Projektligji për Ushtrinë, Rama i LSI kundër Qeverisë
“Panorama” shkruan sot se maxhoranca është përçarë dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura”. Deputeti i LSI-së, Luan Rama, ka kundërshtuar nenet e projektligjit të Ministrisë së Mbrojtjes, duke thënë se nisma duhej rishikuar pasi drafti kishte lajthitje në terminologjinë ligjore.
Debati dje në komision është bërë mes deputetëve të shumicës, çka detyroi kryetarin e komisionit Spartak Braho që të ndërpresë mbledhjen dhe ta shtyjë për ditën e sotme. Projektligji arriti të miratohet deri në nenin 12, por pas “konflikteve” dhe gjetjes së gabimeve ligjore, kreu i komisionit kërkoi prej ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ekspertëve të komisionit t’i sqaronin ato, duke hartuar një draft të korrigjuar.
PËRPLASJA
Deputeti i LSI-së, Luan Rama, kundërshtoi projektligjin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke thënë se në nenet e saj paragjykohet institucioni i Presidentit në rastet kur refuzonte emërimin e një gjenerali. Sipas draftit të ri, kreu i shtetit për çdo refuzim duhet të japë arsyetim të shkruar ligjor. “Fjalia në vijim, në të cilën thuhet se ‘refuzimi duhet të jetë i motivuar’ është jashtë konceptit ligjor, është i paragjykuar dhe nuk ka të bëjë me qëndrim ligjor. Është në të drejtën e tij si kryetar shteti, si komandat i FA-së ta refuzojë apo jo, por nuk mund të detyrohet me ligj Presidenti i Republikës të japë shpjegime, të motivojë ose jo, sepse këtë nuk e bën për asnjë institucion tjetër ai”, tha Rama. Ndërsa drejtoresha juridike e MM, Yllka Lamçe, tha se argumentin ligjor e bëjnë edhe gjykatat dhe se nuk ka asgjë paragjykuese. Por, reagimi i deputetit të LSI-së ishte: “Ne duhet të vijmë në komision t’i mësojmë këta juristët që s’i dinë ca gjëra”. Kritikat erdhën edhe nga deputeti i PSsë Pjerin Ndreu, sipas të cilit edhe Presidentit, edhe Kryeministrit i është dhënë në projektligj e njëjta kompetencë. “Ky projektligj ka një problem që edhe te Presidenti, edhe te Kryeministri i jep kompetenca emëruese. Nga njëri duhet të hiqet, se të dy kanë të njëjtën kompetencë”, theksoi deputeti i PS-së.
FATION BINJAKU
Panorama
Krijoni Kontakt