“1 Prilli i ilaçeve”, farmacistët: Procesi duhet të zgjaste minimalisht 3 muaj

TIRANE - Vendimi i qeverisë për të hequr TVSH-në për barnat e importuara dhe prodhuara në vend para datës 1 prill, ka shkaktuar një situatë kaotike për farmacitë, shtetin dhe qytetarët.

Problematika është diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Njerëz në Fokus” të moderatores Ola Bruko në “News24”, ku ishin të ftuar Diana Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari ish-president i Urdhrit të Farmacistëve dhe Roland Xhafa nga shoqata e përfaqësive farmaceutike.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e emisionit, tre farmaciste u shprehen se aktualisht janë në proces inventarizimi, por theksuan se kanë paqartësi lidhur me mënyrën se si do të procedohet më pas. “Jemi gjendur në vështirësi përballë komunitetit. Nuk dimë si ta shpjegojmë situatën.”- u shpreh një farmaciste.

Ish-presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari theksoi se heqja e TVSH-së nuk mund të bëhet brenda ditës, por procesi kërkon minimalisht 3 muaj kohë.

“Kemi kërkuar që të trajtohet si proces, jo një ngjarje që ndodh në një ditë. Ministria e Shëndetësisë dhe Financave u shprehën se ju garantojmë se do ta bëjmë për një ditë. Në gjykimin tim ky proces duhet të zgjaste tre muaj. Kemi qenë ne që kemi thënë të mos ketë TVSH se rëndon xhepat e konsumatorit. Por çfarë merr përsipër qendra e kontrollit të barnave?’- u shpreh Jaupllari.

Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma deklaroi se dy udhëzimet e Ministrisë për këtë çështje të çojnë në dy veprime krejt të ndryshme.

“Kemi kërkuar një shpjegim dhe një mënyrë mbi zgjidhjen e situatës me Ministrinë e Shëndetësisë, reagimi ka qenë inekzistent. Më pas kërkuam sqarime nga Ministria e Financave, sot e kësaj dite nuk kam përgjigje zyrtare. Dy udhëzimet në rrjedhë logjike të çojnë në dy veprime krejt të ndryshme. Dy urdhëresat shprehin gjëra krejt të ndryshme.”- u shpreh Toma.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i shoqatës së përfaqësive farmaceutike, Roland Xhafa tha se në këtë proces grupet e interesit nuk janë të përfshirë ashtu si duhet.

“Duhet të ishte diskutuar më qartë midis ministrisë së financave të shëndetësisë dhe aktorëve të tjerë. Ajo që nisi në janar duhet të kishte vazhduar”- deklaroi Xhafa.

Në një lidhje me studion e emisionit, përfaqësuesja e Qendrës Kombëtare të Barnave, Ina Thereska, shpjegoi se 1 prilli është vetëm dita e fillimit të procesit, i cili do të vazhdojë.

“Të gjitha farmacitë në bazë të udhëzimit të dytë të Ministrisë së Financave do ti ulin TVSH-së 10% pullës ekzistuese të barit dhe më pas do të bëjë rakordimet me institucionet përkatëse.”- deklaroi Thereska.

Sipas farmacistëve, kjo situatë ka sjellë edhe mungesë të barnave, pasi grosistët nuk kanë importuar barnat, sepse duhet t'i importonin me TVSH dhe t'i shisnin pa TVSH.

Situata
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, i cili parashikonte heqjen e TVSH-së për barnat, farmacitë u përballën me një paqartësi dhe mungesë informacioni, se si duhej të vepronin me barnat stok, të cilat ishin të pajisura me pullë me TVSH. Pas kaosit të krijuar, Ministria e Shëndetësisë bëri publik një udhëzim të Ministrisë së Financave, i cili mbante datën 17 mars 2013. Sipas tij, farmacistët, prodhuesit dhe importuesit e barnave duhej të bënin deklarimin e mallit brenda muajit prill.

Ndërkohë që, përcaktohej se do të vijonte shitja me TVSH e këtyre ilaçeve. Pas rezistencës së farmacistëve, Ministria e Financave, përmes një njoftimi për shtyp në datën 3 prill 2014, vendosi të saktësonte situatën e krijuar me farmacistët, ndërsa i udhëzoi ata që të zbrisnin vetë TVSH-në nga ilaçet, ndërsa deri në datën 20 prill duhet të bëjnë deklarimin e barnave stok.

"Sipas udhëzimit të Ministrit të Financave, duke filluar nga data 1 prill 2014, për të gjitha barnat e importuara dhe prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t'u tregtuar, që rezultojnë gjendje në subjekte farmaceutike deri më datë 31 mars 2014, do të aplikohet TVSH zero për qind në shitje, pavarësisht nga masa e TVSH-së që është e shënuar në pullë.

Sipas po këtij udhëzimi, të gjithë tatimpaguesit farmaceutikë do të duhet të inventarizojnë gjendjen e stokut të tyre për barnat që mbajnë pullën e kontrollit me çmim me TVSH 10% dhe ta dorëzojnë në format elektronik ose të shkruar pranë administratave rajonale tatimore deri në datë 20 prill 2014", shpjegoi dy ditë më parë Ministria e Financave, duke shfuqizuar udhëzimin e dy javëve më parë.

Ligji
Ligji "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik" parashikon gjoba dhe heqje licence, në rast se farmacisti tregton ilaçin me çmim të ndryshëm nga sa përcaktohet në pullë, qoftë ky më i ulët apo më i lartë.

"Barnat tregtohen me çmime të caktuara për çdo vit kalendarik. Çmimet e barnave caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e komisionit të çmimeve, nëpërmjet negocimit me fabrikuesit vendas ose të huaj apo përfaqësitë e tyre, mbajtës të certifikatës së regjistrimit. Shitja me çmime të ndryshme nga ato të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, dënohet me 500 mijë lekë gjobë dhe në rast përsëritjeje me heqjen e licencës", thuhet në ligj.

Në këto kushte është e qartë se edhe udhëzimi i dytë i Ministrisë së Financave nuk zgjidh ngërçin e krijuar prej ditësh, ndërsa është e sigurt se nevojiten edhe ndërhyrje të tjera për ta kthyer situatën në normalitet.

(er.nu/BalkanWeb)