I SMS-së
    Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk
    është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, ç’nuk bëre mirë e çdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh

    (er.nu/BalkanWeb)

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeverinë e Rilindjes po na e përgjojnë!

    Vartësit e Tahirit: SMS-të që këmbejmë me ministrin, ja çfarë na shkruan

    NGA: AURORA KOROMANI

    TIRANE-Disa nga drejtuesit e lartë të Policisë deklaruan për "GSH" se ata shkëmbejnë shpesh SMS me ministrin Tahiri për çështje pune. Megjithatë, të paktën 3 prej tyre thanë se nuk e kishin marrë mesazhin që u përfol në komisionin parlamentar.
    Bëhet fjalë për mesazhin që shkaktoi debate të ashpra, ku opozita bëri publik një SMS që pretendohet se kryeministri Rama ia kishte dërguar ministrit Tahiri, duke i kërkuar llogari për kriminalitetin. Tahiri tha se këtë mesazh ai ua kishte dërguar vartësve në Tiranë dhe rrethe.

    Nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga tha dje se: Unë komunikoj shpesh me ministrin e Brendshëm, ashtu si edhe me kreun e Policisë së Shtetit. Nuk jam në dijeni të një mesazhi të tillë. Në telefonin tim nuk ka ardhur një mesazh me këtë përmbajtje, por ndoshta ngaqë unë e takoj pothuajse çdo ditë dhe nuk e ka parë të nevojshme që të më dërgojë mesazh".

    Ndërsa nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla sqaron për "GSH" se: "Jam në dijeni për çfarë mesazhi flitet, por mua nuk më ka ardhur një mesazh i tillë".

    KREU I POLICISE SE TIRANES
    Edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa pohon se nuk mban mend që në telefon t'i ketë mbërritur një mesazh me një përmbajtje të tillë.
    Z.Çipa, jeni në dijeni të një mesazhi, të cilin opozita pretendon se kryeministri Rama ia ka dërguar ministrit të Brendshëm, ku i kërkon korrigjimin e gabimeve, pasi situata e krimit në muajin mars është më e lartë se vitin e kaluar?
    Po, kam dëgjuar për një histori të tillë, por nuk di shumë detaje.
    Ky mesazh është bërë ditën e sotme (dje) objekt debatesh në Komisionin Hetimor, pasi ministri Tahiri është shprehur se këtë mesazh ua ka nisur ai vartësve të tij dhe, duke qenë se ju jeni një prej tyre, menduam se një mesazh i tillë ju ka mbërritur edhe juve?
    Jo, nuk mbaj mend që të ketë ardhur një mesazh i tillë në telefonin tim.
    Komunikoni shpesh me ministrin e Brendshëm?
    Po, normalisht që komunikoj, siç komunikoni ju me eprorët tuaj. Më shumë komunikoj me kreun e Policisë së Shtetit, Artan Didin, por edhe me ministrin e Brendshëm.
    Komunikoni me mesazhe, apo edhe i takoni?
    Sipas rastit, por edhe mesazhe shkëmbejmë shpesh. Madje, me drejtorin shkëmbejmë mesazhe edhe deri pas orës 02:00.
    Mesazhet që ju dërgon ministri, janë të formës së këshillimit apo ka edhe vërejtje për punën?
    Të të gjitha formave; ka edhe raste që na tërheqin veshin.

    (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeverinë e Rilindjes po na e përgjojnë!

    PD: Tahiri gënjeu nën betim, pranoi me SMS se treguesit e krimit janë përkeqësuar



    TIRANË- Një ditë pas dëshmisë së ministrit të Brendshëm në Komisionin Hetimor Parlamentar kanë vijuar polemikat mbi sms-në. Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri deklaroi sot se dëshmia aksidentale e mesazhit, nuk e shpëton Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri nga dëshmia e rreme. Ai akuzoi se Tahiri gënjeu nën betim lidhur me treguesit e kriminalitetit.

    Deklarata e plotë e Strazimirit
    Ministri i Brendshëm, në tentativë për t‘iu shmangur përgjegjësisë publike dhe ligjore që kishte për të bërë transparencë para Komisionit Hetimor, gënjeu nën betim në lidhje me treguesit e kriminalitetit dhe disa momente të rëndësishme të aktivitetit të tij në krye të rendit dhe sigurisë.
    Dje, në 5 orë deponime përpara Komisionit Hetimor, u paraqit individi i konferencave për shtyp të podiumit rilindas, që akuzonte oficerët e policisë për “korrupsion”, “lidhje me krimin”, “obezitet” dhe “paaftësi”, por i ndodhur në opozitë nuk kishte ç’u bënte.
    Dje, i njëjti individ, tashmë në rolin e ministrit që “di dhe ditëlindjet e secilit prej policëve”, pranoi se asnjë prej personave të akuzuar nuk është “liruar”, “përjashtuar” apo “proceduar penalisht” për shkaqet e sipërpërmendura, çka do të thotë se çdo akuzë që pati ngritur ka qenë një broçkull, dhe po broçkull ka mbetur.
    I vetmi kontribut i ministrit, i dhënë aksidentalisht dje ne Komisionin Hetimor, ishte që nëpërmjet pranimit të sms-së së famshme, ka pranuar se në krahasim me vitin 2013, treguesit e krimit, citoj: “janë përkeqësuar”, që “vrasjet janë dyfishuar”, që ka një “lëshim skandaloz të punës”, dhe “neglizhencë fatale”! Dhe në fund që kjo situatë “është e trishtë dhe e rëndë për qytetaret”!
    Me dëshminë e tij aksidentalisht të sinqertë, z.Tahiri konfirmoi shqetësimin mbarëpopullor dhe shqetësimin e opozitës për rritjen e krimit dhe të pasigurisë së qytetarëve.
    Veç kësaj, duke gënjyer nën betim përpara Komisionit Hetimor të Kuvendit, dje Ministri i Brendshëm është bërë përsëri përgjegjës penalisht në bazë të Kodit Penal, neni 306 për “Dëshmi të rreme”, duke rënduar më tej pozitën e tij për “Moskallëzim krimi” në lidhje me vrasjet e disa personave të afërt me të, të cilën e kemi bërë të ditur më parë.
    Nxisim, inkurajojmë dhe këshillojmë përsëri qytetarin Sajmir Tahiri, Ministër i Brendshëm ende në detyrë, që të bashkëpunojë me drejtësinë sepse ligji parashikon lehtësira.

    (d.b/BalkanWeb)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •