Ikën prefekti i Kukësit: Kundërshtova emërimet e drejtorëve me precedentë penalë

Nga: Matilda Tota

KUKËS- Ramë Hoxha nga dje nuk është më Prefekt i Qarkut të Kukësit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai ka rrëfyer zhgënjimin e tij për shkarkimin nga ky post edhe pse sikundër thekson e priste që ky të ishte “fati i tij”.
“Politika këto punë ka”, - shprehet ai. Por nuk mjaftohet me kaq. Hoxha denoncon publikisht se arsyet e vërteta të shkarkimit të tij lidhen me kundërshtitë që ka shprehur ndaj emërimeve të personave me precedentë penalë në disa drejtori kyçe të Qarkut të Kukësit.

Ndonëse nuk përmend emra konkretë, ai pohon se “katapultimin” e këtyre individëve nga bota e krimit në administratën e lartë vendore i ka kundërshtuar me zë të fortë dhe të lartë. Tashmë i papunë dhe pa asnjë informacion nëse do të emërohet në ndonjë post tjetër lokal apo qendor, ish-Prefekti i Kukësit nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i urojë pasardhësit të tij, Safet Gjicit, suksese në detyrën e re.

Z.Hoxha kur e morët vesh shkarkimin tuaj dhe emërimin e z.Safet Gjici si prefekti i ri i Qarkut Kukës?

Gjatë mesditës së sotme (djeshme). Ishim në një aktivitet me rastin e Eksodit ‘99, 15-vjetorin e shqiptarëve kosovarë të dëbuar me dhunë nga serbët.

Si e pritët këtë lajm?

Politika këto punë ka. Në një farë mënyrë e kam pritur shkarkimin. E kam pritur për shkak të disa gjërave që nuk shkuan mirë ashtu siç i doja unë apo që i mendoja unë se duheshin bërë ashtu.

Ju jeni emëruar diku tjetër?

Jo. Nuk kam asnjë informacion. Po pres.

Çfarë mendoni se nuk funksionoi? Pse ju shkarkuan kaq shpejt?

Për disa mosmarrëveshje apo mungesë komunikimi jo me qeverinë por me disa institucione vendore në Kukës. Por kjo tashmë është e kaluar dhe s’ka vlerë më për t’u diskutuar. Në këto kushte, për të zbutur luftën politike veprohet në këtë mënyrë.

A mund të na thoni, ju lutem diçka më konkrete?

Unë u mundova aq sa munda. Por dua të them që unë kam qenë shumë i hapur në çdo gjë. Kam kundërshtuar me forcën e ligjit dhe nuk kam qenë dakord me disa emërime që janë bërë në disa drejtori në Kukës, madje janë emëruar persona me precendentë penal. Unë i kam kundërshtuar me zë të fortë dhe të lartë.

A mendoni se kjo ju penalizoi?

Ndoshta. Jo se më penalizoi por mendoj se ka ndikuar për të më penalizuar në këtë mënyrë, deri në largimin tim.

Keni ndonjë peng që nuk e realizuat dot?

Jo s’kam asnjë peng. Unë u mundova t’i bëja gjërat në mënyrën time më të mirë, me aftësitë dhe mundësitë që kisha në shërbim të qytetarëve por mesa duket nuk funksionoi. Dikush tjetër ndoshta do t’i bëj më mirë.

Keni ndonjë opinion për pasardhësin tuaj?

Unë e njoh si biznesmen të suksesshëm. Nuk dua ta paragjykoj për asgjë, as kujt force politike i përket dhe as për asgjë. Nuk paragjykoj. Janë punë politike dhe unë i uroj suksese.

(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)