Në analizën e Agjencisë Amerikane të Inteligjencës, CIA, Shqipëria renditet e 131-ta mes 228 shteteve.
Sipas raportit të CIA-s për vitin 2013, Produkti Bruto i Brendshëm për frymë në Shqipëri është 8.200, aq sa Namibia e Tongo, gjë që e rendit vendin tonë ndër më të varfërit në Evropë. “Edhe pse ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, vendi është ndër më të varfërit në Evropë, si pasojë e infor malitetit të madh në ekonomi dhe infrastrukturës së papërshtatshme të transportit dhe energjisë”, specifikon raporti.
Përveç Kosovës, të gjitha vendet e Ballkanit e kanë PBB për frymë më të lartë se Shqipëria. Maqedonia renditet në vendin 113 më 10.800 dollarë, Serbia në të 111-in me 11, 100 dollarë, Mali i Zi në të 107 me 11.900 dollarë, apo Kroacia e cila paraqitet shumë më mirë, me PBB për frymë në nivelin e 17.800 dollarëve amerikanë.
RAPORTI
CIA publikon çdo vit raportin “The World Factbook”, ku analizohen një seri treguesish ekonomikë, politikë e shoqërorë, që nisin që nga të dhënat e popullsisë e shkojnë deri te qeverisja, energjetika, transporti e forcat e armatosura. Në analizën e saj për vitin 2013, CIA thekson se qeveria ka adoptuar një paketë reformash fiskale për të reduktuar shkallën e ekonomisë gri dhe për të tërhequr investime të huaja. Raporti thekson se remitancat, dikur një mbështetës i rëndësishëm i rritjes ekonomike, kanë rënë nga 12-15% të GDP-së përpara krizës financiare të vitit 2008 në 7% të GDPsë në vitin 2012, “kryesisht prej shqiptarëve që jetojnë në Greqi e Itali”. “Sektori i bujqësisë, i cili është përgjegjës thuajse për gjysmën e numrit të të punësuarve, por që zë vetëm një të pestën e GDPsë, kufizohet kryesisht në sipërmarrje të vogla familjare dhe nga ferma arrijnë të përmbushin vetëm nevojat e familjeve, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, problemeve me pronësinë dhe dominimit të sipërfaqeve të vogla e joeficiente të tokës”, theksohet në raport. TAKSAT “Kodi fiskal mjaft kompleks, si dhe kërkesat e shumta për të licencuar bizneset sjellin si pasojë klimë të vështirë biznesi në Shqipëri”, thekson më tej raporti i CIA-s. Edhe problemet e furnizimit me energji bashkë me infrastrukturën e amortizuar kontribuojnë gjithashtu në shtimin e vështirësive për tërheqjen e investimeve të huaja. “Vendi do të vazhdojë të përballet me sfida për shkak të rritjes së borxhit publik, duke qenë se ka tejkaluar limitin ligjor të kuotës 60% të GDP-së në vitin 2013”, thekson CIA në raport.
Nga: Lorenc Rabeta
Gazeta Shqiptare/
Krijoni Kontakt