-
Për: Gjykata Kushtetuese i shkul veshin Ramës: Komandanti i FA është presidenti jo ti
Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë për kompetencat në FA
Vendimi: Dalja në lirim ose në rezervë e ushtarakëve me vendim të Presidentit, jo Kryeministrit
Gjykata Kushtetuese rrëzon draftin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke i hequr të drejtat Kryeministrit dhe ministres së Mbrojtjes që të nxjerrin në lirim dhe në rezervë ushtarakët me gradë madhore në Forcat e Armatosura. Në vendimin e saj të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si në kundërshtim me Kushtetutën dy nene të rëndësishme të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë”. Dy nenet parashikonin afate, kushte dhe kritere të reja për daljen në rezervë dhe daljen në lirim të ushtarakëve. Fillimisht, Kushtetuesja urdhëroi pezullimin e zbatimit të ligjit, duke bllokuar spastrimet e planifikuara në ushtri. Gjykata ka vendosur rrëzimin e neneve 25/3 dhe 26/4 të ligjit për karrierën në ushtri, sipas të cilit ushtarakët e lartë dalin në rezervë dhe në lirim me kërkesë të ministrit së Mbrojtjes, dhe me firmë të Kryeministrit. Konkretisht, neni 25/3, i rrëzuar nga gjykata, parashikonte që oficerët me gradë madhore dalin në rezervë me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa, neni 26/4, gjithashtu i rrëzuar nga gjykata, parashikonte që oficerët, përveç atyre që mbajnë grada madhore, dalin në rezervë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Pra, me këtë vendim, gjykata shmang përfshirjen e Kryeministrit dhe të ministres së Mbrojtjes mbi ushtrinë. Argumentet ku u mbështet gjykata për shfuqizimin e asaj dispozite si antikushtetuese lidheshin me pozitën dhe kompetencat e Presidentit si Komandant i Përgjithshëm i FA-ve. “Në vijim të qëndrimit më të fundit të Gjykatës, rezulton se nenet 25/3 dhe 26/4 të ligjit, duke pasur një parashikim të njëjtë me nenin 12/ç të shfuqizuar nga kjo Gjykatë, cenojnë kompetencën e Presidentit për lirimin apo daljen në rezervë të ushtarakëve me grada madhore, duke qenë se ai është dhe organi i emërtesës. Për këtë arsye, ato duhet të shfuqizohen si antikushtetuese”- thuhet në pikën 20 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata rithekson në vendim qëndrimin e mbajtur se Presidenti ka një rol të rëndësishëm në sistemin e karrierës ushtarake të oficerëve madhorë dhe në respektim të parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, si dhe parimit të asnjanësisë politike të FA-ve, kushtetutëbërësi ka përfshirë në procesin e karrierës ushtarake Presidentin dhe Ekzekutivin, për të shmangur kontrollin e këtij të fundit mbi këtë sistem karriere. Gjykata thekson se është pikërisht Presidenti që gëzon kompetenca kushtetuese për emërimin dhe shkarkimin, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, të komandantëve të Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, si oficerë me grada madhore.
Pretendimet e palëve
Në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës pretendon se neni 24/5 parashikon se pezullimi i oficerit bëhet nga ministri i Mbrojtjes, ndërsa i ushtarit nga autoriteti i emërimit. Pra, edhe oficerët me grada madhore që emërohen nga Presidenti i Republikës mund të pezullohen nga ministri i Mbrojtjes duke mos respektuar nenin 7 të Kushtetutës si dhe duke cenuar kompetencat e Presidentit, si organ emërtese i oficerëve me grada madhore. “Ligji cenon parimin e përgjegjësisë institucionale, pasi kompetenca të Presidentit ndërthuren ose anashkalohen nga kompetenca të Kuvendit dhe Kryeministrit ose ministrit të Mbrojtjes. Kështu, preket kompetenca e Presidentit për nxjerrjen në lirim të oficerëve me grada madhore, pasi ligji objekt shqyrtimi ia kalon këtë kompetencë Kryeministrit. Në këtë këndvështrim, Presidenti kërkon edhe një interpretim të hierarkisë së kompetencave të Presidentit, Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes në drejtim të FA-ve, referuar neneve 7, 12, 168/2 dhe 169 të Kushtetutës”, – ka argumentuar kreu i shtetit në kërkesëpadinë e tij. Si palë e interesuar në këtë proces, ekspertët ligjorë të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me pretendimin për paqartësi në ndarjen e kompetencave të Presidentit dhe të Kryeministrit, duke favorizuar sipas kërkuesit këtë të fundit sa i takon së drejtës për të pezulluar nga detyra oficerët me grada madhore, shprehen se ky pretendim i kërkuesit nuk qëndron. “Pasi sipas jurisprudencës së Gjykatës, garantimi i këtij parimi arrihet nëpërmjet zgjidhjeve kushtetuese që sigurojnë kontroll të ndërsjellë dhe ekuilibër të mjaftueshëm midis pushteteve. Kuvendi nënvizon se asnjë zgjidhje apo rregullim kushtetues nuk e parashikon Presidentin si hallkë procedurale në procesin e pezullimit të oficerëve me grada madhore”, – shprehet Kuvendi.
Shqip
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt