Shmangia e ndonjë incidenti të mundshëm nga ana e kreut të Shoqatës Atdhetare për Bashkim dhe Identitet Kombëtar, Kristaq Ziu me diplomatin e vendit fqinj dhe stafin e këtij të fundit kanë detyruar Policinë e Rendit dhe ata Bashkiake që të marrin masa. Vetëm pas largimit me forcë të Ziut është bërë e mundur ngritja e flamurit grek në sheshin "Europa Piazza" me rastin e festës kombëtare të Greqisë. Por me gjithë masat e marra nga blutë, pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, Rokanas është sulmuar me vezë. Mbrëmë, policia ka shoqëruar Kristaq Ziun, i cili është eksponent shumë i njohur në Fier për veprimtaritë e tij antigreke. I kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", ai deklaroi se "është çmenduri që të lejosh grekët të ngrenë flamurin e tyre në mes të Fierit, ndërsa as që mund të bëhet fjalë që të ngresh flamurin shqiptar në Greqi. Është për të ardhur keq teksa shikon pushtetarët tanë të nënshtruar nën thundrën helene".
INCIDENTI
Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, ambasadori Leonidas Rokanas i shoqëruar nga stafi i tij ka mbërritur në Bashkinë e Fierit për të qenë i pranishëm në ceremoninë e ngritjes së flamurit grek. Ndonëse festa kombëtare e Greqisë është më 25 mars, Rokanas dhe bashkiakët e Fierit kishin vendosur që ceremonia të zhvillohej të premten. Mësohet se bashkia e këtij qyteti ka kthyer në traditë që në sheshin "Europa piazza" të ngrihet flamuri i çdo shteti të Europës kur ka festën kombëtare. Pas mbërritjes në bashki, diplomati i vendit fqinj ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun Baftjar Zeqo, si dhe me drejtues të lartë të pushtetit lokal. Ndërkohë që në orën 11:00 ishte programuar ngritja e flamurit grek. Por, ceremonia e ngritjes së flamurit është vonuar për më shumë se 45 minuta, ndërsa ambasadori është detyruar të qëndrojë brenda në godinën e bashkisë. Shkas është bërë, Kristaq Ziu, tashmë një personazh i njohur për manifestimet e tij antigreke. Kreu i Policisë Bashkiake, Bashkim Ymeraj u ka dhënë urdhër vartësve të tij që të largojnë me çdo kusht Ziun nga sheshi ku do të ngrihej flamuri. Kjo për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Të njëjtin urdhër kishin marrë edhe drejtues të Policisë së Shtetit. Blutë dhe bashkiakët kanë takuar dhe larguar nga sheshi kreun e Shoqatës Atdhetare për Bashkim dhe Identitet Kombëtar, i cili kishte hedhur mbi supe flamurin kuq e zi ku shkruhej: "Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipëri". Pas largimit të Ziut, është zhvilluar ceremonia e ngritjes së flamurit grek. E ndërsa ka përfunduar ceremonia, dikush nga qytetarët ka qëlluar me vezë në drejtim të ambasadorit grek. Disa orë pas incidentit, policia e Fierit shoqëroi dhe mori në pyetje Kristaq Ziun. Ne mundëm të kontaktonim me Ziun, i cili në një intervistë për gazetën tregoi se si e përzunë nga sheshi.
Zoti Kristaq, ishit në ceremoninë e ngritjes së flamurit grek në qendër të qytetit të Fierit?
Unë isha në shesh, por më larguan andej me forcë Policia e Rendit dhe Policët e Bashkisë.
Përse ju larguan?
Nuk më lanë, pasi e dinë fare mirë që unë nuk mund të pajtohem me qëndrimin e tyre. Të vijë greku e të ngrejë flamurin shqiptar në mes të Fierit dhe pushtetarët tanë sahanlëpirës ta shoqërojnë, kjo është çmenduri.
A mund të ngrihet flamuri shqiptar në Greqi?!
Absolutisht jo. Nuk na lënë, jo se nuk duam ne.
Çfarë të tha policia?
Policia Bashkiake dhe ajo e Shtetit më thanë që të largohesha. Kishin frikën se mund të bëja diçka. Mund të takoja edhe ambasadorin grek.
Çfarë bëre më pas?
Hipa në tarracën e një godinë trekatëshe dhe filmova gjithçka që u bë në shesh. Por nuk mbaron me kaq. Unë nuk do e lë flamurin grek të valëvitet në Fier. Sapo të ikin forcat e policisë, unë me qytetarë të tjerë do të shkojmë dhe ta heqim. Nuk mund të durojmë valëvitjen e tij në tokën tonë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/
Krijoni Kontakt