Prodhimi po bëhet sërish amerikan
6 Prill 2014 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip
1
ANTOINE VAN AGTMAEL, FRED BAKKER, Foreign Policy
Pjesa e Parë
Në vitin 1998, Dru Grinblat (Drew Greenblatt) mori kontrollin e Marlin Steel, një kompani e vogël nën pronësi familjare me bazë në Bruklin. Kompania prodhonte kosha me fije çeliku të realizuara me dorë, të cilat shërbenin si kasa reklamimi për dyqanet e bukës dhe për shumë dekada, biznesi qe në rritje të vazhdueshme, madje edhe gjatë viteve 1990. Por rreth vitit 2003, dy gjëra ndodhën: popullariteti spektakolar i dietës me pak karbohidrate Atkins e çoi biznesin e prodhimit të bukës së specializuar në gjunjë, ndërsa furnizuesit kinezë filluan të minojnë prodhuesit tradicionalë të koshave duke realizuar produkte shumë më të lira.
Nga viti 2004, kompania qe në prag të falimentit dhe – pastaj, krejt papritur, Boeing punësoi Marlin Steel për një porosi të stërmadhe koshash të precizionit super të lartë për të magazinuar pjesët e avionit gjatë procesit të prodhimit. Grinblat menjëherë e kuptoi se koshat e prodhuar me dorë nuk do të plotësojnë kurrë kërkesat për matje me precizion nanometrik që kërkohej nga tregu tani dhe vendosi të rrezikojë duke blerë një robot të drejtuar nga kompjuteri, i cili mund të presë me shpejtësi metalin dhe ta përkulë atë në një varietet të konsiderueshëm koshash çeliku.
Pjesa tjetër, thotë Grinblat, është thjesht histori. “Ne kemi shitur më shumë se 1 milion kosha të përshtatur shumë sipas kërkesave të klientit nga fabrika jonë në Baltimore… pa asnjë defekt të vetëm në cilësi”. Gjatë recesionit të fundit, shitjet e saj në fakt janë rritur dhe kompania e ka zgjeruar bazën e vet të klientëve duke eksportuar në Kinë, Meksikë, Singapor, Tajvan dhe Kanada. Përgjatë dekadës së ardhshme, Marlin Steel shpreson të realizojë deri në 100 milionë dollarë shitje.
Eksperienca e kësaj kompanie është shumë larg të qenët unike. Një grup interesi i njohur si Reshoring Initiative (Nisma për Rikthim) me bazë në Ilinois, numëron më shumë se 200 raste të kompanive amerikane që e kanë kthyer prodhimin në territorin e Shteteve të Bashkuara.
General Electric tashmë prodhon bateri industriale te një nga fabrikat e saj më të vjetra në shtetin e Nju Jorkut, si dhe pajisje larëse e të tjera shtëpiake në Kentaki. Apple sapo ka njoftuar se do të ndërtojë një fabrikë të re në Arizona dhe kompjuterët Mac së shpejti do të dalin në treg nga fabrika e prodhimit në Ostin, Teksas, për herë të parë që nga viti 2004. Edhe Stiv Xhobs (Steve Jobs) pati deklaruar se sipas mendimit të tij, kompjuterët nuk do të prodhohen kurrë në SHBA.
Google tashmë asemblon smartfonë në Teksas, ku Samsungu nga Koreja e Jugut prodhon gjithashtu çipsat për Apple.
Edhe shumë kompani të tjera po ndërtojnë kapacitete prodhuese në Amerikë duke shënuar një kthesë në tendencë. Caterpillar, Ford, BASF e Gjermanisë, Lenovo e Kinës, Metathex nga Kili dhe Orascom e Egjiptit janë në listën e kompanive që kanë nisur apo rinisur prodhimin në SHBA.
Nëse një dekadë më parë 10 drejtues biznesi do të pyeteshin se ku do të shkonin të ndërtonin fabrikën e tyre të re, së paku nëntë do të përgjigjeshin: Kinë.
Sot, jo më shumë se dy apo tre do të japin të njëjtën përgjigje, ndërsa pesë thonë se do të ndërtojnë në Shtetet e Bashkuara. Pas një rënieje të fortë në manifakturën amerikane, ajo po rikthehet në rritje si peshë në ekonominë amerikane. Por më e rëndësishme është se SHBA-ja po rifiton një avantazh konkurrues në garën botërore për konkurrueshmësi, pasi humbën terren në krahasim me Kinën e vende të tjera në zhvillim përgjatë dy dekadave të fundit.
Një sondazh i kryer në vitin 2012, zbuloi se gjithnjë e më shumë kompani me shitje mbi 10 miliardë dollarë po mendojnë seriozisht të rikthejnë prodhimin e tyre në SHBA. Të njëjtën gjë po mendojnë edhe një e treta e kompanive me shitje mbi 1 miliardë dollarë në vit. Mes të intervistuarve, arsyeja kryesore qe që dërgimi i prodhimit në Kinë kishte rezultuar një proces më i shtrenjtë sesa qe menduar dhe se shumë janë të shqetësuar nga rritja e mëtejshme e pagave në ekonominë e Kinës.
Thelbësore në këtë rivendosje është një miks i pendesës me një të menduar të re. Shumë po binden tashmë se dërgimi i kapaciteteve prodhuese jashtë vendit ka qenë po aq shumë për të kapur tregje të reja sesa ka qenë për të kursyer para në paga.
Në të gjitha rastet, pagat janë një tregues shumë i dobët i kostove të punës, e cila duhet të marrë parasysh edhe produktivitetin më shumë sesa me faktin se sa para merr një punëtor.
Ajo që ka me të vërtetë rëndësi në konkurrencën botërore shkon shumë përtej kostove të punës. Kompanitë mësuan – se më saktë e mësuan për herë të dytë – se cilësia dhe koha e transportit kanë rëndësi për klientët e tyre dhe se kostot e transportit shpesh dalin më të shtrenjta nga sa pritet. Ndërkohë, me zbulimin e gazit argjilor, energjia e lirë po krijon një realitet të ri në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, ndarja e novacionit nga manifaktura rezultoi një ide shumë e keqe.
Për disa kohë, teknologjia e informacionit dhe media shoqërore përfaqësonin fytyrën novatore dhe fuqinë konkurruese të Shteteve të Bashkuara, por kjo është duke ndryshuar, pasi novacioni po përhapet.
Kufiri i ri i ekonomisë së dijes do të jetë “prodhimi i mendjes”, një pasardhës i manifakturës së vjetër që do të integrojë fuqitë e industrisë tradicionale me botën dixhitale, automatizimin, materialet e reja me bazë kërkimore dhe sensorë.
Nuk bëhet fjalë vetëm për raste të izoluara, megjithëse disa janë ende deri diku të mistershme. Ato po i japin një ndihmë shtesë konkurrueshmërisë së Shteteve të Bashkuara në botë. Për më tepër, i gjithë koncepti i “rënies” së manifakturës amerikane së shpejti do të shihet tërësisht nën një këndvështrim të ri. I gjithë diskursi mbi manifakturën do të ndryshojë. Koncepte të tilla si “produkt me intensitet pune” dhe “ekonomi shkalle” apo konceptet e “manifakturës kundrejt sektorit të shërbimeve” do të ripërcaktohen.
Por ndoshta më e rëndësishme sesa kjo, më në fund, ideja se manifaktura është demode, madje e pisët, është bërë vetë një mënyrë demode të menduari. Në fakt, manifaktura nuk ka vdekur në Shtetet e Bashkuara. Ajo po rikthehet.
* * *
Për më shumë se dy shekuj, manifaktura qe një burim i stërmadh rritjeje, fuqie ekonomike, inovacioni dhe – po – krenarie për Shtetet e Bashkuara. Ajo qe shtegu kryesor për shtresën e mesme dhe në kulmin e vet kontribuoi në rreth 40 për qind të të gjithë prodhimit të brendshëm bruto (PBB) (mes viteve 1890 deri më 1960). Në vitet 1950 ajo shënoi kulmin duke ofruar 36 për qind të të gjitha vendeve të punës. Sot, manifaktura jep 12 për qind të PBB-së dhe punëson 12 milionë amerikanë (9 për qind të forcës punëtore).
Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm në këto shifra të tkurrura. Nëpër të gjithë botën e “industrializuar”, baza e manifakturës ka qenë në rënie në pak a shumë të njëjtat përmasa, ndërsa teknologjia e lartë dhe vendet e punës financiare kanë fituar famë e shërbime të tjera me paga më të ulëta kanë vijuar të rriten. Që nga vitet 1970, shpikja e mikroçipit ka shumë rol në këtë rënie të manifakturës. Ndërkohë, manifaktura ka qenë në rritje në ekonomitë në zhvillim.
Megjithëse ajo filloi shumë më herët, rënia në manifakturë u përshpejtua me ritëm alarmant në fillim të këtij shekulli. Shtetet e Bashkuara patën dikur shumë krenari për manifakturën e shtëpisë së vet, por kur të rinjtë prodhues nga vendet në zhvillim mbërritën në skenë duke ofruar kosto pune shumë të ulëta, shumë prodhues nga tekstilet te këpucët tek elektronika duket se patën humbur aftësinë e tyre apo dëshirën për të konkurruar. Kjo solli një rënie të shpejtë në vendet e punës në këtë sektor, veçanërisht në industritë që kanë intensitet të lartë pune, me gjithë shumë industri të tjera as që u prekën fare nga ky fenomen.
Mes viteve 2000 dhe 2007, 3.7 milionë vende pune në manifakturë u humbën. Kjo krizë rrëqethëse i kapi Shtetet e Bashkuara pa vëmendje. Prodhimi në manifakturë u zgjerua me hapin e breshkës prej vetëm 0.5 për qind në vit në një ekonomi në rritje.
Kjo ndodhi edhe para se Recesioni i Madh të godiste, gjë që shtoi humbjet e vendeve të punës dhe mbylljen e fabrikave. Që nga viti 2001, më shumë se 40 mijë fabrika (10 për qind e totalit) mbyllën dyert.
Megjithatë, shumë fabrika të reja në Kinë – madje edhe shumë fabrika të ndërtuara nga investitorë të huaj nga Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Japonia – nuk është se “vodhën” vende pune nga Shtetet e Bashkuara, ata janë thjesht duke iu përgjigjur rritjes së konsumatorëve në vendet në zhvillim.
Ekonomia botërore nuk është një lojë me rezultat zero. Dhe ekonomistët nuk janë të gjithë dakord se kush qe fajtori për këtë automatizimi apo konkurrenca – për shumë humbje të vendeve të punës. Më pak se gjysma e vendeve të punës të humbura në manifakturë qenë lidhur me konkurrencën e re nga ekonomitë në zhvillim dhe zhvendosjen e mjeteve prodhuese në këto vende.
Natyrisht, nuk kishte kuptim për të injoruar kostot shumë më të ulëta të punës jashtë vendit. Konkurrentët nga Kina dhe vendet e tjera në zhvillim jo vetëm që qenë në gjendje të ulnin çmimet, por ata kishin edhe tregje masive të vetat. Për fat të keq, në nxitimin për të kapitalizuar këto eficenca, kompanitë shpesh injoruan disa kosto dhe nuk dalluan shumë rreziqe. Ajo që u sakrifikua në emër të transferimit të prodhimit nuk u analizua siç duhet.
Cilido të jetë shkaku përgjegjës, tashmë nuk ka dyshime se Shtetet e Bashkuara patën vështirësi në konkurrimin me kostot tepër të ulëta të punës nga Kina apo ekonomitë e tjera në zhvillim. Ten Siaopin, udhëheqësi reformist kinez që ktheu përmbys revolucionin maoist, dikur deklaroi, “nuk ka rëndësi nëse një mace është e zezë apo e bardhë për sa kohë ajo kap miun”. Nga fillimi i viteve 1990, Kina filloi të investojë rëndë në garën për t’u afruar ekonomikisht me botën.
Me kosto pune shumë të ulëta, ambicie të mëdha, investime të stërmëdha (gati sa 50 për qind e prodhimit të brendshëm bruto) në infrastrukturë dhe manifakturë, ajo shpejt u bë e njohur si fabrika e botës. Transferimi masiv i vendeve të punës qe, në thelb, një gjunjëzim, një përgjigje mbrojtëse ndaj miliona punëtorëve me kosto të ulët në Kinë, Indi dhe vende të tjera në zhvillim, të cilat iu bashkuan forcës botërore të punës përgjatë 20 viteve të ardhshme. Problemi nuk qe se manifaktura amerikane po ecte keq, por se të tjerët po ecnin më mirë e më shpejt.
Në të njëjtën kohë kur vendet e tjera investuan në kërkim dhe zhvillim, buxhetet e qeverive dhe korporatave po shkurtoheshin në Shtetet e Bashkuara.
Bell Labs, dikur standardi i arit për novacionin korporativ, shtëpia e fituesve të çmimeve Nobel dhe djepi i shpikjeve të shumta, u bë një hije e asaj që kishte qenë. E njëjta gjë ndodhi edhe me qendrat e tjera kërkimore të korporatave, të cilat kishin dhënë shumicën e novacioneve.
Në vend të kësaj, fokusi i inovacionit u zhvendos nga manifaktura te teknologjia e informacionit dhe media shoqërore, pa folur këtu për përdorimin e mendjeve të llojit të shkencës së raketave për krijimin e instrumenteve të reja financiare, të cilat qenë pjesërisht përgjegjëse për krizën financiare. Mund të duhej të kalonin një apo dy dekada, por ky përqendrim në fitimet afatshkurtra të kompanive të manifakturës dhe jo në përqendrimin afatgjatë në novacion dhe ekselencë inxhinierike, filloi të dhembë në mënyrë dramatike.
Kjo vetëkënaqësi, mungesë mbështetjeje dhe devijim nga novacioni më në fund shkatërruan aftësinë e manifakturës amerikane për të konkurruar. Të menduarit afatshkurtër nga korporatat gjithashtu luajti një rol në zhvendosjen e vendeve të punës, e cila u bë modë, veçanërisht që nga fillimi i këtij shekulli. Pagat e ulëta dukeshin kaq tërheqëse sa kostoja e produktivitetit më të ulët, defektet në cilësi, koha e transportit dhe kostot më të larta të transportit në disa raste u injoruan.
Nga viti 2011, Shtetet e Bashkuara kishin një deficit të llogarisë korrente prej rreth 500 miliardë dollarësh – një nga deficitet e një serie të gjatë kohore. Kjo nuk duhet të vinte si surprizë.
Vendet që nuk janë konkurruese në manifakturë janë të dënuara të kenë deficite të mëdha për shkak se mallrat e manifakturës përbëjnë tri të katërtat e tregtisë botërore.
Kjo mund të injorohej për kaq shumë kohë vetëm për shkak se importet dhe eksportet qenë një pjesë e vockël e ekonomisë së stërmadhe amerikane. Në këtë pikë me të vërtetë dukej se Shtetet e Bashkuara patën humbur fuqinë e vet prodhuese.
Në dallim nga SHBA-ja, manifaktura nuk doli kurrë nga moda tërësisht në Europën Veriore, ku mbeti relativisht e fuqishme (veçanërisht në Gjermani dhe Zvicër) ku zhvendosja e vendeve të punës për shkak të kostos së ulët të punës (dhe jo mundësive tregtare) nuk qe kurrë në përmasa të mëdha. Me të vërtetë, Europa Veriore arriti të mbajë një superplus të llogarisë veriore prej 500 miliardë dollarësh përgjatë viteve të fundit, edhe pse një pjesë e kësaj shkoi në vende të tjera europiane, më së shumti në formën e eksporteve të manifakturës.
Pjesa e dytë vijon nesër
1
Autor Gazeta Shqip te 6 Prill 2014. Ndryshe.
Krijoni Kontakt